E diela e djalit plangprishës (Llukait 15, 11-32.)

Prane atit “Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë.” v. 18.
Shëmbëlltyra e djalit plangprishës, që lexohet të dielën e dytë të Triodit, është, ndoshta, shëmbëlltyra më e njohur, që karakterizohet si unike në llojin e saj dhe shkëlqen midis shëmbëlltyrave të tjera si një diamant i çmueshëm. Për këtë shëmbëlltyrë u tha se është “Ungjill brenda Ungjillit”. Nëse do të ndodhte ndonjëherë të humbasë Ungjilli i Krishtit -një fatkeqësi e tmerrshme dhe e frikshme për njerëzimin- dhe do të shpëtonte vetëm shëmbëlltyra e plangprishësit, ajo vetëm do të ishte e aftë të shprehë, nga njëra anë fundosjen e vlerës njerëzore, në të cilën e çoi njeriun largimi nga Perëndia, dhe nga ana tjetër, të tregojë madhështinë e dhembshurisë dhe dashurisë së paanë të Perëndisë.
Një mësim të madh dhe tronditës u jep të rinjve të çdo epoke, sjellja e djalit më të vogël, nga dy djemtë e atit të dhembshur, siç na tregoi Zoti në shëmbëlltyrën e mrekullueshme. Largimi nga gjiri atëror. Përvoja e hidhur. Dhe kthimi. Mesazhe tronditëse nëpërmjet dramës stereotipe të jetës njerëzore.
Në shtëpinë atërore, ky djali më i vogël, i ka të gjitha të mirat, i ka të gjitha në dispozicion: para, dashuri atërore, nder dhe lavdi familjare. Por nuk kupton që ta ulë kokën e tij nën përvojën dhe këshillat e atit të tij. I riu ka pranuar ndikime të këqija. Është ngurtësuar shpirti i tij. Ndjen gjakun e tij të ziejë, kur i ati i vendos kufizime. Nuk pranon kapistër. -Nuk mund të pres kur do të vdesësh! Tani është koha ime, të gëzoj dhe të shijoj ato, që dëshiron zemra ime! Jepmë, pra, tani pjesën time! Tha, paturp, djali pa dhembshuri. “Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon.” v. 12. Fjalët e tij janë mosmirënjohëse dhe blasfemuese. Fjalë, që i thotë çdo mëkatar, që kërkon pa u menduar nga Ati Perëndi, që t’i japë të mira sikur t’ia kishte borxh, dhe pa ndjerë se me ato mund të shkojë në shkatërrim të plotë.
Ati i tërëmirë, e përqafon me shikimin e dhembshur dhe tërhiqet. E ndan pasurinë në mënyrë të barabartë, i jep rebelit ato që “i takojnë”. Ati është i dashur, prandaj shpreson. Dhe guxon. Sepse beson tek fuqia e pamposhtur e së Vërtetës. Brenda pak ditësh djali rebel i grumbullon të gjitha. Paratë, stolitë, rrobat... Përgatit valixhet. E kthen në para dhe pasurinë e paluajtshme. I merr me vete dhe ikën “në një vend të largët”, duke bërë një jetë të shthurur dhe mëkatare. Duke shpërdoruar çdo gjë.
Por ja, që dikur paratë, sado shumë që ishin, mbaruan. Dhe në momentin kur fatkeqësisht ra një uri në atë vend. Nuk kishte rënë shi. Për më tepër, në vendin e shpërdorimit, e ardhmja e pashmangshme, -parashikimi i vetëm i sigurt -është varfëria dhe mjerimi. Dhe ky fëmijë i pasur filloi tani të shijojë privimin, varfërinë. Detyrimisht shkoi tek një nga vendasit, që kishte atje shtëpinë e tij dhe ara, dhe ai sigurisht nuk do ta strehonte falas... I kërkoi punë të rëndë dhe poshtëruese. Të kullotë derrat pranë baltës.
Dhe ish djali i pasur dje, shikonte sot ato kafshë, që kishin të paktën ushqim me bollëk lendet. Dhe përpiqej të rrëmbente diçka nga ato për të ngrënë dhe për të gënjyer urinë e tij. Por dhe këtë ia ndalonin mbikëqyrësit...
Brenda këtij qorrsokaku të tmerrshëm, erdhi më në fund në vete. Mendoi saktë. “Çfarë po bëj?” tha. Çfarë dua unë këtu? Në shtëpinë e atit tim, punëtorët dhe shërbëtorët e tij ngopen me ushqim, dhe madje u tepron. Dhe unë këtu nga momenti në moment mund të vdes. Kujtoi atin e tij...
-Sa i mirë që ishte! Vallë do ketë të njëjtën dëshirë?... Mos vallë ka ndryshuar?... E pamundur! Atë është, mund të jetë plakur dhe të jetë rrudhosur nga pikëllimi im. Po nuk mundet kurrë të ketë ndryshuar zemra e tij atërore.
Atëherë do të ngrihem dhe do të kthehem tek im atë. Dhe do t’i them: “Ati im, mëkatova dhe e humba respektin përpara Perëndisë dhe përpara Engjëjve dhe përpara teje. Pranomë përsëri, qoftë edhe si shërbëtorin tënd, të përgjërohem”.
Dhe, siç po kthehej, me hapë të avashtë dhe të lodhur, me zemër të rënduar, të mbushur me dhimbje, por edhe me një ëmbëlsi të butë të padukshme shprese, i ati, që vështronte çdo mëngjes, drekë, dhe darkë, horizontin dhe e kërkonte, e pa, e njohu, iu drodh zemra. Dhe duke vrapuar përpara ai vetë që ta arrijë, iu hodh përsipër, e shtrëngoi në zemrën e tij dhe e mbyti në përqafime të ëmbla atërore.
I dërrmuar nga pendimi, i habitur nga dashuria atërore, i prekur thellë, belbëzoi: “O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt.” v. 18-19. Dhe aty e ndërpreu i ati. Kishin mbërritur tashmë aty pas një grup shërbëtorësh të mbushur me kureshtje dhe habi.
“Nxirrni stolinë e parë dhe vishjani, edhe i vini unazë në dorën e tij dhe sandale në këmbët. Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të dëfrehemi. Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet.” v. 22-24.
Të gjithë ne, pra, pak a shumë, largohemi nga shtëpia e atit dhe nga parimet tona të krishtera. Dhe në vazhdim shkojmë “në një vend të largët”, sepse mendojmë se kështu do ta shijojmë dhe do ta gëzojmë jetën. Shpërdorojmë talantat, aftësitë tona dhe dinamizmin tonë, dhuntitë shpirtërore dhe nderin tonë. Fillojmë të gjejmë lumturinë dhe në fund korrim vetminë dhe zhgënjimin. Djali plangprishës mëkatoi shumë rëndë, por dhe me shumë sinqeritet u pendua. Sapo u ndërgjegjësua për katandisjen e tij, ndryshoi rrugë, u pendua, dhe pa u vonuar u kthye tek i ati, i përulur, i penduar. Ajo “mëkatova”, e shpëtoi. E ngriti, e rimëkëmbi, nga vendi ku kishte rënë, në pallatin e atit. Por djali më i madh, nuk duket se u pendua. Ishte egoist dhe kokëfortë dhe u vetëpërjashtua nga gëzimi i shtëpisë.
Dhe shtrohet, para të gjithëve ne, pyetja: Jemi fajtorë, njëri më pak e tjetri më shumë, por, a pendohemi çdo ditë? I pranojmë shkeljet tona? Dhe a themi të dërrmuar, si djali plangprishës, mëkatova? Të qenët mëkatarë është njerëzore, por të qëndrojmë të papenduar, është “nga i ligu”. Dhe është e tmerrshme të mbetet njeriu i papenduar, ndërkohë që Perëndia e pret për t’i dhënë ndjesën.
Por mos të harrojmë se, Perëndia i tërëmirë, Ligjvënësi, është Atë. I tëri dashuri! “Perëndia është dashuri”! 1 Joanit 4, 8. “Perëndia ynë përdëllen”. Psalm 114, 5. Plangprishësi, në momentin e skajshëm të braktisjes së tij, nuk harronte gjirin atëror, dashurinë. Në shtëpinë e tim ati, çfarë bëjnë, si janë, tha! Tek ai, ati im, do të kthehem. Kurrë nuk i ishte hequr nga mendja se, në shtëpinë e ngrohtë të viteve të tija të pafajshme, e pret gjithmonë një atë, me zemërgjerësi, me dashuri dhe është i gatshëm të falë.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Sado e vështirë, që të jetë rruga e kthimit, e përpjetë, e mundimshme, për hapin e lëkundur të një të përndjekuri, brenda dhimbjes së vërtetë dhe lëngimit të pendimit të hirshëm, kjo rrugë na mëshiron, na çliron. Na shpëton. Na rivendos në pafajësinë dhe lumturinë e mëparshme. Ejani ta ecim. U bëftë!
Burimi Ish Mitropoliti i ndjer i Beratit Imzot Ignati


