Teologjia "Katafatike" dhe "Apofatike" sipas traditës Etërore orthodhokse
Gjergj D. Martzelos trajton teologjinë katafatike dhe apofatike te Etërit e Kishës dhe unitetin e tyre përvojësor.
Gjergj D. Martzelos
Profesor Emeritus i Teologjisë, AUTH.
Hyrje
Një nga tiparet kryesore të teologjisë së Etërve të Kishës, kur flasin për konceptin e Perëndisë, për marrëdhënien e Tij me botën, madje edhe për përvojat e tyre hyjnore, është mënyra katafatike dhe apofatike me të cilën i përshkruajnë. Dallimi midis Perëndisë së pakrijuar dhe botës së krijuar është për Etërit një dallim ontologjik, pasojat dhe rrjedhojat e menjëhershme e më të thella të të cilit për njohjen ata i marrin plotësisht parasysh. Pasoja më e drejtpërdrejtë e këtij dallimi ontologjik për njohjen është kjo. Ndonëse Perëndia i pakrijuar hyn realisht në marrëdhënie me botën e krijuar nëpërmjet energjive të Tij dhe njihet nëpërmjet tyre kur ato shfaqen në krijim dhe në histori, Ai mbetet krejtësisht transhendent dhe i paafrueshëm për nga esenca e Tij, për nga natyra dhe mënyra e energjive të Tij, si edhe për nga mënyra e ekzistencës së Tij si Trini personash. Në këtë kuptim, për Etërit, Perëndia është njëherazi i njohur dhe i panjohur, i shprehshëm dhe i pashprehshëm, i zbuluar dhe i fshehur, Deus revelatus dhe Deus absconditus, ose Deus secretus dhe Deus publicus, siç do të shprehej Shën Agustini.[^1]
Këto dy aspekte të njohjes së Perëndisë përbënë themelin mbi të cilin Etërit ndërtuan dy udhë të ndryshme dhe në dukje të kundërta të teologjisë, udhën katafatike dhe atë apofatike. Udha katafatike, ose teologjia katafatike, siç quhet zakonisht, i referohet aspektit të arritshëm, të kuptueshëm e të njohur të Perëndisë, ndërsa udha apofatike, ose teologjia apofatike, i referohet aspektit të Tij të paafrueshëm, të pakapshëm e të panjohur. Zhvillimi i këtyre dy udhëve teologjike lidhet ngushtë me lulëzimin e teologjisë etërore dhe karakterizon pothuajse të gjithë Etërit e mëdhenj të Kishës. Ata që i zhvilluan në mënyrë të veçantë dhe theksuan rëndësinë e tyre për vetë thelbin dhe përmbajtjen e teologjisë në përgjithësi janë kryesisht Etërit kapadokas, Shën Vasili i Madh, Shën Grigor Teologu dhe Shën Grigori i Nisës, si edhe Shën Dionis Areopagjiti, Shën Maksim Rrëfimtari, Shën Joan Damaskinoi, Shën Simeon Teologu i Ri dhe Shën Grigor Pallamai.
A. Kuptimi dhe rëndësia e teologjisë katafatike dhe apofatike për njohjen
Përveç dy dallimeve të mësipërme, atij ndërmjet esencës dhe energjive të Perëndisë dhe atij ndërmjet së krijuarës dhe së pakrijuarës, që janë parakushte themelore të teologjisë orthodhokse në përgjithësi, Etërit nisen nga një parakusht tjetër themelor për të folur në mënyrë katafatike dhe apofatike për Perëndinë. Ky është zbulimi i Perëndisë në botë dhe njohja e Tij si përvojë brenda historisë së Ekonomisë Hyjnore. Me fjalë të tjera, njohja e Perëndisë për të cilën flasin buron nga marrëdhënia ekzistenciale me Të, në udhën e pastrimit, të ndriçimit dhe të përsosjes së njeriut. Njohja që fiton kështu njeriu është përvojë personale e mbështetur në zbulimin e Perëndisë në botë. Ajo nuk përftohet thjesht me anë të arsyetimit abstrakt.[^2]
Në këtë kuptim, duke u mbështetur në zbulimin e Perëndisë si Trini personash dhe duke përjetuar energjitë hyjnore që lënë gjurmën e tyre në krijim dhe në histori, njeriu mund të formojë një përfytyrim të vërtetë e pohues për Perëndinë. Ai i atribuon emërtime të ndryshme katafatike, që ose tregojnë thjesht mënyrën e ekzistencës së Tij si tre persona hyjnorë, pra veçoritë hipostatike, ose pasqyrojnë larminë e energjive të Tij e, si rrjedhojë, i përgjigjen realitetit të natyrës hyjnore. Kështu, duke pranuar zbulimin e Perëndisë të dëshmuar në Shkrimin e Shenjtë, njeriu i quan personat e Trinisë së Shenjtë «Ati», «Biri dhe Fjala e Perëndisë» dhe «Shpirti i Shenjtë». Ai flet për lindjen e Birit prej Atit dhe për daljen e Shpirtit prej Atit. Duke parë gjithashtu mirësinë, urtësinë, fuqinë, drejtësinë dhe energjitë e tjera të Perëndisë që shfaqen në Ekonominë Hyjnore, e quan përkatësisht Perëndinë të mirë, të urtë, të gjithëfuqishëm, të drejtë e kështu me radhë.
