Udhëtimi me Krishtin u shpjegua përmes rrugës drejt Emausit
Fjala thekson se jeta shpirtërore nis me pastrimin e zemrës, shmangien e krahasimit dhe ndjekjen e urdhërimeve të Zotit.
UDHËTOJMË ME KRISHTIN
Temë e mbajtur nga Kryepiskopi Joan në kampin II të djemve Zvërnec, Vlorë.
Mirëmbrëma të gjithëve! Do të flasim pak rreth temës që keni zgjedhur ju: “Udhëtojmë me Krishtin”. Çfarë do të thotë të ecësh me Krishtin? Do t’ju bëj një pyetje dhe secili prej jush le të mendojë: çfarë do të thotë të udhëtosh me Krishtin? Për ku udhëtojmë? Të gjithë udhëtojmë, por rëndësi ka se ku po shkojmë dhe cili është përfundimi i udhëtimit tonë. Mendoni rreth këtyre fjalëve, sepse dëgjojmë shumë shprehje nga Ungjilli, por duhet të meditojmë mbi to. Do t’ju lexoj një pjesë të shkurtër nga Ungjilli. Dje isha në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, ku po zhvillohej kampi i vajzave, dhe atyre u lexova një pjesë tjetër. Zoti thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.” Kur Zoti thotë: “Unë jam udha”, do të thotë se Ai është udha e shpëtimit. Ne kemi një fjalë shumë të bukur në gjuhën shqipe, një fjalë tragjike. Njeriun e lig dhe të çrregullt e quajmë “i paudhë”. Kjo do të thotë se nuk ka udhë, nuk ka rrugë. Mund të udhëtojë, por nuk shkon askund. Udhëtimi me Krishtin është udha e vërtetë, e cila na çon drejt shpëtimit.
Në Ungjill ka edhe një ngjarje tjetër, ku dy nxënës udhëtojnë me Zotin. Këtë pjesë do t’jua lexoj. “Dhe ja, dy prej tyre po shkonin po atë ditë në një fshat të quajtur Emaus, që ndodhej gjashtëdhjetë stade larg Jerusalemit. Ata flisnin me njëri-tjetrin për të gjitha ato që kishin ndodhur. Ndërsa po flisnin dhe po diskutonin së bashku, vetë Jisui u afrua dhe ecte bashkë me ta. Por sytë e tyre mbaheshin, që të mos e njihnin. Ai u tha: — Çfarë janë këto fjalë që po shkëmbeni me njëri-tjetrin duke ecur? Dhe përse jeni të trishtuar? Njëri prej tyre, me emrin Kleopa, iu përgjigj: — A je Ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk i di ato që kanë ndodhur atje këto ditë? Ai u tha: — Cilat? Dhe ata i thanë: — Ato që lidhen me Jisuin e Nazaretit, i cili ishte profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. Kryepriftërinjtë dhe prijësit tanë e dorëzuan për t’u dënuar me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se Ai ishte ai që do ta çlironte Izraelin. Përveç të gjitha këtyre, sot është dita e tretë qëkur ndodhën këto gjëra. Por disa gra prej nesh na habitën. Ato shkuan herët në mëngjes te varri dhe, pasi nuk e gjetën trupin e Tij, erdhën duke thënë se kishin parë një shfaqje engjëjsh, të cilët thanë se Ai jeton. Disa nga tanët shkuan gjithashtu te varri dhe e gjetën ashtu siç kishin thënë gratë, por Atë nuk e panë. Atëherë Ai u tha: — O të pamend dhe të ngadalshëm në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! A nuk duhej të vuante Krishti dhe të hynte në lavdinë e Tij? Dhe, duke filluar nga Moisiu dhe nga të gjithë profetët, u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet ato që ishin shkruar për Të. Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Ai bëri sikur do të vazhdonte më tej. Por ata e detyruan duke i thënë: — Qëndro me ne, sepse po afrohet mbrëmja dhe dita po mbaron. Dhe Ai hyri për të qëndruar me ta. Kur u ul në tryezë bashkë me ta, mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha. Atëherë sytë e tyre u hapën dhe e njohën, por Ai u zhduk prej syve të tyre. Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: — A nuk na digjej zemra përbrenda, kur Ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” Kjo është pjesa që lexova.
E gjithë kjo ngjarje është parë nga Etërit e Kishës si një paraqitje e udhëtimit tonë me Krishtin. Këta ishin dy njerëz që kishin qenë pranë Krishtit. Kleopa, sipas traditës, ishte vëllai i Josifit. Ata kishin jetuar pranë Zotit, e kishin dëgjuar dhe kishin parë mrekullitë e Tij, por ende nuk e kishin kuptuar plotësisht natyrën e misionit të Tij. Ata prisnin që Krishti të themelonte një mbretëri tokësore dhe ta çlironte Izraelin nga pushtimi. Nuk e kishin kuptuar ende se Zoti kishte thënë: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.” Mbretëria e Krishtit është një mbretëri shpirtërore. Ajo i përket një rendi tjetër. Krishti nuk erdhi për të bërë thjesht një revolucion ekonomik, politik apo shoqëror, për të përmirësuar disa kushte të jashtme. Ai erdhi për ta ndryshuar njeriun nga brenda.
Nëse zemra e njeriut pastrohet, nuk ka nevojë për shumë rregulla. Nëse të gjithë do të ishin të shenjtë, nuk do të kishte korrupsion, padrejtësi, grabitje, shpifje dhe shumë të këqija të tjera. Nëse njerëzit nuk e realizojnë shpëtimin nga brenda, nuk mund ta bëjnë dot atë nga jashtë. Çfarëdo gjëje që të ndërtojnë në pamjen e jashtme, nuk mund të jetë e qëndrueshme pa pastrimin e zemrës. Pastrimi i brendshëm fillon kur kuptojmë realisht cili është qëllimi ynë përfundimtar.
Cili është qëllimi përfundimtar i njeriut? Cila është fitorja më e madhe që mund të arrijë njeriu në jetën e tij? Fitorja më e madhe është të fitojë Mbretërinë e Qiejve. Nëse besojmë në Krishtin dhe besojmë në Perëndinë, besojmë se me vdekjen nuk përfundon jeta e njeriut. Njeriu është krijuar si një qenie e përjetshme. Por destinacioni i tij përfundimtar përcaktohet edhe nga zgjedhja që ai bën: a do të udhëtojë me Krishtin drejt Mbretërisë së Qiejve, apo do të udhëtojë me atë tjetrin, i cili nuk ka rrugë dhe që e çon drejt humbjes?
Udhëtimi drejt fshatit Emaus i këtyre dy nxënësve përfaqëson çdo udhëtim tonin me Krishtin. Edhe ne mund të kemi dyshime. Edhe ne mund të kemi pritshmëri të caktuara. Edhe sot shumë njerëz e besojnë Perëndinë në këtë mënyrë: “Do të besoj te Perëndia dhe Perëndia do të më mbushë me bekime.” Por me bekime të jashtme: pasuri, shtëpi, shëndet, mirëqenie dhe gjithçka tjetër. Shpesh nuk ndodh kështu, sepse vetë Zoti na thotë: “Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, të marrë kryqin e tij dhe të më ndjekë.”
Çfarë do të thonë këto fjalë të Krishtit? Çfarë do të thotë të mohojmë vetveten? Këtë pyetje ua bëra edhe vajzave në kamp. Kur Zoti thotë se duhet të mohojmë vetveten, nuk nënkupton të mohojmë qenien tonë të vërtetë. Ai na kërkon të mohojmë pseudo-veten, veten e rreme që krijojmë. Njeriu krijon një pseudo-vete, e cila bëhet si një parazit dhe e dëmton gjatë gjithë jetës. Kur jemi krenarë, ndërtojmë një maskë të vetes sonë: atë që dëshirojmë të mendojmë se jemi, ose atë që dëshirojmë që njerëzit e tjerë të shohin tek ne. Të gjitha marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë i ndërtojmë duke mbrojtur këtë pamje të rreme, këtë parazit që shkatërron veten tonë reale.
Prandaj Zoti na kërkon që ta largojmë pseudo-veten dhe të gjejmë veten tonë të vërtetë. Në shëmbëlltyrën e Djalit Plangprishës thuhet se, kur ai u pendua, “erdhi në vete”. Kjo do të thotë se deri në atë çast kishte qenë jashtë vetes. Prandaj Perëndia kërkon që të largohemi nga e keqja dhe të shohim realisht se kush jemi. Nëse do ta shohim realisht veten tonë, pa dyshim do të shohim shumë të meta. Atëherë do të fillojmë të merremi me gabimet tona.
Në përgjithësi, njerëzit mendojnë gjithmonë se ata janë mirë dhe të tjerët janë keq. Mendojnë: “Unë kam të drejtë dhe të tjerët nuk kanë të drejtë.” Shenjtorët nuk mendonin kështu. Ata mendonin të kundërtën. Thoshin: “Edhe të tjerët mund të kenë të drejtë, ndërsa unë mund të jem në gabim.” Këtë e thoshin sepse kishin filluar të pastroheshin shpirtërisht. Ky pastrim vinte nga udhëtimi që bënin në jetën e tyre bashkë me Krishtin.
Çfarë do të thotë për ne të udhëtojmë sot me Krishtin? Do të thotë që gjatë gjithë jetës sonë të ecim sipas mësimeve të Zotit. Ai nuk na kërkon vetëm të zbatojmë Dhjetë Urdhërimet klasike. Na kërkon edhe gjëra të tjera: të duam armiqtë, t’i duam të tjerët si veten tonë dhe të mos u bëjmë të tjerëve atë që nuk do të dëshironim të na e bënin neve. Nëse jetojmë sipas këtyre rregullave, udhëtimi ynë do të bëhet shumë i bukur. Nuk ka udhëtim më të bukur sesa njeriu të udhëtojë me Krishtin gjatë gjithë jetës së tij.
Por duhet të kemi parasysh se udhëtimi me Zotin nuk është një çast dhe nuk zgjat vetëm një ditë. Nuk është një vrapim i shkurtër. Është një maratonë e gjatë. Prandaj Zoti na thotë: “Lum ai që do të durojë deri në fund.” Duke udhëtuar me Zotin, zemra jonë ndien gëzim. Ne do t’i shohim gjërat ashtu siç janë, jo ashtu siç i shohim shpesh përmes pasioneve tona.
Kam treguar edhe herë tjetër një histori dhe do t’jua tregoj përsëri. Një mbret thirri këshilltarët e tij dhe u tha: — Më gjeni dy njerëz: njeriun më të mirë në mbretëri dhe njeriun më të keq. Këshilltarët u larguan dhe kërkuan për dy ose tre muaj nëpër gjithë mbretërinë. Në fund gjetën dy njerëz: njërin që mendonin se ishte më i miri dhe tjetrin që mendonin se ishte më i keqi. I sollën përpara mbretit. Mbretit i tha njeriut të mirë: — Shko nëpër mbretëri dhe më gjej një njeri të keq. Pastaj i tha njeriut të keq: — Shko dhe më gjej një njeri të mirë. Pas një kohe, njeriu i mirë u kthye dhe tha: — Kërkova kudo, por nuk gjeta asnjë njeri krejtësisht të keq. Edhe njeriu i keq u kthye dhe tha: — Kërkova kudo, por nuk gjeta asnjë njeri të mirë. Njeriu i mirë e shihte të mirën te njerëzit që e rrethonin, ndërsa njeriu i keq shihte vetëm të keqen.
Në botë ka shumë të keqe, por ajo nuk vjen vetëm nga jashtë. Vjen nga brenda zemrës së njeriut. Janë njerëzit ata që e përhapin të keqen. Kur dikush bën thashetheme për të tjerët, i duket normale. Por kur bëjnë thashetheme për të, revoltohet. Kur shpif kundër të tjerëve, i duket në rregull. Por kur të tjerët shpifin kundër tij, zemërohet. Udhëtimi me Zotin do të thotë të largohemi nga këto gjëra, të largohemi nga e keqja dhe të ecim me Perëndinë. Atje ku është Zoti, nuk mund të jetë e keqja. Atje ku sundon e keqja, nuk është Perëndia.
Prandaj udhëtimi me Krishtin duhet të jetë për secilin prej nesh një udhëtim shpirtëror, një udhëtim pastrimi të mendjes dhe të zemrës, që çdo ditë të bëhemi edhe më të mirë. Përndryshe nuk do të kenë kuptim as lutjet, as përpjekjet dhe asgjë tjetër që bëjmë. Shumë njerëz mund të kenë tridhjetë vjet që vijnë në kishë, por ndonjëherë mund të kenë qenë më të mirë ditën e parë sesa pas tridhjetë vjetësh. Nuk mjafton vetëm të vijmë në kishë. Në kishë vijmë që të shërohemi shpirtërisht. Kisha është një spital. Nuk vijmë vetëm për t’u ndier mirë. Ndihemi mirë pasi shërohemi. Por që të shërohemi, Zoti na kërkon që, përveçse të mohojmë veten e rreme, të marrim edhe kryqin tonë. Kjo do të thotë që duhet të kemi edhe shpirt sakrifice.
