Krishti na flet për shqetësimin në të Dielën III të Mattheut
Predikim mbi fjalët “Mos u shqetësoni” dhe besimin në Përkujdesjen Hyjnore
Lexoni gjithashtu:
Arkim. Epifan Haxhijanku.
E Diela III e Mattheut “Mos u shqetësoni”
Mos u shqetësoni!
Pjesa ungjillore, të dashur vëllezër dhe motra, që dëgjuam sot — dhe në këtë pikë nuk mund të mos shpreh hidhërimin tim se shumë prej nesh nuk ishin këtu në Kishë në çastin kur u lexua Ungjilli — na flet pikërisht për këtë. Shikoni, askush nuk shkon në futboll në mes të ndeshjes. Të gjithë shkojnë që nga fillimi, që të mos humbasin as edhe një sekondë. Ose në një teatër, ose në një koncert, ose kudo tjetër, në kinema, nuk e di ku tjetër. Të gjithë shkojnë që nga fillimi. Në Meshën Hyjnore, pse të mos vijmë që nga fillimi? Aq e vështirë është të mundim gjumin? Thotë Shën Joan Gojarti: “I ëmbël është gjumi, por asgjë nuk është më e ëmbël se lutja”. Është i ëmbël gjumi, por nuk ka asgjë më të ëmbël se lutja. Sigurisht, për ata që e kanë shijuar ëmbëlsinë e lutjes. Ju lutem, pra, të vijmë, të dëgjojmë edhe Ungjillin, edhe Apostullin, edhe gjithë Meshën që nga fillimi. Pjesa ungjillore që dëgjuam sot është marrë nga Predikimi mbi Mal i Zotit tonë, që është predikimi më i rëndësishëm i Krishtit. Gjendet në Ungjillin sipas Mattheut, në kapitujt 5, 6 dhe 7, dhe ju këshilloj në mënyrë të veçantë ta studioni rregullisht. Por edhe të gjithë Shkrimin e Shenjtë, dhe veçanërisht Dhiatën e Re, çdo i krishterë duhet ta ketë lexuar të paktën një herë në jetën e tij. Është e papranueshme të ketë të krishterë orthodhoksë që nuk e kanë lexuar të paktën Dhiatën e Re, në mos edhe Dhiatën e Vjetër. Në Predikimin mbi Mal, pra, Krishti korrigjon dhe plotëson ligjin e Dhiatës së Vjetër, i cili ishte i papërsosur, dhe na paraqet ligjin e përsosur të Dhiatës së Re. Në pjesën e parë të fragmentit që u dëgjua sot, Krishti na thotë atë fjalë të famshme: “Nuk mund t’u shërbeni dy zotërinjve; nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe mamonait”. Nuk mundeni, thotë, t’u shërbeni dy pronarëve, dy zotërinjve. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe mamonait, domethënë demonit të pasurimit, të parasë. Në pjesën e dytë të fragmentit që u lexua, Krishti na ruan nga rrënja e argjenddashjes; dhe rrënja e argjenddashjes është shqetësimi dhe ankthi se si do të jetojmë. Prej andej fillon argjenddashja. Pas këtij preteksti fshihet: si do të jetojmë, si do t’ia dalim mbanë? Në shekujt e kaluar ekzistonte — nuk e di nëse ekziston edhe sot dhe nëse mbizotëron — një teori filozofike, teoria e deizmit, me përfaqësues kryesor Volterin. Kjo teori thotë se po, ekziston Perëndia, por kur Perëndia krijoi botën, e braktisi atë. E la në mëshirën e vet. E krijoi në mënyrë të përsosur, por pastaj e la pa u interesuar aspak për të. Ata sillnin edhe një shembull: ashtu si orëndreqësi, ai që bën një orë, prodhuesi, e bën me kujdes, bukur, në mënyrë të përsosur, por nga ai çast e dorëzon në treg, e shesin dhe ai nuk e di më çfarë ndodhi me orën e tij. Kështu, thonë, edhe Perëndia: krijoi botën dhe e la. Por kjo teori nuk qëndron, siç e kuptojmë. Dhe këtë e vërteton sot Krishti, duke na thënë: “Mos u shqetësoni, mos u stresoni, mos u lodhni me merak se çfarë do të hamë dhe çfarë do të pimë, si do të vishemi, si do të mbijetojmë”. Ekziston Perëndia Atë, i Cili nuk e braktisi botën, por vazhdon ta qeverisë dhe ta mbajë atë. Dhe Krishti pyet: “A nuk vlen jeta që kemi më shumë se ushqimi?” Cila është më e rëndësishme: jeta, fakti që jetojmë dhe ekzistojmë, apo ushqimi me të cilin mbahemi? Sigurisht, jeta është më e rëndësishmja. Dhe cila është më e çmuar: trupi që kemi, apo rrobat që veshim? Sigurisht, trupi është më i çmuar. Pra, Perëndia që ju dha gjërat më të larta, që ju dha jetën dhe trupin, a nuk do t’ju japë edhe gjërat më të ulëta, ushqimin dhe rrobat? Pastaj përmend dy shembuj të njohur nga natyra: zogjtë dhe zambakët e fushës, lulet e egra. Dhe Zoti ynë thotë: “Vështroni shpendët e qiellit”; shikoni, thotë, zogjtë e qiellit: as mbjellin, as korrin, as mbledhin në hambarë. A keni parë ndonjë zog të kujdeset për ushqimin e tij, të mbjellë, të korrë, të mbledhë? E megjithatë, thotë, “Ati juaj qiellor i ushqen”. Ju a nuk vleni më shumë se ata zogj? Vëllezërit e mi, është e pakonceptueshme ajo që thotë Zoti ynë. Të gjithë zogjtë që janë në qiell — sa mund të jenë ata? Miliona, miliarda. Të gjitha kafshët tokësore, të gjithë peshqit që janë në dete, miliarda ose edhe triliona peshq. Të gjitha këto krijesa të gjalla, vëllezërit e mi, Perëndia përkujdeset për to, për secilën veç e veç, se çfarë do të hajë çdo ditë. A e kemi menduar ndonjëherë këtë? Për çdo krijesë të gjallë që ka krijuar Perëndia, Ai kujdeset veçmas: çfarë do të hajë çdo ditë, si do të mbahet. Këtë e thotë edhe në psalmin 103, të cilin e lexojmë çdo ditë në Mbrëmësore, në psalmin hyrës, siç e quajmë. Diku thuhet: “Të gjitha shpresojnë te Ti, që t’u japësh ushqimin në kohën e duhur; kur Ti ua jep, ato e mbledhin”. Që do të thotë: të gjitha kafshët, tokësoret, fluturueset, detaret, të gjitha krijesat presin prej Teje, o Perëndia im, t’u japësh ushqimin në kohën e duhur. Dhe kur Ti ua jep, atëherë vrapojnë për ta marrë. Ju, njerëzit, a nuk vleni më shumë se ato? Dhe sjell edhe shembullin e dytë, shembullin e zambakëve të fushës. “Edhe për rrobat që do të vishni, pse shqetësoheni? Shikoni zambakët e fushës”. Lulet e egra, ato që shohim në pranverë në fusha, në livadhe. “Këto lule nuk lodhen, as tjerrin”. Ju siguroj, thotë, se as mbreti Solomon, i cili ishte i njohur për luksin e tij, për madhështinë e tij mbretërore, të cilit i pëlqente të vishej me madhështi dhe zbukurohej më shumë se çdo mbret tjetër, as Solomoni nuk vishej aq bukur sa vishen këto lule të egra, ashtu siç i vesh Perëndia. Nëse, pra, vazhdon Zoti, këtë bar, kaq jetëshkurtër dhe të përkohshëm, që sot është dhe nesër thahet — dhe vërtet këto lule për sa kohë jetojnë? As për disa muaj nuk jetojnë; pastaj vyshken, thahen dhe i vëmë, siç thotë Krishti, për ndezje në zjarr dhe i djegim — nëse, pra, këto lule të parëndësishme Perëndia i vesh me kaq madhështi dhe bukuri, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o njerëz besëpak? A nuk do të kujdeset për ty, thotë Shën Joan Gojarti, krijesë e nderuar e Perëndisë, ti që je vepra e çmuar e Perëndisë, krijesa e çmuar e Perëndisë, të cilit Ai i fali trup dhe shpirt? A nuk do të kujdeset për ty, për hir të të cilit krijoi gjithë botën? Për ty, për të cilin dërgoi profetët dhe, në fund, dorëzoi në vdekje Birin e Tij të Vetëmlindur? Dhe përfundon me fjalën: “o besëpak”. Sikur Krishti të na thoshte se shkaku i ankthit dhe i shqetësimit që ka njeriu për mënyrën se si do të jetojë është besimi i paktë. Ai nuk ka besimin që duhet te Perëndia. Dhe përfundon: mos u shqetësoni, pra, se çfarë do të hamë, çfarë do të pimë dhe me çfarë do të vishemi, siç bëjnë kombet, domethënë idhujtarët që nuk besojnë te Perëndia Atë. Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për të gjitha këto dhe do t’jua japë. Kërkoni, para së gjithash dhe mbi të gjitha, Mbretërinë e Perëndisë, të mirat qiellore dhe të paprishshme të parajsës. Të mira janë edhe gjërat tokësore dhe mund t’i kërkojmë, por ato të mira duhet të kërkojmë që t’i fitojmë një ditë. Po ashtu edhe fitimin e virtyteve; kur thotë “drejtësinë”, aty nënkupton virtytet, me të cilat do të sigurohet për ne jeta e përjetshme. Dhe atëherë të gjitha të tjerat do t’ju jepen. Sa ngushëlluese, vëllezërit e mi, janë fjalët e Krishtit që dëgjuam sot! Për çdo kohë, sigurisht, por veçanërisht për sot, kur e gjithë bota shqetësohet dhe stresohet: si do të jetoj? Si do të krijoj familje? Si do të bëj fëmijën e tretë? Si do t’i shkolloj fëmijët? Si do t’ia dal mbanë? Për të gjitha këto “si”, Krishti na qetëson dhe na thotë: mos u shqetësoni, mos u stresoni; shikoni zogjtë dhe lulet; nuk do t’ju lë. “Ka Perëndia”, siç thonë shumë sot. Diku te profeti Isaia Perëndia thotë: “A është e mundur që një nënë ta harrojë fëmijën e saj dhe të mos ketë dhembshuri për frytin e barkut të saj? Por edhe sikur një nënë të harrojë dhe të mohojë fëmijët e saj, Unë kurrë nuk do t’ju harroj”, tha Zoti. Fjalë, do të thotë dikush. Nuk janë fjalë. Janë të panumërta shembujt që na sigurojnë për të vërtetën e fjalëve të Krishtit, domethënë për ekzistencën e Përkujdesjes Hyjnore. Më kujtohet se i ndjeri, Mitropoliti at Augustin, na tregonte shpesh një shembull. Thoshte se një herë kishte ardhur në zyrën e tij një gjeneral dhe, siç e kishte zakon i ndjeri, e pyeti: “Sa fëmijë ke, gjeneral?” “Dy”, i tha ai. “Dy, gjeneral? Me kaq para sa merr, dy fëmijë bëre?” Ai uli kokën. Dhe më pas Mitropoliti i thotë: “Po babai yt, sa fëmijë bëri?” Atëherë gjenerali u turpërua me të vërtetë dhe i tha: “Hirësi, ne jemi dymbëdhjetë vëllezër e motra”. “Dymbëdhjetë vëllezër e motra! Dhe si ia doli babai yt me të gjithë këta? Si mundi? Çfarë profesioni kishte?” “Një peshkatar”, i thotë, “poshtë në Amaliadhë të Peloponezit. Peshkonte peshq dhe me ato na rriti”. Dymbëdhjetë fëmijë. Dhe në fund e pyet: “Si mundi babai yt, një njeri i varfër, të rrisë dymbëdhjetë fëmijë, ndërsa ti, gjeneral, me kaq para, vetëm dy fëmijë?” Dhe atëherë gjenerali pati sinqeritetin t’i thoshte: “Hirësi, babai im besonte te i Gjithëfuqishmi, i Cili ushqen zogjtë dhe zbukuron lulet”. Kjo është e vërteta, vëllezërit e mi. Shkaku i stresit dhe i shqetësimit që ka bota bashkëkohore, dhe që kemi edhe ne, është besimi i paktë i yni. Le t’i largojmë, pra, të gjitha këto shqetësime dhe strese, ankthe që si bletë na rrethojnë mendjen, dhe le t’u besojmë fjalëve të Krishtit: “Mos u shqetësoni. Kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, dhe të gjitha këto do t’ju shtohen”. Amin.