Mitropoliti Anastas: Trupi është banesë e Shpirtit të Shenjtë
Në predikimin e Pentikostisë, Mitropoliti i Korçës foli për zbritjen e Shpirtit të Shenjtë, kuptimin e Kishës dhe përgjegjësinë e prindërve për fëmijët.
“Biri im, që ti ta arrish ta shikosh këtë gjendje, do të thotë që edhe brenda teje qëndron Shpirti i Shenjtë.”
Me këtë shembull nga jeta e Shën Serafimit të Sarovit, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Anastasi, solli në predikimin e Pentikostisë thelbin e jetës së krishterë: bashkimin e njeriut me Shpirtin e Shenjtë.
Gjatë kremtimit të së dielës së Pentikostisë, Mitropoliti Anastas foli për kuptimin e kësaj të kremteje të madhe, për veprimin e Shpirtit të Shenjtë në Kishë dhe për përgjegjësinë e besimtarëve që ta ruajnë trupin dhe shpirtin si dhuratë të Perëndisë.
Ai kujtoi se Pentikostia lidhet me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi nxënësit dhe apostujt e Krishtit në Jerusalem. Apostujt, të cilët më parë ishin të frikësuar pas Kryqëzimit të Zotit, u ndriçuan, u forcuan dhe dolën të predikonin Ungjillin. Njerëzit i dëgjuan në gjuhët e tyre dhe, pas predikimit të Apostull Petrit, mijëra besuan dhe u pagëzuan.
Duke shpjeguar këtë ngjarje, Mitropoliti nënvizoi se Apostujt nuk folën gjuhë të pakuptueshme, por gjuhë që njerëzit i kuptonin. “Këtë bën Kisha”, tha ai, “flet gjuhën e atyre të cilëve u drejtohet”.
Në predikim, Hirësia e Tij sqaroi edhe një keqkuptim të përhapur rreth Pentikostisë. Ai theksoi se shpesh thuhet se në këtë ditë u themelua Kisha, por në kuptimin më të thellë theologjik, Kisha nuk fillon thjesht atë ditë. Sipas tij, Shpirti i Shenjtë nuk e “themelon” Kishën, por e riaktivizon dhe e kthen në gjendjen e saj të gjallë, në kungim me Perëndinë.
“Ne këtu në kishë çfarë bëjmë tjetër, përveçse jemi në kungim me Perëndinë?”, tha Mitropoliti. Ai kujtoi se që në fillim të Liturgjisë Hyjnore, Kisha shpall: “E bekuar është Mbretëria e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë”. Kjo do të thotë se jeta kishtare nuk është vetëm kujtim historik, por pjesëmarrje reale në Mbretërinë e Perëndisë.
Një nga pikat kryesore të predikimit ishte thirrja që besimtarët të bëhen banesë e Shpirtit të Shenjtë. Mitropoliti solli shembullin e Shën Serafimit të Sarovit, i cili e përkufizonte kuptimin e jetës së krishterë si “bashkim me Shpirtin e Shenjtë”. Kjo, tha ai, është gjendja e njeriut që ia ofron veten Perëndisë si “therore e gjallë”, që në të të banojë Shpirti i Shenjtë.
Pentikostia, sipas tij, nuk është vetëm përkujtim i asaj që ndodhi me Apostujt. Ajo është edhe moment reflektimi për çdo besimtar: a është zemra jonë vend ku mund të prehet Shpirti i Shenjtë? A jetojmë ne vërtet kuptimin e Kishës, apo vetëm qëndrojmë brenda saj pa u bashkuar me Perëndinë?
Në vijim, Mitropoliti Anastas u ndal te vlera e trupit njerëzor në mësimin orthodhoks. Ai theksoi se trupi nuk është mjet argëtimi, dëfrimi apo vetëkënaqësie, por “banesë e Shpirtit të Shenjtë”.
Në këtë kontekst, ai shprehu shqetësimin për qasje të reja shoqërore dhe institucionale që e trajtojnë trupin si pronë të njeriut, mbi të cilën ai mund të bëjë çfarë të dëshirojë. Sipas tij, njeriu nuk e ka zgjedhur vetë ekzistencën e tij, por ka ardhur në këtë botë me vullnetin e Perëndisë dhe është thirrur të jetojë sipas mënyrës me të cilën Perëndia e krijoi.
Mitropoliti u ndal veçanërisht te rreziku i ndërhyrjeve të parakohshme mbi trupin e të miturve. Ai shprehu shqetësimin se fëmijët dhe adoleshentët nuk duhet të nxiten drejt vendimeve të pakthyeshme për trupin e tyre, në një moshë kur ende nuk kanë pjekurinë e plotë për të kuptuar pasojat afatgjata.
“Çfarë nxitimi ka një njeri që në moshën katërmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeçare të ndryshojë trupin e tij?”, tha ai, duke kërkuar më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi.
Në predikim u theksua se trupi i njeriut ka dinjitet të veçantë, sepse Krishti mori trup njerëzor dhe e ngjiti atë në lavdi. Për këtë arsye, njeriu nuk mund ta shohë trupin si diçka të rastësishme apo të parëndësishme, por si dhuratë të shenjtë që duhet ruajtur dhe shenjtëruar.
Mitropoliti Anastas iu drejtua edhe prindërve, duke i ftuar të tregojnë vigjilencë për formimin shpirtëror të fëmijëve. Ai theksoi se askush nuk mund të kujdeset për fëmijët si prindërit, sepse ata kanë rrënjët, besimin, traditën dhe shembullin e të parëve.
Sipas tij, në kohën e sotme prindërit kanë një barrë të madhe: t’i ofrojnë fëmijët te Perëndia “të qartë, të pastër dhe të shëndetshëm”, jo vetëm trupërisht, por mbi të gjitha shpirtërisht.
Ai kërkoi që fëmijët të mos shkëputen nga katekizmi dhe nga mësimi i Kishës. Arsimi dhe kurset janë të nevojshme, tha ai, por nuk mjaftojnë nëse fëmija humbet lidhjen me besimin, me Kishën dhe me jetën shpirtërore.
“Mos i shkëputni fëmijët tuaj nga katekizmat, nga mësimi i Kishës”, ishte një nga thirrjet kryesore të predikimit.
Në fund, Mitropoliti u kërkoi besimtarëve ndjesë për zgjatjen e fjalës, duke theksuar se ka gjëra që duhen thënë në kishë. Predikimi i tij, në ditën e Pentikostisë, ishte një thirrje për të kuptuar më thellë veprimin e Shpirtit të Shenjtë, për të ruajtur trupin si tempull të Perëndisë dhe për të mbrojtur fëmijët përmes besimit, familjes dhe mësimit të Kishës.
UGO.
Burimi: Predikimi i Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Imzot Anastasit, me rastin e Pentikostisë audio nga korrespondenti i UGO në Korçë.