Personi, krijimtaria dhe horizonti eskatologjik i njeriut në veprën e N. Berdjajevit

Dje 12:33
49
Foto ilustruese UGO Foto ilustruese UGO

Arian Shkurti

Tempulli. Revistë periodike kulturore-shkencore, nr. 16, Korçë, 2011, f. 5–14. ISSN 2222-7911.

Lexuesi shqiptar ka pasur tashmë mundësinë të njihet me figurën e mendimtarit të shquar rus të shekullit XX Nikollaj Berdjajev. Qëllimi i këtij hulumtimi është trajtimi, në dritën e shkrimeve të Berdjajevit, i domethënies së krijimtarisë njerëzore dhe i horizontit eskatologjik të realizimit të saj e të personit njerëzor.

A - Personi dhe krijimtaria

Krijimtaria, sipas Berdjajevit, nxjerr në dritë fuqishëm domethënien e tematikës së krishterë të mishërimit dhe të shëlbimit: krijimtaria shndërron botën dhe kozmosin përmes njeriut frytdhënës, falë hirit hyjnor. Krijimtaria nuk është aq nevojë ose e drejtë e njeriut. Krijimtaria, ashtu si liria, pjesë plotësuese e saj, është kërkesë e Zotit ndaj njeriut; është vetë Zoti që pret nga njeriu përgjigjen e krijimtarisë së tij. Krijimtaria realizon personin; është fitore e subjektivitetit, e lirisë kundër objektivizimit, kohës, determinizmit, utilitarizmit, organizimit në masë, pushtetit. Krijimtaria është fitorja e mbretërisë së Zotit ndaj mbretërisë së Cezarit.

Sipas Berdjajevit tri janë karakteristikat e krijimtarisë njerëzore: 1) domethënia e thellë fetare; 2) kufizimet e saj themelore dhe reale; 3) pesha eskatologjike.

Përsa i përket karakteristikës së parë, Berdjajevi shtron pyetjen nëse vetëdija e krishterë, që e ka sanksionuar shenjtërinë nga ana fetare si “arritje supreme të natyrës njerëzore, ndriçimin dhe hyjnizimin e saj”, nuk duhet ta përligjë pozitivisht edhe nga një këndvështrim fetar krijimtarinë njerëzore. “A është vërtet frymëzimi krijues përvojë pozitive e shpirtit, shfaqje e një thirrjeje pozitive te njeriu? A e pret Zoti vërtet nga njeriu heroizmin e krijimtarisë?” “A mundet njeriu njëkohësisht të shpëtohet dhe të krijojë, a mund të krijojë dhe në të njëjtën kohë të shpëtohet? Dhe, si duhet kuptuar krishterimi: a është krishterimi thjesht feja e shpëtimit të shpirtit për jetën e pasosur apo ndërgjegjja e krishterë e përligj edhe krijimin e një jete të epërme?”

Kësaj pyetjeje Berdjajevi i përgjigjet pozitivisht dhe nënvizon faktin se domethënia fetare e krijimtarisë njerëzore karakterizohet nga ky tipar asketik: “Nuk mund të ekzistojë vepër krijuese, dituri, art, inovacion ose shpikje, që bëhet e mundur, pa një kufizim të vetvetes nga ana e njeriut, pa një lartësim nga natyra e ulët. Çfarëdo lloj krijimi do të jetë i mundur vetëm për njeriun që e vendos krijimtarinë e vet mbi veten e tij dhe që parapëlqen të vërtetën në vend të vetes.” Në themel të veprimtarisë krijuese ekziston një lloj pakënaqësie, një përulësi që shprehet si “shkëputje dhe sakrificë nga egoizmi vetjak”.

