Urimi i Mitropolitit të Fierit, Hirësi Nikollës ditën e përvjetorit të parë të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Joanit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
I nderuar Fortlumturia Juaj, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, në emër të Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë, të të gjithë klerit dhe popullit besimtar, në këtë përvjetor të parë si Primat i Kishës sonë, ju urojmë nga zemra vite të shumta, të bekuara dhe me shëndet.
Ky vit, ka qenë me sfida të shumta, me ngjarje të pritura dhe të papritura,
por ju, me ndihmën e Perëndisë, ia dolët në të gjitha. Falënderojmë Zotin. Lavdi Zotit.
Kryepiskopi i ndjerë Anastas, me të vërtetë na la një Kishë të fortë dhe për këtë e gjithë Kisha jonë do t'i jetë mirënjohëse atij në shekuj.
Por na la edhe një Kishë si një anije të rënduar.
Duhej një kapiten i Zoti, që të mund ta çojë këtë anije drejt limanit të saj, në gjurmët që nisi Kryepiskopi i Anastas; dhe ju ia dolët ta bënit këtë vit.Ju falënderojmë!
Ju ia dolët, pavarësisht nga mungesat e shumta,sepse barrën e rëndë të Kishës sonë do t'ua kishin lehtësuar sadopak edhe Ish Mitropolitët e Beratit dhe të Gjirokastrës, Imzot Ignati dhe Imzot Dhimitri.
Por ju përsëri me aftësinë dhe urtësinë tuaj arritët që brenda këtij viti t'i përmbushnit më së miri të gjitha boshllëqet dhe vështirësitë.
Një sfidë shumë e vështirë për Kishën tonë, që e ndeshëm edhe në kohën kur Kryepiskopi Anastas ishte Primat i Kishës sonë dhe në atë kohë kishte shumë zëra jo vetëm brenda Kishës, por edhe jashtë Saj se çfarë do të bëhet me sfidën e vështirë ekonomike, çfarë do të bëhet pas periudhës kur do të mungojë Kryepiskopi Anastas?
Por ia dolët edhe kësaj sfide kaq të vështirë.
Lavdi Zotit dhe ju falënderojmë, Fortlumturi!
Anija ishte e rëndë dhe e vështirë për t'u udhëhequr.
Ju desh juve ta drejtonit atë në detin e trazuar në të cilën vazhdon të jetë mbarë bota orthodhokse. Por ju, me urtësinë tuaj, ditët të vepronit ashtu si duhet të vepronte një udhëheqës i urtë.
Nëpërmjet vizitës suaj zyrtare në Patriarkanën Ekumenike i treguat mbarë Kishave Orthodhokse dhe mbarë botës orthodhokse që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë traditën e shquar shumëshekullore të Orthodhoksisë dhe do të ruajë parimet e Traditës së saj të Shenjtë, por dhatë edhe mesazhin që Kisha jonë do të vazhdojë të luajë një rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen e unitetit të Kishës.
Ne ju falënderojmë me gjithë zemër.
Sfidat duken të lehta kur i mbajnë të tjerët mbi supe, por kur e provojmë vetë këtë, e dimë sa të vështira janë këto lloj sfidash.
Ju, Fortlumuri ia dolët në të gjitha: Sinodit të Shenjtë, mbarë klerit dhe popullit besimtar të Kishës sonë iu dhatë sigurinë
që ajo vepër e shkëlqyer e nisur nga i ndjeri Kryepiskopi Anastas do të vazhdojë, madje edhe më tepër.
Ju falenderojmë, ju jemi shumë mirënjohës dhe me gjithë zemër ju urojmë: Vite të shumta, të bekuara dhe me shëndet. Shpirti i Shenjtë ju mbushtë plot me dhuratat e Tij, që, ashtu siç e përmbushët këtë vit shërbesën e Krishtit, të vazhdoni për shumë vite në udhëheqje të Kishës sonë. Vite të shumta, të bekuara dhe me shëndet, Fortlumturi. Ju falënderojmë për të gjitha!
Katedralja "Ngjallja e Krishtit", Tiranë
29 mars 2026
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë