Vendosja e Brezit të Hyjlindëses Mari
Relikja e shenjtë, e ruajtur sot në Manastirin e Vatopedhit në Malin Athos, konsiderohet një nga thesaret më të çmuara të Ortodoksisë.
Hyjlindësja Mari është në qendër të kremtimit ortodoks të 31 gushtit, kur Kisha feston Vendosjen e Brezit të saj të shenjtë, një nga reliket më të çmuara të Ortodoksisë.
Kjo festë shënon ditën e fundit të vitit kishtar dhe është një thirrje për besimtarët që t'i drejtohen Nënës së Perëndisë me lutje për ndërmjetësim e mbrojtje.
Para Fjetjes së saj e Tërëshenjta ua la dy veshjet e saj dy grave të varfra shpresëtare, që më vonë kaluan brez pas brezi te Galbi dhe Kandidi, të cilët e vendosën relikën në kishën e Vllahernës nën perandorin Leoni I. Rreth vitit 530, nën mbretërimin e Justinianit, brezi u transferua në Konstandinopojë dhe u vendos në kishën e Kalkopratisë, pranë Shën Sofisë. Rreth vitit 888, perandoresha Zoi, bashkëshortja e Leonit VI të Urtë, u shërua nga një sëmundje e rëndë pasi vuri mbi trup relikën e shenjtë, ndërsa më vonë princi i shenjtë serb Llazar ia dhuroi pjesën e ruajtur Manastirit athonit të Vatopedit, në vitin 1389.
Sot, pjesa më e madhe e ruajtur e Brezit të Hyjlindëses gjendet si thesar shpirtëror në Manastirin e Madh të Vatopedhit, në Malin e Shenjtë Athos, ku tërheq mijëra pelegrinë çdo vit. Herë pas here, fragmente të relikes transportohen për nderim në qytete të Greqisë dhe jashtë saj, ndërsa manastiri u ofron besimtarëve edhe kordonë të bekuar mbi relike, sidomos çifteve që kërkojnë ndihmën e Hyjlindëses për fëmijë. Për besimtarët, brezi nuk trajtohet thjesht si relike historike, por si shenjë e lidhur me vetë praninë tokësore të Nënës së Perëndisë.
Manastiri i Vatopedhit ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e mediave ortodokse edhe për arsye të tjera, përfshirë kontaktet e igumenit të tij me figura publike ndërkombëtare, çka tregon peshën e veçantë që ky manastir mban në jetën kishtare bashkëkohore.