Sakrifica nuk e dëmton njeriun. Dikur njerëzit bënin shumë sakrifica: për familjen, për shokët dhe për miqtë. Sot shumë njerëz nuk bëjnë më sakrifica dhe jetojnë vetëm për veten. Sëmundja më e madhe shpirtërore e kohës sonë është pikërisht kjo: egoizmi. Njeriu jeton vetëm për veten e tij. Egoizmi e bën njeriun krenar. Mendon vetëm për veten dhe nuk interesohet aspak për të tjerët. Duke vepruar kështu, ne e largojmë Zotin nga jeta jonë. Dhe kur e largojmë Zotin nga jeta jonë, nuk do të kemi asnjë gëzim. Jeta jonë nuk do të ketë bukuri. Do të ketë gjithmonë përplasje, grindje dhe konflikte. Nëse nuk përqendrohemi te vetja jonë, do të merremi vazhdimisht me të tjerët. Dhe duke u marrë me të tjerët, gjithmonë krijojmë konflikte.
U thashë diçka shumë të rëndësishme edhe vajzave dhe dua t’jua them edhe juve: Gjithsecili prej nesh nuk e ka garën me të tjerët. E ka garën me vetveten. Do t’ju përsëris një shëmbëlltyrë, një paravoli që na tregoi Krishti. Një njeri, para se të largohej, u dha shërbëtorëve të tij talenta. Talenti ishte fillimisht një njësi peshe, rreth tridhjetë kilogramë ar ose argjend. Më vonë mori kuptimin e dhuratës. Edhe sot, kur themi se një njeri është i talentuar, nënkuptojmë se ka një dhuratë që ia ka dhënë Perëndia. Njërit prej shërbëtorëve zotëria i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe të tretit një. Pas një kohe u kthye. Ai që kishte marrë pesë talenta i tha: — Pesë talenta më dhe dhe unë fitova edhe pesë të tjerë. Zotëria i tha: — Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik! Hyr në gëzimin e zotërisë tënd. Ai që kishte marrë dy talenta tha: — Dy talenta më dhe dhe unë fitova edhe dy të tjerë. Edhe atij zotëria i tha të njëjtat fjalë: — Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik! Hyr në gëzimin e zotërisë tënd. Por ai që kishte marrë një talent e kishte fshehur dhe nuk kishte bërë asgjë me të. Prandaj u dënua dhe iu mor edhe ai talent që kishte.
Çfarë do të thotë kjo paravoli për ne? Do të thotë se nuk ka njeri që të mos ketë një talent të vetin. Në vend që të dyfishojë talentin e tij, njeriu shpesh merret me talentet e të tjerëve. Kështu fillojnë ambiciet, zilitë, sherret, grindjet, përpjekjet për ta poshtëruar tjetrin, smira dhe shumë të këqija të tjera. Prandaj secili prej nesh duhet të merret me veten e tij. Shikoni talentin që ju ka dhënë Zoti, zhvillojeni dhe përmbusheni jetën tuaj. Atëherë jeta juaj do të ketë gëzim. Këtë e tha edhe Zoti në paravoli: “Hyr në gëzimin e zotërisë tënd.”
Duke u marrë me të tjerët, nuk do të kemi gëzim. Sot njerëzit nxitojnë shpesh për të qenë të parët dhe për t’ua kaluar të gjithëve. Nuk është e nevojshme t’ua kalojmë të tjerëve. Zoti kërkon prej nesh të dyfishojmë talentin që na ka dhënë. Çdo njeri ka talentin e tij. Njëri mund të ketë talent në sport, tjetri në muzikë, një tjetër në shkencë dhe dikush tjetër në fusha të ndryshme. Nëse e zhvillon talentin tënd, je në rrugën e duhur. Por kur e vendos garën me të tjerët, e vendos veten në një gjendje jo të shëndetshme shpirtërore. Prandaj është shfaqur një sindromë shumë e rrezikshme, e cila ka ekzistuar gjithmonë, por sot është përhapur shumë: sindroma e krahasimit.
Përmes rrjeteve sociale ajo është përhapur edhe më shumë dhe ka shtuar numrin e njerëzve që vuajnë nga dëshpërimi dhe depresioni. Dikush shikon në rrjetet sociale se një tjetër ka shkuar me pushime në Bahamas. Ndoshta fotografia është e sajuar, ose mund të jetë marrë nga diku tjetër, por ai e krahason veten me të. Shikon se fotografia ka marrë shumë pëlqime, ndërsa e tija ka marrë shumë pak. Kjo e vendos në një gjendje dëshpërimi, sepse ka hyrë në garë me tjetrin. Rruga për t’u shëruar nga kjo gjendje është pikërisht ajo që na mëson paravolia: të zhvillojmë dhe të dyfishojmë talentin që Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh.
Secili do të ketë përgjegjësi për talentin e tij. Ai që ka marrë pesë ka përgjegjësi më të madhe, sepse duhet të fitojë edhe pesë të tjerë. Por shpërblimi është i njëjtë. Secili që e dyfishon talentin e vet merr përpara Zotit të njëjtin shpërblim. Sindroma e krahasimit krijon probleme shumë të mëdha. Jo vetëm që shumë njerëz kalojnë në dëshpërim dhe depresion, por shpesh bëhen agresivë ndaj të tjerëve. Xhelozia dhe smira mund t’i shtyjnë të bëjnë veprime të ndryshme: shpifje, postime të rreme dhe sulme kundër të tjerëve. Të gjitha këto krijojnë në shpirt një hidhërim shumë të madh. Atje ku është e keqja nuk ka gëzim dhe nuk ka paqe. Prandaj përpiquni t’i shmangeni sindromës së krahasimit. Secili le të kënaqet me talentet që i ka dhënë Zoti dhe të përpiqet t’i zhvillojë, pa u marrë me talentet e të tjerëve.
Kjo mund të realizohet vetëm nëse ecim me Krishtin. Jo vetëm ta kemi emrin e Krishtit të shkruar diku, por ta kemi të shkruar në zemrën tonë. Të ecësh me Krishtin do të thotë që çdo ditë të përpiqesh të jetosh sipas mësimeve të Zotit. Në fund të udhëtimit drejt Emausit, në thyerjen e bukës, e cila simbolizon Eukaristinë, dy nxënësit e njohën Krishtin. Edhe gjatë udhëtimit të jetës sonë mund të kemi dyshime. Mund të kemi pritshmëri që nuk realizohen. Por, nëse durojmë deri në fund duke ecur në rrugën me Krishtin, në fund do ta njohim Atë. Njohja e Zotit është dhurata më e madhe që mund të ketë njeriu. Njeriu që ka njohur diçka nga Perëndia, pa dyshim ka njohur edhe veten e tij dhe ka arritur ta përmbushë qenien e vet.
Udhëtimi i dy nxënësve përfundoi pranë Krishtit dhe ata u kthyen menjëherë në Jerusalem. Kjo histori është komentuar shumë nga Etërit e Kishës, sepse simbolizon udhëtimin tonë me Krishtin. Përpiquni të udhëtoni me Zotin, sepse jeta juaj ka nevojë për këtë dimension shpirtëror. Mungesa e jetës shpirtërore në kohët e sotme e ka varfëruar shumë jetën e njeriut. Shikoni sa e varfëruar është jeta e njerëzve sot. Vetëm dimensioni shpirtëror i jep shpirtit të njeriut bukuri dhe ndriçim. Ai e bën edhe mendjen më të ndriçuar. Udhëtimi shpirtëror me Krishtin është fitorja më e madhe që mund të realizojë njeriu.
Në fillim ju pyeta: cila është fitorja më e madhe që mund të arrijë njeriu? Sot, për fat të keq, njerëzit shpesh shikojnë vetëm suksesin e jashtëm. Kush arrin një pozitë, kush ka pushtet dhe kush ka para konsiderohet i suksesshëm dhe fitimtar, pavarësisht nëse është apo nuk është njeri i ndershëm. Ndërsa një njeri që nuk i ka arritur këto gjëra, por është shumë i ndershëm, shpesh konsiderohet si humbës. Këto nuk janë kategoritë që vijnë nga Zoti. Në të kaluarën njerëzit e vlerësonin nëse dikush ishte i ndershëm apo i pandershëm. Nëse ishte i ndershëm, edhe nëse ishte shumë i varfër, njerëzit e respektonin. Ndërsa sot kjo nuk ndodh gjithmonë, sepse jetojmë në një shoqëri materialiste, e cila përpiqet vetëm të ketë luks të jashtëm, pa pasur një ndryshim të brendshëm. Por luksi i jashtëm nuk e ushqen dot njeriun. Shpirti nuk mund të ushqehet me gjëra të zbrazëta. Ushqimi i vërtetë që mund ta ndryshojë njeriun është ushqimi shpirtëror.
Një jetë pa dimensionin shpirtëror është një jetë e gjymtuar. Përpiquni që të keni jetë shpirtërore. Jeta shpirtërore nuk është ajo që disa njerëz e paraqesin me romantizëm ose me një lloj misticizmi të paqartë. Jeta shpirtërore është të ndjekësh urdhërimet e Zotit. Kur i riu e pyeti Zotin se çfarë duhej të bënte për të fituar jetën e përjetshme, Zoti iu përgjigj shumë thjesht dhe shumë qartë: “Zbato urdhërimet.” Kjo është rruga. Të ecësh me Krishtin do të thotë të zbatosh mësimin e Tij.
Lexoni pjesë nga Etërit e Kishës, nga historia e Kishës dhe nga jetët e shenjtorëve, sepse ata u formuan duke pasur Krishtin si model. Edhe ne mund të formohemi duke pasur ata si shembull. Leximi i këtyre gjërave na ndihmon. Shumë njerëz bëjnë lexime të tjera që, edhe kur nuk janë të dëmshme, nuk janë ndërtuese. Pjesa më e madhe e informacioneve që marrim janë të kota: thashetheme dhe shumë gjëra të rrjeteve sociale, nga të cilat nuk fitojmë asgjë. Thesari i vërtetë që mund të fitojmë është studimi dhe leximi i Librit të Shenjtë dhe i Ungjillit.
Por nuk mjafton vetëm ta njohim mësimin e Zotit. Duhet edhe ta zbatojmë. Mund ta njohësh shumë mirë ushqimin, por, nëse nuk e ha, nuk ngopesh. Po kështu, nuk mjafton vetëm të njohim urdhërimet. Duhet t’i njohim dhe pastaj të përpiqemi t’i zbatojmë në jetën tonë të përditshme. Nëse e bëni këtë, jeta juaj do të ketë ndriçim dhe do të ketë një qëllim. Çfarëdo lloj vështirësie që të hasni, do të jeni në gjendje ta përballoni. Nuk do të trembeni nga çdo gjë. Njeriu që ka frikë Perëndie nuk ka frikë nga njerëzit. Ata që nuk kanë frikë Perëndie tremben nga njerëzit, nga rrufetë, nga stuhitë dhe nga çdo gjë tjetër. E kalojnë gjithë jetën në frikë. Vetëm njerëzit që kanë frikë Perëndie nuk kanë frikë nga gjërat e tjera. Sepse, nëse Zoti është me ne, siç thotë psalmisti dhe Shkrimi i Shenjtë, kush mund të jetë kundër nesh?
Prandaj do të dëshiroja që të përpiqeni të studioni sadopak mësimet e Zotit dhe pastaj të përpiqeni t’i zbatoni në jetën tuaj të përditshme. Nuk ka udhëtim më të bukur sesa udhëtimi me Zotin. Pas shumë vitesh, pas disa dekadash, kur të ktheni kokën pas dhe të shikoni rrugën që keni bërë, do të filloni të kuptoni sa shumë keni fituar dhe sa shumë keni ecur në rrugën e drejtë. Sepse Zoti thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.” Ndërsa ai tjetri është i paudhë: nuk ka rrugë, është gënjeshtra dhe vdekja. Udha të çon drejt jetës. Udha të çon drejt së vërtetës.
Në shekujt e parë dhe të dytë, besimi i krishterë shpesh quhej thjesht “Udha”. Sepse Udha nuk ishte vetëm një doktrinë. Ishte një Person, dhe ky Person është Jisu Krishti. Edhe e vërteta nuk është vetëm një doktrinë. Është një Person. Edhe jeta nuk është vetëm një ide apo një doktrinë. Është një Person: Jisu Krishti. Prandaj Ai thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.” Përpiquni të mësoni sa më shumë prej Tij. Atëherë jeta juaj do të marrë gjallëri, do të ketë kuptim dhe do të ketë gëzim. Madje, edhe në vështirësitë më të mëdha, gëzimi nuk do të largohet. Sepse prania e Zotit sjell gjithmonë gëzim, sjell dritë dhe sjell ngushëllim. Ju falënderoj për vëmendjen dhe shpresoj që nuk ju lodha.