Marrëdhënia problematike me të afërmin tonë
Sa më shumë largohet njeriu nga Perëndia, aq më shumë dobësohet edhe lidhja e tij me njeriun tjetër, me dashurinë, solidaritetin dhe jetën shpirtërore.
Marrëdhënia problematike me “të afërmin” tonë
Iraklis Rerakis, Profesor në Universitetin Aristoteli të Selanikut,
Kryetar i Bashkimit Panhelenik të Teologëve
Dobësimi i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve ka si shkak kryesor lidhjen e lënë pas dore dhe problematike të njeriut me Perëndinë dhe me të afërmin.
Sa më shumë largohet njeriu nga Perëndia, po aq largohet edhe nga i afërmi i tij, dhe anasjelltas. Në ditët tona po forcohet gjithnjë e më tepër bindja se lidhja e drejtë dhe e ndërgjegjshme e njerëzve me Perëndinë Trinik, Perëndinë e dashurisë, të dhembshurisë dhe të filantropisë, i jep njeriut fuqinë krijuese që lind solidaritetin dhe shoqërinë njerëzore.
Kjo lidhje është, do të thoshim, “çimentoja” e domosdoshme për çdo shoqëri, që bashkon personat me njëri-tjetrin. Ajo është njëkohësisht edhe kundërhelmi i vetëm ndaj individualizmit çnjerëzor dhe ndaj stuhisë shkatërruese të konflikteve, që ky individualizëm krijon në marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Në epokën e globalizimit dhe të internetit, edukimi familjar dhe shkollor, i cili ndër shekuj kishte si mision zhvillimin e ndërgjegjes fetare, morale-shpirtërore, shoqërore dhe kulturore të të rinjve, duke u përcjellë atyre thesaret e pastra të traditës së virtytshme, fatkeqësisht ka humbur autoritetin dhe përgjegjësinë e misionit të tij.
Bisedat për arritje kulturore, për risi, për modernizime, për epoka të reja dhe për inteligjencë artificiale nuk kanë asnjë vlerë, kur në kohën tonë vërehet një mungesë dhe krizë e thellë shpirtërore në shpirtrat e njerëzve dhe, si pasojë, një paaftësi në marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Edukimi që ofrojnë prindërit, shkolla dhe shoqëria, duke marrë si model lëvizjet e mësipërme të çorientuara, ka nevojë për pendim dhe përtëritje shpirtërore, në mënyrë që të harmonizohet me nevojat e njeriut të plotë, si qenie psiko-somatike (trupore).
Nuk është e mundur që shpirtrat e njerëzve të mbeten të uritur dhe të etur për ushqim dhe perspektivë shpirtërore, vetëm sepse disa vendosin të imponojnë një mënyrë moderne jetese, e cila e shpërfill njeriun e plotë dhe kërkon që ai të zhvillohet vetëm si qenie materiale, dhe jo si qenie materiale e shpirtërore njëkohësisht.
Sigurisht, nuk mund të flasim për socializimin e njeriut, nëse më parë nuk shtrohet pyetja nëse njeriu mund të bashkohet dhe të komunikojë me të afërmin e tij sipas kushteve të shoqërisë së vërtetë. Për të arritur këtë shoqëri të vërtetë, duhet të paraprijë dhurata e Perëndisë dhe pranimi nga çdo njeri i virtyteve të domosdoshme shpirtërore.
Kur në një të ashtuquajturën shoqëri, marrëdhëniet e njerëzve mbështeten mbi interesat personale, mbi lidhjet materiale të “jap dhe marr”, dhe jo mbi dashurinë pa interes, atëherë kjo shoqëri është e sëmurë shpirtërisht dhe ka nevojë urgjente për shërim.
Njeriu nuk bëhet i afërmi i dikujt për arsye farefisnie, miqësie ose fqinjësie, por sepse ne përpiqemi të bëhemi dhe të jemi të afërm për të, me dashuri, me filantropi dhe me hapësirën që i japim fillimisht në zemrën tonë dhe pastaj në jetën tonë.
Pra, ne e bëjmë atë të afërmin tonë, tonin, mikun tonë, sepse i japim çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi, për të mbuluar nevojat e tij. Në këtë mënyrë i shfaqim dashurinë e Perëndisë, e cila na jepet së larti si dhuratë shpirtërore.
Në thelb, me qëndrimin tonë ndaj tij, i zbulojmë besimin dhe dashurinë tonë ndaj Perëndisë, i Cili na sjell përpara një tjetër mirëbërës të rritjes sonë shpirtërore, që ne ta bëjmë të afërm dhe vëlla më Krishtin.
Kjo është trashëgimia më e bukur dhe më e rëndësishme që kemi detyrë ta pranojmë, ta ruajmë dhe t’ia përcjellim çdo njeriu, të vogël apo të madh: veprimin e dhuratave që marrim së larti, kur natyrisht kemi si përparësi në jetën tonë atë që vetë Krishti u mësoi njerëzve, duke thënë që të jetojmë dhe të mësojmë të duam Perëndinë dhe të afërmin tonë: “Duaje Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde… dhe të afërmin tënd si veten tënde” (Marku 12:30-31).
Kështu ushtrohet dhe shndërrohet çdo njeri në qenie shpirtërore. Kështu mëson të dojë dhe kështu mund të arrijë të kërkojë nga Perëndia ta çlirojë nga veprat e liga, me fjalët “por shpëtona nga i ligu”, duke shmangur shndërrimin në një “makineri botërore prodhimi dhe konsumi”, të varur nga bota.
Në botën bashkëkohore, njeriu ka nevojë të qëndrojë vazhdimisht larg të ligut dhe pranë Perëndisë e pranë të afërmit të tij, duke pasur gjithmonë ndjesinë se është qenie shpirtërore. Kjo do të thotë se ai ëndërron dhe ecën në jetë me dashuri, duke pasur si busull dhe përparësi përjetësinë, si misionin e tij përfundimtar: “Kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).
Nuk është rastësi që edhe vetë etimologjia e fjalës “njeri” në greqisht (anthropos=Ano-throsko shqip shoh-lart) tregon drejtimin e misionit të tij. Kjo mund të kuptohet sipas etimologjisë më të njohur, nga shprehja “shoh lart, lëviz lart”, që do të thotë të drejtohesh, të shikosh lart, drejt qiellit. Mund të kuptohet edhe sipas etimologjisë tjetër, që vjen nga Platoni, “ai që shqyrton ato që sheh”, duke theksuar ekzistencën e arsyes, gjykimit dhe ndërgjegjes, të cilat e dallojnë njeriun nga kafshët.
Megjithatë, në epokën e globalizimit, pa mohuar pjesën e mirë që ekziston gjithmonë, përparësia në jetën dhe në planifikimin e njerëzve zakonisht u jepet të mirave materiale. Ky fakt përbën një robërim dhe burgosje të vazhdueshme të jetës dhe misionit shpirtëror të njeriut, si qenie e unifikuar materiale dhe shpirtërore.
Të krishterët orthodhoksë të pagëzuar e dinë se Zoti i Ngjallur, në takimin e parë me nxënësit e Tij pas Ngjalljes, u dhuroi Shpirtin e Shenjtë atyre dhe të gjithë anëtarëve të mëvonshëm të Kishës së Tij, duke thënë: “Paqja qoftë me ju… Dhe si tha këtë, fryu mbi ta dhe u tha: Merrni Shpirt të Shenjtë. Kujtdo që t’ia falni mëkatet, i janë falur; kujtdo që t’ia mbani, i janë mbajtur” (Joani 20:23).
Shpirti i Shenjtë u jep besimtarëve dhuntitë dhe virtytet shpirtërore dhe e mbush me hir shpirtin që ekziston brenda çdo njeriu.
Prandaj Apostulli i Kombeve, Pavlli, i cili solli besimin e krishterë në Evropë dhe në Greqi dhe themeloi bashkësitë e para kishtare, këshillon: “Mos e shuani Shpirtin”, domethënë mos lejoni të shuhet flaka dhe drita e Shpirtit në zemrën dhe në jetën tuaj (1 Thesalonikasve 5:19-23).
Në një letër tjetër, Apostulli i nxit përsëri besimtarët: “Ecni sipas Shpirtit dhe nuk do të përmbushni dëshirën e mishit”, domethënë të jetoni dhe të silleni ndërmjet jush sipas Shpirtit të Perëndisë dhe sipas dhuntive që Ai jep, dhe të mos u bindeni dëshirave të mishit. Ai përmend gjithashtu se dhuntitë, edhe pse vijnë përmes ushtrimit shpirtëror, pastrimit dhe lutjes, janë dhurata të Perëndisë, fryte të Shpirtit të Shenjtë: “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëpërmbajtja” (Galatasve 5:16 dhe 22-23).
Duke bërë këto referime biblike, kuptojmë se virtytet dhe dhuratat shpirtërore që vijnë së larti janë absolutisht të domosdoshme si parakushte, në mënyrë që dikush të mund ta pranojë të afërmin e tij si vëlla, ose të bëhet vazhdimisht i afërm për të afërmin e tij.
Përkundrazi, jeta e botës dhe materialiste çon në dobësimin ose mungesën e dhuntive, domethënë të virtyteve, sepse ato jepen së larti vetëm përmes lutjes, pastërtisë shpirtërore dhe lirisë së brendshme.
Rrjedhimisht, jeta materialiste përmban prirjen drejt ligësisë dhe mungesës së virtyteve që nevojiten, që dikush të mund ta dojë të afërmin me frymë hyjnore dhe jo me frymë botërore, si vëllain më të vogël të Krishtit.
Plotësimi ekzistencial i njeriut me dashurinë e vërtetë ndaj të afërmit, sipas Ungjillorit Joan, bën që edhe dashuria e tij ndaj Perëndisë të jetë e pranueshme nga Perëndia (1 Joani 4:20).
UGO