Patriarku Theofili III planifikon takime me Putinin dhe Zelenskin për paqen
Patriku i Jerusalemit thotë se ka marrë mbështetjen e presidentit Trump për të ndërmjetësuar zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
Patriarkana e Jerusalemit thotë se po punon për të organizuar takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, me qëllim ndihmën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka përçarë Kishën Ortodokse. Sipas Breitbart News, Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, ka dhënë një intervistë ekskluzive ku flet për rolin e tij si ndërmjetës paqeje.
Theofili III u takua me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë këtë verë, kur i dorëzoi njërin prej çmimeve më të larta të Kishës Ortodokse, Kryqin e Madh të Urdhrit të Varrit të Shenjtë. Sipas patriarkut, ai u largua nga Shtëpia e Bardhë me mbështetjen e Trump për t'u përfshirë në ndërmjetësimin e fundit të luftës në Ukrainë. Duke folur për rolin e Patriarkanës në shërimin e përçarjes brenda Ortodoksisë, Theofili III theksoi se institucioni që drejton "zë një pozicion unik në botën e krishterë", pasi këtu "u shpall për herë të parë Kisha".
Sipas tij, Patriarkana e Jerusalemit njihet botërisht si "Kisha Mëmë" dhe si Kisha e Tokës së Shenjtë, me një mision që shkon përtej kujdesit për vendet e shenjta, duke përfshirë promovimin e unitetit, dialogut dhe bashkëjetesës mes popujve. Ai tha se puna e pajtimit, brenda dhe jashtë Kishës, "përbën sfidën dhe përgjegjësinë më të madhe" të sotme.
Theofili III shpjegoi se roli i tij personal është "unik", pasi si patriark detyra e tij parësore është adhurimi i Zotit dhe kujdesi për besimtarët, por gjithashtu mbart përgjegjësinë morale të një "paqebërësi". Ai tha se u ndje "thellësisht i përulur" kur në qershor mori mbështetjen e presidentit Trump për të marrë përsipër rol ndërmjetësimi, si dhe mbështetjen e shtetit grek dhe të Patriarkut Ekumenik Vartholomeu.
Patriarku theksoi se presidenti Putin është "besimtar aktiv i Kishës Ortodokse", ndërsa presidenti Zelensky është "njeri shpirtërisht i reflektuar dhe besimtar", duke shprehur shpresën për një "dialog konstruktiv" me të dy liderët. Ai e cilësoi "jashtëzakonisht të dhimbshme" luftën mes dy vendeve me shumicë ortodokse dhe tha se Kisha "vuan" prej saj.
Nuk është hera e parë që Patriarkana e Jerusalemit kërkon të forcojë lidhjet me zyrtarë amerikanë për çështje rajonale; kohët e fundit vëmendja ra mbi
Në përfundim të intervistës, Theofili III shprehu bindjen se presidenti Trump mund të luajë një rol të rëndësishëm për paqen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Iran dhe në botë më gjerë, duke e cilësuar atë "mbrojtës i të krishterëve". Ai citoi fjalët e Krishtit drejtuar presidentit: "Lum paqebërësit".