Kisha e Shqipërisë nga vitet apostolike deri më sot

2827
19 Shkurt 22:39
Foto: Arkivi UGO Foto: Arkivi UGO

Në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepiskopit; por së fundi ajo u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.

Riorganizimi

Inisiativën për riorganizimin e Kishës së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike me një sërë veprimesh vendimtare.

Në janar 1991, Patriku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës caktuan profesorin e Universitetit të Athinës, episkopin e Andrusës (Drejtor i Përgjithshëm i “Shërbimit Apostolik” të Kishës së Greqisë dhe vëzhgues i Mitropolisë së Shenjtë të Irinopolit), Anastasin, si eksark patriarkal (të dërguar të Patriarkanës), me mision që të shkonte në Shqipëri për t’u takuar me orthodhoksët dhe autoritetet e vendit.
Pas kundërshtimeve shumëmujore të shtetit shqiptar, Eksarku (i dërguari) i Patriarkanës arriti në Tiranë, më 17 korrik 1991.

Gjatë udhëtimit të tij në vend konstatoi shkretimin e tmerrshëm që kishte shkaktuar përndjekja e pamëshirshme. Ishin shkatërruar 1608 kisha dhe manastire.

Veprimi i parë i Eksarkut ishte krijimi i një strukture thelbësore kishtare për përfaqësimin e Kishës lokale. Për riformimin e strukturës kishtare, Eksarku i Patriarkanës mblodhi Asamblenë e Përgjithshme Kleriko-laike 1-2 gusht 1991, me pjesëmarrjen e 15 klerikëve dhe 30 laikëve, nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë, në të cilën u studiua gjendja pas regjimit komunist dhe perspektiva, në fund u zgjodhën 4 këshilltarë (epitropë) arkieratikë dhe Këshilli i Përgjithshëm Kishtar Kleriko-laik me 13 pjesëtarë. Përfaqësia e Kishës së Shqipërisë vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8 qershor 1992), për herë të parë pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut të Patriarkanës si primat të Kishës së Shqipërisë.

Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, me iniciativën e Patrikut Ekumenik Bartolomeut, për rikrijimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi më 24 qershor 1992, me vota unanime, Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë mitropolitin e Andrusës, Anastasin dhe mitropolit të Korçës arkimandritin Kristodhul Mustakas, të Gjirokastrës arkimandritin Aleksandër Kalpakidhis dhe të Beratit, Vlorës e Kaninës arkimandritin Ignat Triandis; ku edhe këto episkopata tashmë u ringritën në rang mitropolie.

Qeveria shqiptare kundërshtoi me forcë, sepse e konsideroi këtë imponim të jashtëm të udhëheqjes greke ndaj njërit prej tre komuniteteve të mëdha fetare. Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i shprehu pakënaqësinë e tij delegacionit të Patriarkanës Ekumenike, që erdhi më 4 korrik 1992, dhe që përbëhej nga mitropoliti i Pergës Evangjelos, mitropoliti i Filadelfias Melitoni dhe protopresviteri me origjinë shqiptare Ilia Katre.

Përfundimisht, Presidenti shqiptar deklaroi se pranon vendosjen e Kryepiskopit Anastas, por nuk bëhet fjalë të diskutohet, që të pranohen të gjithë mitropolitët orthodhoksë të Shqipërisë me origjinë greke.

Kryepiskopi i ri, pasi dërgoi Mesazhin e Madh në Fanar (Patriarkanë), më 12 korrik 1992, u fronëzua në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë përfaqësuesve klerikë e laikë të krahinave të Shqipërisë.

Qarqe të caktuara shqiptare tentuan ta dëbonin atë me një sërë mënyrash, akoma dhe përgatitje projektligjesh, për arsye të prejardhjes së tij greke. Në një mbledhje të jashtëzakonshme kleriko-laike në Durrës, më 21 janar 1993, të gjithë përfaqësuesit deklaruan njëzëri se nuk bëhej fjalë të toleronin një diçka tillë (largimin e Kryepiskopit).

Në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepiskopit; por së fundi ajo u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.

Në korrik 1996, pa ndonjë marrëveshje me palën shqiptare, u bënë në Konstandinopojë dorëzimet në mitropolitë të kandidatëve të zgjedhur në vitin 1992, për mitropolitë në fjalë. Autoritetet shqiptare e refuzuan kategorikisht hyrjen dhe vendosjen e tyre në Shqipëri. Përfundimisht, pas diskutimesh këmbëngulëse ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Autoriteteve shqiptare (nga nëntori i vitit 1997 deri në korrik të 1998), çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u arrit me pranimin e skemës që ai të përbëhej nga dy kryepriftërinj me origjinë greke dhe dy me origjinë shqiptare.

Mitropolitët e zgjedhur më parë të Gjirokastrës, Aleksandri, dhe i Korçës, Kristodhuli, paraqitën dorëheqjen e tyre. Mitropolit i Korçës u zgjodh arkimandriti Joan Pelushi, i cili kishte shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, dhe episkop i Apolonisë dhe episkop ndihmës i Kryepiskopit u zgjodh ikonomi atë Kozma Qirjo, që përfaqësonte brezin e hershëm të priftërinjve, i cili me heroizëm gjatë viteve të egra të persekutimit fetar pagëzonte dhe kryente Liturgji Hyjnore fshehurazi.

Kështu në korrik 1998 me Hirin e Perëndisë u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përbërë nga Kryepiskopi Anastas, kryetar; Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Episkopi i Apolonisë Kozma, Kryesekretar i Përgjithshëm, Protopresviter Jani Trebicka.

Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u mblodh posaçërisht Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e ri të Kishës. Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në nëntor 2006 Sinodi i Shenjtë u plotësua edhe me dorëzimin e tre hierarkëve të tjerë: Mitropolitit të Gjirokastrës, Dhimitër (Sinaiti), i cili kishte shërbyer në 15 vitet e fundit si zëvendësmitropolit i Gjirokastrës; Episkopi i Apolonisë Nikolla (Hyka), pas vdekjes së episkop Kozmait; Episkopi i Krujës Andon (Merdani), këta dy të fundit i përkasin brezit të ri të klerikëve të formuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit. Të dy episkopët u caktuan episkopë ndihmës të Kryepiskopit.

Më 24 nëntor 2008, u nënshkrua marrëveshja, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, marrëveshje që u aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar, me nr.10057, më 22.01.2009. Në janar 2012, u dorëzuan edhe dy episkopë të rinj titullarë: Episkopi i Amantias Nathanail (Lavrioti) dhe Episkopi i Bylisit Asti (Bakallbashi). Edhe këta episkopë mbulojnë sektorë të caktuar të jetës kishtare, Hirësi Nathanaili “Mbikqyrjen e pasurisë së Manastireve” dhe Hirësi Asti “Dhiakoninë Apostolike” (Shërbimin Apostullor).

Me këto dy dorëzime Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për herë të parë në historinë tij përbëhet nga 8 hierarkë: nga Kryepiskopi Anastas, kryetar; Mitropoliti i Beratit, Ignati; Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; Episkopi i Apolonisë, Nikolla; Episkopi i Krujës, Andoni; Episkopi i Amantias, Nathanaili; Episkopi i Bylisit, Asti; Kryesekretar i Përgjithshëm, Protopresviter Jani Trebicka.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe deri më sot, 1992-2013, pavarësisht nga mundimet, trazirat e përgjithshme politiko-shoqërore dhe rrënimi i ekonomisë së vendit, u rimëkëmb nga rrënojat dhe, duke jetuar në atmosferë ngjalljeje, u zhvillua me ritme shumë të shpejta.

Kështu u krijuan dhe u organizuan enoritë (famullitë) në shumicën e qyteteve, fshatrave dhe krahinave me popullsi orthodhokse.

U dorëzuan 165 klerikë, të gjithë nënshtetas shqiptarë, të diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Durrës, që prej vitit 1992. Në këtë shkollë u përgatiten edhe kuadro të rinj për katekizëm dhe shërbime në aktivitete të ndryshme të Kishës. Ndërkohë u dërguan për kualifikim të mëtejshëm në universitete të njohura teologjike jashtë vendit dhe studentë të tjerë.

U zhvillua veprimtaria liturgjike, predikuese dhe katekiste me pjesëmarrjen e klerikëve dhe laikëve. U organizuan lidhjet e Grave, të Rinisë dhe të Intelektualëve, të cilat ndihmojnë në veprën kishtare.

U ngritën nga themelet 150 kisha, u rikonstruktuan 160 të tjera, u restauruan 70 monumente kulture. U blenë dhe u përshtatën 70 godina për qëllime të ndryshme (kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit etj.). E gjithë vepra ndërtuese kishtare arriti në 450 ndërtesa.

Përveç arsimit kishtar (Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit, Shkollës 2-vjeçare së Muzikës Bizantine) u ngritën edhe institucione të tjera arsimore: 17 përkujdesje ditore për fëmijë (kopshte), 3 shkolla 9-vjeçare, 1 gjimnaz, 1 shkollë e mesme profesionale, 2 institute profesionale, universiteti “Logo”. U është dhënë mbështetje teknike e materiale shumë shkollave publike, u rikonstruktuan 10 shkolla, midis tyre konvikti i fëmijëve që nuk flasin e nuk dëgjojnë, dhe 6 përkujdesje ditore (kopshte).

Krahas tyre Kisha tregoi interesim për përkujdesjen shëndetësor në vend, pa dallim besimi, duke ngritur Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, në Tiranë, me më shumë se 24 specialitete dhe me vizita të shumta pacientësh; poliklinika mjekësore në Kavajë, Korçë, Jorgucat dhe Lushnje; një njësi ambulante dentare me shërbimin e saj në qytete dhe fshatra (sidomos për fëmijë).

Në vazhdim Kisha Orthodhokse ka përkrahur një numër të madh programesh sociale dhe ekologjike, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh e ujësjellësish, programe shëndeti dhe shoqërizimi për gratë në zonat rurale, program për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritje qendrash shëndetësore në fshatra, kontributi për shkolla, jetimore, spitale, ndihma për institutet për persona me aftësi të kufizuara, azilet, për të burgosurit.

Gjatë krizave të ndryshme që kaloi vendi (1992, 1994, 1997, 1999), por edhe në vështirësi dhe probleme sociale, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale dhe humanitare, duke siguruar dhe shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj., mbështetje materiale, ekonomike, sociale e shpirtërore, mes tyre organizoi një program të gjerë ndihme në 1999, prej më shumë se 12 milion dollarësh, duke ndihmuar më shumë se 33 mijë kosovarë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë si e barabartë në jetën dhe veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në tërë botë, u bë anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave (ku Kryepiskopi Anastas u zgjodh zëvendëspresident për periudhën 2003-2009), u bë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave (Kryepiskopi Anastas u zgjodh një nga tetë Presidentët i tij në 2006), u bë anëtare e organizatës më të madhe ndërfetare në botë Konferencës së Feve për Paqen (ku Kryepiskopi Anastas u zgjodh President Nderi i saj në 2006), duke qenë kështu e pranishme në veprimtari të ndryshme ekumenike dhe duke kontribuar në përpjekjet për bashkëpunim paqësor dhe solidaritet në rajonin tonë dhe më gjerë.

Shkruar nga Kryepiskopi i ndjerë i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi (+)

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu