E diel, 29 mars 2026 - Shenjtori i ditës

2824
20:22
Shën Marku i Arethusës Shën Marku i Arethusës

Hierodëshmor Marku i Arethusës, dëshmor dhjak Kirili, Varahisi etj. në Persi. Oshënar Efstathi

JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS (23 SHKURT - 12 PRILL)
- HIERODËSHMOR MARKU I ARETHUSËS, DËSHMOR DHJAK KIRILI -
Ati ynë i shenjtë Marku u dorëzua episkop i qytetit të Arethusës në Siri, në kohën e mbretërimit të shën Konstandinit të Madh. I shtyrë nga zelli hyjnor, shkëlqeu në luftën kundër idhujtarisë dhe shkatërroi me duart e veta një tempull pagan e në vend të tij ngriti një kishë. Gjatë viteve të trazuara që pasuan Sinodin e Nikeas, u tërhoq në rangjet e episkopëve gjysmëarianë, të cilët, pa mohuar hyjninë e Fjalës, nuk e pranonin futjen e termit “i bashkësubstancshëm” (homousios) në Simbolin e Besimit. Mori pjesë në sinodet e Sardikës (343) dhe të Sirmiumit (351), dhe madje hartoi edhe një formular të besimit, i cili kërkonte të pajtonte partitë kundërshtare, me qëllim që të rivendoste unitetin e Kishës (359). Por e kuptoi shpejt gabimin dhe u fut menjëherë në radhët e orthodhoksëve, pak kohë para se Julian Apostati të merrte pushtetin dhe të niste politikën e tij të rivendosjes me dhunë të paganizmit (361).

Kur mësuan për këtë kthim, paganët e Arethusës, të pushtuar nga një inat i thellë për episkopin, tentuan ta hiqnin qafe. Pa asnjë mirënjohje për Markun, i cili i kishte shpëtuar jetën kur i vranë prindërit, Juliani i dha mbështetje të plotë idhujtarëve dhe i lejoi të kërkonin në gjithë krahinën për të gjetur episkopin, i cili ishte larguar, që të mos i ekspozohej persekutimit pa qenë nevoja. Por kur mësoi se në vend të tij kishin kapur e torturuar të krishterë të tjerë, shkoi dhe u dorëzua vetë te paganët. Sa e panë, ata iu sulën shenjtorit egërsisht dhe pa respekt për thinjat e tij, e zhveshën dhe e shkelmuan.

Pastaj e hodhën në një kanal të ujërave të zeza dhe nxitën disa fëmijë ta shponin me majat e penave të tyre. Më pas, ia lyen trupin me shëllirë e mjaltë dhe e mbyllën në një kosh të varur, duke e ekspozuar në diellin përvëlues dhe ndaj pickimeve të merimangave e bletëve.

Me gjithë këto vuajtje, Marku mbeti i patundur në besimin e tij dhe refuzoi çdo lloj kompromisi me paganët, të cilët i kërkonin t’u premtonte se do t’u ndërtonte me shpenzimet e tij tempullin që shkatërroi. Shenjtori nuk pranoi t’u jepte asgjë, duke iu thënë se edhe qindarka më e rëndomtë do të ishte për të mohim i të gjithë besimit. Ai tallej me poshtërsitë që bënin dhe shqetësimet që kishin për gjërat tokësore. Të mundur, paganët e lanë më në fund dhe disa nga ata, të frymëzuar nga durimi dhe fjalët e tij, u kthyen te Krishti. Shën Marku fjeti në paqe më 364 dhe mori trofeun e konfesorëve të Krishtit.

Në të njëjtën periudhë, në Heliopoli të Finikit, Kirili, dhjaku, i cili edhe ai kishte shkatërruar shumë idhuj në kohën e shën Konstandinit, u kap nga paganët. Ata i hapën barkun, ia shpërndanë të brendshmet përdhé dhe e hëngrën të gjallë mëlçinë e tij. Fajtorët e këtij krimi u ndëshkuan nga hakmarrja hyjnore: disa humbën gjithë dhëmbët, të tjerëve iu kalb gjuha dhe disa të tjerë humbën shikimin.

Në Askalon dhe në Gaza, qytete të Palestinës, ku idhujtaria ishte e fuqishme, paganët iu sulën burrave e grave që ishin përkushtuar te Perëndia. Ua derdhën të përbrendshmet dhe barkun ua mbushën me elb, pastaj ua dhanë derrave si ushqim.
Në Sebaste hapën kutinë që mbante lipsanin e Pararendësit, Joan Pagëzorit, dhe e hodhën në zjarr dhe shpërndanë hirin.
Me gjithë këto ndyrësi, ata nuk arritën dot të rivendosnin kultin pagan. Shumica e popullit ishte indiferente ndaj këtyre tentativave, sa kur Juliani donte të organizonte një festë të madhe në Antioki për nder të Apollonit, u befasua kur pa se në tempullin bosh ishte vetëm ai bashkë me oborrtarët, ndërsa në qytet talleshin me të.

641356546_1233186478902702_2129687278063929387_n.jpg (102 KB)

* * * * *
- OSHËNAR EFSTATHI -
Shën Efstathi ngriti barrën e ëmbël e të lehtë të Krishtit dhe u bë murg, pastaj u hirotonis prift dhe rrezatoi në popull dashurinë hyjnore që kishte në zemër. I përulur, i dhembshur, përdëllyes, i zellshëm për vepra të mira të virtytit dhe plot besim, e caktuan në fronin episkopal të Kios, në Bitini. Ai e qeverisi dioqezën e tij me besnikëri të madhe sipas traditave apostolike.

Prandaj edhe kur u shpall herezia ikonoklaste, luftoi me trimëri për mbrojtjen e besimit të vërtetë. E denoncuan te perandori, por nuk i përfilli kërcënimet, duke vuajtur me durim të pështyra në fytyrë, kamxhikim, helmim dhe goditje me shkopinj. Në fund, heretikët e dëbuan nga dioqeza e tij duke e goditur me shkopinj. Shenjtori, duke lavdëruar Perëndinë, hoqi tërë vuajtjet e një internimi të mundimshëm: urinë, etjen, mungesën e gjërave të nevojshme. Pastaj, u largua nga kjo tokë, për t’u bashkuar me të drejtët.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu