Dhimbja që hap zemrën drejt së vërtetës- Serafim Rouz

2826
09:07
Dhimbja që hap zemrën drejt së vërtetës- Serafim Rouz

Një reflektim mbi “Orthodhoksinë që vuan”, ku dhimbja, përndjekja dhe sprovat shpirtërore bëhen rrugë për njohjen e Perëndisë dhe për rilindjen e zemrës.

 DHIMBJA

Rreth një vit më parë, gjatë një udhëtimi me tren, pata një bisedë të gjatë me një të ri amerikan. Siç dukej, më takoi rastësisht (sigurisht, në jetë nuk ka rastësi), dhe më tha se po mësonte rusisht. Ai ishte një kërkues fetar që kishte qenë në të gjitha llojet e të ashtuquajturave grupe të krishtera, nuk kishte gjetur gjë tjetër veç hipokrizisë dhe mashtrimit kudo, dhe ishte gati ta braktiste krejtësisht fenë. Por më pas dëgjoi se në Rusi njerëzit vuanin për besimin e tyre. Aty ka dhimbje, mendoi, prandaj do të ketë patjetër diçka të vërtetë, dhe nuk mund të ketë një mashtrim të tillë si në Amerikë. Kështu ai mësonte rusisht me qëllim që të shkonte në Rusi dhe të takonte njerëz që ishin të krishterë të vërtetë. Si prift ruso-orthodhoks e dëgjova këtë me habi, sepse i riu nuk kishte parë kurrë më parë një bari orthodhoks dhe as kishte marrë pjesë në ndonjë liturgji orthodhokse. Patëm një bisedë të gjatë për fenë, dhe pashë se ideja e tij ishte shumë e saktë: ideja se dhimbja mund të prodhojë diçka të vërtetë, ndërsa jeta jonë plot kënaqësi prodhon lehtë mashtrim.

Në shekullin e 4-ët, një teolog i madh orthodhoks, shën Grigor Nazianzinoi (i quajtur gjithashtu “Teologu”) e përshkroi fenë tonë si “Orthodhoksia që vuan” – dhe kështu ka qenë që nga fillimi, gjatë gjithë historisë së Kishës. Ndjekësit e Perëndisë së Kryqëzuar pësuan përndjekje dhe tortura. Pothuajse të gjithë Apostujt vdiqën si martirë: Pjetri u kryqëzua përmbys dhe Andrea në një kryq me formë X. Gjatë tre shekujve të parë të Krishterimit, besimtarët strehoheshin në katakombe dhe duronin vuajtje të tmerrshme. Ishte brenda katakombeve ku Liturgjia Hyjnore e Kishës – të cilën sot e kryejmë në një formë paksa të ndryshuar nga ajo e asaj kohe – kremtohej në një atmosferë pritjeje të vazhdueshme të vdekjes.

Pas periudhës së katakombeve erdhi lufta për të ruajtur pastërtinë e Besimit, kur shumë mësues u përpoqën të zëvendësonin mësimet hyjnore të zbuluara , të trashëguara nga Zoti ynë Jezu Krisht, me mendimet e tyre personale. Në shekujt pasues, pati pushtime në krahinat orthodhokse nga arabët, turqit, popuj të tjerë jo të krishterë, dhe më në fund – në ditët tona – nga komunistët. Komunizmi, i cili e përndoqi fenë siç nuk ishte ndjekur kurrë më parë, sulmoi së pari pikërisht vendet orthodhokse të Evropës Lindore. Për këto arsye, siç mund të bëhet e qartë, besimi ynë është një besim që vuan; dhe brenda kësaj dhimbjeje ndodh diçka që e ndihmon zemrën të pranojë zbulesën e Perëndisë.

Çfarë ka Orthodhoksia e vuajtur e Rusisë – feja e torturuar që i riu i lartpërmendur donte të shihte – për të na thënë sot? A është zbuluar e vërteta në Rusi në zemra që dashurojnë? Sipas logjikës së kësaj bote, nuk duhej të kishte mundësi për diçka të tillë. Komunizmi, me dorë të hekurt për më shumë se 60 vjet, dhe që nga fillimi i tij ideja ishte të “shuhej” feja. Për një periudhë, në fund të viteve 1930, pothuajse e arriti këtë qëllim, duke lënë shumë pak kisha të hapura. Nëse pushtimi i Hitlerit nuk do t’i kërkonte popullit rus të bëhej patriot dhe të gjente njëfarë shprese në jetë përtej ideologjisë komuniste, Kisha do të kishte përfunduar krejtësisht në periferi. Sot gjendja është disi më e mirë, por ende ka presion të madh mbi besimtarët. Pati një ripërtëritje të përndjekjeve në vitin 1960 nën Hrushovin, e cila solli mbylljen e tre të katërtave të kishave që kishin mbetur të hapura. Sot (S.M.T.K. përkth. d.m.th. në vitin 1981, kur u mbajt ligjërata), përveç qyteteve ku shkojnë turistët (në Moskë dhe në Leningrad, për shembull, mund të shihni ndoshta 30 ose 40 kisha të hapura), ka qytete të mëdha në provincë me pak ose pa asnjë kishë. Kështu, nëse një besimtar dëshiron të pagëzojë fëmijën e tij, ndonjëherë duhet të udhëtojë qindra milje.

Këtu do të doja të them dy fjalë për mënyrën se si Perëndia e zbulon Veten te të krishterët që vuajnë në Rusi pikërisht tani. Ndoshta të gjithë keni dëgjuar për Aleksandër Solzhenicinin, një romancier dhe mendimtar të madh rus që u dëbua nga atdheu i tij në vitin 1975 sepse thoshte të vërtetën për Rusinë ashtu siç e pa. Mosha e tij ishte pothuajse saktësisht e njëjtë me atë të vetë regjimit komunist, dhe kështu nuk mund të akuzohet se i kishin mbetur paragjykime nga fëmijëria. Ai jetoi një jetë tipike në Bashkimin Sovjetik. I lindur një vit pas Revolucionit të Tetorit, e humbi të atin në Luftën e Parë Botërore, studioi matematikë me qëllim të gjente një punë praktike, shërbeu si ushtar në Luftën e Dytë Botërore dhe shkoi me ushtrinë sovjetike në Gjermani. Në vitin 1945 u arrestua sepse shkruante në letra personale vërejtje të pahijshme për “mustaqen” (duke nënkuptuar Stalinin) dhe u dënua me tetë vjet izolim në kamp përqendrimi. Në fund të këtij dënimi, në vitin 1953, u internua (që do të thotë se nuk ishte saktësisht në burg, por as nuk ishte i lirë të shkonte kudo) në një qytet në Kazakistanin jugor, në skaj të shkretëtirës. Atje u sëmur me kancer dhe gati vdiq prej tij, por u shërua në një klinikë kanceri (për të cilën shkroi një roman, “Pavijoni i kancerit”). Në atë vend internimi ai jepte mësim matematikë dhe fizikë dhe shkruante romane dhe tregime fshehurazi. Kur vdiq Stalini, pati një periudhë të përkohshme “pajtimi” ose “zbutjeje”, dhe iu dha liria dhe leja të botonte një libër në Rusi, në vitin 1961. Atëherë u zbulua se ishte më shumë “disident” sesa i pëlqente qeverisë komuniste, dhe nuk iu lejua të botonte asgjë tjetër. Megjithatë romanet e tij filluan të botoheshin jashtë Rusisë. Kjo e bëri atë një figurë shumë të bezdisshme për pushtetin sovjetik, sidomos kur në vitin 1970 iu dha çmimi Nobel dhe nuk iu lejua ta merrte personalisht. Më në fund, në vitin 1975, u dëbua me forcë; disa ditë më parë iu dha një njoftim dhe pastaj e dërguan në Gjermaninë Perëndimore.

Solzhenicini jeton tani në Vermont, ku vazhdon veprimtarinë e tij letrare. Ai ka folur në Perëndim për diçka shumë të rëndësishme: kuptimin e eksperimentit ateist në Rusi. Ai nuk e sheh këtë eksperiment kryesisht nga një këndvështrim politik, por nga një perspektivë më tokësore dhe megjithatë shpirtërore. Në njëfarë mënyre, ai është simbol i rilindjes bashkëkohore orthodhokse në Rusi, sepse ka pësuar më shumë se 60 vjet mjerim të popullit rus dhe ka dalë i pathyeshëm nga kjo provë. Ai ka një besim të fuqishëm të krishterë dhe një mesazh për botën, të bazuar në përvojën e tij. Libri i tij monumental “Arkipelagu Gulag” duhet të lexohet nga kushdo që dëshiron të kuptojë ateizmin siç u ushtrua në Rusi dhe se si ai vepron në shpirtin njerëzor.

Solzhenicini nuk është i hidhëruar për përvojat e tij në kampin e përqendrimit dhe për të gjitha vuajtjet e tij të tjera. Ai doli fitimtar mbi to, sepse fitoi besim të krishterë. Ai sheh se sistemi i ateizmit nuk është vetëm diçka ruse, por një kategori universale e shpirtit njerëzor. Që nga çasti kur ke idenë se ateizmi është i vërtetë dhe se nuk ka Perëndi, atëherë – siç shkroi Dostojevski në romanet e tij – çdo gjë lejohet: bëhet e mundur të eksperimentosh me çfarëdo që të imagjinosh, çdo frymëzim të ri, çdo mënyrë të re të të parit të gjërave, çdo lloj shoqërie të re.

Vlera e Solzhenicinit është se tregon se, nga çasti kur ateizmi bëhet filozofia sunduese dhe është e pranishme ideja se feja duhet të shfaroset (gjë që është në qendër të ideologjisë komuniste), atëherë duhet të ketë kampe përqendrimi. Njeriu e do fenë, dhe nëse ajo është e ndaluar, duhet disi të shpëtojnë prej tij (që e do atë). Prandaj, meqenëse ateizmi bazohet në të keqen që ndodhet në natyrën e njeriut, sistemi i burgjeve Gulag është shprehja natyrore e eksperimentit ateist në Rusi.

Megjithatë kjo është një pikë dytësore. Tema kryesore për të cilën do të doja të flisja është ajo që i ndodhi Solzhenicinit (nga pikëpamja shpirtërore) kur shkoi në burg, sepse ishte aty që iu zbulua Perëndia. Në të njëjtën kohë që Gulagu zbulon të keqen në natyrën e njeriut, ai është gjithashtu pika e nisjes për zhvillimin shpirtëror të një njeriu. Kjo është ajo që e bën rilindjen shpirtërore që po ndodh tani në Rusi shumë më të thellë sesa “rilindjet shpirtërore” të ndryshme që ndodhin në botën moderne. Vetë Solzhenicini thotë këto fjalë për mënyrën se si arriti në besim:

“Që nga vitet e burgimit tim, m’u dha të fitoj mbi kurrizin tim të thyer, që pothuajse u shtyp nga pesha e tij, këtë përvojë thelbësore: se si një qenie njerëzore bëhet e mirë, dhe se si bëhet e keqe. Në marramendjen e sukseseve të rinisë sime e kisha ndier veten të pagabueshëm, dhe për këtë isha i ashpër.” (Ai ishte toger në ushtri.) “Në abuzimin e pushtetit isha një vrasës dhe një tiran. Në çastet e mia më të këqija isha i bindur se bëja mirë, dhe isha i pajisur fort me argumente metodike. Dhe vetëm kur u shtriva atje mbi kashtën e kalbur të burgut, ndjeva brenda meje lëvizjet e para të së mirës.”

Këtu zemra e tij fillon të bëhet e butë dhe e pranueshme, dhe kështu ndodh një lloj zbulese:

“Gradualisht m’u zbulua se vija që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon përmes shteteve, as përmes klasave shoqërore, as përmes partive politike – por drejt e përmes çdo zemre njerëzore – dhe pastaj përmes të gjitha zemrave njerëzore... Dhe madje edhe në zemrat e pushtuara nga e keqja, ruhet një urë e vogël e së mirës. Dhe madje edhe në zemrën më të mirë, mbetet... një qoshe e vogël e së keqes që nuk është çrrënjosur.” (Pjesë nga “Arkipelagu Gulag”.)

Sa më e thellë është kjo vëzhgim se gjithçka që mund të themi ne në Perëndim, të bazuar në përvojat tona! Është më e thellë sepse bazohet mbi dhimbjen, e cila është realiteti i gjendjes njerëzore dhe fillimi i jetës së vërtetë shpirtërore. Vetë Krishti erdhi në një jetë dhimbjeje dhe Kryqi; dhe prova në Rusi u jep aftësi atyre që e pësojnë ta shohin këtë fakt me thellësi. Prandaj ringjallja e krishterë në Rusi është një dukuri kaq e thellë.

Nga libri:

Zbulimi i Perëndisë në zemrën njerëzore. Përktheu UGO

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu