Rumani: Mijëra besimtarë në “Marshin për Jetën 2026” në Kluzh dhe Jash
Me bekimin e Kishës së Rumanisë, mijëra qytetarë dolën në mbështetje të fëmijës së palindur dhe të familjes. “Ndërtojmë së bashku për Jetën”, ishte slogani i marshimeve të këtij viti
Nën sloganin “Ndërtojmë së bashku për Jetën”, mijëra qytetarë të të gjitha moshave, ndër ta shumë të rinj, studentë dhe familje me fëmijë të vegjël, morën pjesë në marshimet e këtij viti, të organizuara të shtunën, më 28 mars 2026, në të gjithë Rumaninë dhe Republikën e Moldavisë.
Kluzh: Mesazh Shprese dhe Solidariteti
Në zemër të Transilvanisë, në Kluzh-Napoka, marshimi nisi nga Sheshi Avram Iancu, përpara Katedrales Mitropolitane simbolike. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Klužhit, Albës, Krishanës dhe Maramureshit, z. Andrei, i cili theksoi se jeta është dhurata më e çmuar e Perëndisë.
Organizatorët nënvizuan nevojën për krijimin e strukturave që do t’i mbështesin konkretisht gratë në gjendje krize shtatzënie, duke ofruar zgjidhje alternative në vend të abortit.
Jash: Kryeqyteti shpirtëror në mbështetje të Familjes
Po kështu, në Jash, “metropolin” e Moldavisë, pjesëmarrja i tejkaloi çdo pritshmëri. Marshimi përfundoi në sheshin përpara Pallatit të Kulturës, ku u mbajtën fjalime dhe një koncert kushtuar mëmësisë. Mitropoliti i Moldavisë dhe Bukovinës, z. Teofan, dërgoi një mesazh uniteti, duke theksuar se një shoqëri që respekton fëmijën në barkun e nënës së tij është një shoqëri me të ardhme.
Të pranishmit i prekën thellë dëshmitë e grave që, pavarësisht vështirësive, zgjodhën t’i sillnin në botë fëmijët e tyre, duke gjetur mbështetje te organizatat e krishtera dhe te Kisha.
Një mobilizim mbarëortodoks
“Marshi për Jetën” (Marșul pentru Viață) tashmë përbën një institucion për Kishën Ortodokse Rumune. Nuk bëhet fjalë për një demonstratë të thjeshtë, por për një dëshmi besimi që synon:
- ndërgjegjësimin e opinionit publik për shenjtërinë e jetës njerëzore që nga krijimi
- nxitjen e birësimeve dhe mbështetjen e familjeve shumëfëmijëshe.
- zgjimin shpirtëror përballë rënies demografike që po godet Evropën.
Organizimi i këtij viti u përmbyll me premtimin e besimtarëve se do ta vazhdojnë këtë përpjekje për një botë ku çdo fëmijë do të jetë i mirëpritur dhe çdo nënë do të ndihet e sigurt dhe e mbrojtur.