Patriarkana e Antiokisë denoncon sulme kundër komunitetit të krishterë në Siri
Ngjarje të rënda u regjistruan të premten në qytetin Al-Suqaylabiyah, në provincën Hama të Sirisë, ku banon kryesisht popullsi e krishterë. Sipas Patriarkanës Greko-Ortodokse të Antiokisë, zona u sulmua dhe u frikësua nga zona fqinje, duke shkaktuar dëme në prona, ndërsa edhe shenjtërorja e Hyjlindëses u qëllua me armë
Ngjarjet shkaktuan zemërim të madh publik, me reagime që arritën deri në Damask, përpara selisë së Patriarkanës.
Patriarkana dënon ashpër këto veprime, duke i cilësuar si të papranueshme dhe duke theksuar se ato nuk mund të konsiderohen thjesht si “akte të izoluara”.
Ajo u bën thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të rrepta kundër kujtdo që cenon paqen shoqërore, si dhe të mos neglizhojnë përsëritjen e incidenteve të tilla.
Patriarkana kërkon nisjen e një hetimi zyrtar që do të çojë në arrestimin dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë, si dhe informimin zyrtar për rezultatet e këtij hetimi.
Gjithashtu kërkon dëmshpërblim për ata që kanë pësuar dëme materiale dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme, duke theksuar se shteti duhet të mbajë përgjegjësinë e plotë për ruajtjen e paqes shoqërore dhe kontrollin e armëve të paligjshme.
Patriarkana shpreh vlerësimin e saj për solidaritetin e besimtarëve dhe thekson rëndësinë e bashkëjetesës së popullit sirian në gjithë larminë e tij, si myslimanë ashtu edhe të krishterë.
Ajo rithekson se dinjiteti dhe shoqëria siriane duhet të bazohen në parimet e qytetarisë dhe bashkëjetesës, dhe jo në logjikën e shumicës dhe pakicës.
Në përfundim, duke cituar Patriarkun Joan X, thekson:
“Mjaft më me gjakderdhjen në Siri.”
Ndërkohë, në prag të Vuajtjeve të Shenjta të Krishtit, Patriarkana lutet që Zoti i Paqes të mbrojë këtë vend.