Karikatura e priftit nga Kinostudio dhe kontributi i klerit për shqipen

Sot 09:22
0
Foto Ilustruese UGO.AL Foto Ilustruese UGO.AL

Skenat që e paraqitnin priftin si armik të gjuhës shqipe u prodhuan për propagandën ateiste dhe nuk duhet të rishfaqen pa kontekstin e tyre historik.

Dita e Alfabetit duhet të jetë rast për të nderuar të gjithë ata që i shërbyen gjuhës shqipe, përfshirë klerikët orthodhoksë.

Publikimi për këtë ditë të shënuar, i një skene nga filmat e asaj kohe, nga një figurë publike, politikan si z Taulant Balla, solli reagimin e Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij +Anastasit dhe rihapi debatin publik.

Sipas Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, figura e klerikut u denigrua në prodhime të Kinostudios «Shqipëria e Re». Kjo ishte pjesë e politikës ateiste të regjimit, por shpesh herë vjen sërish në vëmendjen e publikut të gjërë pasi filmat e krijuar për këtë qëllim vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë dhe të ndikojnë në brezat e sotëm.

Një portret i ndërtuar nga propaganda

Prifti i paditur, mashtrues ose në shërbim të interesave të huaja nuk lindi nga kujtesa e popullit. Ai u krijua në kohën kur shteti e ndaloi fenë më 1967, mbylli e rrënoi kishat dhe përndoqi, burgosi ose ekzekutoi klerikë. Kushtetuta e vitit 1976 e sanksionoi në nenin 37 përkrahjen shtetërore të propagandës ateiste. Kinemaja ishte një nga mjetet e saj më të fuqishme.

Kur këto skena qarkullojnë sot pa shpjegim, si urime ose si humor, ato përcjellin te brezi që nuk e jetoi diktaturën të njëjtin paragjykim që regjimi synonte të mbillte. Pikërisht për këtë arsye, IDMC ka kërkuar kontekst historik në rekomandimet për transmetimin e filmave të ish-Kinostudios. Kjo nuk është censurë. Kështu i tregohet shikuesit se çfarë po sheh dhe pse u prodhua.

E vërteta që kinemaja e fshehu

Historia e shqipes në Kishë është e kundërta e karikaturës. Atë Kristo Negovani përktheu tekste liturgjike, i përdori në shërbesat e tij dhe botoi vepra shkollore e kishtare në shqip. Më 22 mars 1908, në Boston, Fan Noli, asokohe prift, kremtoi Meshën e parë në shqip për komunitetin orthodhoks shqiptar. Në atë shërbesë u lexua në shqip edhe Ungjilli, në përkthimin e tij.

Nuk kërkon askush të fshihen debatet e vërteta historike për gjuhën e shërbesave por vetëm që klerikët të mos gjykohen sipas skenarëve të shkruar nga ata që i përndoqën.

Nderimi i Alfabetit është i plotë vetëm kur kujtohen edhe priftërinjtë që e mësuan, e shkruan dhe e sollën shqipen në altar.

Nuk mund të vazhdojë, në formën e një nostalgjie, të përdoret një propagandë e dëmshme e një realiteti tjetër në ditët që jetojmë pasi nuk lidhen në asnjë formë me njëra-tjetrën dhe dëmi që shkakëtohet është sa në figurën e klerikut të sotëm sa dhe në mentalitetin e brezave të rinj që mbeten viktima të mentaliteteve të margjinalizuara dhe paragjykimeve pa bazë.

Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti i Korçës ka ngritur zërin publikisht edhe më parë, pas pranisë së policisë në oborrin e Katedrales.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu