Kryepiskopi Joani flet mbi kuptimin e Vitit të Ri Kishtar
Në predikimin e tij ai trajton Indiktin, leximet liturgjike, lirinë shpirtërore dhe rëndësinë e kungimit me Zotin e Gjallë.
[Indikti] shënon fillimin e Vitit të Ri Kishtar më 1 shtator.
Nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Në Perandorinë Romake, indikti ishte një shpallje perandorake për një periudhë të caktuar kohe, gjatë së cilës bëhej vlerësimi i pasurisë dhe i taksave; pra, shërbente si një lloj viti financiar taksativ. Në Perandorinë Bizantine, ky proces u konsiderua si fillimi i Vitit Kishtar, pasi viti fillonte në shtator. Pas përfundimit të prodhimeve bujqësore dhe të të korrave, popujt që jetonin në vendet biblike dhe në Mesdhe, e kishin shtatorin shpeshherë si fillimin e vitit të tyre. Për disa arsye shumë të rëndësishme, Kisha e përqafoi këtë kalendar.
Arsyeja e parë dhe më kryesorja lidhet me pjesën e Ungjillit të ditës, në të cilin tregohet se Zoti shkoi në qytetin e Nazaretit, mori Dhiatën e Vjetër dhe e hapi në librin e profetit Isaia. Zoti citon profetin Isaia dhe pastaj deklaron se sot u përmbush kjo profeci. Sipas traditës liturgjike të Kishës Orthodhokse, kjo ngjarje ndodhi më 1 shtator, duke shënuar shpalljen e një kohe tjetër.
Viti Kishtar nuk është thjesht një kalendar. Pa dyshim që është një i tillë, por mbi të gjitha është një udhëtim shpirtëror. Ai është një udhëtim për rritje shpirtërore dhe kungim me Zotin e Gjallë. Qëllimi i jetës së njeriut është takimi përfundimtar me Zotin: kungimi me Perëndinë. E gjithë jeta jonë është një udhëtim, ndërsa Viti Kishtar është një përmbledhje e këtij udhëtimi. Kjo do të thotë të udhëtosh gjatë gjithë vitit bashkë me Krishtin, për t’u rritur në Të; për ta shndërruar kohën jo thjesht në një kronologji, por në një mundësi takimi me Zotin dhe në një periudhë transformimi shpirtëror.
Prandaj, Viti Kishtar është më tepër sesa një kalendar. Përmes tij, ne përkujtojmë ngjarjet e jetës së Zotit, përpiqemi t'i kuptojmë e t'i përjetojmë ato në shpirtin tonë për kohën e sotme, si dhe përkujtojmë të gjithë shenjtorët, të cilët u modeluan sipas Krishtit. Pra, Viti Kishtar është vetë Krishti! Çdo udhëtim që bëjmë gjatë gjithë tij është një afrim shpirtëror me Krishtin, ndaj ka shumë rëndësi për ne ta kuptojmë atë sa më mirë.
Leximet në shërbesën e Mbrëmësores na japin një panoramë akoma më të gjerë mbi ato që besojmë realisht dhe mbi mënyrën se si Kisha e ka parë gjithmonë Vitin Kishtar. Në Mbrëmësore lexohen tri pjesë: e para është profecia nga Libri i Isaias, të cilën e lexoi Krishti në Ungjill; e dyta është një pjesë nga Libri i Levitikut; ndërsa e treta është një pjesë nga Urtësia e Salomonit.
Në leximin nga Levitiku, theksi vendoset pikërisht në dy gjëra. Së pari, Zoti thotë se, nëse do të ndiqni rregullat, urdhërimet dhe mësimet e Mia, ju do të keni bekim. “Unë do t'ju jap shiun në kohën e duhur, do të bëj që frutat të rriten dhe gjithçka tjetër të shkojë mbarë për ju. Por nëse ju nuk do të ndiqni mësimin Tim dhe nuk do të zbatoni urdhërimet e Mia, atëherë do të përballeni me vështirësi të mëdha”. Çfarë do të thotë kjo për ne sot? Këto fjalë hyjnore janë të vlefshme për çdo kohë, jo vetëm për epokën kur u shkruan; ato nënkuptojnë se, nëse do të ndjekim mësimin e Zotit, pa dyshim që do të kemi bekimin e Tij. Përmes këtij bekimi, do të përjetojmë një gëzim të madh në shpirt dhe do të kapërcejmë çdo vështirësi. Përkundrazi, nëse nuk i bindemi mësimit të Zotit, nuk do ta kemi as bekimin e Tij, e pa të, asgjë tjetër nuk mund të na sjellë gëzim të vërtetë.
Nëse vëzhgojmë kohën e sotme, shohim një kohë kur në të gjithë botën njerëzit e kanë larguar Zotin nga jeta e përditshme. Edhe ato vende që janë të pasura dhe që mund të grumbullojnë shumë mirëqenie materiale nga jashtë, përsëri nuk kanë gëzim të brendshëm, sepse u mungon bekimi i Zotit. Sado të përfitojmë në aspektin e jashtëm, nuk mund ta kemi në dorë jetën tonë, nëse nuk kemi bekimin e Zotit. Siç thotë edhe Psalmisti: “Nëse nuk e ndërton Zoti shtëpinë, më kot lodhen ata që e ndërtojnë”. Çfarëdo që ndërtojmë, duke u mbështetur vetëm te vetja, ngaqë nuk ka bekimin e Zotit, nuk do të rezistojë. Çdo ndërmarrje dhe çfarëdo aktiviteti që ndërmarrim, pa përkrahjen hyjnore, nuk do të ketë sukses. Madje, edhe ajo që nga jashtë duket si sukses, në thelb nuk është e tillë, pasi shoqërohet nga brenda me trishtim, ankth, frikë, lakmi dhe zili. Prandaj, dëshirojmë që Viti Kishtar të jetë një vit kur ne të takohemi me hirin e Perëndisë; të jetë një mundësi për ta pasur Zotin sa më pranë vetes.
Leximi pasues është nga Urtësia e Solomonit, ku shtjellohet diçka shumë e rëndësishme: jetëgjatësia. Në kuptimin hebraik, jetëgjatësia nuk nënkupton thjesht shumicën e viteve, por diçka më tepër se kaq. Solomoni thekson se jetëgjatësia nënkupton një jetë të plotë e të bekuar, e cila nuk varet nga numri i viteve, por nga cilësia e tyre. Ajo nuk varet nga pasuritë materiale që mund të grumbullojmë, por nga hiri i Perëndisë që kemi fituar në jetën tonë. Prandaj, Kisha e ka vendosur këtë pjesë leximi, për të na kujtuar që, nëse arrijmë ta jetojmë qoftë edhe një vit të vetëm kishtar në plotësi dhe në takim me Zotin, ne e kemi përmbushur qëllimin e jetës sonë. Ndryshe, edhe sikur të jetojmë 200 vite pa Zotin, jeta jonë do të jetë një dështim.
Leximi kryesor nga Ungjilli tregon se Jisui shkoi në Nazaret, në vendin ku ishte rritur, dhe hapi Dhiatën e Vjetër për ta lexuar. Ai lexoi nga shkrimet e profetit Isaia, ku thuhet: “Fryma e Zotit është mbi mua, prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u sjell lajmin e mirë të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer, t’u predikoj të burgosurve çlirim dhe të verbërve rifitimin e shikimit, të dërgoj në liri të shtypurit dhe të shpall vitin e pëlqyer të Zotit”. Vazhdimi i kësaj profecie flet për premtime të tjera të shumta. Prandaj, do t’ju këshilloja që gjithsecili prej jush të lexojë kapitullin 61 të profetit Isaia, prej të cilit Zoti citoi fjalët e sotme.
Pasi e mbylli librin, Zoti tha: “Sot u përmbush kjo profeci në veshët tuaj”. Në atë çast, të gjithë i ngulën sytë tek Krishti, pasi kjo thënie dëshmoi se Ai është Mesia, i Cili u dërgua pikërisht për të shpallur Ungjillin, Lajmin e Mirë ndër njerëz, për të çliruar të robëruarit dhe për t’u dhënë të gjithëve hir mbi hir.
Çfarë do të thotë kjo për ne? Kjo do të thotë pikërisht se Zoti erdhi për ne, mori natyrën tonë të deformuar për ta restauruar përsëri. Zoti erdhi tek ne, për të na sjellë Lajmin e Mirë. Dhe Lajmi i Mirë është se Zoti u bë njeri si ne, për të ndryshuar të gjithë racën njerëzore dhe për t’i dhënë asaj mundësinë për t’u bashkuar përsëri me Zotin dhe për t'u pajtuar Të. Lajmi i Mirë është se gjithsecili që është i robëruar, qoftë në aspektin fizik apo në atë shpirtëror, do të çlirohet nga fuqia e Ungjillit. Ndoshta ne nuk jemi të lidhur me zinxhirë materiale, por jemi të skllavëruar dhe të lidhur nga pasionet e ndryshme. Zilia, inatet, mëritë dhe gjithçka tjetër që e deformon shpirtin e njeriut, nuk e lejon atë të jetë i lirë.
Në këtë kontekst, vlen të kujtojmë dialogun e Zotit me judenjtë, të cilëve u drejtoi këto fjalë: “Ju do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju çlirojë”. Judenjtë nuk e kuptuan atë që po u thoshte Krishti dhe iu përgjigjën: “Ne jemi pasardhësit e Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevërit e askujt; si na thua Ti, pra, se do të bëhemi të lirë?”. Jisui u përgjigjet me këto fjalë: "Kushdo që bën mëkatin, është skllav i mëkatit". Sa kohë që jetojmë në mëkat, në devijim dhe larg mësimit të Zotit, pa dyshim që nuk jemi të lirë.
Mësimi i Zotit ka si qëllim të na çlirojë nga robëria e mëkatit dhe nga pesha e rëndë e errësirës shpirtërore. Qëllimi i mësimit të Zotit është për t’i dhënë jetës sonë hir dhe për ta shndërruar atë në një bekim. Megjithatë, bekimi vjen vetëm nëse ndjekim urdhërimet e Tij. Zoti erdhi për të sjellë dritën dhe për t’u risjellë shikimin atyre që ishin të verbër, sepse mëkati e errëson mendjen e njeriut. Një njeri që jeton në mëkat, pa dyshim që është i verbër; atij mund t’i duket sikur shikon, por në realitet nuk shikon. Prandaj edhe Zoti thotë: “Sy keni dhe nuk shikoni, veshë keni dhe nuk dëgjoni”.
Që të shohësh, nevojitet një ndriçim i thellë shpirtëror, i cili buron vetëm nga pastrimi i zemrës. Nëse çlirohemi përmes hirit të Zotit dhe pastrojmë zemrën tonë, pa dyshim që drita e syve do të rikthehet; atëherë do të shikojmë gjëra që më parë nuk i kishim parë dhe do të kuptojmë të vërteta që më parë nuk i kishim kuptuar. Shikimi dhe ndriçimi i vërtetë është pikërisht prania e Zotit në jetën tonë. Prandaj, të pagëzuarit në shekujt e parë quheshin ‘të ndriçuarit’, pikërisht sepse hiri i Shpirtit të Shenjtë u dhuronte një ndriçim të thellë shpirtëror.
Armiku më i madh i botës së sotme është errësira shpirtërore. Këto fjalë nuk i thotë një teolog apo fetar i madh, por një filozof i kohës sonë, për të cilin as nuk e dimë nëse beson. Në botë ka shumë errësirë shpirtërore dhe konfuzion; në mendjen e njeriut ka një çoroditje mjaft të madhe. Ajo që duhet më shumë në kohën e sotme është pikërisht drita shpirtërore, e cila vjen vetëm nga mësimi i Zotit.
Prandaj, në Ungjillin e sotëm, Zoti na kujton se është i dërguar pikërisht për këtë gjë: për të shpallur Ungjillin, Lajmin e Mirë tek të varfrit, për të çliruar nga robëria, për t'i dhënë shikimin dhe dritën gjithsecilit nga ne dhe për të shënuar një vit të pranuar te Perëndia. Ky është Viti Kishtar. Nëse do ta shfrytëzojmë ashtu siç duhet, ai do të na japë një bekim jashtëzakonisht të madh.
Mundohuni ta përjetoni Vitin Kishtar, sepse është një udhëtim i jashtëzakonshëm shpirtëror, që përfundon me kungimin me Zotin e Gjallë. Njeriu që kungohet me Zotin, zotëron pasurinë më të madhe në botë. Sikur gjithë botën të kemi, po të mos kemi Zotin, nuk ka asnjë dobi për ne. Sikur gjithë botën ta humbasim, po të fitojmë Zotin, kemi fituar gjithçka.
Profeti Isaia, pasi shpall: “Kështu thotë Zoti…”, e mbyll kapitullin 61 me këto fjalë: “Shpirti im do të ngazëllohet në Zotin, sepse më veshi me rrobën e shpëtimit, me rrobën e drejtësisë dhe me tunikën e ngazëllimit”. Le t'i lutemi, pra, Zotit me fjalët e profetit Isaia, dhe me shpirtrat tanë lë të madhërojnë Perëndinë, sepse na ka veshur me rrobën e shpëtimit dhe na ka dhuruar tunikën e ngazëllimit. Amin. Gëzuar dhe për shumë vjet!