Të gjitha këto emërtime hyjnore, madje edhe paraqitjet figurative që hasen në Shkrimin e Shenjtë, përbëjnë thelbin e teologjisë katafatike, qoftë kur tregojnë vetëm mënyrën e veçantë të ekzistencës së tre personave hyjnorë, qoftë kur shprehin larminë e marrëdhënieve të Perëndisë me botën. Prandaj, teologjia katafatike, ose «pohimi», siç e quajnë shpesh Etërit, është «pohimi [i cilësive] të të gjitha qenieve», domethënë atribuimi Perëndisë i cilësive pohuese që burojnë nga zbulimi i Tij si Trini personash dhe nga marrëdhënia e Tij me botën si shkak i saj. Kjo marrëdhënie, siç thamë, realizohet nëpërmjet energjive të Tij që shfaqen në Ekonominë Hyjnore.[^3]
Pikërisht në këtë kuptim, Shën Maksimi e sheh Perëndinë, shkakun e vetëm të qenieve dhe të gjithçkaje që vjen në ekzistencë, si «të vetmen mendje të atyre që mendojnë dhe të atyre që mendohen, fjalën e atyre që flasin dhe të atyre që thuhen, jetën e atyre që jetojnë dhe të atyre që marrin jetë. Ai është dhe bëhet gjithçka për të gjithë, për hir të atyre që janë dhe të atyre që vijnë në ekzistencë».[^4] Me fjalë të tjera, të gjitha emërtimet katafatike që i atribuohen Perëndisë, për aq sa nuk tregojnë mënyrën e veçantë të ekzistencës së tre personave hyjnorë, parakuptojnë dhe shprehin pikërisht marrëdhënien e Tij me botën si shkak i saj. Siç vëren Shën Joan Damaskinoi, duke përmbledhur traditën etërore të mëparshme, Perëndia quhet «edhe Qenie … edhe esencë», si «shkaku i të gjitha qenieve dhe i çdo esence». Ai «quhet fjalë dhe i arsyeshëm, urtësi dhe i urtë», si «shkaku i çdo fjale dhe urtësie, i çdo qenieje të arsyeshme dhe të urtë». Po kështu quhet edhe «mendje dhe i pajisur me mendje, jetë dhe i gjallë, fuqi dhe i fuqishëm». I atribuohen edhe shumë emërtime të tjera katafatike të ngjashme, sepse Ai është shkaku i të gjitha qenieve dhe i cilësive që i karakterizojnë.[^5]
Mirëpo, ndërsa Perëndia, si shkak i të gjitha qenieve, është dhe bëhet gjithçka për «ato që janë dhe ato që vijnë në ekzistencë», Ai në Vetvete, siç theksojnë Etërit, është përtej të qenët dhe të bërit të qenieve të krijuara.[^6] Dallimi ontologjik ndërmjet së krijuarës dhe së pakrijuarës nuk lejon një marrëdhënie sipas esencës midis Perëndisë dhe botës. E vetmja marrëdhënie e mundshme ndërmjet tyre është ajo sipas energjisë. Prandaj, sipas Etërve, të gjitha emërtimet katafatike që i atribuohen Perëndisë karakterizojnë vetëm mënyrën e veçantë të ekzistencës së tre personave hyjnorë ose marrëdhënien e Perëndisë me botën sipas energjisë. Vetë qenia e Tij mbetet përtej këtyre emërtimeve. Asnjë prej tyre nuk mund ta përshkruajë ose ta shprehë esencën hyjnore në atë mënyrë që të kemi qoftë edhe njohjen më fillestare për të.[^7]
Për Etërit, qeniet e krijuara e kanë krejtësisht të pamundur të njohin esencën e Perëndisë dhe mënyrën e saktë të ekzistencës së tre personave hyjnorë, e cila lidhet pazgjidhshmërisht me të. Njohja në këtë rast qëndron në vetëdijen se të dyja mbeten të panjohura dhe të pakapshme. «Njohja e esencës hyjnore», thekson Shën Vasili i Madh, «është, pra, vetëdija se ajo është e pakapshme».[^8] Shën Joan Damaskinoi, duke e shtrirë këtë pakapshmëri nga esenca hyjnore te qenia hyjnore në tërësinë e saj, shprehet po aq prerazi dhe në mënyrë paradoksale. «Hyjnorja, pra, është e pafund dhe e pakapshme, dhe vetëm kjo është e kapshme në të, pafundësia dhe pakapshmëria e saj».[^9]
Sipas Etërve, gjithçka që dimë për Perëndinë e dimë nëpërmjet zbulimit të Tij, që realizohet përmes energjive të Tij të shfaqura në krijim dhe në histori. Bashkësia e Perëndisë me botën e krijuar bëhet vetëm nëpërmjet energjive të Tij. Shën Vasili i Madh e thekson qartë këtë të vërtetë, të cilën tradita e mëvonshme etërore e pranon njëzëri. «Ne themi se e njohim Perëndinë tonë prej energjive të Tij. Nuk pretendojmë se i afrohemi vetë esencës së Tij. Sepse energjitë e Tij zbresin tek ne, kurse esenca e Tij mbetet e paafrueshme».[^10]
Në mënyrë të ngjashme, Shën Maksimi, duke iu referuar një pasazhi të afërt të Shën Grigor Teologut në ligjëratën Mbi Theofaninë,[^11] thekson se esenca hyjnore mbetet e paafrueshme dhe e pakapshme për të gjitha qeniet e krijuara. Ai shkruan fjalë për fjalë: «Nga ato që i përkasin esencës, domethënë nga vetë esenca, nuk njihet kurrë se çfarë është Perëndia. Kuptimi i asaj se çfarë është Ai mbetet i paarritshëm dhe krejt i paafrueshëm për tërë krijimin, të dukshëm e të padukshëm njësoj. Vetëm nga ato që soditen, shihen rreth esencës bëhet e ditur se Ai ekziston. Kur ato soditen drejt dhe me përshpirtëri, Perëndia u dëfton Veten atyre që soditin».[^12]
Të gjitha ato që soditen «rreth esencës» së Perëndisë tregojnë se Ai është, domethënë se ekziston, ose çfarë Ai nuk është. Ajo që Ai është mbetet e pakapshme.[^13] Në këtë kuptim, krahas emërtimeve katafatike, të cilat shprehin mënyrën e veçantë të ekzistencës së hipostazave të Tij dhe larminë e marrëdhënieve të Tij me botën në krijim e në përkujdesjen për të, Perëndisë i atribuohen edhe emërtimet apofatike. Këto e dallojnë plotësisht nga realiteti i krijuar dhe përbëjnë thelbin e teologjisë apofatike. Kështu, emërtimet që i atribuohen Perëndisë ndahen në dy kategori themelore: ato që tregojnë cilësi që i përkasin Atij dhe ato që tregojnë cilësi që nuk i përshtaten natyrës së Tij hyjnore e të pakrijuar.[^14] Të dyja kategoritë na duhen për të formuar një përfytyrim për Perëndinë që, sado i zbehtë, të jetë i mjaftueshëm dhe i vërtetë. Siç vëren Shën Vasili i Madh, «nga emërtimet që thuhen për Perëndinë, disa tregojnë ato që i përkasin Atij, ndërsa të tjerat tregojnë ato që nuk i përkasin. Nga të dyja formohet te ne njëfarë përfytyrimi i Perëndisë, nga mohimi i atyre që nuk i përshtaten dhe nga pohimi i atyre që i përkasin».[^15]
Megjithëse të dyja kategoritë e emërtimeve hyjnore janë të nevojshme për të formuar një koncept të vërtetë dhe të mjaftueshëm për Perëndinë, sipas Etërve më të përshtatshme janë emërtimet apofatike, sepse vetëm ato mund të theksojnë se Perëndia i tejkalon qeniet e krijuara. Në një pasazh të përmbledhur, por të pasur në kuptim teologjik, në veprën Mistagogjia, Shën Maksimi ndjek Shën Dhionis Areopagjitin[^16] dhe thotë se Perëndisë i shkon më shumë t'i atribuojmë «të mosqenët, meqë Ai është përtej të qenët, si shprehje më e përshtatshme për Të».[^17] Të njëjtën gjë thekson edhe Shën Joan Damaskinoi, duke përmbledhur mendimin e Dhionisit dhe të Maksimit. «Për Perëndinë është e pamundur të thuhet se çfarë është sipas esencës. Më e përshtatshme është të flasim duke përjashtuar gjithçka, sepse Ai nuk është asnjë nga qeniet, ngaqë është përtej të gjitha qenieve dhe përtej vetë të qenët».[^18]
Çdo emërtim ose cilësi katafatike që i atribuojmë Perëndisë i përgjigjet përfytyrimeve që janë formuar në mendjen tonë nga përvojat me qeniet e krijuara. Kjo mbart rrezikun që ta kthejmë Perëndinë në idhull ose të krijojmë për Të një përfytyrim tërësisht të objektivizuar dhe antropomorfik, i cili na largon nga kuptimi i vërtetë i Perëndisë. Prandaj Shën Dhionis Areopagjiti, tek i cili mbështeten në shumë pika Etërit e mëvonshëm, brenda teologjisë apofatike refuzon t'i atribuojë Perëndisë cilësi dhe emërtime, disa prej të cilave i atribuohen tashmë në Shkrimin e Shenjtë. Është e tepërt të nënvizojmë se një soditje e tillë e Perëndisë parakupton shkëputjen e plotë nga konceptimi fjalë për fjalë i frymëzimit hyjnor të Shkrimit të Shenjtë. Kështu, për Dhionisin, Perëndia nuk është as mendje, as fjalë, as esencë, as fuqi, as dritë, as jetë, as mbretëri, as urtësi, as një, «as njësi, as hyjni a mirësi, as shpirt ashtu siç e njohim ne, as birësi, as atësi, as ndonjë tjetër nga gjërat që njohim ne ose ndonjë qenie tjetër. Nuk është as ndonjë nga joqeniet, as ndonjë nga qeniet […] as errësirë, as dritë, as mashtrim, as e vërtetë. Për Të, në kuptimin absolut, nuk ka as pohim, as mohim».[^19]
Me fjalë të tjera, Perëndia nuk është asnjë prej këtyre gjërave ashtu siç i kemi formuar si koncepte në mendjen tonë, mbi bazën e përvojës me qeniet e krijuara. Edhe vetë koncepti i ekzistencës që i atribuojmë Perëndisë është formuar te ne mbi bazën e përvojës sonë me qeniet e krijuara. Perëndia, ndërkaq, është i pakrijuar, prandaj mënyra e ekzistencës së Tij ndryshon nga ajo e qenieve të krijuara. Pikërisht për këtë Shën Maksimi thekson se Perëndisë, i Cili është Ai që është me të vërtetë, i përshtatet më shumë shprehja «të mosqenët» sesa «të qenët». Do të ishte krejt e paarsyeshme ta njësonim qenien e Tij me mosqenien. Maksimi sqaron se qenia e Tij i përket «të qenët përtej qenies», sepse ekzistenca dhe natyra e Tij tejkalojnë ekzistencën dhe natyrën e qenieve të krijuara.[^20]
Edhe më prerë shprehet Shën Simeon Teologu i Ri. Duke ndjekur nga afër Shën Dhionis Areopagjitin dhe Shën Maksim Rrëfimtarin, ai thekson se Perëndia është i paafrueshëm, i pashprehshëm, i padukshëm, i pathënshëm dhe i pakuptueshëm, sepse në raport me qeniet e krijuara soditet si «asgjë prej tyre» dhe si «joqenie». Sipas tij, Perëndia «është përmbi çdo emër që shqiptohet, përmbi çdo ligjërim e çdo fjalë. Ai qëndron përtej dhe i shpëton çdo kapjeje të mendjes, duke mos qenë asgjë [nga qeniet].[^21] Sepse ajo që nuk është ndonjë nga qeniet nuk mund të rroket kurrë nga mendimi njerëzor e as të shenjohet me një emër».[^22]
Ky mohim teologjik nëpërmjet teologjisë apofatike përbën, sipas Etërve, në thelb një pohim të Perëndisë. Një përfytyrim të vërtetë për Të kemi vetëm kur nuk i atribuojmë cilësitë e qenieve të krijuara. Kur ia atribuojmë këto cilësi, në thelb e mohojmë, duke e renditur ndër krijesat. Siç thotë sërish Shën Maksimi, «nëse na duhet vërtet ta njohim dallimin midis Perëndisë dhe krijesave, atëherë mohimi i asaj që u përket qenieve duhet të jetë pohim për Atë që është përtej qenies, dhe pohimi i asaj që u përket qenieve duhet të jetë mohim për Atë që është përtej qenies».[^23] Në një kontekst tjetër ai vëren se «për Perëndinë janë më të vërteta mohimet që shprehin tejkalimin, sepse, duke përjashtuar krejtësisht atë që u përket qenieve, na bëjnë të kuptojmë deri diku çfarë mund të pohojmë për Hyjnoren».[^24]
Prandaj, në Metamorfozën e Tij, Krishti e shfaqi Veten duke dëftuar «me teologjinë apofatike të fshehtën e paafrueshme të hyjnisë», pa u përcaktuar «në mënyrë katafatike me pohimin e asaj që u përket qenieve».[^25] Madje, sipas Maksimit, vetë Metamorfoza e Krishtit tregon në mënyrë alegorike dhe shumë të gjallë kalimin nga teologjia katafatike në atë apofatike. Kur Fjala e mishëruar, siç shkruan ai, «ngjitet së bashku» me nxënësit e Tij në malin e teologjisë, domethënë në Thavor, dhe shpërfytyrohet përpara tyre, soditja e Tij kalon nga emërtimet katafatike, si Perëndi, i Shenjtë ose Mbret, në ato apofatike, si përtej hyjnisë dhe përtej shenjtërisë, e në emërtimet e tjera «që thuhen në kuptimin e tejkalimit». Atëherë shfaqet në gjithë madhështinë e vet «fshehtësia që karakterizon esencën e Tij». Mendja njerëzore e ka krejtësisht të pamundur ta soditë atë, ashtu siç syri i njeriut, sado i mprehtë të jetë, nuk mund të soditë shkëlqimin e diellit.[^26] Për rrjedhojë, përfundon Shën Maksimi, duke shtjelluar një mendim të ngjashëm të Shën Grigorit të Nisës, bie në gabim ai njeri që, ndërsa dëshiron të njohë Perëndinë, beson se Ai «që është i thjeshtë dhe përtej çdo mendimi» u ngjan qenieve të krijuara që njohim. Kështu ai formon në mendjen e vet një përfytyrim të rremë për Perëndinë dhe e kthen në idhull.[^27] E vetmja udhë për të shpëtuar nga ky rrezik është soditja (duke e parë atë në mënyrë) apofatike e Perëndisë.[^28]
Megjithatë, siç theksojnë si Shën Dhionis Areopagjiti, ashtu edhe Shën Maksim Rrëfimtari, as soditja katafatike, as ajo apofatike nuk mund të na çojnë te koncepti i vërtetë për Perëndinë. Ai, duke qenë i pakrijuar dhe transhendent për nga natyra e Tij, qëndron përtej çdo pohimi dhe mohimi.[^29] Siç vëren Shën Maksimi, Perëndia «e ka ekzistencën të thjeshtë, të panjohur, të paafrueshme për të gjithë dhe krejt të pashpjegueshme, përtej çdo pohimi dhe mohimi».[^30] Me këtë qëndrim, Etërit e përmendur, në përpjekjen për ta ruajtur konceptin e vërtetë për Perëndinë nga rreziku i idhujtarizimit dhe i antropomorfizmit, i zgjerojnë aq shumë kufijtë e teologjisë apofatike, sa ajo mohon e tejkalon edhe vetë domethënien e saj për njohjen. Pikërisht ky është karakteri orthodhoks i teologjisë apofatike.[^31] Një nga synimet themelore të apofatizmit teologjik të Etërve grekë është t'i kundërvihet çdo objektivizimi të mundshëm të Perëndisë, i cili mund të ndodhë si në teologjinë katafatike, ashtu edhe në vetë teologjinë apofatike.
Prandaj Shën Dhionis Areopagjiti dhe Shën Maksim Rrëfimtari theksojnë se njeriu që dëshiron ta njohë vërtet Perëndinë, përveç pastrimit dhe ndriçimit që kërkon kjo udhë shpirtërore, duhet t'i afrohet i zhveshur nga çdo koncept dhe çdo njohje. Vetëm atëherë do të mund ta shohë «pa sy» dhe ta njohë «pa njohje» Atë që është përtej çdo shikimi dhe njohjeje.[^32] Për ta, soditja dhe njohja e vërtetë e Perëndisë qëndrojnë në të mosparët dhe në mosnjohjen e Tij. Shën Dhionis Areopagjiti, duke shtjelluar në këtë pikë një mendim të ngjashëm të Shën Grigorit të Nisës, nënvizon se vetëm kur hyjmë në errësirën hyjnore përtej dritës mund «nëpërmjet mosshikimit dhe mosnjohjes të shohim dhe të njohim Atë që është përtej shikimit dhe njohjes, pikërisht duke mos parë e duke mos njohur, sepse kjo do të thotë të shohësh dhe të njohësh me të vërtetë».[^33] Po aq paradoksalisht thotë Shën Maksim Rrëfimtari për Perëndinë se «vetëm heshtja e përsosur e shpall me zë të lartë dhe mosnjohja e plotë, që tejkalon njohjen, e bën të pranishëm».[^34]
Sa më lart ngjitet njeriu në udhën e përpjetë të njohjes së Perëndisë, aq më e përmbajtur dhe më e shkurtër bëhet fjala e tij. Ai e kupton se misteri i njohjes së Perëndisë nuk përshkruhet me fjalë të shumta. Kur hyn në «errësirën […] përtej mendjes», kupton se për ta përshkruar këtë përvojë transhendente nuk i duhet as «shkurtësia e fjalës», por vetëm «heshtja e plotë e fjalës dhe e mendimit».[^35] Atëherë, për njeriun, Perëndia «me shumë emra» dhe «me shumë fjalë» bëhet «i paemër» dhe «i pashprehshëm me fjalë», sipas shprehjeve të goditura të Shën Dhionis Areopagjitit.[^36] Por, që njeriu të mund të depërtojë si një Moisi tjetër në errësirën e mosnjohjes, ku Perëndia fshihet përtej fjalës dhe mendimit, duhet, siç thekson Maksimi, të heqë dorë nga dëshira për ta njohur Perëndinë nëpërmjet soditjes natyrore, domethënë soditjes së krijesave, dhe nëpërmjet teologjisë. Vetëm atëherë mund të marrë përvojë dhe njohje të vërtetë të Perëndisë «nëpërmjet mohimit dhe mosnjohjes».[^37] Me fjalë të tjera, përvoja dhe njohja e vërtetë e Perëndisë parakuptojnë qëndrimin apofatik të njeriut ndaj Tij. Për këtë arsye terminologjia apofatike është mënyra më e përshtatshme për ta përshkruar këtë përvojë.
Për ta kuptuar më mirë këtë, mjafton të mendojmë për mënyrën apofatike me të cilën apostull Pavli detyrohet të përshkruajë përvojën që pati kur «u rrëmbye në parajsë». Ai thotë se «dëgjoi fjalë të pashprehshme, që njeriut nuk i lejohet t'i thotë».[^38] Me fjalën «dëgjoi» pohon realitetin e përvojës mbinatyrore të Perëndisë. Duke i quajtur ato që dëgjoi «fjalë të pashprehshme, që njeriut nuk i lejohet t'i thotë», thekson varfërinë dhe pafuqinë e gjuhës njerëzore për të përshkruar një përvojë të tillë. Prandaj i drejtohet terminologjisë apofatike. Me fjalë të tjera, apofatizmi është këtu e vetmja udhë për ta përshkruar përvojën e së pakrijuarës sa më mirë dhe sa më objektivisht që të jetë e mundur.
B. Uniteti dhe karakteri përvojësor i teologjisë katafatike dhe apofatike
Ndonëse në dukje ekziston një kundërvënie dialektike ndërmjet teologjisë katafatike dhe asaj apofatike, tradita etërore orthodhokse nuk pranon asnjë kundërvënie mes tyre. Përkundrazi, ato lidhen pazgjidhshmërisht dhe veprojnë në unitet.[^39] Kjo kuptohet nga sa theksuam në fillim. Për Etërit e Kishës, të dyja mbështeten tërësisht në zbulimin hyjnor dhe në përvojë, pa qenë fryt i arsyetimit abstrakt. Etërit shijojnë përvojën e energjive hyjnore në krijim dhe në histori dhe formulojnë emërtime pohuese për Perëndinë. Kështu bëjnë teologji katafatike. E krahasojnë përvojën e Perëndisë me përvojat përkatëse që kanë nga realiteti i krijuar dhe konstatojnë se asnjë emërtim nuk mund ta shprehë përvojën e së pakrijuarës. Kështu arrijnë te formulimi i emërtimeve mohuese për Perëndinë dhe bëjnë teologji apofatike. Të njëjtën përvojë të zbulimit hyjnor e shprehin herë në mënyrë katafatike, për të theksuar se përvoja e Perëndisë është reale, dhe herë në mënyrë apofatike, për të theksuar transhendencën e Tij në raport me botën e krijuar. Prandaj i përdorin të dyja kur flasin për Perëndinë, pa i vënë përballë njëra-tjetrës. Për më tepër, duke theksuar se Perëndia qëndron përtej çdo pohimi dhe mohimi, Shën Dhionis Areopagjiti dhe Shën Maksim Rrëfimtari[^40] nuk lënë vend për një dialektikë mes dy udhëve teologjike. Siç thekson Shën Dhionis Areopagjiti, «për Të [shkakun e gjithçkaje, që qëndron përtej gjithçkaje, domethënë Perëndinë] duhet të pohojmë të gjitha pohimet për qeniet, meqë Ai është shkaku i të gjithave. Aq më me të drejtë duhet t'i mohojmë të gjitha këto pohime, meqë Ai është përtej gjithçkaje. Nuk duhet të mendojmë se mohimet u kundërvihen pohimeve, por se Ai është përmbi çdo privim, sepse qëndron përtej çdo mohimi dhe pohimi».[^41]
Krahas faktit se ndërmjet teologjisë katafatike dhe asaj apofatike nuk mund të mendohet ndonjë kundërvënie dialektike, midis tyre ka, siç thamë, edhe një unitet të pazgjidhshëm në mënyrën si veprojnë. Në traditën orthodhokse asnjëra nuk përdoret në mënyrë të pavarur nga tjetra. Shën Joan Damaskinoi mendon se mënyra më e përshtatshme për t'ia atribuar Perëndisë emërtimet e ndryshme është t'i mbajmë të lidhura dhe t'i përdorim njëkohësisht të dyja udhët teologjike. Ai e quan këtë «lidhjen më të ëmbël […] të të dyjave».[^42] Kjo është krejt e arsyeshme, sepse të dyja parakuptojnë dhe përshkruajnë të njëjtin zbulim e të njëjtën përvojë të Perëndisë, me qëllim që të formojmë një përfytyrim të vërtetë për Të, të çliruar nga cilësitë e qenieve të krijuara. Veçimi i tyre, ndërkaq, mbart rreziqe serioze për vetë thelbin dhe përmbajtjen e teologjisë. Përdorimi i veçuar dhe i tepruar i teologjisë katafatike mund ta shpërfillë transhendencën e natyrës së pakrijuar hyjnore dhe të çojë në objektivizimin ose idhujtarizimin e Perëndisë dhe në antropomorfizëm. Përdorimi i veçuar dhe i tepruar i teologjisë apofatike mund ta shpërfillë Ekonominë Hyjnore dhe të çojë në agnosticizëm teologjik. Pikërisht për këtë arsye ato kuptohen vetëm në lidhjen e tyre të pazgjidhshme. Ashtu si teologjia katafatike e ruan teologjinë apofatike nga rreziku i agnosticizmit teologjik, edhe teologjia apofatike e ruan teologjinë katafatike nga rreziku i objektivizimit të Perëndisë, i idhujtarizimit dhe i antropomorfizmit. Secila, në njëfarë mënyre, frenon shmangiet dhe teprimet e mundshme të tjetrës, që koncepti i vërtetë për Perëndinë të mbetet i paprekur dhe i pashtrembëruar.
Kështu, falë unitetit të tyre dhe karakterit të tyre përvojësor, të dyja udhët e ruajtën teologjinë orthodhokse nga rreziku i shtrembërimit të konceptit biblik për Perëndinë, duke ruajtur të paprekura si praninë e Tij në botë, ashtu edhe transhendencën e Tij në raport me botën. Ato e mbrojtën teologjinë orthodhokse nga rreziku që të kthehej në fushë kërkimesh thjesht intelektuale ose që të zbriste nga rrafshi i teologjisë në atë të antropologjisë. Këto, për fat të keq, ndodhën në Perëndim me ndikimin vendimtar të teologjisë skolastike.
Siç dihet, edhe teologët skolastikë pohuan se kishte tri udhë që në njëfarë mënyre u ngjanin teologjisë katafatike dhe apofatike të Etërve të Kishës. Bëhet fjalë për udhën pohuese (via affirmationis ose via causalitatis), me anë të së cilës i atribuuan Perëndisë cilësi pohuese, për udhën mohuese (via negationis), me anë të së cilës i atribuuan cilësi mohuese, dhe për udhën e epërsisë (via eminentiae), me anë të së cilës i atribuuan cilësi pohuese në shkallën sipërore.[^43] Mirëpo të tria këto udhë përbënin në thelb një kalim nga e krijuara tek e pakrijuara vetëm me anë të arsyetimit dhe nuk lidheshin aspak me përvojën e së pakrijuarës. Për më tepër, skolastikët e nënvlerësonin këtë përvojë përballë vlerës mbizotëruese që i jepnin arsyes në arritjen e njohjes së Perëndisë.[^44] Kështu, pa themelin përvojësor të domosdoshëm për teologjinë, ata arritën të formonin një përfytyrim antropomorfik për Perëndinë dhe në thelb e kthyen teologjinë në antropologji. Pasojat dramatike të kësaj për vetë thelbin e teologjisë perëndimore dhe për rrjedhën e jetës shpirtërore në Perëndim u dukën pas fundit të skolastikës, sidomos në shekullin XIX, kur u shfaq ateizmi si rrymë filozofike.
Nuk është aspak e rastit që ateizmi si rrymë filozofike lindi dhe u zhvillua në Perëndim. Filozofët ateistë e mohuan ekzistencën e Perëndisë, sepse kishin përvetësuar pikëpamjen që teologjia skolastike kishte kultivuar për kaq shekuj. Sipas saj, Perëndia është një qenie e arritshme për arsyen njerëzore dhe karakterizohet pak a shumë nga cilësitë njerëzore, vetëm se i zotëron ato në shkallën sipërore.[^45] Siç pohoi Fojerbahu, duke i bërë në thelb jehonë konceptit skolastik për Perëndinë, «të gjitha predikatet, të gjitha përcaktimet e qenies hyjnore, janë në themel njerëzore».[^46] Në këtë kuptim, «vetë personaliteti i Perëndisë është personaliteti i tjetërsuar dhe i objektivizuar i njeriut».[^47] Me fjalë të tjera, sipas kësaj pikëpamjeje, njeriu e krijoi Perëndinë sipas ikonës dhe ngjashmërisë së vet, duke përmbysur pohimin se Perëndia e krijoi njeriun sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Tij.[^48] Pavarësisht formulimit ateist dhe përgjithësues, kjo ndodhi për fat të keq në Perëndim me teologjinë skolastike. U krijua një përfytyrim për Perëndinë sipas ikonës dhe ngjashmërisë së njeriut.
Ndërsa ateizmi si rrymë filozofike lindi dhe u zhvillua në Perëndim, siç thamë, po aq domethënës është fakti se në Lindje ai erdhi nga jashtë dhe u përvetësua më vonë. Kjo bëhet krejt e kuptueshme po të kemi parasysh se teologjia apofatike, e kultivuar nga Etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, nuk lejoi të krijoheshin kushte të favorshme për lindjen dhe zhvillimin e ateizmit. Ateizmi, siç është e qartë, parakupton domosdoshmërisht të paktën një përfytyrim pozitiv dhe të objektivizuar për Perëndinë, në mënyrë që ai që e mohon Perëndinë ta dijë paraprakisht se çfarë mohon.[^49] Po të mos e dijë, as nuk mund ta mohojë. Në këtë kuptim, mohimi teologjik i konceptit të Perëndisë brenda teologjisë apofatike në Lindje nuk lejoi të krijohej një përfytyrim pozitiv dhe i objektivizuar për Të, të cilin dikush mund të arrinte ta hidhte poshtë. Prandaj ateizmi teorik nuk gjeti truall të favorshëm në vendet tradicionalisht orthodhokse të Lindjes dhe mbeti trup i huaj në trashëgiminë dhe traditën e tyre shpirtërore.
Përfundim
Duke përmbledhur sa thamë më sipër, arrijmë natyrshëm në përfundimin se Etërit e Kishës Orthodhokse të Lindjes, duke nxjerrë në pah aspektin katafatik dhe atë apofatik të Perëndisë dhe duke theksuar themelin përvojësor të të dyja udhëve teologjike, përcaktuan kuadrin e njohjes së vërtetë të Perëndisë. Ata dhanë një ndihmesë vendimtare në formimin e një koncepti për Perëndinë të çliruar nga objektivizimet dhe antropomorfizmat. Siç pamë, kjo pati pasoja të menjëhershme dhe thelbësore për rrjedhën e teologjisë dhe për trashëgiminë e traditën shpirtërore të Lindjes orthodhokse në përgjithësi.
Në kohën tonë, zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë ka krijuar një realitet të ri, që disa e quajnë «shoqëria e dijes». Në rrethin e tij të ngushtë ose më të gjerë shoqëror, njeriu bashkëkohor përmbytet nga informacione dhe dije, të cilat priren t'i krijojnë përshtypjen se përpjekja për të njohur realitetin e gjithësisë nuk ka kufij dhe se njohja e tij e plotë është thjesht çështje kohe. Kështu, njeriu e ka të vështirë të kuptojë dhe të pranojë rëndësinë e apofatizmit për njohjen. Për të, njohja ka karakter vetëm katafatik, prandaj apofatizmi kuptohet si mohim i njohjes dhe si agnosticizëm. Është domethënëse se këtë pikëpamje e pranojnë pa rezerva si njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe qarqet intelektuale të kohës sonë, megjithë vendin mbizotërues që zë sot apofatizmi filozofik i K. Jaspersit, M. Heideggerit, K. Popperit dhe L. Wittgensteinit, sidomos parimi themelor filozofik i Wittgensteinit se «për atë për të cilën nuk mund të flasësh, duhet të heshtësh» (Wovon man nicht sprechen kann, darüber muss man schweigen).
Por edhe sikur një pikëpamje kaq optimiste për njohjen të mund të ishte e drejtë dhe të vlente për realitetin e krijuar, ajo nuk mund të vlejë aspak për natyrën e pakrijuar të Perëndisë. Në raport me këtë natyrë, kufijtë e njohjes vlejnë plotësisht dhe mbeten të pakapërcyeshëm. Siç theksuan në mënyra të ndryshme dhe me forcë të veçantë Etërit, hendeku ontologjik midis së krijuarës dhe së pakrijuarës nuk e lejon krijesën ta arrijë të pakrijuarën me anë të njohjes. Me fjalë të tjera, njohja e qenieve të krijuara ka kufij të caktuar, të pandashëm nga natyra e tyre. Po t'i kapërcejnë, ato rrezikojnë të bien në gabim. Prandaj e vetmja mënyrë për ta ruajtur të paprekur konceptin biblik për Perëndinë, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënien e Tij me botën dhe transhendencën e Tij ontologjike, është përdorimi i teologjisë katafatike dhe apofatike në unitetin dhe lidhjen e tyre të pazgjidhshme.
Në kuadrin e kontakteve ndërfetare dhe të realitetit të globalizuar shoqëror të kohës sonë, kur të krishterët takohen me përfaqësues dhe ndjekës të besimeve të ndryshme, ngrihen ndonjëherë çështje teologjike rreth natyrës së Perëndisë dhe përkatësisë racore që i atribuohet Atij. Këto nuk kanë vend në teologjinë patristike orthodhokse, sepse parakuptojnë projektimin e përfytyrimeve dhe cilësive antropomorfike në sferën e Hyjnores dhe e shndërrojnë konceptin e Perëndisë në një realitet tërësisht antropomorfik. Siç pamë, përdorimi i teologjisë apofatike në traditën patristike orthodhokse nuk lejon të formohet një koncept për Perëndinë me cilësi e tipare antropomorfike që i përkasin realitetit të krijuar. Kur Etërit, në planin teologjik, nuk ia zbatojnë Perëndisë në mënyrë të mirëfilltë as konceptin e ekzistencës, as cilësitë me të cilat Ai zbulohet në krijim dhe në histori, kuptojmë se nuk lënë vend për t'i atribuar Atij një natyrë të objektivizuar ose përkatësi racore. Për Etërit, koncepti biblik për Perëndinë është krejtësisht i çliruar nga përfytyrime të tilla antropomorfike dhe nga objektivizimet. Kjo arritje teologjike nuk do të kishte qenë e mundur, po të mos i kishin përdorur Etërit njëkohësisht teologjinë katafatike dhe atë apofatike, në unitetin dhe lidhjen e tyre të pazgjidhshme.
Mendojmë se pikërisht këtu qëndron thelbi dhe ndihmesa më e madhe e Etërve të Lindjes orthodhokse në formimin e konceptit për Perëndinë dhe në vendosjen e tij në teologjinë orthodhokse. Kjo ndihmesë shtrihet edhe në trajtimin e çështjeve teologjike që ngrihen sot rreth konceptit për Perëndinë në realitetin e globalizuar shoqëror.
UGO kishte raportuar edhe më parë mbi shqyrtimin e mendimit të Shën Grigor Pallamait nga psikiatri Kimisis.
Shënime
[^1]: Shih In Psalmum LXXIV, 9, PL 36, 852: «[Perëndia] është kudo i fshehur dhe kudo i shfaqur. Askush nuk mund ta njohë ashtu siç është dhe askujt nuk i lejohet të mos e njohë». Krahaso In Evangelium Joannis tractatus XIII, 5, PL 35, 1495: «Për Perëndinë mund të thuhet gjithçka, por asgjë nuk thuhet denjësisht për Perëndinë».
[^2]: Shih Γ. Δ. Μαρτζέλος, Ουσία και ενέργειαι του Θεού κατά τον Μέγαν Βασίλειον. Συμβολή εις την ιστορικοδογματικήν διερεύνησιν της περί ουσίας και ενεργειών του Θεού διδασκαλίας της Ορθοδόξου Εκκλησίας, Selanik, bot. 2, 1993, f. 123 e vijim. Ν. Α. Ματσούκας, Κόσμος, άνθρωπος, κοινωνία κατά τον Μάξιμο Ομολογητή, Athinë 1980, f. 187 e vijim.
[^3]: Shih Dionis Areopagjiti, Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 1, 2, PG 3, 1000 B dhe 3, PG 3, 1033 C. Maksim Rrëfimtari, Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 B. Quaestiones et dubia 190, bot. J. H. Declerck, Maximi confessoris quaestiones et dubia, Corpus Christianorum, Series Graeca 10, Turnhout, Brepols, 1982, f. 132.
[^4]: Shih Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 A.
[^5]: Shih Έκδοσις ακριβής της ορθοδόξου πίστεως 1, 12, PG 94, 848 A.
[^6]: Shih Maksim Rrëfimtari, Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 AB. Joan Damaskini, vep. e cit., PG 94, 845 CD.
[^7]: Shih Grigori i Nisës, Κατά Ευνομίου, ligjërata 3, PG 45, 601 B: «Nëse dikush kërkon një interpretim, përshkrim a shpjegim të esencës hyjnore, nuk do ta mohojmë se një urtësi të tillë nuk e zotërojmë. Pohojmë vetëm kaq: ajo që për nga natyra është e pakufizuar nuk mund të përfshihet në asnjë formulim me fjalë».
[^8]: Shih Letra 234, 2, PG 32, 869 C. Shih edhe G. D. Martzelos, «Der Verstand und seine Grenzen nach dem hl. Basilius dem Grossen», në Τόμος εόρτιος χιλιοστής εξακοσιοστής επετείου Μεγάλου Βασιλείου (379–1979), Selanik 1981, f. 235 e vijim. Γ. Δ. Μαρτζέλος, vep. e cit., f. 39 e vijim dhe f. 66 e vijim. I njëjti autor, Ορθόδοξο δόγμα και θεολογικός προβληματισμός. Μελετήματα δογματικής θεολογίας Α΄, Selanik 1993, f. 83 e vijim.
[^9]: Shih Έκδοσις ακριβής της ορθοδόξου πίστεως 1, 4, PG 94, 800 B.
[^10]: Shih Letra 234, 1, PG 32, 869 AB. Për më shumë rreth kësaj çështjeje, shih Γ. Δ. Μαρτζέλος, Ουσία και ενέργειαι του Θεού κατά τον Μέγαν Βασίλειον. Συμβολή εις την ιστορικοδογματικήν διερεύνησιν της περί ουσίας και ενεργειών του Θεού διδασκαλίας της Ορθοδόξου Εκκλησίας, Selanik, bot. 2, 1993, f. 89 e vijim.
[^11]: Bëhet fjalë për pasazhin: «[Perëndia] përvijohet vetëm me mendjen, dhe kjo shumë zbehtë e në masë të kufizuar, nga ato që soditen rreth Tij, pa u nisur nga ato që Ai është në Vetvete, ndërsa përfytyrimet mblidhen njëri pas tjetrit në njëfarë pasqyrimi të së vërtetës» (Ligjërata 38, Εις τα Θεοφάνια, είτουν Γενέθλια του Σωτήρος 7, PG 36, 317 BC).
[^12]: Shih Περί διαφόρων αποριών των αγίων Διονυσίου και Γρηγορίου, Προς Θωμάν τον ηγιασμένον, PG 91, 1288 AB.
[^13]: Shih po aty, PG 91, 1288 BC: «Gjithçka që soditet rreth esencës tregon çfarë ajo nuk është, pa treguar se çfarë është. Kështu janë të qenët e palindur, pa fillim, e pafund, e patrup dhe çdo përcaktim i ngjashëm rreth esencës, që tregon çfarë ajo nuk është, pa na paraqitur çfarë është. Kështu janë edhe parimet e përkujdesjes hyjnore dhe të gjykimit, sipas të cilave drejtohet me urtësi gjithësia. Me to lidhet edhe soditja e harmonisë së natyrës kur flitet për Perëndinë, sepse natyra tregon, në mënyrë analogjike, vetëm se Krijuesi i saj ekziston».
[^14]: Shih Dionis Areopagjiti, Περί της ουρανίας ιεραρχίας 2, 2–3, PG 3, 140 BCD. Joan Damaskini, vep. e cit., 1, 12, PG 94, 845 C–848 A.
[^15]: Shih Ανατρεπτικός του Απολογητικού του δυσσεβούς Ευνομίου 1, 10, PG 29, 533 C. Shih edhe Γ. Δ. Μαρτζέλος, vep. e cit., f. 167 e vijim.
[^16]: Shih vep. e cit., 2, 3, PG 3, 140 D–141 A.
[^17]: Shih Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 B.
[^18]: Shih vep. e cit., 1, 4, PG 94, 800 B.
[^19]: Shih Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 5, PG 3, 1045 D–1048 A.
[^20]: Shih Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 B. Krahaso vërejtjen e Shën Agustinit: «Perëndia është i pashprehshëm. E kemi më të lehtë të themi çfarë nuk është sesa çfarë është» (In Psalmum LXXXV, 12, PL 37, 1090).
[^21]: Shih Ligjërata teologjike 3, Sources Chrétiennes 122 (= J. Darrouzès, Syméon le Nouveau Théologien. Traités théologiques et éthiques, Introduction, Texte critique, Traduction et Notes, vëll. I, Paris 1966), f. 162 (108–111).
[^22]: Shih Ligjërata teologjike 2, Sources Chrétiennes 122, f. 148 (256–257). Krahaso me sa më sipër Dionis Areopagjiti, Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 3–5, PG 3, 1032 C–1048 B. Maksim Rrëfimtari, Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 BC.
[^23]: Shih vep. e cit., PG 91, 664 B.
[^24]: Shih Προς Θαλάσσιον τον οσιώτατον πρεσβύτερον και ηγούμενον, Περί διαφόρων απόρων της Θείας Γραφής 25, PG 90, 333 D. C. Laga dhe C. Steel, Maximi confessoris quaestiones ad Thalassium, I (quaestiones I–LV), Corpus Christianorum, Series Graeca 7, Turnhout, Brepols, 1980, f. 165.
[^25]: Shih Quaestiones et dubia 190, vep. e cit., f. 132.
[^26]: Shih Quaestiones et dubia 191, vep. e cit., f. 134.
[^27]: Shih Προς Θαλάσσιον τον οσιώτατον πρεσβύτερον και ηγούμενον, Περί διαφόρων απόρων της Θείας Γραφής 25, PG 90, 333 C. C. Laga dhe C. Steel, vep. e cit., f. 165. Krahaso Grigori i Nisës, Περί του βίου Μωσέως ή Περί της κατ' αρετήν τελειότητος, PG 44, 377 B: «Fjala hyjnore para së gjithash ua ndalon njerëzve ta përngjasojnë Hyjnoren me çfarëdo gjëje të njohur. Sepse çdo koncept që formohet duke u përpjekur ta përfshijë natyrën hyjnore në një përfytyrim, me anë të mendimit dhe të arsyetimit, krijon një idhull të Perëndisë dhe nuk shpall Perëndinë».
[^28]: Shih vep. e cit., PG 90, 333 D. C. Laga dhe C. Steel, vep. e cit.
[^29]: Shih Dhionis Areopagjiti, Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 5, PG 3, 1048 AB: «Për Të [shkakun e gjithçkaje, domethënë Perëndinë], në kuptimin absolut, nuk ka as pohim, as mohim. Duke pohuar dhe mohuar për gjërat që vijnë pas Tij, Atë as e pohojmë, as e mohojmë. Sepse shkaku i përsosur dhe i vetëm i gjithçkaje është përtej çdo pohimi, dhe epërsia e Atij që është krejtësisht i shkëputur nga të gjitha dhe përtej gjithçkaje është përtej çdo mohimi». Maksim Rrëfimtari, Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 BC: «Nëse na duhet vërtet të njohim dallimin midis Perëndisë dhe krijesave, mohimi i asaj që u përket qenieve duhet të jetë pohim për Atë që është përtej qenies, dhe pohimi i asaj që u përket qenieve duhet të jetë mohim për Atë që është përtej qenies. Të dy emërtimet, domethënë të qenët dhe të mosqenët, i referohen me të drejtë të Njëjtit. Megjithatë, asnjëri nuk i zbatohet Atij në kuptimin e mirëfilltë. Të dyja përdoren me të drejtë, sepse i pari pohon të qenët e Perëndisë si shkak të qenieve, ndërsa i dyti, për shkak të tejkalimit, mohon për Të çdo të qenët që u përket qenieve. Asnjëri nuk vlen në kuptimin e mirëfilltë, sepse asnjëri nuk tregon çfarë është sipas esencës dhe natyrës së Vet Ai që kërkohet. Sepse me Atë me të Cilin asgjë nuk është e lidhur natyrshëm si shkak, qoftë qenie ose joqenie, asgjë nga ato që janë dhe që thuhen, as nga ato që nuk janë dhe nuk thuhen, me të drejtë nuk mund të quhet e afërt».
[^30]: Shih vep. e cit., PG 91, 664 C.
[^31]: Siç vëren M. Begzosi, «të flasësh në mënyrë apofatike për Perëndinë do të thotë të tejkalosh të gjitha cilësitë që i atribuohen Atij, si pohueset, ashtu edhe mohueset» («Der Apophatismus in der ostkirchlichen Theologie. Die kritische Funktion einer traditionellen Theorie heute», në Θεολογία 26 (1986), f. 180). Shih edhe M. P. Begzos, vep. e cit., f. 181.
[^32]: Shih Dhionis Areopagjiti, vep. e cit., 2, PG 3, 1025 AB. Maksim Rrëfimtari, Προς Θαλάσσιον τον οσιώτατον πρεσβύτερον και ηγούμενον, Περί διαφόρων απόρων της Θείας Γραφής 25, PG 90, 333 CD. C. Laga dhe C. Steel, vep. e cit.
[^33]: Shih vep. e cit., PG 3, 1025 A. Krahaso Grigori i Nisës, Περί του βίου Μωσέως ή Περί της κατ' αρετήν τελειότητος, PG 44, 376 D–377 A: «Sa më shumë përparon mendja dhe, me vëmendje gjithnjë më të madhe e më të përsosur, mendon për të kuptuarit e vërtetë, aq më shumë, duke iu afruar soditjes, sheh se natyra hyjnore nuk mund të soditet. Duke lënë pas gjithçka që shfaqet, si ato që kapin shqisat, ashtu edhe ato që mendja pandeh se i sheh, ajo depërton gjithnjë më në brendësi, derisa kapërcen kërkimet e mendjes, hyn në të padukshmen e të pakapshmen dhe atje sheh Perëndinë. Sepse këtu qëndron njohja e vërtetë e Atij që kërkohet, në të parët që bëhet duke mos parë. Ai që kërkohet qëndron përtej çdo njohjeje, i mbështjellë nga çdo anë prej pakapshmërisë si prej një errësire».
[^34]: Shih vep. e cit., 65, PG 90, 756 C.
[^35]: Shih Dhionis Areopagjiti, vep. e cit., 3, PG 3, 1033 BC.
[^36]: Shih Περί θείων ονομάτων 7, 1, PG 3, 865 BC. Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 1, 3, PG 3, 1000 C.
[^37]: Shih Quaestiones et dubia 73, vep. e cit., f. 56.
[^38]: Shih 2 Kor. 12:4.
[^39]: Shih Dhionis Areopagjiti, Περί μυστικής Θεολογίας, Προς Τιμόθεον, 1, 2, PG 3, 1000 B. Maksim Rrëfimtari, Περί διαφόρων αποριών των αγίων Διονυσίου και Γρηγορίου, Προς Θωμάν τον ηγιασμένον, PG 91, 1288 C: «Ndonëse mohimet qëndrojnë përballë pohimeve, kur bëhet fjalë për Perëndinë ato ndërthuren miqësisht dhe mbështesin njëra-tjetrën. Mohimet tregojnë çfarë nuk është Hyjnorja, pa nënkuptuar se Hyjnorja nuk ekziston. Kur bëhet fjalë se çfarë është Ajo që nuk është kjo ose ajo, ato bashkohen me pohimet. Pohimet tregojnë vetëm se Hyjnorja ekziston, pa treguar çfarë është. Kur bëhet fjalë se çfarë nuk është Ajo që ekziston, ato bashkohen me mohimet. Në raport me njëra-tjetrën tregojnë kundërvënien që buron nga kontrasti. Në raport me Perëndinë, skajet takohen dhe në këtë takim shfaqet afria e tyre».
[^40]: Shih Dhionis Areopagjiti, vep. e cit., 5, PG 3, 1048 AB. Maksim Rrëfimtari, Μυσταγωγία, Parathënia, PG 91, 664 BC.
[^41]: Shih vep. e cit., 1, 2, PG 3, 1000 B.
[^42]: Shih vep. e cit., 1, 12, PG 94, 848 B.
[^43]: Shih Χρ. Ανδρούτσος, Δογματική της Ορθοδόξου Ανατολικής Εκκλησίας, Athinë 1907, f. 47 e vijim. J. Hirschberger, Geschichte der Philosophie, pjesa I, Basel–Freiburg–Wien, bot. 9, 1974, f. 504. Ν. Α. Ματσούκας, Δογματική και Συμβολική Θεολογία Α΄ (Εισαγωγή στη θεολογική γνωσιολογία), Selanik 1985, f. 207.
[^44]: Shih edhe Ν. Α. Ματσούκας, vep. e cit., f. 208.
[^45]: Shih Μ. Λ. Φαράντος, Δογματική ΙΙ, 1 (Το περί Θεού ερώτημα), Athinë 1977, f. 518 e vijim.
[^46]: Shih L. Feuerbach, Das Wesen des Christentums, Ph. Reclam Jun., Stuttgart, bot. 4, 1989, f. 355: «Të gjitha predikatet, të gjitha përcaktimet e qenies hyjnore janë në themel njerëzore». Shih edhe po aty, f. 55: «[…] të gjitha përcaktimet e qenies hyjnore janë, pra, përcaktime të qenies njerëzore». Në f. 67: «Misteri i begatisë së pashtershme të përcaktimeve hyjnore është, pra, vetë misteri i njeriut si qenie pafundësisht e larmishme, që mund të përcaktohet pafundësisht dhe që, pikërisht për këtë, është qenie shqisore».
[^47]: Shih po aty, f. 340: «Personaliteti i Perëndisë është, pra, mjeti me të cilin njeriu i shndërron përcaktimet dhe përfytyrimet e qenies së vet në përcaktime dhe përfytyrime të një qenieje tjetër, të një qenieje jashtë tij. Vetë personaliteti i Perëndisë është personaliteti i tjetërsuar dhe i objektivizuar i njeriut». Shih edhe po aty, f. 54: «Qenia hyjnore është vetë qenia njerëzore, ose, më saktë, qenia e njeriut e veçuar nga kufijtë e njeriut individual, domethënë e njeriut real e trupor, dhe e objektivizuar, domethënë e soditur dhe e adhuruar si një qenie tjetër, e veçantë, e dalluar prej tij». Në f. 69: «[…] kështu vërtetohet edhe se, nëse predikatet hyjnore janë përcaktime të qenies njerëzore, edhe subjekti i tyre ka natyrë njerëzore». Në f. 75: «Atë që njeriu thotë për Perëndinë, në të vërtetë e thotë për veten».
[^48]: Shih A. Esser, Ludwig Feuerbach, Das Wesen der Religion, L. Schneider, Heidelberg, bot. 3, 1983, f. 26. S. Holm, Religionsphilosophie, W. Kohlhammer Verlag, Stuttgart 1960, f. 117. Μ. Λ. Φαράντος, vep. e cit., f. 520. Shih edhe B. M. G. Reardon, Religious Thought in the Nineteenth Century (illustrated from Writers of the Period), Cambridge University Press, 1966, f. 82 e vijim.
[^49]: Për një analizë të dukurisë së ateizmit nga pikëpamja teologjike, filozofike, psikologjike dhe sociologjike, shih E. Coreth dhe J. B. Lotz, Atheismus kritisch betrachtet. Beiträge zum Atheismusproblem der Gegenwart, Erich Wewel Verlag, München–Freiburg/Br., 1971. Shih edhe Β. Τ. Γιούλτσης, Κοινωνιολογία του αθεϊσμού. Θεματικά όρια και προβλήματα, Selanik 1984.
Përktheu përgatiti për UGO. Dr. Th Bambulla
