Mbi 210 monumente u restauruan në Qipro
Bashkëkryetari Sotos Ktoris tha se projektet, të nisura në vitin 2008, përfshijnë kisha, manastire, xhami dhe mbi 70 varreza të krishtera e myslimane.
Mbi 210 monumente historike në Qipro janë restauruar dhe ruajtur falë punës së përbashkët të specialistëve grekoqipriotë dhe turkoqipriotë, në kuadër të Komitetit Teknik Dypalësh për Trashëgiminë Kulturore. Sipas Cyprus Times, shifrat u prezantuan nga specialisti grekoqipriot Sotos Ktoris në një event të organizuar nga Akademia Qipriote e Shkencave, Letrave dhe Arteve në Nikosia.
Ktoris e cilësoi punën e komitetit si mundësi për të mbrojtur historinë e përbashkët të ishullit dhe për të ndërtuar besim mes komuniteteve të ndara. Që nga viti 2008, projektet kanë përfshirë kisha, manastire, xhami, fortifikime mesjetare, vende arkeologjike dhe struktura të tjera historike. Ndër vendet e përmendura janë Manastiri i Apostullit Andrea, Kulla e Otelos në Famagustë, Kisha e Zonjës së Kanakarias dhe Xhamia Tuzla në Larnakë.
Mbi 70 varreza të krishtera dhe myslimane janë ruajtur gjithashtu. Ktoris tha se kjo punë u bë prioritet pas marrëveshjes së marsit 2025 mes presidentit qipriot Nikos Christodoulides dhe ish-liderit turkoqiprot Ersin Tatar. Shumë varreza kishin vuajtur vite të tëra neglizhencë, vandalizmi dhe dëmtim të monumenteve.
Ktoris vlerësoi ekspertët e të dyja komuniteteve, si edhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për mbikëqyrjen teknike. Ai e identifikoi Bashkimin Evropian si burimin kryesor të financimit të komitetit. Ai përmendi edhe mbështetjen nga Kisha e Qipros, qeveria qipriote, Fondacioni turkoqiprot EBKAF dhe komunitetet vendore.
Komiteti ka nisur edhe dokumentimin dixhital të vendeve historike përmes modeleve 3D, turneve virtuale dhe aplikacioneve interaktive. Qëllimi është që brezat e rinj të mbeten të lidhur me trashëgiminë e ishullit.
Ktoris pranoi se burimet mbeten të pamjaftueshme për të përballuar çdo projekt. Megjithatë, ai argumentoi se çdo vend i restauruar përfaqëson si ruajtjen e historisë, ashtu edhe një hap drejt pajtimit. «Të mos e pranojmë ndarjen aktuale si të ardhmen e pashmangshme të Qipros», përfundoi ai.
UGO kishte raportuar mbi vizitën e Mitropolitit Andon të Vollokolamskut në Mitropolinë e Morfut në Qipro.