Gjeniu nuk mendon aq për vetveten, për shpëtimin e shpirtit të vet, sesa për Zotin dhe dashurinë krijuese. “Veprimtaria krijuese përmban në vetvete një aspekt vetëmohimi. Krijuesi e harron shpëtimin e tij, ngaqë është i zhytur në vlerat që e tejkalojnë njeriun […] Është paradoksal fakti që përvoja asketike e përthith njeriun në veten e tij, bën që të përqendrohet në përsosjen dhe shpëtimin e tij, ndërsa përvoja krijuese e bën njeriun që ta harrojë vetveten duke e çuar në këtë mënyrë drejt një bote të epërme. Veprimtaria krijuese ka në vetvete diçka vetëmohuese dhe asketike, por të një lloji tjetër. Asketizmi i krijuar nga krijimtaria është i ndryshëm nga ai që shqetësohet me përsosurinë dhe shpëtimin vetjak.”

Krijimtaria për Berdjajevin është thellësisht fetare: ekziston në të një çast kundrues, ngaqë ajo vetë bëhet e mundur nga tejkalimi i kësaj bote, nga zhvendosja e ekzistencës sonë në një botë tjetër. Prandaj, thekson me të drejtë studiuesi G. Riconda: “Filozofia e Berdjajevit dallon nga filozofitë e tjera të krijimtarisë, ngaqë në të nuk gjen vend tipari i jashtëm dhe i njëanshëm humanist, por ndërlidhet me thellësinë dhe brendësinë shpirtërore, për ta kuptuar në atë rrënjë të mistershme që është hapësira e brendshme në të cilën njeriu dhe Zoti takohen njëri me tjetrin […] Lartësimi që Berdjajevi i thur krijimtarisë nuk ka të bëjë aspak me lartësimin e aktivizmit të furishëm që karakterizon disa aspekte «dekadente» të mendimit modern dhe ideja e njeriut krijues nuk shuhet në një lloj lavdërimi të njeriut, që e kthen Zotin thjesht në kusht paraprak të realizimit të krijimtarisë.”

Krijimtaria njerëzore nuk është absolute dhe Berdjajevi ngulmon në caqet e saj. Në veprën Domethënia e krijimtarisë (1916) thotë: “Qenia e krijuar nuk mund të krijojë qenie të tjera, qenien mund ta krijojë vetëm Krijuesi. Qenia e krijuar nuk është e aftë të krijojë personin, që mund të krijohet vetëm nga Zoti […] Themeli i çdo qenieje dhe i çdo personi është gjithmonë hyjnor. Krijimtaria e qenieve të krijuara mund të drejtohet vetëm kah rritja e energjisë krijuese të qenies, kah rritja e qenieve dhe e harmonisë së tyre në botë, mund të drejtohet vetëm në krijimin e vlerave të reja dhe të një ndjenje të re e më të thellë të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës; me një fjalë, mund të drejtohet vetëm në krijimin e kozmosit dhe të jetës kozmike, kah plotësia dhe përmbushja përtej botës. Por një qenie, në shëmbëllesën dhe përngjasimin e Zotit, mund ta krijojë vetëm Zoti.”

Këtë pjesë të shkruar në vitin 1916 e gjejmë në mënyrë të ngjashme në veprën e vitit 1931 Destincioni i njeriut, e cila i kushtohet problemit të krijimtarisë.

