Sot, 34 vjet më parë, Anastasi u zgjodh Kryepeshkop i Shqipërisë
Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike rivendosi strukturën kanonike të Kishës Ortodokse Autoqefale, duke zgjedhur edhe Mitropolitin e parë të Korçës.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë sot shënon 34 vjet nga një nga vendimmarrjet më të rëndësishme të historisë së saj pas komunizmit. Sipas studimit Mitropolia e Shenjtë e Korçës: zhvillimi historik dhe gjendja e sotme të Dr. Themistokli Bambullës, botuar nga Universiteti Aristoteli i Selanikut, më 24 qershor 1992 Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike zgjodhi Mitropolitin e Andrussës, Anastasin, si Kryepeshkop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Në atë kohë, Kisha nuk kishte ende Kryepeshkop dhe mungonte një Sinod i Shenjtë funksional — pasojë e dekadave të persekutimit ateist. Po atë ditë u zgjodh edhe hierarku i parë për Mitropolinë e Korçës: Arkimandrit Kristodhulos Mustakas, predikues i Mitropolisë së Trikalës, i preferuar ndaj dy kandidatëve të tjerë — Arkimandrit Timotheos Eleftheriou dhe Arkimandrit Polikarp Stavropoulos, të dy nga Mitropolia e Italisë.
Fronëzimi i Kryepeshkopit Anastas u zhvillua më 2 gusht 1992. Studimi e përshkruan këtë periudhë si një etapë të vështirë, ku rindërtimi i Kishës kërkonte jo vetëm plotësimin e mungesave organizative, por edhe përballjen me kundërshti institucionale dhe politike të kohës.
Zgjedhja e 24 qershorit 1992 shënoi kalimin nga mbijetesa e fshehtë nën diktaturë drejt ringritjes së hapur të jetës kishtare. Ky vendim i Patriarkanës Ekumenike hodhi themelet e organizimit kanonik dhe të strukturave baritore që Kisha Ortodokse do t'i zhvillonte gjatë viteve të ardhshme në të gjithë vendin.
Siç kishte raportuar UGO,
veprimtaria pastorale e Mitropolitit Anastas vazhdon të jetë e pranishme në jetën e komuniteteve ortodokse në Shqipëri.