"Le të guxojmë të shpresojmë!" në kujtim të Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasit

2824
05 Mars 23:45
Diplomati francez Michel Tarran. Foto: botasot.info Diplomati francez Michel Tarran. Foto: botasot.info

Kryepeshkopi Anastas i Shqipërisë, një artizan i palodhur i Ngjalljes së Kishës

Nga: Michel Tarran

Diplomati francez Michel Tarran është Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Një artizan i palodhur për 33 vjet i Ngjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, primati i saj, Kryepeshkopi Anastas me këtë emër të predestinuar që do të thotë “ngjallje” hyri për herë të fundit dhe për të mos u larguar më në katedralen madhështore të ndërtuar me iniciativën e tij, të martën, më 28 janar 2025 i shoqëruar dhe i mbajtur mbi supe nga shtatë peshkopët e sinodit shqiptar të rikonstituuar prej tij dhe dhjetëra priftërinj e dhjakë të dorëzuar prej tij, si dhe i rrethuar nga një turmë e prekur dhe mirënjohëse, duke hedhur lule në rrugën e tij dhe në arkivolin e tij të hapur.

Për të kuptuar fuqinë e këtij imazhi, duhet të kthehemi në Shqipërinë që gjeti Kryepeshkopi Anastas Janullatos kur mbërriti në vitin 1991 si Eksark i Patriarkanës Ekumenike, e cila i kërkoi atij të bënte një bilanc të situatës dhe të hidhte themelet për restaurimin e Kishës Orthodhokse: për afro 23 vite, ky vend (i cili më parë kishte rreth 65% myslimanë, 22% ortodoksë dhe 10% katolikë) kishte dallimin e trishtuar të ishte i vetmi në botë i shpallur "vend ateist" jo me ligj, por madje me kushtetutën e tij. Të gjitha kishat dhe xhamitë në vend ishin shkatërruar ose ishin shndërruar e vënë në shërbim të institucioneve të ndryshme, klerikët ishin arrestuar apo edhe ekzekutuar ose të paktën ishin kthyer me forcë në profesione të ndryshme e çdo praktike fetare ishte rreptësisht e ndaluar.

Vendi i fundit europian që u çlirua nga zgjedha komuniste (dhe për më tepër nga një komunizëm totalitar i tipit stalinist që e kishte çuar në izolim total dhe në prag të urisë), vetëm në vitin 1991 Shqipëria do të shihte fundin e këtij represioni antifetar dhe besimtarët do të fillonin të mblidheshin aty-këtu në sheshe ose në kishat e rrënuara; gjithçka duhej rindërtuar.

Me një arkiv vetëm dy fletë letër, me një grusht priftërinjsh të vjetër që i kishin mbijetuar persekutimeve, ai dinte që në ditët e para të misionit të tij, se si të identifikonte të rinjtë me vlerë, burra e gra, dhe t'u besonte atyre përgjegjësi klerikale ose të tjera. Kryepeshkopi Anastas u zgjodh pak më vonë, në vitin 1992, në mënyrë të jashtëzakonshme nga sinodi i Patriarkanës Ekumenike, në fronin e Kishës së Shqipërisë, të cilës i kishte akorduar autoqefalinë në vitin 1937. Por hierarkia e kësaj Kishe ishte asgjësuar nga pushteti ateist dhe nuk ishte në gjendje që vetë të propozonte një kandidat për Kryepeshkop.

Kjo ishte kërkesa urgjente që iu drejtua Konstandinopojës nga besimtarët ortodoksë të Shqipërisë, të cilët prej një viti e kishin kuptuar se sa me fat ishin që kishin peshkopin Anastas si bari të mirë; prandaj ata ju lutën eksarkut të qëndronte me ta, ndërsa ai përgatitej të kthehej në aktivitetet e tij universitare në Athinë.

Megjithatë, atij, deri në fund të jetës, iu desh të duronte armiqësinë e politikanëve dhe publicistëve të ndryshëm nacionalistë shqiptarë, të cilët nuk pranuan që një grek të ishte në krye të një prej komuniteteve kryesore fetare të vendit të tyre. Duke refuzuar kategorikisht të hyjë në polemika boshe, ishte përmes punës së tij që ky njeri thellësisht i përulur dhe paqësor iu përgjigj atyre pa u lodhur ("me gurët që hedhin mbi ne do të ndërtojmë kisha" i pëlqente të thoshte), veçanërisht nëpërmjet formimit të një hierarkie klerikësh autoktonë me shqipen si gjuhë liturgjike dhe arsimore (me përjashtim të disa komunave të vogla periferike ku jetojnë minoritetet kombëtare). Kjo ishte prova, nëse kjo ishte e nevojshme, se ai synoi ringjalljen e kishës së Shqipërisë.

Në mënyrë paradoksale, Kryepeshkopi Anastas, i akuzuar nga kritikuesit e tij shqiptarë se ishte një "agjent grek" në shërbim të interesave të huaja, kishte gjithashtu vështirësi me disa qarqe nacionaliste në Greqi (ku shumë njerëz ende jetojnë nën iluzionin se ortodoksët e Shqipërisë janë grekë), duke u dashur t'u shpjegonte vazhdimisht se ai nuk kishte shkuar në këtë vend si një lajmëtar i helenizmit por se ai mbi të gjitha duhet t'i kushtonte përpjekjet e tij besimtarëve shqipfolës, të cilët ishin shumica dërrmuese e vendit. Për ta, ai meshonte në shqip (në kundërshtim me atë që është shkruar nganjëherë) edhe nëse predikonte në greqisht (me përkthim), sepse edhe pse e njihte dhe e donte gjuhën shqipe, ai nuk e zotëronte aq sa të improvizonte dhe sepse shikimi i dobët, për shkak të një sëmundjeje që e kish zënë në Afrikë, e pengonte të lexonte predikimet dhe fjalimet e tij.

Kjo punë ishte e pamasë dhe mund të kuptohet vetëm duke kujtuar moton që Kryepeshkopi Anastas pëlqente të përsëriste: "Le të guxojmë të shpresojmë!" Gjatë këtyre 33 viteve, nën mbikëqyrjen e tij të drejtpërdrejtë, u rindërtuan dhe u restauruan 400 kisha dhe kishëza, një kolegj teologjik trajnoi dhjetëra kuadro, shumë ikonografë dhe artizanë të tjerë ringjallën traditën e pasur artistike kishtare shqiptare dhe u botuan vepra të panumërta. Ai, i cili kishte marrë pjesë në krijimin e Syndesmos, federatës botërore të rinisë ortodokse, organizoi kampe verore rinore që në vitet e para të shërbimit të tij. Ai inkurajoi gjithashtu pjesëmarrjen e grave në jetën e kishës dhe krijimin e rretheve të intelektualëve ortodoksë.

Padyshim, kisha që la si një trashëgimi Kryepeshkopi Anastas është në një gjendje shumë më të mirë në krahasim me atë që u asgjësua në fund të viteve 1960: e mbajtur nga klerikë jo fort të arsimuar (deri në fillim të shekullit XX shërbenin prelatë grekë, të cilët ishin të shkëputur nga realitetet sociologjike dhe gjuhësore të besimtarëve të tyre) e pastaj nga peshkopë vendas të detyruar të bënin kompromise të ndryshme, me udhëheqësit politikë të shtetit shqiptar të themeluar në vitin 1912, me autoritetet e pushtimit italian që nga viti 1939 dhe më pas me regjimin komunist të vendosur në vitin 1945, deri sa ky i fundit në vitin 1967 mori masën radikale të sipërpërmendur.

Duke iu referuar pikërisht këtyre periudhave para dhe pas luftës (po ashtu edhe në shembullin e keq të dhënë nga të tjera Kisha autoqefale) që disa, të privuar nga kultura fetare, kishin vështirë të kuptonin se kombësia greke e Kryepeshkopit nuk ishte një pengesë për përmbushjen e misionit të tij, të cilin ai e shihte vetëm në këndvështrimin baritor.

Ndërsa respektonte kujtimin e personaliteteve të shquara të asaj periudhe (për shembull, të Imzot Fan Nolit, njeri i shquar i Kishës, i letrave dhe i politikës së diasporës shqiptare, i cili vdiq në Boston në vitin 1965 dhe që dha një kontribut të rëndësishëm në proçesin e përkthimit të teksteve liturgjike në shqip në fillim të shekullit XX), ai mendonte se duhej ta rindërtonte Kishën mbi baza të reja, ekskluzivisht fetare, për dobinë e të gjithë besimtarëve ortodoksë të vendit, shqiptarë etnikë ose jo, dhe në mënyrë paralele duke u abstenuar nga çdo tentativë për të rekrutuar komunitetet shqiptare jashtë vendit (ndryshe nga të tjera Kisha autoqefale, të cilat e shihnin veten me një mision baritor e nacionalist ndaj pasardhësve të emigrantëve në mbarë botën).

Kryepeshkopi Anastas kishte qenë në Greqi ndër të rinjtë teologë që pohonin në vitet 60 se Kisha Ortodokse duhej, nga njëra anë, të riniste me thirrje apostullore dhe, nga ana tjetër, të ndalonte së jetuari vetëm për vete, duke u kufizuar në funksionin e kultit. Gjatë një dymbëdhjetëvjeçari ai e realizoi praktikisht këtë pohim në Afrikën Lindore (Kenya, Uganda, Tanzani), ndërsa pohimi i dytë gjeti zbatim nën frymëzimin e tij në Shqipërinë e mjeruar që ai e zbuloi në vitin 1991. Përtej rindërtimit të kishave dhe formimit të klerit - gjë që edhe dikush tjetër në vendin e tij do ta kishte bërë si prioritet (edhe pse ndoshta me më pak sukses) - ai zhvilloi një veprimtari të jashtëzakonshme sociale - gjë që dikush tjetër nuk do ta kishte bërë - duke realizuar konkretisht vizionin e tij për një Kishë që vazhdon "liturgjinë pas liturgjisë" për dobinë e të gjithëve, ortodoksëve dhe jo ortodoksëve.

Me iniciativën e tij dhe me fondet e mëdha që ai kishte talentin t'i grumbullonte, Kisha e Shqipërisë hapi institucione arsimi fillor, të mesëm dhe të lartë, si dhe shumë institucione mjekësore dhe sociale të nivelit të lartë, kryente punë publike (rrugë, furnizime me ujë...), kontribuoi në pritjen e 900,000 refugjatëve kosovarë të vitit 1999 (dhe kështu u dha këtyre refugjatëve, pothuajse të gjithë myslimanë, një imazh pozitiv dhe dashamirës të Ortodoksisë).

Shqiptarët me të drejtë janë krenarë për bashkëjetesën e tyre shembullore fetare dhe për faktin se identiteti i tyre kombëtar e kapërcen diversitetin e tyre fetar. Kryepeshkopi Anastas (i cili kishte plotësuar formimin e tij të lartë teologjik me studimin e feve të tjera, nga Islami tek Budizmi dhe tek kultet afrikane ) e kishte vënë veten plotësisht në këtë traditë dhe, ndër mes shumë dëshmive të shprehura gjatë javëve të fundit të jetës së tij, ndërsa të gjithë kuptonin, duke parë moshën e tij (95 vjeç) dhe shëndetin e tij të dobësuar, se ndoshta nuk do të kthehej nga shtrimi në spital në Athinë, mund të theksohet veçanërisht mesazhi prekës i Këshillit Ndërfetar, njëri prej themeluesve të të cilit kishte qenë ai, që ftonte besimtarët e çdo feje të luteshin për të.

Gjatë ceremonisë kombëtare të varrimit më 30 janar, udhëheqësit e komuniteteve myslimane (sunite dhe bektashiane) dhe i gjithë episkopati katolik (i shoqëruar nga një delegacion i rëndësishëm nga Vatikani) ishin natyrisht atje në rreshtin e parë, në një anë të arkivolit, ndërkohë që autoritetet më të larta të vendit, nga besime të ndryshme, ishin të vendosura në anën tjetër. Në imazh të këtij prelati poliglot me një erudicion të madh fetar dhe laik, fjalët e ngushëllimit të mbajtura në nder të tij ishin njëkohësisht prekëse dhe me një nivel të rrallë intelektual dhe shpirtëror.

Mbikqyrësi i Fronit të Kryepeshkopit, Mitropoliti Joan i Korçës, theksoi se, më shumë sesa për veprën e tij të jashtëzakonshme ndihmuese, Kryepeshkopi Anastas i jepte rëndësi vëmendjes që çdo qenie njerëzore duhej të merrte; ai që "do të vazhdonte eshte më pas të ndërmjetonte për ne dhe për Kishën tonë që e donte aq shumë."

Moderatori (protestant) i Këshillit Ekumenik të Kishave, në punimet e të cilit Kryepeshkopi Anastas ka kontribuar aktivisht gjatë dekadave dhe që përfaqësohej nga një dërgatë e madhe e ardhur në Tiranë për t’a nderuar, theksoi se rrënjët e tij në traditën ortodokse shoqëroheshin "me një horizont jashtëzakonisht të gjerë" dhe se "autoriteti i tij i madh shpirtëror" i jepte atij respektin dhe dashurinë e të gjithëve.

Duke folur edhe për dashurinë (ndoshta një nga fjalët që Kryepeshkopi thoshte më shpesh gjatë shërbesës), një mbesë e ardhur nga Athina kujtoi njeriun e thjeshtë mes familjarëve dhe përcolli, me duartrokitjet spontane të publikut, falënderimet e tyre për "vëllezërit shqiptarë" për "të gjithë dashurinë që i kishin dhënë atij". Kryeministri grek, i cili erdhi me një delegacion të madh për të nderuar një prej bijve më të shquar të kombit të tij, ndau edhe kujtime personale për këtë “burrë të shenjtë dhe të urtë” që luajti një rol të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Kryeministri shqiptar, në një homazh të frymëzuar dhe vlerësues, përshëndeti atë që kishte ardhur “si prift grek” por që ishte bërë “Anastasi i Shqipërisë”, që më shumë se çdo i huaj para tij ishte “identifikuar” me atdheun e tij të dytë dhe që me kërkesën e tij do të prehej përgjithmonë në tokën shqiptare (në një kriptë nën altarin e katedrales).

Patriarku Ekumenik, i cili kryesoi ceremoninë i rrethuar nga një tubim i madh patriarkësh, primatësh dhe përfaqësuesish të kishave ortodokse autoqefale, duke kujtuar jetën befasuese të të ndjerit që nga lindja (ai i kishte mbijetuar një aborti terapeutik që nëna e tij, e prekur nga tuberkulozi, e kishte refuzuar megjithë insistimin e mjekëve), shprehu pikëllimin për "rënien e një kolone të madhe të Kishës Ortodokse", të angazhuar në shërbim të unitetit të saj (Kryepeshkopi Anastas, i cili ishte një mbështetës i fortë i rolit koordinues të Patriarkanës Ekumenike, luajti një rol të rëndësishëm në Sinodin Panortodoks të thirrur nga ajo në Kretë në vitin 2016) para se të përshëndeste për herë të fundit "vëllanë e tij Anastas", pa mundur të fshehë emocionin e tij.

Më shumë se kurrë, këtë ditë mund të ndjehej fuqia dhe aktualiteti i fjalëve të troparit paskal «Me vdekjen e Tij, Ai e mposhti vdekjen»: pikërisht për shkak se vdiq nën goditjet e regjimit ateist, Kisha e Shqipërisë (që nuk po shkonte shumë mirë edhe para këtyre persekutimeve) u ringjall nën udhëheqjen e këtij prelati karizmatik me emrin e ringjalljes, i cili në kohët e zakonshme nuk do të kishte shkuar në këtë vend të huaj; dhe kjo ringjallje ka për qendër dhe simbol Katedralen Ngjallja kaq mbresëlënëse, arkitektura e jashtëzakonshme e së cilës është një himn për bashkimin harmonik të traditës dhe modernitetit, një dëshmi e pranisë së Kishës në botë (në themelet e saj është organizuar salla më e mirë e koncerteve në Tiranë, ku mbahen shumë aktivitete kulturore me nivel të lartë artistik) dhe, mbi të gjitha, afirmimi fitues i një Kishe Ortodokse të gjallë (ndërkohë që disa e konsideronin atë të vdekur në vitet 30 dhe 60, ose të eliminuar përfundimisht njëzet vjet më vonë), një komponent thelbësor, nga njëra anë, i Shtetit dhe shoqërisë shqiptare dhe, nga ana tjetër, i Kishës Ortodokse universale, që për herë të dytë, pas shenjtërimit të kësaj katedraleje në vitin 2014, kishte Tiranën si kryeqytet për rastin e ceremonisë së varrimit të Kryepeshkopit Anastas.

Βurimi Radio Ngjallja

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu