Depresioni dhe Gëzimi nga pikëpamja e krishterë orthodhokse.

2826
22 Qershor 22:22
14
Foto krijuar për atikullun me IA Foto krijuar për atikullun me IA

Teologu orthodhoks lidh gëzimin e krishterë me Kryqin, dashurinë dhe dhuratën e hirit

Atë Nikolla Ludovikos është protopresviter i Kishës Orthodhokse, teolog, shkrimtar dhe profesor i Fenomenologjisë/Fetarisë dhe Hermeneutikës së Fesë në Universitetin e Janinës. Ai ka studiuar Psikologji, Pedagogji, Teologji, Filozofi dhe Histori të Feve në Athinë, Selanik, Paris dhe Cambridge.

Ka qenë profesor i Dogmatikës dhe Filozofisë në Akademinë e Lartë Kishtare të Selanikut dhe në Akademinë e Lartë Kishtare të Athinës, ndërsa është profesor vizitor në Universitetin e Balamandit dhe në Institutin Orthodhoks të Cambridge-it. Vepra e tij lëviz në kufijtë e teologjisë orthodhokse, filozofisë, psikologjisë dhe antropologjisë bashkëkohore. Ai ka shkruar shumë libra dhe artikuj, disa prej të cilëve janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

................

Atë Nikolla Ludovikos Depresioni dhe gëzimi

…Ne, profesorët e universitetit, kur të dalim përpara Perëndisë, Ai do të na pyesë: “Çfarë bëtë?” Dhe ne do të themi: “Shkuam në shumë konferenca”, dhe të tjera si këto. Mos i dëgjojmë këto. Por, megjithatë, gëzohem që jam bashkë me ju.

Më ftoi atë Gjergji. U takuam në një nga këto konferenca dhe më kërkoi të vija. Ai vetë nuk është këtu, ka një problem. Dhe madje të dielën që isha këtu — ata që ishit këtu do ta keni vënë re — më gjeti edhe temën.

Po. Më thotë: “Do të flasim për gëzimin dhe depresionin”. Kështu nuk tha?

Ishit të gjithë këtu atë të diel? Ngrini pak duart ata që ishit këtu të dielën. Eh, jo edhe shumë.

Pra, nisëm të dielën e kaluar duke thënë këtë gjë, duke bashkuar dy gjëra: një nga Apostulli dhe një nga Ungjilli. Leximi apostolik është ai ku Pavli thotë:

Apostull Pavli thotë: “Për mua mos qoftë kurrë të mburrem me diçka tjetër, përveçse me Kryqin e Krishtit; me anë të të Cilit bota është kryqëzuar për mua dhe unë për botën”. Kështu. Kjo është mburrja ime dhe kjo është prehja ime. Dhe atëherë thoshim se Kryqi është një gjë gëzimprurëse.

Duket e çuditshme. Sepse kur themi “Kryq”, zakonisht na vjen një ndjenjë e tillë… frikësohemi se diçka nuk do të shkojë mirë. Në të vërtetë duket se ndodh e kundërta.

Dhe ekziston një mënyrë përdorimi e Kryqit që sjell gëzim.

Dhe thoshim atëherë, të dielën e kaluar, se kjo fjalë “me anë të të Cilit bota është kryqëzuar për mua”, çfarë është? Është një mënyrë përdorimi e botës që sjell gëzim. Domethënë, kur nuk ndjekim thjesht dhe vetëm lifestyle-in, mënyrën e jetesës së botës, por vullnetin e Perëndisë brenda botës.

Pra bota është ara, është fusha e Perëndisë, është krijesa e Perëndisë. Dhe këtë nuk e harrojmë. Sepse sot priremi ta konsiderojmë veten dhe botën si krijesa tonat.

Kështu nuk është? Pra, me këtë mënyrë humbasim lidhjen me gjërat, sepse as veten tonë, as botën nuk i kemi bërë ne. Kështu nuk është?

Kur, pra, krijojmë botën dhe vetveten, humbasim lidhjen me burimin e jetës, me burimin e kuptimit, që është Perëndia. Dhe për këtë arsye, ky gëzim njerëzor, i cili është vetëm në sipërfaqen e gjërave — siç thotë një shenjtor i madh — qëndron në sipërfaqe. Ndërsa duket i gëzueshëm, është i trishtueshëm.

Sepse prapa, poshtë, gjithmonë fshihen konflikte. E kuptuat? Domethënë, martohen krijesa të mrekullueshme. I mrekullueshëm njëri, e mrekullueshme tjetra. Kështu? Dhe sa shumë përputhen! Dhe pas pak del në sipërfaqe diçka e rrezikshme, e rëndë, e errët. Pse del? Sepse refuzojmë ta përballojmë.

“A nuk është që të kaloni mirë?” thonë edhe sot njerëzit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë të humbasësh kuptimin e gjësë. Sepse në vend që të kalosh mirë, nëse do të dëshiroje të zbatoje kriterin e Kryqit, që në pamje të parë duket i vështirë, çfarë do të ndodhte? Do të zbulohej kuptimi i Perëndisë brenda gjërave dhe prej gjërave. Gjërat do të bëheshin ashtu siç i do Perëndia. Do të filloje t’i lexoje ashtu siç i lexon Ai.

E kuptuat? Dhe atëherë fillon gëzimi i vërtetë. Pse? Sepse Perëndia nuk është ziliqar. Nuk është dikush që të heq gëzimin e jetës. Përkundrazi. Meqenëse Ai vetë është një Person shumë i gëzuar, të jep nga gëzimi që ka. Dhe nga dashuria që ka.

Kini kujdes, djalli ka shpifur shumë ndaj  Perëndisë në këtë pikë. Dhe e ka futur thellë në ndërgjegjen tonë si një — si ta them — plak të vështirë, i cili në fund gjithmonë do të gjejë diçka për të qortuar. Do të thotë: “Fëmijë, ju kapa në diçka këtu”. Nuk është kështu. Perëndia nuk kërkon të të dënojë. Kërkon të të shpëtojë.

Do të thotë se Ai vazhdimisht të keqkupton. Por janë keqkuptime të këndshme. Ashtu si nëna që ka fëmijën e saj të vogël në dorë — tani shoh vajzën time që ka një nip, më fali një fëmijë të vogël — dhe foshnja thotë diçka, dhe ajo thotë: “Dëgjoni, tani tha se është bukur këtu në kopsht”. I them unë: “Nuk tha se është bukur këtu në kopsht, as se sa bukur është këtu në kopsht. Tha: bur-bur-bur”. Por nëna… E kuptuat çfarë po them tani? Nga ajo që tha foshnja, ajo nxjerr një kuptim.

Kështu është pikërisht Perëndia. Belbëzojmë diçka, themi diçka, dhe Ai thotë: “Ua, foli fëmija. Mori frymë. U rrit”. Këtë thotë Apostull Pavli: “derisa të arrijmë të gjithë në njeri të përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit”. A e dini çfarë gjëje e frikshme është kjo? Sikur dikush të presë që ti të rritesh. Kjo do të thotë se Ai të do tani që nuk je i rritur. Tani që je i pamend. Tani që je i vogël. Tani të do. Dhe pret. Bën durim.

Pse bën durim? Sepse Perëndia është dashuri. Dhe kur ne ulim pak tonet e dëshirës së paarsyeshme — dua, dua dhe dua — dëshiro; por a dëshiron njëkohësisht t’i lexosh gjërat siç i lexon Perëndia? T’i shohësh siç i sheh Perëndia? Kështu.

Kjo në fillim mund të duket pak e vështirë, por është e vetmja lumturi që na është dhënë. Sepse atëherë gjërat fillojnë të funksionojnë siç duhet. E shihni? Dhe ajo që gjen pastaj brenda gjërave është vetë Perëndia.

E shihni çfarë po them? Gjen Vetë Atë. Dhe e takon kudo: në familje, te bashkëshortja, te fëmijët, në punë, në rrugë dhe në këtë zhurmë të tmerrshme — ne këtu, që nuk jemi nga Athina, themi: “O Perëndia im, si do t’i duroj kaq shumë orë këtu?” — kaq shumë, kaq shumë. Pra.

E kuptuat? Është e vetmja gjë për të cilën ia vlen që njeriu të bëjë një sakrificë të vogël. Por sakrifica është e vogël përballë asaj që merr. Arrin ta lexosh tjetrin. Përndryshe do të pyesësh gjithë jetën si Frojdi: “Çfarë do gruaja?” Çfarë do gruaja? Po. Kështu thotë. Çfarë do, thotë Frojdi. Dhe nuk e thotë vetëm Frojdi; e themi edhe shumë prej nesh. Por edhe gratë thonë të kundërtën përkatësisht.

Pra, ky problem zgjidhet çuditërisht me këtë mënyrë të Shën Pavlit. Duhet të flasë Perëndia që të zbulojë bukurinë e gjërave që i krijoi Ai. E dëgjoni çfarë po them? Sepse kjo është bukuria e thellë. Tjetra është bukuri e jashtme dhe e zë në kurth mendjen, dhe e bën mendjen të krijojë idhuj të gjërave, të cilat nuk mund t’i shijosh.

Këtë u them ndonjëherë studentëve të mi. Jam profesor në Universitetin e Janinës dhe u them: më shqetëson që nuk mund ta shijoni jetën. Dhe më shikojnë me sy të zgurdulluar. U them: “Kështu nuk është?” Më thonë: “Po, kështu është”. Po, po. Nuk kuptoni asgjë. As të gëzoheni me miqtë, as dashurinë, as përditshmërinë e marrëdhënies. Nuk mund t’i shijosh.

I can’t get no satisfaction. Pra. Dhe përpiqem, thotë, dhe përpiqem, dhe përpiqem. Dhe këtë e kisha marrë që në brezin tim. Kështu. Nuk ekziston. Pse nuk ekziston? Sepse nuk jam në lidhje me burimin e së vërtetës, me kuptimin e të gjithave, me Atë që i krijoi, me Atë që ka manualin. Ky është manuali këtu. Udhëzime përdorimi. Pa këto udhëzime…

I gjithë Ungjilli, ta dini, është udhëzim përdorimi i krijesave të Perëndisë. Por prej Vetë Atij.

Dhe çuditërisht, pra, Pavli thotë me gëzim: “Për mua bota është kryqëzuar dhe unë për botën”. Vetëm me gëzim mund ta thuash këtë. Nëse je i trishtuar, nuk e thua. Është shumë e rëndë. Nëse kryqi është barrë — e kuptuat çfarë them — nuk do ta thoshte. Por thotë me gëzim: “për mua bota është kryqëzuar dhe unë për botën”. Thotë: “edhe bota më konsideron mua të kryqëzuar”. Dhe sa lumturi që më konsideron të kryqëzuar.

Kjo më kujton një përgjigje të një shkrimtari anglez shumë të zgjuar, Oscar Wilde-it, kur disa e shanin, dhe ai thoshte: “Gëzohem shumë për këto që më thoni, sepse kjo provon se nuk jam si ju. Këtë nuk do ta duroja”.

Kështu thotë edhe Pavli këtu. Bota të konsideron të kryqëzuar, por ti e di se e ke zhvendosur masën e gjërave, të të gjitha gjërave; dhe po flas për gjërat e jetës. Unë në këtë çast nuk po flas si murg, sepse nuk jam murg. Po flas realisht për jetën njerëzore, të cilën e jetoni edhe ju, edhe unë.

Dhe pastaj vazhdon në tekstin tjetër, në atë pjesë ungjillore, për djaloshin e pasur, për t’i vërtetuar këto. Mua, kur po lexonim Ungjillin, pikërisht kjo më goditi. Djaloshi, thotë, “u largua i pikëlluar”. Krishti i thotë: “Nëse do të jesh i përsosur…” Tani, në vend të dymbëdhjetë apostujve, do të kishim trembëdhjetë. Do të ishte edhe djaloshi brenda. Tani emrin e tij nuk e di askush dhe të gjithë e qortojmë për mundësinë që humbi.

“Jepi të gjitha, jepi të gjitha”. I do të gjitha? A i bën? I do të gjitha? Jepi të gjitha. Jepi të gjitha dhe më ndiq. Dhe “u largua i pikëlluar, sepse ishte shumë i pasur”. E shihni se pasuria i sjell trishtim. Nuk i sjell gëzim.

Mund të thoshte: “Merri të gjitha, t’i ndajmë bashkë, dhe do të kesh thesar në qiell”. Është fjalë e frikshme. Do të thotë se ke Perëndinë tëndin. I jep pak, por ke Vetë Atë të tërin. Ky është thesari në qiell. Është Vetë Perëndia. Nuk është diçka më pak se Perëndia.

Perëndia nuk jep zëvendësime. Jep Vetveten. Domethënë Shpirtin e Shenjtë. Këtë jep. Dhe me Shpirtin e Shenjtë pastaj, mbaroi. Edhe nëse jeton në Sahara. Edhe nëse jeton në mes të Luftës së Tretë Botërore. Njeriu nuk lëkundet. “Paqen Time po ju jap”, thotë. Këtë paqe nuk na e merr askush. “Ajo që ia tejkalon çdo mendjeje”. Çfarë paqeje kemi ne? Kështu. E humbasim brenda këtyre periudhave.

Por ata që e njohin paqen tjetër, ajo është paqja ku i ke dhënë të gjitha dhe çfarë ke marrë? Vetë Perëndinë. Në vend që të thotë: “Sa i lumtur jam, dhashë pasurinë time”, ai largohet i pikëlluar.

Gjë e frikshme të dish se për shkak të pasurisë humbet përsosmërinë, humbet Vetë Perëndinë. Dhe ai e dinte këtë. Dhe pastaj thotë atë fjalën e frikshme, kundër të gjithëve ne, se i pasuri nuk mund të hyjë. A dëgjoni çfarë duam të bëhemi? A nuk do të donit tani të kishit treqind, pesëqind, disa miliona në bankë? Dhe çfarë thotë Krishti? “Më lehtë”, thotë, “hyn një deve nëpër vrimën e një gjilpëre, sesa një i pasur në Mbretërinë e qiejve”.

Sepse bën atë që thonë psikologët: i pasuri investon pasurinë e tij. Pasuria bëhet zëvendësim i jetës, i pavdekësisë dhe i përjetësisë. Ai beson se jeton vërtet, se ka thelbin. E shihni, “ουσία-usia” në greqisht do të thotë edhe thelb,esencë, edhe pasuri. Ka “thelbin-esencën” e tij, të cilën pas pak do ta shpërdorojë duke jetuar si plangprishës dhe do të provojë shkretinë. Edhe më parë ishte i shkretë, por tani do të duket edhe shkretia. Dhe nëse nuk e shpërdoron, përsëri i shkretë do të ndihet. Përsëri i shkretë do të ndihet. Trupa të shkretë. Po.

E kuptuat? Përsëri nuk do të gjejë rrugëdalje. Pse nuk do të gjejë rrugëdalje? Sepse pasuria i jepet që të bëjë diçka me të. Është një lëmoshë që të bën Perëndia, një dhuratë. Të gjitha janë dhuratë. Aftësitë trupore, aftësitë mendore. Kështu. Pasuria, të gjitha janë dhuratë e Perëndisë. Të bën të denjë të punosh dhe t’i fitosh paratë — le të themi se është kështu; disi kështu është. Më pas, megjithatë, do që t’i përdorësh bashkë me Të. T’i shpërndash bashkë me Të.

Kjo është çështja. Përndryshe, siç them në një ligjëratë timen, kjo të pushton. E shihni: i pasuri dhe Llazari. Ju kujtohet? E keqja nuk është se ai është i pasur. E keqja është se nuk e sheh Llazarin, por shton kënaqësinë. Përdor fatkeqësinë e tjetrit për të thënë sa i lumtur është vetë. Dhe me këtë mënyrë humbet kuptimin e dhuratës së pasurisë që iu dha.

Kështu humbasim kuptimin e pasurisë, të shëndetit, kuptimin e bukurisë, kuptimin e zgjuarsisë, të gjitha dhuratat natyrore të Perëndisë. I humbasim në këtë mënyrë. Po. Dhe në fund humbasim vërtet jetën tonë. Kjo është gjëja kryesore, e madhja.

Pra… Këto thosha unë, dhe ndoshta duhej të thosha shumë më tepër të dielën e kaluar. Dhe sepse ekziston edhe e diela tjetër, unë dua të përdor një tekst kur flas.

Pse dua të përdor tekst? Më pëlqen kjo, sepse ky tekst, kjo gjë këtu, libri (ungjilli), ka thesare të pabesueshme. Është e rëndësishme që njeriu të dijë ta hapë me çelës dhe të gjejë brenda gjëra të mrekullueshme. Sepse nuk i themi ne. I thotë Dikush tjetër.

Shikoni pra, të vazhdojmë për gëzimin. Eh, pastaj do të duket çfarë është depresioni. T’ju them se çfarë është depresioni në kuptimin psikoneurologjik? Është mungesë dopamine dhe oksitocine. Njëra është hormoni i gëzimit dhe tjetra është hormoni i komunikimit. Dhe janë gjëra të afërta.

Depresioni është në thelb mungesë dashurie. Kur njeriu nuk di si të dashurojë. E shihni që askush nuk di më si të dashurojë? Jo si të dashurohet, por si të dashurojë. Kur nuk gjen më arsye për të dashur. Kjo është gjendja më e mërzitshme. Dhe është, në thelb, udhë që çon drejt depresionit.

Fjalët e para që do t’ju thotë një njeri në depresion, shenja, janë: “Nuk më intereson askush, asgjë”. Janë fjalët me të cilat njeriu hyn në depresion në kuptimin klinik. Domethënë, në kuptimin ekzistencial, çfarë do të thotë kjo? E shihni, këto dy hormone janë hormone bashkëvepruese. Nuk mund t’i prodhosh vetëm. Duhet dikush tjetër të t’i japë. E frikshme.

Por ato sekretohen këtu brenda; megjithatë tjetri bën që të sekretohen. E kuptoni? Në çastin kur thua se më në fund arrita të dua vetëm veten time, në atë çast ndalet oksitocina — bam — dhe fillon të pish. Pse pi? E kuptoni? Ose fillojnë zëvendësime të tjera të marrëdhënies së vërtetë. Dhe njerëzit sot jetojnë me zëvendësime marrëdhëniesh. Nëntë nga dhjetë njerëz jetojnë me zëvendësime marrëdhëniesh. Domethënë me gjëra që i vrasin ndjeshmërisht, vërtet, që i dhembin, por që zëvendësojnë marrëdhëniet që nuk duan, nuk munden, nuk dinë t’i kenë.

Psikoterapia amerikane — unë nga këto kam nisur, siç e dini, siç thatë, dhe janë edhe të afërta për mua — thotë: kur mbaron analiza? Kur shkon te psikoterapisti? Kur nuk mund të komunikosh me të tjerët. Çështja është se me një racionalizim të thjeshtë nuk vjen as komunikimi, as marrëdhënia. E kuptoni?

Nuk mund të mendoj: shiko, e dini, që të kem nivele të rregullta dopamine, për shembull, dhe noradrenaline ose norepinephrine, dhe gjithë këto që lidhen, duhet patjetër të bëj një marrëdhënie. Tak, tak, tak, te dera e fqinjit: “A mund të krijojmë një marrëdhënie, sepse nuk po i shoh mirë nivelet e dopaminës sime?” Nuk bëhet kështu. Nuk bëhet kështu.

Dashuria është vetëhumbje. Do të thotë se humbet diçka nga narcisizmi yt. Sepse narcisizmi nuk lejon dalje. Ka një dritë të kuqe: dhemb, pip; tani të thotë “mos, mos, mos”. Shkon të bësh dashuri, pap, përsëri drita. Kthehesh prapë mbrapa.

I thosha para disa ditësh një miku psikolog: mirë, i them, sikur Samaritani i mirë të vinte para se të takonte atë “që ra në duart e grabitësve” — kështu, nuk thotë më shumë — dhe të të pyeste: “Çfarë të bëj këtu, doktori im?”, ai do t’i thoshte: “Mos iu afro”. Pse? Sepse mund të ketë një thikë në atë çast dhe të ta futë njëherë. Mund të jetë ndonjë hajdut i egër dhe ti, kur të përkulesh mbi të, të të marrë portofolin. Mund të kuptojë se ke ca para dhe pastaj të kthehet të të gjejë, të të vjedhë, madje edhe të të vrasë. Mund të jetë ndonjë i paligjshëm, të cilin ti shkon dhe e justifikon. Në çdo rast, ç’punë ke të ngatërrohesh?

Prandaj Ungjilli, thotë Shën Pavli, “që e mora, nuk është sipas njeriut”. Çfarë është njerëzore? Ungjilli i Krishtit nuk është njerëzor. Sepse të thotë të bësh gjëra të cilat një psikolog i mirë do të të thoshte të mos i bëje, që të shpëtoje homeostazën tënde narcisiste. Të mos i bësh.

Këtu, megjithatë, do të thotë se ekziston diçka tjetër. Kjo tjetër është dashuria e Perëndisë. Perëndia na do — na thoshte dikur Shën Porfiri — jo sepse jemi të denjë, por që të na bëjë të denjë. Edhe ne duam që ta bëjmë tjetrin të denjë. Jo sepse është i denjë.

Kur e do tjetrin sepse është i denjë, kjo është e turpshme. Sepse në thelb e do me interes. Kush është i denjë të të kushtojë vëmendje, të të japë? Dashuria e vërtetë është dashuri për të padenjin dhe për armikun, sepse armiku është antinarcisist. Pas pak është ose do të bëhet.

Kështu, pra, psikologu në 99,9% të rasteve do të thoshte: mos guxo t’i afrohesh, largohu prej tij, është e rrezikshme ajo që po bën. E kuptuat? Dhe Perëndia të thotë: jo, do të shkosh atje, tek ai për të cilin nuk je i sigurt për asgjë, dhe do ta duash falas.

Dhe kjo është një lëvizje hyjnore, një veprim hyjnor, që shkakton pasoja hyjnore. Ne nuk e llogarisim Shpirtin e Shenjtë që vepron në këto raste. Dhe do ta ndryshosh tjetrin, do ta shenjtërojë tjetrin veprimi yt. Veprimi yt e shenjtëron tjetrin, sigurisht në mënyrë të painteres. Jo të kesh në mendje se patjetër këtë pastaj do ta bëj votuesin tim. Jo. Jo kështu.

Ky vetëdorëzim, ky investim falas, nëse mund ta them kështu. Sepse këtë bën Perëndia. Ai hedh shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Ai lind diellin mbi të ligjtë dhe të mirët. Nuk janë fjalët e mia këto. Do të thotë se bën një lëvizje, del jashtë vetes. Bën gjëra që nuk i leverdisin. Krejt e marrë kjo situate! Mua kjo marrëzi më çmend. Domethënë psikologjikisht do ta gjykonim krejtësisht të papërshtatshëm për komunikim. Loser, i humbur.

Nëse e shihni këtë dhe e kuptoni, brenda jush do të lindë një marrëdhënie krejt tjetër me Perëndinë. Dhe do të filloni ta doni. Kini kujdes. Kjo është një gjendje tjetër.

Pra. Të dielën tjetër thotë këto: “Vëllezër, Perëndia, duke qenë i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së madhe me të cilën na deshi…” Askund nuk ka fjalë për drejtësi. Askund nuk ka fjalë për denjësi. A patë diku të thotë diçka? As nuk do të shihni. Nuk thotë: “sepse ne jemi kaq të bukur dhe jemi në anën e duhur të historisë dhe shumë të drejtë, prandaj Perëndia, për të gjitha këto arsye, investoi”.

Kështu thotë Frojdi, në fakt, se dashuria është investim. Këtë thotë. Pikërisht këtë thotë. Prandaj edhe thotë: nuk mund të duam pak. Çfarë do të thotë “duam pak”? Mbaroi. Pas pak nuk ke asgjë. Do t’ia japim atij që do. Pra, heshtje. Jo “dashuri”. Së pari e provojmë tjetrin, siç ndodh fatkeqësisht me fëmijët. Dhe bëjnë nga pesëmbëdhjetë marrëdhënie, duke e provuar njëri-tjetrin. Domethënë, duke e kthyer njëri-tjetrin në objekt, shkatërrohen krejtësisht. Dhe vijnë te unë dhe më thonë: “Zoti profesor, nuk duroj më, kam tundim vetëvrasjeje”. Sigurisht që ke tundim vetëvrasjeje. E kuptuat?

Dhe sot gjërat, pikërisht sepse nuk ka kufij dhe nuk i besojmë asgjëje nga ato që themi, nuk i besojmë më Perëndisë. Nuk e durojmë këtë. Gjendja është e keqe. Nuk është thjesht një devijim, por është një vështirësi reale. E kanë njerëzit sot dhe fëmijët e rinj edhe më shumë, sepse prindërit kujdesen të mos u mësojnë asgjë.

Fëmija duhet të jetë i lirë të zgjedhë. Të shpikë historinë njerëzore nga fillimi. Të pësojë gjithçka që ka pësuar njeriu deri sot. Dhe pasi t’i pësojë të gjitha, jo të zgjedhë; nuk ka më fuqi as të fillojë përsëri. E shihni?

“Duke qenë i pasur në mëshirë”, thotë, “për shkak të dashurisë së madhe me të cilën na deshi”. I pasur në mëshirë dhe me shumë dashuri na deshi. “Edhe kur ne ishim të vdekur për shkak të mëkateve…” Nuk dua t’i çoj fjalët e Pavlit thjesht mënjanë. Të vdekur ishim, thotë. Të ngordhur ishim. Të vdekur. Të vdekur.

Sa njerëz sot ndihen se janë të vdekur? Dhe vijnë dhe paraqiten si të vdekur, dhe e mbartin këtë vdekje. Kështu edhe vuajnë. Pra, të vdekur “për shkak të mëkateve, na bashkëgjallëroi me Krishtin — me hir jeni të shpëtuar”.

Kur gjallëron Krishtin, kur ngre Krishtin, Perëndia na prek të gjithëve. Kështu. Prek natyrën njerëzore. Na jep një mundësi, të cilën e jep një herë e përgjithmonë në Krishtin. Ekziston. Dhe nuk ekziston vetëm për Krishtin, por për të gjithë ne.

“Me hir jeni të shpëtuar”.

Ky varg këtu është i pabesueshëm. Sepse paraqet diçka që ne e përfytyrojmë si të ardhshme. Ai e paraqet si krejtësisht të tanishme. “Me hir jeni të shpëtuar”. Tani.

“Dhe na ngjalli bashkë me Të dhe na uli bashkë me Të në vendet qiellore në Krishtin Jisu”. Kjo ka ndodhur tashmë. Ndodhi Ngjitja në qiell dhe ne jemi të gjithë atje, të ulur. E dëgjoni çfarë thotë këtu? E dha, thotë, këtë gjë. Kjo është e disponueshme. Kjo vepron. Është një mundësi. Është një përmasë jete që ekziston brenda Kishës.

Natyrisht, njeriu e kupton dhe do ta ndiejë pikërisht këtë. Pikërisht kështu. Këtu e thotë. Nuk e them unë, e thotë Pavli. Shikoni çfarë thotë. Nuk thotë: “dikur do të ngjalleni edhe ju” — dhe pastaj një “këtë pranverë, këtë verë, o rajá, o rajá” — nuk thotë kështu. Thotë: këto janë dhënë. Këto ekzistojnë.

Kështu thotë këtu: “dhe na ngjalli bashkë me Të dhe na uli bashkë me Të në vendet qiellore në Krishtin Jisu, që të tregojë në shekujt që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të Tij, me mirësi ndaj nesh më Krishtin Jisu”. Ju dha një gëzim të çmendur dhe një prehje të çmendur, që t’i shohin të gjithë njerëzit dhe të thonë: “Çfarë Perëndie është ky që i bëri të tillë?” Kështu thotë këtu. Gjë e frikshme.

Të kesh një Atë të tillë dhe t’i thuash: “A ke të më japësh një dhjetëshe që të blej një birrë?” Dhe Ai të ketë vendosur para teje disa planetë. “Çfarë i do këta planetë?”

Do t’ju them diçka personale. Kur isha i ri, takohesha shpesh me atë Paisin. Një herë, pra, doja të mësoja çfarë është lutja. Nuk e di nëse e kam thënë publikisht këtë. Dhe e pyesja gjithmonë: “Çfarë është lutja?” Më thotë: “Çfarë të të them tani? Nuk do ta kuptosh çfarë të të them. Çfarë është lutja?”

Unë e kisha që atëherë maninë ta shtyja bisedën deri atje. Atëherë më thotë: “Shiko, si të ta them? Ke parë ndonjë foshnjë të luajë ndonjëherë me babanë e vet?” I them: “Po, kam parë”. “Kur luan këtej, pastaj luan andej, e rrëzon njëri-tjetrin përtokë, rrokullisen, japin grushte, shkelma, tërhiqen andej…” I them: “Si nuk kam parë?” “Eh, diçka e tillë është”.

Është e tepërt t’ju them se m’u deshën dekada që të filloja ta kuptoja. A nuk është kështu? Veshim rrobat tona të mira kur lutemi. Dhe mendojmë se edhe Ai mban kravatë. Nuk mban. Pra, veshim rrobat tona të mira, unin tonë të rremë, a nuk është kështu? Dhe qëndrojmë para Tij dhe i themi: “Perëndia im, në këtë çast po të bëj nderin e madh. Ja unë, që jam…” Nuk i them, por i nënkuptoj. “Dhe Ti, që je…”

Perëndia nuk e quan veten asgjë. E dini këtë? Kur të thotë “të duash” dhe kur thotë fjalën e frikshme: “Ai që do atin ose nënën më shumë se Mua, nuk është i denjë për Mua”. A nuk thotë kështu? Nuk do të kishte të drejtë të ta thoshte këtë, nëse nuk do ta bënte vetë. E dini, Ai na do më shumë se veten e Tij. E kuptuat?

Por ne qëndrojmë në emër të Perëndisë, veshim rrobat tona të mira. Edhe të dielën veshim rrobat tona të mira, pra, dhe qëndrojmë në emër të Perëndisë, por nuk marrim asgjë. Do të marrim pesëdhjetëshen, ose qindëshen, ose dhjetëshen dhe ikim. Dhe në fund Perëndia do të thotë: “Në rregull, atë dhjetëshen do ta nxirrje edhe vetë. Nuk kam nevojë për të”.

Këtu është kjo gjë e frikshme: se “na uli bashkë me Të” — në të djathtën — jemi të ulur në këtë çast në të djathtën e Atit. Kështu. Dhe si e thotë këtë gjë? “Na ngjalli bashkë”. Na bashkëngjalli. Dhe na uli bashkë. “Që të tregojë” para të gjithëve, “në shekujt që do të vijnë”, “pasurinë e pamasë të hirit të Tij”.

Domethënë na bëri perëndi mbi tokë. Na bëri mbretër. Ecim mbi tokë si zotërinj dhe nuk kemi nevojë për askënd dhe për asgjë. Por…

Thoshte dikush në konferencën ku isha — dhe kjo është e vërtetë, e kam kërkuar edhe unë — shkon, thotë, në lashtësi, në orakull, tek Apolloni më në fund, dhe gjetëm atje tekste të njerëzve që shkonin, të të lashtëve, të paraardhësve tanë, para mijëra vjetësh, dhe kërkonin gjëra të ndryshme nga perëndia e orakullit. Dhe i kërkonin t’u martohej fëmija, të gjenin punë të mirë, të ishte e mirë gruaja e tyre, t’i hapte sytë, sepse ishin të verbuar, të mund të arrinin pikërisht këto gjëra.

Dhe thoshte folësi: sot po ndodh kjo. E shihni? Njeriu nuk ndryshoi. Kjo është, e mori e mira. Domethënë, pas gjithë këtyre gjërave të mos ndryshosh? T’i dëgjosh këto dhe të thuash: “Kjo, kjo, ajo që më intereson shumë është të jetoj me filan vajzë”. “Patjetër”, më thotë dikush. “Ia kam premtuar Perëndisë. Unë kam pesëmbëdhjetë fantazi me të”. I them: “Mos e bëj, sepse nuk e di”. “Jo”, thotë. “Unë do të largohem nga Kisha”.

Dhe përfundimisht gati u largua. Gati u largua, sepse ndodhi. Kur e mori pastaj, e kapën. Jo, nuk të leverdis. Thuaj një fjalë dhe ik. Pastaj gati u largua nga Kisha, sepse u martua me të dhe më pas donte dëshpërimisht të ndahej. Dhe pastaj u martua përsëri. Kishte, të themi, pesëmbëdhjetë vjet martirizimi. Dhe sa herë që më flet, më thotë: “Ati im, kishe të drejtë”. Nga e dije? Nuk e dija. Thjesht Perëndia.

Nëse përfundimisht i kërkon një njëzetëshe, do të ta japë njëzetëshen. Dhe pastaj të thotë: “Por nuk do të kesh asgjë”.

Po flisja për atë Paisin. Atë mbrëmje më dha një përvojë lutjeje të frikshme. Unë nuk e dija çfarë më kishte dhënë. Ishte diçka e frikshme, diçka tronditëse. Nuk munda ta përjetoja përsëri. E pra, mendova se u shenjtërova. Ngrihem në mëngjes, krenohem dhe shkoj. I them: “Gjerond, këtu arritëm?” “Ah, kështu është?” Dhe ia plasi të qeshurës. Më jep një karamele dhe më thotë: “Gëzohesh, ë?” I them: “Karamele ishte kjo?” “Kështu ishte”, thotë. “Çështja është që njeriu të mund të kuptojë se ka një pastiçeri në dispozicion dhe të fillojë ta administrojë dhe t’u japë edhe të tjerëve”.

Po, them unë, nuk u shenjtëruam. Nuk ishim shenjtëruar. Nuk ishte ky fundi. Kjo pakicë na ha. Kjo “pak”. Kjo “pak”. Është sikur të kesh një minierë ari dhe të thuash: “Të marr një kokërr, një grimcë, që të marr një McDonald’s të mirë, për shembull. Këtë dua”. Dhe e fërkon arin që të mund të marrësh McDonald’s-in. Këtë do. Dhe të shkosh çdo mbrëmje në McDonald’s, kjo është lumturia. Kjo është. This is the life. Kjo është jeta. Kështu.

Dhe është e frikshme të largohesh nga kjo jetë duke pasur përshtypjen… Domethënë, në thelb problemi është marrëzia jonë. Dhe mendoj se për shkak të marrëzisë do të shkojmë në ferr. Nuk mund të kesh përpara teje një gjë të tillë dhe të thuash: “Aman, çfarë më gjeti? Dhe si do ta shoh nesër eprorin?” Do ta shohësh eprorin.

Në kuptim teorik, Perëndia i zgjidh automatikisht të gjitha problemet e njeriut. Pra Perëndia, nëse mësojmë të qëndrojmë disi kështu… A e përfytyroni ju se Apostujt dhe Shenjtorët rrinë çdo ditë dhe shikojnë çfarë do të hanë dhe nëse McDonald’s ka fast food të mirë, apo nëse do të shkojmë pak më tutje? Nuk janë këto. “Të gjitha këto do t’ju shtohen”. “Kërkoni së pari Mbretërinë”. Ilaçi i madh kundër depresionit: “Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto do t’ju shtohen”.