“Krijimtaria e njeriut është komplekse dhe përfshin tri çaste: së pari, atë të lirisë parake, meontike, të pakrijuar, pastaj atë të dhuratës bërë njeriut krijues nga Zoti krijues dhe së fundi elementin e botës, arenën e krijimtarisë prej së cilës merret lënda […] Vepra krijuese është si martesa, ka nevojë gjithmonë për një takim. Lënda e krijimit merret nga bota e krijuar prej Zotit. Kështu ndodh gjithkund, në çdo shpikje ose zbulim, është kështu për njohjen, në filozofi, që presupozojnë qenien dhe botën e krijuar prej Zotit, realitetin objektiv, pa të cilin mendimi lëviz në zbrazëti. Zoti i ka dhënë njeriut dhuratën e krijimtarisë, telentin, gjenialitetin. Nga Zoti është krijuar edhe bota në të cilën e përmes së cilës duhet realizuar vepra krijuese. Nga Zoti vjen edhe shtytja që njeriu ta vërë në jetë krijimtarinë dhe të përmbushë natyrën e vet krijuese. Zoti pret një përgjigje ndaj thirrjes së tij. Por përgjigjja e njeriut ndaj thirrjes së Zotit nuk mund të qëndrojë në elemente që vijnë nga Zoti. Duhet të ketë diçka tipike të njeriut dhe kjo diçka është pikërisht ajo që e themelon krijimtarinë e përkryer; krijimi i diçkaje të re që nuk ka ekzistuar kurrë, por kjo diçka është një asgjë e përcaktuar, është hiçi: liria fillestare pa të cilën nuk mund të ketë krijimtari. Është liria fillestare që nuk përcaktohet nga asgjë, liria tërësisht e papërcaktuar që i përgjigjet thirrjes hyjnore, që i përgjigjet në përkim me dhuratën, me gjenialitetin dhuruar nga Zoti dhe në përkim me lëndën që i përket botës së krijuar nga Zoti. Krijimtaria e njeriut nga asgjëja duhet kuptuar si krijim nga liria. Në çdo projekt krijues është e pranishme kjo liri fillesatare, liria e humnerës që nuk vjen nga Zoti, por që lartësohet drejt tij […] Vepra krijuese përkon njësoj me veprimin reciprok të hirit dhe të lirisë, të asaj çka vjen nga Zoti drejt njeriut dhe të njeriut drejt Zotit. Prandaj vepra krijuese mund të përshkruhet përmes koncepteve të lirisë ose të hirit, të zotërimit nga ana e hirit, të frymëzimit. Frymëzimi krijues pa hirin është i pamundur.”

Njeriu nuk krijon nga asgjëja, por shndërron botën që ka përpara: njeriu nuk është krijues absolut, nuk mund të mos e marrë parasysh realitetin në të cilin vepron, lëndën që dëshiron ta zotërojë dhe t’i japë formë. Nga ana tjetër, vepra krijuese pëson fatin tragjik të mospërkimit mes hovit krijues dhe realizimit të tij në botën e objektivizimit: “projekti fillestar” pranon kompromisin me realitetin, magma e zjarrtë e krijimtarisë ngurtësohet. Vepra krijuese i nënshtrohet kësaj disfate të vazhdueshme. Këto caqe janë rrjedhojë e mëkatit, të cilin Krishti e ka fituar, por që ende e shfaq forcën e vet në botën tonë sipas një skeme që na kujton atë të teologut O. Cullmann të “tashmësë dhe jo akoma” të mbretërisë së Zotit.

Me fjalë të tjera krijimtaria shfaqet në prodhime episodike, fragmentare, simbolike. Por të gjitha këto çaste krijimtarie (bukuria e artistëve, e shkencëtarëve, e reformatorëve etj.) kanë një vlerë eskatologjike. Megjithë kufizimet e tyre, ato bëjnë të mundur pjesëmarrjen metahistorike të lindjes së njeriut në Zotin dhe të Zotit në njeriun. Këto çaste krijimtarie përgatisin në mënyrë të mistershme fundin: janë pjesëmarrje dhe evokim i jetës eskatologjike.

“Disfata krijuese nuk do të thotë se gjithçka është pa pikë kuptimi dhe se është krijuar me humbje. Do të thotë se rezultatet e çdo hovi krijues dhe të çdo ideje krijuese shfaqen vërtet jo në këtë botë fenomenike objektive, por në një botë tjetër, në një tjetër rend ekzistence. Disfata krijuese në këtë botë është e trishtë dhe tragjike, por shpërblimi për këtë disfatë është siguria se gjithçka autentike që njeriu ka krijuar do të hyjë në mbretërinë e Zotit. Kjo pra, është eskatologjia e krijimtarisë. Akti krijues dështon atëherë kur nuk arrin ta përmbushë këtë botë, ta tejkalojë objektivitetin, por ia del mbanë atëherë kur akti krijues përgatit shndërrimin e botës, mbretërinë e Zotit. Në zjarrin e veprës krijuese mëkati zhduket.”

Horizonti përfundimtar i realizimit të personit, i aftë t’i japë një kuptim vetë dramës së krijimtarisë që zhvillohet përgjatë historisë është eskatoni: ai paraqet fitoren e subjektit krijues mbi objektivizimin, fitoren e personit mbi të përgjithshmen, të bashkësisë mbi shoqërinë.

B - Personi dhe eskatologjia

“Rivendikimi i mëtejshëm i personalizmit i çuar deri në fund është rivendikimi i fundit të botës dhe i historisë; jo pritja e tij pasive plot frikë dhe llahtar, por përgatitja e tij aktive.”

Ky pohim i Berdjajevit shtron dy probleme: marrëdhënien e personit me kohën e me historinë dhe domethënien e eskatologjizmit të tij aktiv e krijues.

Fati i personit realizohet në kohë, është i lidhur me kohën dhe me historinë. Berdjajevi dallon tri domethënie të kohës: kohën kozmike, historike dhe ekzistenciale.

Koha kozmike simbolizohet nga rrethi dhe është rezultat i ndryshimeve që ndodhin në botën e objektivizuar të natyrës, “është kohë e objektivizuar që mund të ndahet në përcaktime numerike dhe mbledhje”. Ajo “është kohë ritmike. Por është njëkohësisht kohë e ndarë në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen […] është kohë e sëmurë që e bren ekzistencën njerëzore. Me sëmundjen e kohës është e lidhur vdekja. Koha zvarritet në mënyrë të pashmangshme drejt vdekjes, është sëmundja e vdekjes. Jeta kozmike dhe natyrore e kohës njeh rilindjen periodike pranverore të jetës, por kjo rilindje nuk u takon atyre që vdekja i ka fshirë nga faqja e dheut, por qenieve të tjera. Fitorja mbi vdekjen është e pamundur në kohën kozmike. E tashmja, që është e pakapshme, ngaqë shpërbëhet në të kaluarën dhe të ardhmen, e shkatërron të kaluarën për t’u shkatërruar nga e ardhmja. Në kohën kozmike, mbretëria e jetës varet nga vdekja, megjithëse energjia përftuese e jetës është e pashtershme. Koha kozmike nuk është vdekjeprurëse për llojin, por për personin që e injoron dhe për fatin e të cilit nuk interesohet.”

Veçse njeriu nuk është vetëm qenie natyrore, pjesëmarrës i kohës kozmike. Ai është qenie historike dhe njeh një përmasë tjetër kohore, pra përmasën historike. “Koha historike është e përftuar nga ndryshime dhe lëvizje të ndryshme nga ato të qarkullimit kozmik. Simboli i kësaj kohe nuk është rrethi, por vija e drejtë që shpie përpara. Karakteristika e saj është pikërisht ky orientim drejt së ardhmes, sepse nga e ardhmja pret zbulimin e kuptimit të vet. Koha historike sjell me vete risinë; në të mosekzistuesi bëhet ekzistues […] Ndërkohë çdo ngjarje e kohës historike është individuale, e veçantë, çdo dhjetëvjeçar dhe shekull sjell një jetë të re.” Koha historike nuk i drejtohet vetëm së ardhmes, por lidhet edhe me të kaluarën, me traditën që garanton vazhdimësi në rrjedhën e kohëve: “pa këtë përkujtim dhe këtë traditë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nuk ka histori”.

Porse edhe kjo kohë është e objektivizuar, sjell iluzione: iluzioni i kërkimit të autentikes dhe të së bukurës në të kaluarën (konservatorizmi) ose iluzioni i plotësisë dhe përsosurisë në të ardhmen (progresi). “Koha historike është një kohë e mangët që nuk e njeh plotësinë në asnjë të tashme (e kaluara dhe e ardhmja janë në një farë mënyre e tashme). Duke mos e ndier plotësinë në të tashmen, njeriu e lyp atë në të kaluarën ose në të ardhmen, veçanërisht gjatë periudhave të tranzicionit dhe në ato të kamura të historisë.” Koha kozmike dhe ajo historike janë për njeriun burim joshjeje, ngaqë ai është i tunduar ta lërë veten të përthithet nga koha kozmike me ritmin e saj duke mos pranuar historinë ose duke e kthyer nevojën historike në kriterin e çdo vlerësimi dhe ligjshmërie. Pra, qëndrimi i njeriut duhet të jetë antinomik.

“Në histori ekziston një ndeshje e dhunshme mes lirisë dhe domosdoshmërisë, mes subjektit dhe objektit. Vetë liria në histori është shndërruar në fakt. Krishterimi është thellësisht historik, është zbulimi i Zotit në histori. Zoti hyn në histori dhe i jep kuptim rrjedhës së saj. E përtejmja e historisë (metahistoria) depërton në histori dhe gjithçka e rëndësishme që ka historia është e lidhur me këtë depërtim të metahistorisë. Por metahistorikja është e pandarë nga historikja dhe ndërthuret me të. Historia është takimi dhe beteja dialogjike mes njeriut dhe Zotit. E megjithatë, pjesa më e madhe e historisë është asgjë dhe mosqenie, madhështi iluzore, në të cilën rrallë herë depërton ekzistenca autentike. Shpirti depërton në histori dhe vepron në të, por në objektivizimin historik, tëhuajësohet nga vetja, thahet dhe shndërrohet në diçka që nuk i përngjan më.”

Përveç kohës kozmike dhe historike, kemi kohën ekzistenciale, kohën e thellësisë, e cila simbolizohet nga pika. Ajo “është kairos, për të cilën flet P. Tillich-u, është si një depërtim i amshimit në kohë, ndërprerja e kohës kozmike dhe asaj historike, përmbushja dhe mbarimi i kohës.” Kjo është koha e botës së subjektit, koha e paobjektivizuar, sepse “ajo çka është jetuar në thellësinë e këtij çasti mbetet, ndërsa çka vjen më pas hyn në rrjedhën e kohës dhe paraqitet si një realitet më pak i thellë, shuhet”. Pra, koha ekzistenciale është depërtimi i amshimit në kohë, koha kur ngjizet veprimtaria krijuese. “Gjithçka që në histori është madhështore dhe me vlerë, tërë risia e vërtetë, është pra hov kah ekzistencialja, shprehje e një subjekti krijues. E tillë është dukja në histori e çdo figure të lartë. Prandaj historia paraqet ndërpreje dhe mosvazhdimësi që lidhen me daljen në pah të këtyre hoveve krijuese. Ja pse nuk është një proces i vazhdueshëm, i pandërprerë. Historia ka në zemrën e vet metahistorinë, që nuk është produkt i evolucionit historik […]”.

Siç theksuam më parë, hovi krijues ka një vlerë eskatologjike. Ai na bën të shohim një botë tjetër dhe është shprehje episodike, e shkëputur dhe fragmentare e asaj jete që do ta kemi në plotësi në eskaton, sepse “është person i tërë që hyn në amshim dhe jo thjesht fragmente të tij”. Por edhe në këto çaste, të cilat presupozojnë kundrimin, na zbulohet uniteti dhe jeta e personit. “Duhet thënë se integriteti, uniteti dhe thellimi i un-it presupozojnë kundrimin, ngaqë çasti në vlerën e tij të plotë, çasti i pandashëm, është çasti i kundrimit që refuzon të jetë mjet për çastin pasardhës dhe është afërsi me amshimin. Un-i ka nevojë për veprimtarinë dhe krijimtarinë, pa të cilat nuk ekziston; është ky një ndër tiparet e tij themelore. Por, në të njëjtën kohë presupozon kundrimin, pa të cilin nuk ekzistojnë përqendrimi, thellimi, integriteti i un-it, pa të cilin un-i projektohet jashtë veprimtarisë dhe objektivitetit të vet, pra jashtë ekzistencës së vet. Ashtu si veprimtaria krijuese, edhe kundrimi është i domosdoshëm për ta kthyer un-in në person. Ekzistenca e un-it është lëvizje dhe ndryshim, veprimtari dhe krijim i diçkaje të re, të paparë. Por është edhe kundrim, thellim, përqendrim, çlirim nga koha dhe përjetim i çastit.”

Ky përqendrim dhe thellim i un-it ka një nuancë profetike: në të e kaluara çlirohet nga çastet negative dhe e ardhmja gjykohet nga këndvështrimi i amshimit, sub specie aeternitatis. Në dritën e këtyre çasteve shpaloset përpara nesh perspektiva e pavdekësisë vetjake, e kuptuar në konkretësinë e vet si ngjallje. “Realizimi i personit nuk është vetëm fitore mbi frikën e vdekjes, por mbi vetë vdekjen. Realizimi i personit nuk është i mundur në të mbarueshmen, por presupozon pafundësinë; jo të pafundmen sasiore, por të pafundmen cilësore, çka do të thotë përjetësinë. Individi vdes ngaqë është produkt i procesit të llojit; por personi nuk vdes, ngaqë nuk është i prekur nga një proces i tillë. Fitorja mbi frikën e vdekjes është fitorja e personit shpirtëror kundrejt individit biologjik. Kjo nuk do të thotë ndarje mes parimit shpirtëror të pavdekshëm dhe njeriut të vdekshëm, por është shndërrim i tërë njeriut. Pra, nuk bëhet fjalë për një evolucion, për një zhvillim në kuptimin natyralist të fjalës. Zhvillimi është rezultat i paplotësisë, i pamundësisë së arritjes së plotësisë; ai varet nga fuqia e kohës; është bërje në kohë dhe jo krijimtari që fiton mbi kohën.” Ashtu siç pohonte N. Fjodorovi, filozof, për të cilin Berdjajevi ka shfaqur admirim të madh, vdekja na paraqitet jo thjesht si problem vetjak, por edhe si zgjerim kozmik dhe komunitar i konceptit të shëlbimit. Thotë Berdjajevi: “Mbretëria e Perëndisë nuk është thjesht çlirim nga mëkati dhe kthim në gjendjen fillestare të pacen, por krijim i një bote të re. Në të do të hyjë gjithçka autentike e njeriut, çdo akt i vërtetë çlirimi. Kjo mbretëri nuk është thjesht një botë tjetër, por kjo botë e shndërruar; është çlirim nga natyra dhe burgosja e saj, çlirim nga bota kafshërore, për të cilën njeriu është i përgjegjshëm. Ajo nis menjëherë, në këto çaste. Arritja e përshpirtërisë, dëshira për të vërtetën dhe procesin e çlirimit, është tashmë parim i një tjetër bote. Ja pra, se para nesh zhduket çdo lloj ndarjeje mes veprës krijuese dhe produktit të kësaj krijimtarie. Ky i fundit është, si të thuash, i përfshirë në aktin krijues, nuk është diçka e jashtme. Në këtë mënyrë, krijimtaria është mishërim. Personi rebelohet ndaj robërimit të së përgjithshmes, të gjithëmbarshmes, objektives; u rebelohet tempujve të rremë të objektivizimit, domosdoshmërisë së natyrës, tiranisë së shoqërisë, por merr përsipër përgjegjësinë e fatit të të gjithëve, të gjithë natyrës, të gjithë qenieve të gjalla, të gjithë të vuajturve dhe të përulurve, të gjithë popullit dhe të gjithë popujve. Personi e jeton tërë historinë e botës si vetë historinë e tij. Njeriu duhet të ngrihet kundër skllavërisë së historisë në subjektivitetin e tij të pafund, në të cilën bota është pjesë e njeriut.”

Ky ngulmim i Berdjajevit për tiparin krijues dhe aktiv të eskatologjisë, për ndryshimin shndërrues është një ide thellësisht e krishterë në frymën e Etërve të Kishës: shpëtimi, i sjellë nga Krishti, nuk është thjesht një lloj ndriçimi, por shndërrim rrënjësor i çdo realiteti të krijuar të mirë nga Zoti, por i prishur nga njeriu në mënyrë të vullnetshme, duke shkaktuar kështu një rënie që kapërcehet përmes zbritjes së Zotit drejt njeriut, për ta lartësuar atë nga rënia.

Pra, beteja për personin nuk është thjesht përpjekje për garantimin e një trualli politik e shoqëror që e mbështet dhe e nxit veprimtarinë e tij krijuese, por është betejë për mbretërinë e Zotit. Thotë studiuesi G. Riconda: “Radikalizmi i personalizmit të Berdjajevit nuk zgjidhet thjesht në favor të një qëndrimi etik-politik, por të shpie përherë drejt një horizonti më të thellë etik-fetar”.

Duhet thënë se eskatologjizmi i Berdjajevit përmban paqartësi, por nga ana tjetër, Berdjajevi përpiqet të ruajë tiparin trashendent të eskatonit dhe domethënien e tij për krijimtarinë njerëzore (e kuptuar si shndërrim kozmik dhe përvojë lirie me aftësi shkatërruese), në perspektivën e idesë ruse të shpëtimit të gjithëmbarshëm~apokatastazës. Në këtë mënyrë, Berdjajevi hedh poshtë si eskatologjizmin që strehohet në një lloj brendësie abstrakte dhe trashendence shvlerësuese të gjithçkaje njerëzore, qëndrim ky “monofizit” sipas tij, por edhe nga çdo lloj milenarizmi dhune të përjetuar në caqe imanence (mesianizmi nacionalist, komunizmi), nga çfarëdo përpjekjeje që përpiqet ta ngërthejë amshimin në kohë.

“Te Berdjajevi gjejmë një përgjigje të përshtatshme për kritikën, e cila pas dështimit të eskatologjizmave imanentiste thuajse ishin forma e vetme e mundshme e eskatologjizmit, është përhapur edhe në ditët tona; kjo e shpërbën idenë e eskatonit në një lloj domosdoshmërie, në të cilën njerëzimi na u gjendka i vendosur në mënyrë të pakapërcyeshme, kritikë kjo që është shprehje e një rryme mendimi, e cila nën petkun e rremë të përdëllimit dhe të dhembshurisë shpie përpara atë shpërbërje të njerëzores që, sipas këndvështrimit dostojevskian (të Dostojevskit), është rezultati përfundimtar i çdo ateizmi.”

Mbyllje

Në këtë hulumtim nuk ka qenë i mundur trajtimi i të gjitha aspekteve të krijimtarisë dhe të eskatologjisë në mendimin e Berdjajevit, por nga sa thamë deri tani del në pah origjinaliteti i rrallë dhe pesha e të menduarit të Berdjajevit, një i menduar që ka qenë në marrëdhënie intime me përvojën e pjekur në gjirin e krishterimit.

Mendimi i Berdjajevit zhvillohet nga premisat e traditës patristike dhe të antropologjisë lindore në një drejtim eskatologjik të hapur ndaj përmasës dinamike të veprimtarisë njerëzore. Në afreskun e famshëm “Gjyqi i fundit” të Mikelanxhelos në kapelën Sikstine (Vatikan), nuk paraqitet Adami si formë pasive, të cilit Zoti përpiqet t’i japë formë, por si një përgjigje e fuqishme e asgjësë, forcë e drejtuar dhe e gatshme për të shpërthyer mrekullinë e pakufishme të jetës dhe të krijimit. Ky është njeriu-person sipas konceptimit të Berdjajevit.

Shpresoj që përmes këtij kontributi modest ta kem ndihmuar sadopak publikun shqiptar për të njohur, vlerësuar dhe shijuar veprën e këtij mendimtari të shquar.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu