Kryepiskopi Joan predikon për besimin, lutjen dhe agjërimin të Dielën e X të Mattheut.
Predikimi për të Dielën X të Mattheut në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit
Predikimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan të Dielën e X të Mattheut Katedralja e Ngjalljes së Krishtit Tiranë, 8 gusht 2026
Episodi i Ungjillit të sotëm lexohet dy herë gjatë vitit liturgjik. Lexohet të dielën e katërt të Kreshmës, nga Ungjilli i Shën Markut, dhe lexohet të dielën e dhjetë të Llukait, nga Ungjilli i Shën Mateut. Historia ndoshta është e njohur për pjesën më të madhe prej jush.
Pasi Zoti u shpërfytyrua në malin Tabor dhe gjithçka ndriçonte nga drita e pakrijuar hyjnore, duke na treguar destinacionin tonë përfundimtar – se njerëzit janë thirrur pikërisht për t’u bërë pjesëtarë të natyrës hyjnore, siç shkruan Shën Pjetri – kemi një kontrast shumë të madh: kur zbret nga mali, Ai ballafaqohet me sëmundjen, me mosbesimin dhe me të gjitha problemet që ndodhin në botën tonë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Moisiun. Pasi mori Ligjin e Zotit në Sinai dhe filloi të zbriste, fytyra e tij shkëlqente, aq sa shpeshherë e mbulonte me një cohë, sepse të tjerët nuk mund ta shikonin. Kur zbriti, gjeti se Izraeli kishte bërë apostazi: kishin mohuar besimin e tyre, kishin bërë një viç të artë dhe i luteshin atij.
Këto dy kontraste nuk janë të rastësishme. Pikërisht ato tregojnë dy gjëra shumë të rëndësishme: thirrjen shumë të lartë që kemi – Zoti na thërret të bëhemi bij të të Lartit – dhe realitetin tonë njerëzor, në të cilin bëhemi shërbëtorë të atij të poshtmit dhe jo bij të të Lartit.
Ungjilli i sotëm ka tri tema shumë të rëndësishme dhe, për këtë arsye, lexohet dy herë gjatë vitit liturgjik. Tema e parë është besimi, sepse Zoti i qortoi të gjithë për mosbesimin e tyre. Tha: «Deri kur do të jem me ju, o brez i shtrembër dhe i pabesë?» Me këtë qortoi jo vetëm njerëzit që ndodheshin aty, as vetëm prindin që kishte sjellë djalin e tij për ta shëruar, por edhe nxënësit e Tij.
Besimi, në kuptimin më të thellë të krishterë, nuk është thjesht të besojmë se ekziston një Perëndi lart. Kjo nuk do të thotë asgjë. Ju kam përmendur shpeshherë atë që shkruan Shën Jakovi në letrën e tij: «Ju besoni se ka një Perëndi; shumë mirë bëni. Edhe demonët besojnë se ka një Perëndi.» Por nuk mjafton vetëm të besojmë se ekziston një Perëndi. Ne duhet të bëjmë veprat që na mëson kjo Perëndi dhe të mbështetemi tek Ai. Besimi i vërtetë është të mbështetemi te Zoti.
Pabesia sjell gjithmonë probleme dhe sëmundje shumë të mëdha shpirtërore, sepse krijon një vend të helmuar, një ambient toksik shpirtëror. Ju e dini këtë edhe në kuptimin material. Nëse shkojmë në vende që janë të infektuara, pa dyshim që do të infektohemi. Madje, shpeshherë, njeriu shkon i përgatitur dhe me maskë, që të mos infektohet, sepse sëmundjet mund të përhapen edhe tek ne. Nëse jetojmë në moçale dhe në këneta, pa dyshim që do të kemi sëmundje. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën shpirtërore.
Nëse në familje nuk krijojmë një ambient të ngrohtë shpirtëror, fëmijët tanë do të jenë më të prekur. Në një vend ku prindërit zihen, vjedhin, tradhtojnë dhe shajnë njëri-tjetrin, çfarë presin ata që të bëjnë fëmijët? Kemi një përgjegjësi shumë të madhe për të gjithë njerëzit e tjerë. Duhet të krijojmë një ambient të mirë shpirtëror. Në një ambient të tillë është më e madhe mundësia që fëmijët të rriten shpirtërisht të shëndetshëm. Nëse janë shpirtërisht të shëndetshëm, kjo është dhurata më e madhe që mund t’u bëjnë prindërit.
Me të drejtë shkruante shkrimtari i famshëm francez Viktor Hygo: «Për fajet e nxënësve duhen rrahur mësuesit dhe për fajet e fëmijëve duhen rrahur prindërit.» Këtë e thoshte për të treguar përgjegjësinë e madhe që ka gjithsecili prej nesh për krijimin e një ambienti shpirtëror.
Si duam ne që fëmijët të mos gënjejnë, kur na dëgjojnë të gënjejmë? Si duam të mos vjedhin, nëse shikojnë prindin që vjedh? Dhe si mundet një prind që mbjell hashash t’i thotë birit të tij të mos përdorë narkotikë? Ne i mësojmë fëmijët jo vetëm me fjalët që themi, por shumë më tepër me atë që jemi.
Prandaj Ungjilli i sotëm na kujton këtë të vërtetë: në një vend ku mungon besimi i madh mund të ndodhin sëmundjet më të tmerrshme shpirtërore. Ndoshta djali i sotëm, që u shërua nga Krishti, nuk kishte faj personal, por natyra e trashëguar e njeriut është e plagosur. Kur themi se njeriu është një qenie e rënë, pikërisht këtë kemi parasysh. E gjithë antropologjia e krishterë mbështetet në këtë: se njeriu ra për shkak të mëkatit dhe u bë i prekshëm nga sëmundjet fizike, nga pasionet dhe nga shtrembërimet shpirtërore. Zoti erdhi pikërisht për ta restauruar këtë ikonë, për ta shëruar këtë ikonë.
Ai kërkon prej gjithsecilit nga ne që të kemi besim tek Zoti. Nëse nuk kemi besim të plotë tek Ai, nuk mund të bëjmë asgjë. Në Ungjillin e sotëm Zoti thotë disa fjalë shumë të rëndësishme për besimin: «Nëse do të keni besim sa një kokërr sinapi…» Sinapi është një bimë shumë e vogël dhe ka ndër farat më të vogla, por, kur rritet, bëhet shumë i madh. «Ju do t’i thoni këtij mali: “Ngrihu dhe hidhu në det”, dhe mali do të ngrihet.»
Në jetën shpirtërore të Kishës sonë, në përmbledhjet që janë nxjerrë dikur, ekziston një episod shumë i bukur për Shën Markun e Athinës, i cili qëndroi për gati nëntëdhjetë vjet në shkretëtirë, në thellësi të Egjiptit. Ai nuk kishte parë as njeri, as kafshë dhe as zog, sepse ndodhej në një shkretëtirë shumë të madhe.
Shën Serapioni, një murg që përpiqej të shkonte në një vend të shkretë, hasi dhe takoi këtë njeri. Kur e pa, fillimisht u tremb, sepse ishte i mbuluar i gjithi me flokë. Por, pasi Shën Marku i foli, ai u qetësua dhe filluan të bisedonin. Meqenëse Shën Marku kishte rreth nëntëdhjetë vjet i larguar dhe jetonte në shkretëtirë, i bëri disa pyetje:
– Vazhdon ende përndjekja kundër të krishterëve?
Ai kishte ikur në shkretëtirë në kohën e përndjekjeve. Shën Serapioni iu përgjigj:
– Ka mbaruar. Të krishterët tani janë të lirë ta adhurojnë Perëndinë e tyre.
Shën Marku u gëzua dhe e pyeti:
– A ka ende të krishterë që t’i thonë malit: «Ngrihu!», dhe mali të ngrihet e të shkojë drejt detit?
Në atë çast, mali që ndodhej pas tyre u shkëput dhe lëvizi gati dy kilometra. Shën Marku u kthye dhe i tha:
– Ndal dhe shko përsëri atje ku ishe! Nuk të thashë ty të largoheshe; po bisedoja me vëllanë tim.
Kur Shën Serapioni pa këtë mrekulli, ra në gjunjë i trembur. Shën Marku e pyeti:
– Nuk keni parë mrekulli të tilla në botën ku jetoni?
– Jo, – iu përgjigj ai.
Atëherë Shën Marku filloi të qante me hidhërim dhe tha:
– Atëherë nuk paska të krishterë atje! Qenkan të krishterë vetëm me emër dhe jo të krishterë me vepra.
Këto histori, që lexojmë në librat e shenjtë, tregohen pikërisht për të na mësuar se, nëse kemi besim të vërtetë tek Zoti, asgjë nuk është e pamundur.
Edhe dialogu që bëri Krishti me të atin e fëmijës është shumë domethënës. Fëmija ishte i sëmurë dhe kishte një frymë të ligë, siç thuhet në Ungjill. Në një variant tjetër thuhet se vuante nga «sëmundja e hënës». Zakonisht quhej edhe «sëmundja e tokës» – epilepsia, siç quhet sot.
Përpara se Zoti ta shëronte fëmijën, i ati iu lut dhe i tha:
– Nëse është e mundur, bëj diçka për ne.
Zoti iu përgjigj:
– Gjithçka është e mundur për atë që beson tek Perëndia.
Dhe e shëroi. Nëse ne do të kemi besim të madh, gjithçka mund të realizohet. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për malet fizike, por edhe për malet shpirtërore: për pasionet e shumta, të cilat mendojmë se ndoshta nuk mund t’i mposhtim dot. Nëse mbështetemi dhe kemi besim tek Perëndia, pa dyshim që do t’i mposhtim.
Edhe dy gjëra të tjera që thotë Zoti janë shumë të rëndësishme. Kur nxënësit e pyetën:
– Përse nuk mundëm ne ta shëronim?
Ai iu përgjigj:
– Për shkak të besimit tuaj të pakët. Ky lloj demonësh del vetëm nëpërmjet lutjes dhe agjërimit.
Lutja dhe agjërimi janë dy krahët e të njëjtit zog, të cilët na lejojnë të fluturojmë drejt qiellit. Lutja dhe agjërimi janë shumë të rëndësishëm. Agjërimi është një mjekim shumë i madh. Nëse njeriu ha më tepër se ç’duhet, pa dyshim që shpirti fillon të pësojë. Sa më tepër që e kontrollon veten dhe është i përkorë, sa më shumë përpiqet të mos e teprojë në shumë gjëra, aq më tepër forcohet.
Shën Vasili i Madh thotë këto fjalë: «Sa më shumë heqim ne nga trupi, aq më shumë merr dhe forcohet shpirti.» Që shpirti të lutet, duhet të ndihmohet nga agjërimi. Agjërimi nuk është vetëm të heqësh dorë nga disa ushqime. Shpeshherë, për fatin tonë të keq, agjërimi është bërë si një dietë:. Nuk është ky agjërimi i vërtetë.
Agjërimi më i thellë është agjërimi shpirtëror: sytë të mos shikojnë skena të turpshme, veshët të mos dëgjojnë thashetheme dhe shpifje, ndërsa njeriu të pastrojë zemrën e tij. Ky është agjërimi i vërtetë. Por agjërimi fizik e ndihmon njeriun që ta pastrojë zemrën, sepse ne nuk mund të lutemi nëse nuk kemi edhe agjërimin. Nëse agjërimi bashkohet me lutjen, pa dyshim që shpirti ynë fillon të ndriçohet.
Prandaj Zoti thotë: «Ky lloj demonësh nuk del, përveçse me lutje dhe me agjërim.» Pasionet e ndryshme që ndodhen në shpirtin e njeriut nuk mund të mposhten pa këto dy praktika: pa agjërimin, kreshmimin dhe lutjen.
Shën Jeronimi thoshte: «Zoti Perëndi nuk kënaqet nga gurgullimat e zorrëve tona kur agjërojmë, por nuk ka rrugë tjetër për t’i mposhtur pasionet.» Ashtu siç nuk mund të shërohemi nga një sëmundje fizike nëse nuk marrim mjekimin, edhe mjekimi shpirtëror për të krishterin është agjërimi dhe lutja.
Lutja, siç kemi folur shpeshherë për këtë temë shumë të rëndësishme, nuk është vetëm thënia e disa fjalëve me buzë. Lutja është një kungim i thellë me Perëndinë. Gjithashtu, lutja nuk është vetëm kërkesë, sepse ne e kemi reduktuar lutjen vetëm në kërkimin e diçkaje prej Zotit. Lutja është një bashkëbisedim me Zotin, një lavdërim që i japim Perëndisë dhe një falënderim. Pa dyshim, në lutje kemi edhe ankesa dhe kërkesa, por lutja nuk është vetëm kjo.
Psalmet e Davidit kanë edhe ankesa, edhe kërkesa, por në pjesën më të madhe janë lavdërim i Zotit dhe një komunikim i thellë me Perëndinë. Që të realizohet një lutje e pastër, nevojitet kreshmimi dhe agjërimi, sepse agjërimi e ndihmon lutjen dhe lutja, nga ana tjetër, e ndihmon agjërimin. Sa më shumë e pastrojmë lutjen, aq më tepër fitojmë fuqi shpirtërore për të mbajtur agjërimin dhe kreshmën që na mëson Kisha.
Duke mos u lutur, ne dëmtojmë veten dhe dëmtojmë edhe ambientin ku jetojmë. Ekziston një histori shumë e bukur nga Izraeli i vjetër, për mësuesin e tyre të madh, Hilelin. Ai kishte një nxënës që e kishte braktisur lutjen, sepse kishte menduar: «Zoti e di për çfarë kam nevojë. Përse t’ia kërkoj unë? Nëse kam nevojë, Ai mund të ma japë.» Këtë e kishte thënë me zë të ulët dhe jo duke u shprehur hapur.
Hileli, duke e kuptuar këtë gjë, e takoi një ditë kur po punonte në një kopsht dhe i tha:
– Do të të flas për një nxënës timin, i cili ka një fermë, por tani e ka braktisur dhe nuk e punon më. Ai thotë: «Zoti, po të dojë, le t’i rrisë të gjitha bimët. Përse duhet të punoj unë?»
Nxënësi iu përgjigj:
– Po kjo është marrëzi, mësues!
Hileli i tha:
– Pse, lutja mos është një punë më e paktë sesa puna në fermë? Nëse ti nuk punon dhe nuk lutesh, si do të gjesh fryte?
Prandaj agjërimi dhe lutja janë dy fryte shumë të rëndësishme të jetës shpirtërore. Le të përpiqemi t’i praktikojmë të dyja, sepse, duke i praktikuar, jo vetëm që do të ndriçojmë shpirtin tonë, por do të krijojmë edhe një ambient shumë të mirë shpirtëror për veten dhe për njerëzit që ndodhen përreth nesh. Amin.
Përgatiti në tekst UGO.AL