Studimi: besimi mbetet i gjallë në Shqipëri

2826
09:51
Foto krijuar me IA dhe është pronë e UGO Foto krijuar me IA dhe është pronë e UGO

Të dhënat tregojnë se shumica e shqiptarëve ruajnë lidhje me fenë, por praktikimi mbetet i kufizuar dhe kërkon përkujdesje më të thellë shpirtërore.

Besimi fetar vazhdon të jetë i pranishëm në shoqërinë shqiptare, edhe pse dekadat e ateizmit shtetëror kanë lënë pasoja të dukshme në mënyrën si njerëzit e jetojnë fenë.

Një studim statistikor i mbështetur nga Konrad-Adenauer-Stiftung dhe i realizuar nga Bashkim Shehu dhe Eduard Zaloshnja tregon se 59% e të anketuarve deklarojnë se besojnë plotësisht në një fe të caktuar, pavarësisht prejardhjes familjare. Ndërkohë, 33.8% thonë se besojnë në Zot, por jo në një fe të veçantë, ndërsa 7.2% deklarohen ateistë ose agnostikë.

Sipas të njëjtit studim, 36% e të anketuarve identifikohen me degën kryesore myslimane, 8% si të krishterë orthodhoksë, 7.9% si katolikë, 5.2% si bektashinj dhe 1.3% si protestantë ose të krishterë të tjerë. Këto shifra tregojnë se Shqipëria mbetet një vend me përbërje të larmishme fetare, ku bashkëjetesa ndërmjet besimeve është një element i rëndësishëm i jetës shoqërore.

Por studimi nxjerr në pah edhe një dallim të madh mes përkatësisë familjare dhe besimit personal. 70% e shqiptarëve kanë origjinë familjare myslimane, ndërsa praktikimi i rregullt i kësaj feje është shumë më i ulët. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 14.3% kanë origjinë familjare orthodhokse, ndërsa 8% deklarohen orthodhoksë sipas bindjeve personale.

Kjo diferencë ka rëndësi edhe për Kishën Orthodhokse pasi identiteti fetar i trashëguar nga familja nuk mjafton vetvetiu për të mbajtur të gjallë jetën e besimit. Ai ka nevojë për katekizim, pjesëmarrje në jetën shpirtërore dhe Misteret e Kishës pra thënë ndryshe, lidhje me famullinë dhe përvojë personale të jetës kishtare.

Vetëm 21.7% e të anketuarve shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë, xhami, teqe ose vend tjetër kulti. Ndërsa vetëm 6.8% mund të konsiderohen besimtarë të thellë, sipas disa treguesve të bashkuar: pjesëmarrje javore në adhurim, besim në vullnetin e Perëndisë, në krijimin e njeriut nga Zoti, në jetën pas vdekjes dhe në gjykimin e shpirtit.

Kjo tregon se problemi kryesor nuk është thjesht nëse shqiptarët besojnë apo jo. Sfida më e madhe është thellësia e besimit dhe mënyra si ai bëhet pjesë e jetës së përditshme. Një njeri mund të thotë se beson, por të mos ketë lidhje të rregullt me lutjen, shërbesat, sakramentet dhe bashkësinë e Kishës.

Për Kishën Orthodhokse në Shqipëri, ky është një mesazh i qartë, puna  shpirtërore nuk mbaron me ndërtimin e kishave dhe institucioneve. Nevojitet një kujdes i vazhdueshëm për formimin shpirtëror të besimtarëve, sidomos të fëmijëve, të rinjve dhe familjeve.

Shqipëria ishte një rast i veçantë në historinë botërore: nga viti 1967 deri në vitin 1990 feja u ndalua me ligj. Gjatë asaj periudhe, jo vetëm ushtrimi i riteve fetare, por edhe shprehja e besimit mund të dënohej penalisht.

Megjithatë, ateizmi shtetëror nuk arriti ta çrrënjosë fenë. Gati 40% e të anketuarve deklarojnë se ata vetë, prindërit ose gjyshërit e tyre vazhduan të kryenin fshehurazi rite fetare edhe në kohën kur kjo dënohej nga shteti. 

Rreth 79% e të anketuarve deklarojnë se nuk do ta kishin problem që një pjesëtar i familjes të martohej ose të bashkëjetonte me dikë nga një prejardhje tjetër fetare. Martesat ose bashkëjetesat me prejardhje të ndryshme fetare përbëjnë 21.5% të totalit.

Kjo është një vlerë e rëndësishme për Shqipërinë pasi bashkëjetesa ndërfetare nuk duhet parë si dobësim i besimit, por si mundësi për respekt dhe paqe. Sidomos për të krishterin orthodhoks, respekti ndaj tjetrit nuk do të thotë humbje e identitetit, por shprehje e dashurisë dhe e përgjegjësisë.

Nga ana tjetër, studimi tregon se një pjesë e njerëzve që nuk besojnë në një fe të caktuar shkojnë në vende kulti me shpresën se kjo mund t’i ndihmojë në probleme jetësore ose shëndetësore. Kjo tregon se nevoja shpirtërore e njeriut mbetet e pranishme, edhe kur nuk shprehet në formë të qartë fetare.

Pikërisht këtu Kisha ka një mision të madh. Ajo nuk thirret  të takojë njeriun që kërkon kuptim, shërim dhe paqe. Ajo duhet të ndihmojë që besimi të mos mbetet traditë e largët, kujtim familjar ose kërkim i paqartë, por të bëhet marrëdhënie e gjallë me Krishtin.

Të dhënat për besimin në Shqipëri tregojnë një realitet kompleks. Feja nuk u zhduk, por praktikimi shpirtëror mbetet i dobët. Toleranca ndërfetare është e fortë, por lidhja e njeriut me komunitetin fetar kërkon thellim. Përkatësia familjare vazhdon të ketë peshë, por nuk mjafton pa përvojë personale.

Për Kishën Orthodhokse, kjo është një thirrje për punë më të kujdesshme në famulli, katekizëm, shkolla, familje dhe media. Besimi duhet të përcillet jo vetëm si trashëgimi kulturore, por si jetë, lutje, pjesëmarrje dhe dëshmi.

Pas një shekulli plagësh, ndalimesh dhe ringritjeje, Shqipëria ka ende nevojë të kuptojë më thellë vendin e besimit në jetën e saj. Shifrat tregojnë se toka shpirtërore nuk është e shkretë. Por ajo ka nevojë për kujdes, kultivim dhe kryesisht për dritën e Ungjillit.

Burimi: Shqiptarja.com; Statistical Study on Religious Belief in Albania, Konrad-Adenauer-Stiftung.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu