Kryepiskopi Joan foli për Sinodin e Shenjtë dhe të Madh në Chantilly
Në Konferencën Ndërkombëtare të Patriarkanës Ekumenike, Kryepiskopi i Tiranës theksoi sinodalitetin si shprehje të unitetit në Krishtin dhe nevojën për Sinode të reja.
Kryepiskopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë mbajti një fjalë për Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksisë në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Chantilly, Francë. Sipas Patriarkanës Ekumenike, fjala titullohet "Sinodi i Shenjtë dhe i Madh si dëshmi për unitet dhe përgjegjësi të përbashkët" dhe u publikua më 8 tetor 2026.
Konferenca u zhvillua në Chantilly nga 5 deri më 8 tetor dhe shënon 10-vjetorin e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, të mbajtur në Kretë në vitin 2016. Ajo organizohet me nismën e Patriarkanës Ekumenike, në qytetin e Chantilly-t, në periferi të Parisit. Më poshtë po botojmë tekstin e plotë të fjalës së Kryepiskopit Joan.
Sinodi i Shenjtë dhe i Madh si dëshmi për unitet dhe përgjegjësi të përbashkët
Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Tërëshenjtëria Juaj,
Fort të nderuar vëllezër hierarkë,
Etër të nderuar,
Të dashur pjesëmarrës në Konferencë,
I
“Lavdërimi, falënderimi dhe shpresa e mbushin shpirtin në hapjen e punimeve të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Orthodhoksis딹. Me këto fjalë, Kryepiskopi i ndjerë Anastas shprehu ndjenjat e tij, dhjetë vjet më parë, në seancën hapëse të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh. Me të njëjtat ndjenja, edhe ne e përshëndesim këtë Konferencë Ndërkombëtare kushtuar Sinodit të Shenjtë dhe të Madh. Jemi thirrur për të reflektuar mbi rëndësinë e tij për jetën tonë kishtare dhe mbi përgjegjësinë tonë për ta çuar përpara dëshminë e tij. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila mori pjesë në përgatitjen dhe punimet e Sinodit, hyn në këtë reflektim me bindjen se sinodaliteti shpreh dhe i shërben unitetit tonë në Krishtin.
Tërëshenjtëria Juaj,
Rruga për thirrjen e këtij Sinodi ishte e gjatë dhe e mundimshme. Ajo nisi në vitin 1961 me Konferencën e Parë Panorthodokse në Rodos. Prandaj, me mirënjohje të veçantë, ju falëndërojmë për përgjegjësinë tuaj baritore, për përkushtimin, këmbënguljen dhe punën tuaj, që bëri të mundur mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në Kolymbari të Kretës, në vitin 2016. Gjithashtu, i shprehim mirënjohjen tonë Kishave të tjera Orthodhokse, Primatëve dhe përfaqësuesve të tyre në komisionet përgatitore, moderatorëve, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan në hartimin dhe miratimin e dokumenteve të këtij Sinodi. I shprehim falënderimet tona të përzemërta, Tërëshenjtërisë Suaj, për ftesën dhe nismën e mbledhjes së kësaj Konference, e cila na jep mundësinë t'i rikthehemi përmbajtjes theologjike të atij eventi, të shqyrtojmë frytet e tij dhe të marrim në konsideratë mundësitë që shtrihen para nesh.
II
Kisha është Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, Trupi i Krishtit, një dhe i pandarë. Duke jetuar dhe shërbyer brenda hapësirës dhe kohës, ajo manifeston të vetmen jetë të saj në Kishat lokale. Çdo Kishë lokale, që mblidhet për Eukaristi nën episkopin e saj kanonik dhe në kungim me Kishat e tjera, është prania dhe manifestimi në atë vend i Një Kishe, me plotësimin e hirit dhe të së vërtetës së saj. Organizimi kanonik i Kishës dhe struktura administrative iu përgjigjen rrethanave historike dhe baritore të shërbesës së saj në çdo vend, pa e ndarë të vetmin trup të saj kishtar. Midis shumëllojshmërisë së vendeve, gjuhëve dhe kulturave, kungimi në të njëjtin besim dhe në të njëjtën jetë eukaristike mbetet i pandarë.²
Të gjithë e pohojmë këtë në teori, por në praktikë besoj se kemi nevojë ta thellojmë vetëdijen dhe përvojën tonë të gjallë si një Kishë. Ajo përvojë u dobësua nga faktorë të ndryshëm, veçanërisht nga teprimet e nacionalizmit dhe pasojat e tyre, edhe pse filetizmi u dënua nga një Sinod i mbajtur në Konstandinopojë në vitin 1872, i cili deklaroi: “Ne ndalojmë, kundërshtojmë dhe dënojmë racizmin, domethënë diskriminimin racor, armiqësitë etnike, urrejtjet dhe përçarjet në Kishën e Krishtit”. Siç është shprehur Patriarku Bartholome për nacionalizmin: “… në duart e tiranëve ai ka qenë shkatërrues - madje, forca më shkatërruese në historinë njerëzore, e cila vrau 75 milionë njerëz vetëm midis viteve 1914 -1945. Ne tani duhet ta pyesim veten hapur dhe sinqerisht: A nuk ka ardhur koha që t’i frenojmë teprimet e nacionalizmit?”³
Vetëm duke e jetuar besimin tonë në Një Kishë si një Trup, mund të zhvillojmë një dialog të sinqertë dhe të ndiejmë se çdo arritje e një Kishe lokale është një arritje dhe gëzim për të gjithë Kishën, dhe çdo vështirësi me të cilën përballet një Kishë lokale është një vështirësi për të gjithë Trupin e Kishës.
Në fjalën tuaj hapëse në Kretë, Tërëshenjtëria Juaj, theksuat se institucioni sinodal “e ka burimin në thellësitë e misterit të Kishës”. Ky theksim na jep kriterin theologjik për të kuptuar Sinodin e Shenjtë dhe të Madh. Sinodaliteti është një element themelor i ekzistencës së Kishës si Trupi i Krishtit. Ai shpreh besimin e përbashkët dhe kungimin në Shpirtin e Shenjtë të anëtarëve të saj, të cilët janë të thirrur për jetuar dhe vepruar në lidhjen e dashurisë.⁴ Kjo jetë përqendrohet tek Eukaristia Hyjnore. Aty marrim dhuratën e unitetit dhe mësojmë ta njohim vëllanë tonë si anëtar të të njëjtit Trup. Në këtë dritë, përgjegjësia e përbashkët e barinjve, dëgjimi i vëmendshëm i njëri-tjetrit dhe kërkimi i asaj që e ndërton Kishën, marrin kuptimin e tyre të vërtetë. Praktika e sinodalitetit thirret të manifestojë, në marëdhëniet dhe vendimet tona, kungimin që jetojmë rreth Tryezës së Shenjtë.
Në të njëjtën frymë, paraardhësi ynë i ndjerë, Kryepiskopi Anastas, e përshkroi Sinodin e Shenjtë dhe të Madh si “simbol të prekshëm dhe të qartë të unitetit të orthodhoksëve”. Fjalët e tij ndriçojnë shprehjen e dukshme të këtij realiteti kishtar. Uniteti që na është dhënë në Krishtin kërkon të bëhet i prekshëm në lutje të përbashkët, në takim vëllazëror, në bashkëpunim dhe shërbim. Sinodi i Shenjtë dhe i Madh ishte shprehje konkrete e kësaj përgjegjësie sinodale.⁵
Këto dy këndvështrime plotësojnë njëri-tjetrin. Themeli theologjik i sinodalitetit na udhëzon drejt kultivimit të kungimit në praktikë. Dhe përvoja sinodale na ndihmon të kuptojmë më thellë atë që dëshmojmë për Kishën. Vlera e Sinodit del në pah përmes kësaj lidhjeje midis besimit dhe veprimit kishtar. Çdo përpjekje e përbashkët është një mundësi për të shprehur me më tepër qëndrueshmëri unitetin që jemi të thirrur t'i shërbejmë.
Me këtë vetëdije, Kisha e Shqipërisë mori pjesë në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh. Ajo kontribuoi në përgatitjet para Sinodit dhe në hartimin e teksteve të tij, duke ofruar përvojën e saj modeste theologjike dhe baritore. Pjesëmarrja e saj ishte pjesë e shërbimit të përbashkët të Kishave motra. Në këtë rrugëtim, Kryepiskopi Anastas luajti një rol aktiv, duke ofruar dijen dhe përvojën e tij kudo që iu kërkua. Këtë shërbim e kujtojmë me mirënjohje, si shprehje të dëshirës së tij për të punuar për dëshminë e përbashkët të Orthodhoksisë në botën bashkëkohore.⁶
Në këtë bashkëpunim, çdo Kishë pjesëmarrëse pati mundësinë për të kontribuuar nga përvoja e saj dhe, njëkohësisht, të përfitonte nga pasuria e përvojës së të tjerave. Personalisht, si Mitropolit i Korçës në atë kohë, mora pjesë në shumë takime përgatitore, në hartimin e teksteve paraprake të Sinodit dhe në përpilimin e Enciklikës përfundimtare të tij. Përgjegjësia e këtij përfaqësimi lidhej ngushtë me përpjekjen për të formuluar me saktësi qëndrimet mbi jetën tonë të përbashkët kishtare. Gjatë përgatitjes paraprake, studimi shkoi paralelisht me dëgjimin, dhe puna theologjike me kujdesin baritor. Nevojiten kohë, durim dhe gatishmëri për bashkëpunim që kontributi i secilit t’i shërbejë veprës së përbashkët.
Tekstet paraprake, krahas shtjellimit të tyre theologjik, theksonin edhe kujdesin për njeriun. Ky shqetësim i jep i vë theksin përgjegjësisë së përbashkët të Kishave ndaj botës. Ne duhet të kujtojmë shpesh që “Kisha nuk ekziston për veten e saj” dhe që ne mbajmë përgjegjësi baritore si për vëllezërit e motrat tona brenda Kishës, ashtu edhe për ata jashtë saj.
III
Sa i përket pritshmërive së Sinodit, qëllimi thelbësor është që tekstet e tij të bëhen një pikë e përbashkët referimi për rrugëtimin e të gjitha Kishave Orthodhokse lokale. Të rrënjosura në besimin tonë të përbashkët, ato duhet të mbështetin dëshminë e unifikuar të Orthodhoksisë dhe të ofrojnë udhëzime baritore përballë sfidave të shoqërisë bashkëkohore. Për Kishën e Shqipërisë, pjesëmarrja në përgatitjen dhe në vetë Sinodin lidhet ngushtë me këtë përgjegjësi të vazhdueshme. Kemi arsye t'u rikthehemi me vëmendje teksteve dhe të shqyrtojmë se si ato mund të mbështetin shërbesën tonë. Edukimi theologjik i klerit dhe katekizmi i besimtarëve janë fusha të natyrshme për një punë të tillë. Njëkohësisht, komunikimi me Kishat motra mund të na ndihmojë të shkëmbejmë përvoja të dobishme dhe të bashkëpunojmë kudo që ka nevoja të përbashkëta baritore.
Përsa i përket perspektivave të ardhshme, praktika më e rregullt e sinodalitetit në nivel panorthodhoks është me rëndësi të veçantë. Në fjalën tuaj të hapjes, Tërëshenjtëria Juaj, ju folët gjithashtu për perspektivën e Sinodeve të mëtejshme të këtij lloji. Po kështu, disa nga Primatët mbështetën me entuziazëm idenë që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh duhet të bëhet një “institucion që mblidhet periodikisht”. Ne besojmë se kjo perspektivë, e shprehur gjatë Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, mbetet një temë thelbësore për reflektimin tonë të përbashkët.⁷ Prandaj, do të ishte e frytshme ta mbanim gjallë këtë perspektivë dhe të kultivonim së bashku kushtet për realizimin e saj.
Me mirëkuptim vëllazëror dhe përgatitje të duhur parasinodale, mund të shqyrtojmë mundësinë për mbledhjen e Sinodeve të reja mbi çështje që kanë të bëjnë me dëshminë tonë të përbashkët dhe shërbesën baritore. Koha dhe mënyra e mbledhjes së tyre janë çështje për dallueshmëri të përbashkët kishtare, në një frymë maturie dhe sipas rendit kanonik. Komunikimi i vazhdueshëm dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë tashmë mund t'i shërbejnë këtij qëllimi.
Shpresa jonë është që bashkëpunimi vëllazëror të rritet dhe që rrugëtimi ynë i përbashkët të mbështetet nga lutja dhe respekti. Çdo mundësi për një takim të vërtetë na lejon t'i kuptojmë më mirë nevojat e të tjerëve dhe të japim kontributin tonë me një vetëdije më të plotë. Në këtë mënyrë, kujtimi i Sinodit lidhet me një përgjegjësi konkrete në të tashmen. Uniteti ynë gjen shprehje praktike në mënyrën se si dëgjojmë, si flasim dhe në gatishmërinë tonë për të qëndruar pranë njëri-tjetrit.
Tërëshenjtëria Juaj, të dashur vëllezër,
Kisha e Shqipërisë e kujton me mirënjohje pjesëmarrjen e saj në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh, si edhe punën e përbashkët që e përgatiti atë. Ajo nderon përpjekjet dhe mundin Tuaj, Tërëshenjtëria Juaj, për mbledhjen e Sinodit, dhe gjithashtu ruan me respekt kujtimin e Kryepiskopit të ndjerë Anastas, i cili ofroi mendimin dhe shërbimin e tij për të. Së bashku me Kishat motra, ajo shpreson në kultivimin e mëtejshëm të kungimit tonë dhe në frytet e tij mes popullit të Perëndisë.
Në përfundim, dëshiroj të shpreh edhe një herë falënderimet e mia, Tërëshenjtërisë Suaj, për përpjekjet Tuaja të mëdha në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh dhe për thirrjen e kësaj Konference, e cila na jep një mundësi tjetër për të studiuar më tej dokumentet e miratuara nga Sinodi, me shpresën se kjo do të hapë mundësi dhe perspektiva të reja për bashkëpunimin e vazhdueshëm panorthodhoks. Gjithashtu, u shprehim falënderimet tona të gjithë atyre që ofruan shërbimin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët.
Le të marrim guxim. Zoti nuk do të na braktisë, sepse Perëndia nuk na dha frymë frike, por fuqie, dashurie dhe urtësie (2 Tim. 1:7).
Konferenca Ndërkombëtare mbi rëndësinë, pritshmëritë dhe perspektivat e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, Chantilly, Francë, 5–8 tetor 2026. Patriarkana Ekumenike.
Siç kishte raportuar UGO, Bartolomeu kishte vlerësuar se shtyrja e Sinodit të Kretës do të nënkuptonte anulimin e tij, në një kontekst që lidhet drejtpërdrejt me temën e kësaj konference.

