Erdogan kremtoi pushtimin e Qytetit në Shën Sofia
Presidenti turk mori pjesë në lutjen e së premtes në Shën Sofi dhe e paraqiti pushtimin osman si “ringjallje” të Konstandinopojës.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, mori pjesë në lutjen e së premtes në Shën Sofi, gjatë përvjetorit të pushtimit të Konstandinopojës nga osmanët. Ngjarja u shoqërua me ceremoni shtetërore, fetare dhe nacionaliste në Stamboll.
Sipas raportimeve, Erdogan mbërriti në Shën Sofi i shoqëruar nga ministra, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Mediat pranë qeverisë turke e paraqitën këtë prani si shprehje të “frymës së pushtimit”.
Në deklaratat pas lutjes, presidenti turk e quajti Konstandinopojën “dritën e syrit të kombit” që prej vitit 1453 dhe foli për ata që, sipas tij, nuk e pranojnë ende pushtimin. Këto formulime u interpretuan si mesazhe të drejtuara ndaj Greqisë dhe botës orthodhokse.
Erdogan u përpoq ta paraqiste pushtimin osman si akt “rindërtimi” dhe “ringjalljeje” të Qytetit. Në një nga pjesët më të komentuara të fjalës së tij, ai tha se, ashtu si liqeni nuk mbetet kurrë pa ujë, edhe “malli për pushtim” nuk do të mungojë kurrë në zemrat e kombit.
Ai iu referua edhe rikthimit të Shën Sofisë nga muze në xhami, duke folur për “thyerjen e zinxhirëve” në dyert e saj dhe për “fitore të reja”. Këto fjalë risollën në vëmendje plagën e hapur që krijoi vendimi i vitit 2020 për ndryshimin e statusit të këtij monumenti të krishterë.
Gjatë aktiviteteve në Stamboll u zhvillua edhe “Marshimi i Pushtimit”, nga sheshi Bejazit drejt Shën Sofisë. Pjesëmarrësit mbanin flamuj turq, ndërsa ceremonia u shoqërua me banda osmane dhe rindërtime historike.
Për botën orthodhokse, Shën Sofia nuk është vetëm monument historik. Ajo është një simbol i madh i trashëgimisë së krishterë, i jetës liturgjike dhe i kujtesës së Konstandinopojës, “Qytetit” që për shekuj ishte zemra e Perandorisë Romake të Lindjes dhe qendër e Orthodhoksisë.
Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i Shën Sofisë në ceremoni me gjuhë pushtimi dhe triumfi politik nuk mund të shihet si çështje e thjeshtë protokollare. Ai prek kujtesën historike të miliona të krishterëve orthodhoksë dhe ngre sërish pyetjen për respektin ndaj monumenteve të trashëgimisë së përbashkët.
Për ne ky lajm ka rëndësi edhe për një arsye tjetër. Ai kujton se marrëdhënia mes shtetit, fesë dhe trashëgimisë historike kërkon kujdes, maturi dhe respekt. Monumentet e shenjta nuk janë vetëm objekte guri; ato mbartin kujtesë, identitet dhe plagë historike që nuk shërohen me gjuhë triumfaliste.
Burimi: EOΔ – Ένωση Ορθοδόξων Δημοσιογράφων