Fshatari ndau ushqimin me punëtorin e verbër në Ajud
Etërit e burgjeve – Mjeku, punëtori i verbër dhe fshatari besimtar. Torturat e dëshmorëve në burgjet komuniste të Rumanisë
Në një qeli pranë nesh ishin tre të burgosur. Asnjë prej tyre nuk e njihte alfabetin Mors. (Në këtë mënyrë komunikonin ndërmjet tyre të burgosurit në burgjet komuniste në vitet 1948-1954.)
I dëgjonim thjesht teksa raportonin çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje:
“Të keni jetë të gjatë, zoti roje. Jemi tre të burgosur dhe jemi gati për raportim.”
Kishte kaluar një vit, kur me goditje të forta lajmëruan rojen se njëri vdiq. Erdhën, e morën me barelë dhe më pas u bë qetësi.
Kur i transferuan dy prej të burgosurve në qeli të tjera, u zgjidh misteri. Ishin një mjek, një punëtor dhe një fshatar.
Mjeku, trupvogël, duronte torturën e urisë, por acarohej shpejt dhe fliste pak. Punëtori ishte i sëmurë, tepër i dobësuar dhe kishte humbur shikimin, për faktin se nuk merrte ilaçet për diabetin.
Fshatari ishte edhe ai i dobët, i qetë dhe lutej vazhdimisht. E dinte përmendësh Himnin Akathist të së Tërëshënjtës, por edhe shumë psalme. Ishte plagosur në Luftën e Dytë Botërore. E zunë komunistët, sepse kishte kundërshtuar kolektivizimin, dhe e kishin burgosur në burgun më famëkeq, në Ajud.
Përkujdesej për punëtorin dhe bisedonte me të për çështje të ndryshme. Mjeku nuk merrte pjesë dhe i shikonte me një frymë superioriteti.
Gjendja e punëtorit bëhej gjithmonë e më e keqe. Fshatari e ndihmonte që të hante. Një ditë, fshatari raportoi, duke iu lutur rojës që ta çonte në ambulancë. Roja ia mbylli derën në fytyrë.
Pas disa ditësh, ushqimi u bë më i shijshëm. Në mes të lëngut me ujë që u jepnin, kishin shtuar disa copa të vogla mishi. Kjo ishte diçka jo e zakonshme dhe mendimi se vdekja e tyre mund të shtyhej u jepte shpresë dhe fuqi.
Mjeku vuri re se fshatari, para se t’i jepte punëtorit të verbër pjesën e tij, nxirrte atë pak mish që kishte pjata e vet dhe ia jepte punëtorit. Më pas e këshillonte që ta hante:
— Hajde, vëlla, ha, tani që na kujtoi Zoti dhe e Tërëshënjta dhe u zbut dhimbja jonë.
Por punëtori, ditë pas dite, tretej, derisa filloi të humbiste ndjenjat. Atëherë mjeku i bëri vërejtje fshatarit:
— Çfarë po bën atje, vëlla? Po e shikon që po vdes. Në vend që ta hash ti atë pjesë, i jep atij pjesën më të mirë tënden?
— E shoh, doktor, që ai po vdes, por nuk dua që të konstatojë në botën tjetër se askush nuk e deshi.
Më pas u gjunjëzua pranë kokës së të sëmurit dhe filloi lutjen. Në atë çast, diçka ndodhi në shpirtin e doktorit. U kthye nga muri dhe filloi të qante me lëngim.
Fshatari u përpoq ta qetësonte:
— Doktor, qetësohuni. Ndoshta për këtë donte Zoti që të jemi këtu, që të rigjejmë shpirtin tonë. Ju, si mjek, patë shumë njerëz duke vdekur. Unë gjithashtu, në luftë. Por asnjëri prej nesh nuk kishte kohë të mendonte se njeriu nuk vdes, por transferohet diku tjetër.
Sapo e nxorën të vdekurin jashtë, mjeku nuk foli për disa ditë. Më pas iu lut fshatarit që t’i mësonte Himnin Akathist dhe Psalmet. Kështu e kalonin kohën duke u lutur.
Kur iu ndërruan qelitë, mjeku filloi t’ua tregonte të burgosurve të tjerë këto që lexuat më sipër, duke kryer në këtë mënyrë një veprim faljeje personale.
Nga libri i Virgil Maxim-it, “Imn Pentru Crucea purtata”
Përkthimi në shqip: UGO