Ndahet nga jeta Thanas Beji, ish-drejtor i Liceut Kishtar në Gjirokastër
Ai shërbeu për vite me radhë si mësues Historie e Gjeografie dhe udhëhoqi Liceun Kishtar "Kryqi i Nderuar" pas vitit 2005, deri në daljen në pension.
Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës njoftoi me hidhërim ndarjen nga jeta të z. Thanas Beji, një prej bashkëpunëtorëve të parë dhe të çmuar të të ndjerit Kryepeshkopit Anastas. Sipas njoftimit të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, z. Beji qëndroi pranë Kryepeshkopit Anastas dhe Mitropolitit Dhimitër që prej fillimeve të ringjalljes së jetës kishtare në këtë mitropoli.
Ai dha me përkushtim dhe dashuri kontributin e tij në jetën dhe veprën e Kishës dhe të Arsimit. Për shumë vite shërbeu si mësues i Historisë dhe Gjeografisë në Liceun Kishtar "Kryqi i Nderuar", duke edukuar breza të tërë nxënësish. Pas vitit 2005, ai mori detyrën e drejtorit të këtij liceu, të cilën e ushtroi me përgjegjësi e përkushtim deri në daljen e tij në pension.
Z. Thanas Beji do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën si një njeri i urtë, i përkushtuar dhe punëtor, si një prej personave që dhanë kontributin e tyre të çmuar në vitet e para dhe të vështira të konsolidimit të jetës kishtare dhe arsimore në Mitropolinë e Gjirokastrës. Me respekt dhe mirënjohje për gjithçka që bëri, Mitropolia i lutet Perëndisë t'i falë prehje shpirtit të tij në vendin e të drejtëve.
Nuk është hera e parë që Mitropolia e Gjirokastrës kujton bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepeshkopit Anastas; kohët e fundit vëmendja ra edhe mbi kujtimet nga viti i ngjitjes së tij në fron.
I përjetshëm qoftë kujtimi i z. Thanas Beji!