“Sepse Perëndia e di”, thotë. E di se “keni nevojë për të gjitha këto”. Ju duhen këto. Thotë: por mos u ngjit pas tyre. Çuditërisht, Ai i jep.

Më thotë një gazetar kohët e fundit: “Ja”, thotë, “u sëmur nëna ime dhe i thosha Perëndisë ta shëronte, por nuk më dëgjoi”. I them: “Po ti, a e dëgjove Perëndinë?” “Çfarë?” më thotë. “Ti e dëgjoje më parë?”

Në një aeroplan që bie, shenjti dhe jobesimtari luten. Unë kam qenë në këtë gjendje, në një aeroplan që bie. Të shihni atje edhe dorezat luten. Bëhet hata. Të gjithë i harrojnë të gjitha dhe fillojnë të ngrejnë lutje fëmijërore, të zjarrta. Dridhen xhamat. E bukura është se sapo rivendoset ekuilibri në aeroplan, i harrojnë të gjitha dhe shikojnë të turpëruar njëri-tjetrin: “Çfarë thashë? Harroje”.

Por Perëndia nuk është vetëm për këtë. “Që të tregojë në shekujt që do të vijnë pasurinë e pamasë”. Të gjithë na shohin, pra, neve dhe thonë: “Po, po, po, çfarë Perëndie është ky! E bëri secilin prej tyre perëndi mbi tokë, që të mos ketë nevojë për asgjë”. Po ju them, kjo është humbja e madhe që kemi. Ky është problemi i madh.

Këtë do të trajtojmë sonte. “Sepse me hir jeni të shpëtuar nëpërmjet besimit”. Me hir jeni shpëtuar. Shikoni përsëri: jeni shpëtuar. Jo “do të shpëtoheni”. Jo. Jeni shpëtuar. “Nëpërmjet besimit”. Çfarë është besimi këtu? Është mënyra njerëzore me të cilën njeriu i thotë Perëndisë: “Po, ore, kështu është. Kështu je. Me të vërtetë i tillë je”. Kështu i thua. Dhe me këtë mënyrë vepron tashmë kjo dhuratë tek njeriu.

Sepse nëse nuk beson se Ai është i tillë dhe e thua si… Kujtoni pak djalin e madh të shëmbëlltyrës së Djalit Plangprishës. “As një kec nuk më dhe”. Ore, “të gjitha të miat janë të tuat”, i thotë. Keci ishte aty, sikur i keq, dhe ti thoje: “Nuk më dhe kecin, nuk më dhe këtë gjë minimale”.

Prandaj kjo është mungesa e besimit. Mungesë besimi është të mos e shohësh fare këtë, këtë dhuratë të parë dhe të madhe. Faktin se që të bëhet kjo ekonomi, pas saj ekziston një dashuri e pafund, si humnerë. Diçka shumë e thellë si humnerë. Diçka që nuk e meritojmë. Diçka shumë më tepër se ne. Të mos e shohësh këtë dhe Perëndia të jetë siç thoshin izraelitët: “Ujë falas na dha; ushqim do të na japë?” Prandaj për dyzet vjet rrotulloheshin rreth vetes së tyre. Jo rreth shkretëtirës. Shkretëtira është gjëja më e vogël. Largësia është minimale. Rrotulloheshin rreth vetes së tyre. Rrotulloheshin rreth vetëdashjes së tyre. E kuptuat? Dhe nuk shihnin sa afër ishte synimi.

“Me hir jeni të shpëtuar nëpërmjet besimit”. Dhe kjo… Ky varg do të na shkatërrojë. E shihni një varg që të të hedhë nokaut. Vërtet. Të paktën mua kjo më ndodh. “Dhe kjo nuk është prej jush, është dhurata e Perëndisë”. Nuk është e juaja kjo. Është dhuratë e Perëndisë. A e dimë çfarë themi? E gjithë kjo është dhuratë e Perëndisë.

“Jo prej veprave, që askush të mos mburret”. Nuk vjen prej veprave tuaja. E thamë, ishim, siç e thotë më lart, të vdekur për shkak të mëkateve. Cilat vepra? Mashtrime, vjedhje, kurorëshkelje. Çfarë kishim? Çfarë kishim? Kështu është.

“Jo prej veprave”, pra. Është dhuratë njëqind për qind. Por një veprim i frikshëm. Të hyjnizon. Të bën perëndi mbi tokë. Perëndi mbi tokë, perëndi mbi tokë. Asgjë më pak se kjo. “Që askush të mos mburret”. Sepse përsëri pastaj do të thoshim: “Ah, ne e bëmë këtë”.

Siç themi tani, kur diskutojmë gjëra të ndryshme me inteligjencën artificiale dhe qeshim. Pse qeshim? A do të më mësojë inteligjenca artificiale të dua? A do të më mësojë të njoh të vërtetën e qenieve? A do të më mësojë të dëgjoj Perëndinë dhe gjëra të tilla? A do të m’i mësojë këto? Jo. Unë do t’i mësoj vetë. Nëse nuk i mësoj këto, inteligjenca artificiale do të shtojë, a nuk është kështu, disa lehtësi; do të më bëjë edhe dobi, por do të shtojë edhe martirizimin tim. A nuk është kështu? Po.

Sa më shumë mburret njeriu, aq më shumë i thotë Perëndisë: “Nuk kam nevojë për Ty. Nuk të njoh”. Perëndia detyrohet të largohet. Dhe për shkak se në jetën shpirtërore nuk ka boshllëqe, vjen diçka tjetër. Në jetën shpirtërore nuk ka boshllëqe. Nëse largohet dikush, vjen dikush tjetër. Gjithmonë. Dhe shihni pastaj shtohet edhe fatkeqësia e këtyre gjërave, kur bien në duar të këqija. Ta dini, do të pësojmë gjënë më të keqe që mund të përfytyrojë njeriu. Nuk mund ta përfytyrojmë një gjë të tillë që mund të ndodhë, nëse bien në duar të këqija.

Nuk janë të këqija në vetvete. Jo. Por ne, duke mos komunikuar me të vërtetën dhe me burimin e jetës, bëhemi të vdekshëm. Ashtu siç jemi të vdekur për shkak të mëkateve, shpërndajmë vdekje dhe shuarje në të gjitha frontet, siç thotë poeti. Kështu.

Dhe vazhdon: “Sepse jemi vepra e Tij”. Jemi vepra e Tij. Dhe shikoni tani vazhdimin: “të krijuar më Krishtin Jisu”. Kjo është një fjalë e frikshme. Sikur të të thotë: Ai të krijoi, por të krijoi më Krishtin. Domethënë me qëllimin që të hysh brenda ngjarjes së Krishtit. Të bëhesh Krisht sipas hirit. Këtë kupton këtu. Domethënë të kungosh.

Çfarë është Krishti? I gjithë njeriu në bashkësi me gjithë Perëndinë. Bashkësi ontologjike. Të hysh në misterin e bashkësisë ontologjike me Krishtin. Kush e kupton çfarë po them, nuk do të flejë mirë sonte. Do të ketë një pagjumësi plot hir. Vërtet.

“Të krijuar më Krishtin Jisu”. Kështu. Unë kam qenë krejtësisht ateist në rininë time dhe kam të drejtë të flas kështu. Këto janë fjalë të frikshme. Perëndia ka vetëm dy mundësi. Njëra mundësi është të jetë kriminel i madh dhe të na mashtrojë — gjë që nuk është e denjë për Perëndinë — dhe mundësia tjetër është të thotë të vërtetën. Të thotë të vërtetën. E pra, Ai nuk fiton asgjë duke të mashtruar. As Pavli i shkretë nuk kishte çfarë të fitonte.

Atëherë ai hante dru vazhdimisht nga të gjithë, sepse thoshte të kundërtat. Dru ditë e natë. Sa herë? Një më pak se dyzet. Shumë herë hëngri përsëri dru. Në det, në lumenj, e hidhnin andej, i bënin këtej. Një psikolog do të thoshte: “Njeri normal?” Dhe përndjekje, dhe uri, dhe etje, dhe “një natë e një ditë në humnerë”, dhe mbytje anijesh. “Tri herë pësova mbytje anijeje”, siç thotë atje. Sa herë? Dhe në fund i prenë edhe kokën.

Brenda në burg do të thoshe: mbaroi burgu. Eh, bëmë një gabim. E tepruam ca. Do t’i marrim mbrapsht. Sepse këtë i thoshin të gjithë: “Po e tepron.. Nuk mund të jetë Perëndia njeri”. “Për Judenjtë skandal, për Helenët marrëzi”. Kështu.

Po Apostujt? Të pashkolluar. Nuk ishin si unë. Unë nuk do t’u besoja. E kuptuat? Nuk ishin si unë. Nuk do t’u besoja. Sepse po të ishin intelektualë, do të sajonin histori përrallore, do të këndonin, do të shkruanin libra, shëmbëlltyra etj. Nuk ishin si unë. Peshkatarë të pashkolluar. Çështja është e thjeshtë. Shkon dhe merr dymbëdhjetë njerëz të thjeshtë e besnikë dhe i sjell. Këta, sapo Krishti vdiq, u shpërndanë. Ikën menjëherë.

Kur e panë Atë, e panë me të vërtetë. Sepse këta njerëz të vegjël nuk mund të bënin teori filozofike. Nuk ishin as për parabola, as për mite. As të bindnin dikë, as të krijonin shkolla. E kuptoni çfarë them? As të shkruanin libra. Megjithatë dalin përsëri përpara dhe thonë: “E pamë”. Dru. “E pamë”. Dru. Kryq përmbys. Dru. “Do të të djeg në zjarr”. “E pashë”. Dru. Vazhdojmë.

Çfarë janë pra këto? Nuk kaluan mirë, domethënë. Domethënë kalonin shumë mirë. E thamë: “për mua bota është kryqëzuar, dhe unë për botën”. E dyta: “dhe unë për botën”.

Pra. “Të krijuar në Krishtin Jisu”, përmes asaj përfshirjeje në Të. Atëherë merr kuptim jeta dhe atëherë është madhështor edhe kuptimi, dhe ia vlen që njeriu të jetojë në këtë botë. Kështu. Përndryshe nuk e di nëse ia vlen.

“Për vepra të mira, të cilat Perëndia i ka përgatitur më parë, që të ecim në to”. Dhe kjo gjë thotë: kur bëhet, kur ndodh, fillojmë të bëjmë edhe vepra të mira. Dhe nuk dimë të bëjmë absolutisht asgjë më parë. Edhe këto na i tregon Ai. Ai të tregon. Ai të tregon çfarë të bësh.

Cili prej nesh, në orën e vështirë, kur tjetri të ofendoi, kur të rrëzoi, kur të përbuzi, kur të padrejtësoi, cili prej nesh qëndron para Perëndisë dhe thotë: “Tani Ti çfarë do që të bëj?” Ky është burimi i jetës. Atëherë Perëndia do të të flasë dhe do ta kuptosh se po të flet. Do të gjejë mënyrë. Nuk e di nëse do të ta thotë një zog. Nuk e di nëse do të ta thotë ndonjë njeri. Nuk e di nëse do ta gjesh në Dhiatën e Re. Nuk e di si do ta bëjë. Por sidoqoftë do ta bëjë. Mund ta thërrasë edhe brenda teje, nëse ke këtë predispozitë të mirë. Por sidoqoftë atëherë Perëndia do të jetë i pranishëm. Nuk do të na lërë kështu. Nuk do të na lërë në errësirë.

Dhe në këto vepra ecim sa mundemi. Dhe pak nga pak mësojmë të zvarritemi. Së pari zvarritemi poshtë, pastaj rritemi me të katra. Fillojmë të shqiptojmë rrokje, themi fjalëza, themi këto e kështu me radhë. Dhe dikur kjo gjë mund të bëhet Pais dhe Porfir. Kështu: “në burrë të përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit”.

Përktheu UGO. Burimi

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu