E DIELA E DOGANIERIT DHE FARISEUT Lukait 18, 10-14.
![E DIELA E DOGANIERIT DHE FARISEUT](/img/article/842/10_main-v1739089190.jpeg)
KU DO TË MBËSHTETESH?
“Ky zbriti në shtëpinë e tij i drejtësuar.” v. 14.
Zoti, me shëmbëlltyrën e sotme, hedh dritë mbi një nga problemet më të vështira të njeriut. Problemin e shpëtimit të tij; dhe, veçanërisht, se ku do të mbështetet njeriu, që të arrijë shpëtimin e tij. Ky problem, gjithmonë aktual, gjendet në qendër të interesit tonë. Në fund të fundit, këtij i referohen dhe dëshirat tona më të thella dhe vizionet tona. Por, zakonisht, ndodh, që të ndjekim një shteg të rrezikshëm, një rrugë të gabuar. Prandaj, le të lejojmë të na udhëheqë Zoti dhe në këtë çështje.
Dy njerëz shkuan që të luten në tempullin e Solomonit. Njëri ishte Farise. Domethënë, i përkiste asaj klase, që dallohej për devotshmërinë e saj në formalizmin fetar, por zemrën e saj e kishte të larguar nga Perëndia dhe dëshira e Tij e shenjtë. Këta njerëz shfaqeshin së jashtmi si shpresëtarë. Por, në realitet, nuk e donin as Perëndinë dhe as njerëzit e tjerë. Donin vetëm veten e tyre. Siç tha Zoti në një rast tjetër, ngjanin me varre, që së jashtmi duken të bukur, por brenda janë të mbushur me ndyrësi.
Tjetri ishte Doganier. Dhe ai mëkatar, ashtu si i pari. Puna e tij ishte të mblidhte taksat romake. Një profesion i famshëm për padrejtësinë dhe shtypjen e njerëzve, të cilat ishin karakteristikat e tij kryesore.
Fariseu qëndroi në këmbë, në mënyrë që të dukej mirë, dhe lutej për veten e tij me këto fjalë: “O Perëndi, të falënderoj, se nuk jam si njerëzit e tjerë, që janë grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, ose edhe si ky tagrambledhësi. Por kam edhe virtyte. Kreshmoj dy herë në javë, -të hënën dhe të enjten- jap të dhjetën nga të gjitha sa fitoj, madje dhe nga më të paktat dhe më të parëndësishmet, për të cilat ligjin nuk detyron për të dhjetën.
”Nuk do të mund të kishte lutje më neveritëse për Perëndinë, nga kjo që dëgjuat. Sepse e frymëzon mendjemadhësia, ajo ndjenjë e pështirë, që rrëzoi dhe Eosforin nga qiejt, shkaku i çdo mëkati. Fariseu nuk e konsideron veten e tij si të tjerët. Ai është i miri, shprestari, i patëmeti, dhe të tjerët janë fajtorë, të përjashtuar, të mallkuar. Kujton se, meqenëse nuk vodhi, nuk e shkeli ligjin, është i pamëkatshëm. Mendon se, meqenëse kreshmonte dy herë në javë dhe nga ato që fitonte, ofronte të dhjetën në tempull, është një arkë e gjallë virtytesh. Nuk e kuptonte i mjeri, se duke qenë zemra e tij e zbrazët nga dashuria për njerëzit të tjerë, të gjitha ato, për të cilat mburrej, ishin të padobishme, pa ndonjë vlerë. Dhe se, me krenarinë e tij, i kishte asgjësuar dhe i kishte fshirë të gjitha të mirat, që mund të kishte bërë.
Por, le të shikojmë tani se si u lut personi i dytë i shëmbëlltyrës, Doganieri. Ai nuk hyri brenda në vendin e shenjtë të Tempullit, siç bëri i pari. Qëndroi larg -na thotë Zoti. Kishte aq shumë ndjenjë për padenjësinë e tij, kuptonte aq thellë sesa i ndotur ishte nga mëkati, saqë qëndroi atje mënjanë nga ndrojtja, nga frika, nga pikëllimi. Por tregoi dhe se di të sillet ndryshe, i lumuri. Nuk donte as sytë e tij t’i ngrinte drejt qiellit, nga ku do ta dëgjonte Perëndia. Dhe çfarë bëri? Rrihte kraharorin e tij, duke treguar kështu, sesa shumë e ndjente fajin e tij. –“O Perëndi, mëshiromë mua mëkatarin.” Ai nuk shikon të tjerët, si Fariseu. Ata i fsheh mëkati i tij, që e shqetëson aq shumë dhe do, që ta largojë. Dhe kështu është një përsëritje e gjallë e fjalëve të Psalmistit. “Dhe mëkati im është përpara meje kurdoherë”. Psalm 50, 5.
Ai nuk thotë shumë fjalë, ashtu si Fariseu. Thekson vetëm dy gjëra të domosdoshme: Mëshirën e Perëndisë dhe mëkatin e tij. Cila lutje tjetër, do të mund të qëndronte kaq e mirëdëgjuar nga Perëndia, sesa ajo që dëgjuat? “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, që ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.” Isaia 66,2.Çfarë tjetër e tërheq më tepër mëshirën që lartazi, sesa përulësia e bekuar?
Është mirë të falënderojmë Perëndinë, që na mbron nga shumë mëkate, por falënderim i sinqertë përmban përulësi. Fariseu nuk tha si apostull Pavli: “Me hirin e Perëndisë jam ai që jam”. 1 Korinthianëve 25, 10. Por tha: “Nuk jam si njerëzit e tjerë”. Virtyti im është arritja ime; nuk jam si të tjerët, që janë të mjerë dhe mëkatarë.
Oh, ç’ lutje e papërshtatshme, që dilte nga një zemër kryelartë! Sepse “lutej me veten e tij”, tha Zoti; për veten e tij dhe vetes së tij ia thoshte këto. Nuk fliste thelbësisht ndaj Perëndisë, por admironte dhe përgëzonte veten e tij, dhe tregonte virtytin për ata që e dëgjonin. Oh, mendjemadhësia! Çfarë katandisje është, çfarë shëmtire! Si na zhvesh nga hiri i Perëndisë dhe si i prish mundimet, që kemi bërë për virtytin!
Dhe janë mjaft ata, që e imitojnë. I dëgjoni të flasin për “arritjet” dhe “sukseset” e tyre. Të akuzojnë veten e tyre? Por, për çfarë gjëje? Nuk bënë dhe ndonjë të keqe. Nuk vodha, ju thonë. Nuk vrava. Përkundrazi, bëra aq të mira sa munda. “Ndihmova filanin në këtë çështje.” “Dhashë këtë ndihmë tek ajo familje fatkeqe.” Veten e tyre e konsiderojnë shembull në të gjitha. Janë pikërisht këta Farisenj për të cilët Zoti tha: “Ju jeni ata, që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, është e neveritshme përpara Perëndisë.” Luka 16, 15.
Mos vallë, pra, vetëbesimi, ndjenja e vetëmjaftueshmërisë, që provojnë disa, është një mashtrim shkatërrues, i aftë, që të na dëmtojë në mënyrë të pandreqshme në përjetësi? Për më tepër, Zoti, me personin e dytë, që futë në vazhdim të shëmbëlltyrës, do, që ta tronditë vetëbesimin tonë të keq dhe të forcojë akoma më tepër brenda nesh besimin ndaj Perëndisë.
Doganieri i dërrmuar është, pikërisht, shprehja e këtij besimi. Përbën personifikimin e shpresës në mëshirën e Perëndisë. Nuk guxon, as të ngrejë shikimin drejt qiellit, as të thotë fjalë të shumta; qëndron atje në fund të Tempullit. I përkulur godet kraharorin e tij duke përsëritur të njëjtat fjalë: “O Perëndi, mëshiromë mua mëkatarin.” Me këto fjalë shpreh “besimin” e tij, ndjenjën e tij. Nuk mbështetet tek vetja e tij, që është mëkatare. Mbështetet tek Perëndia dhe tek mëshira e Tij.
Pranë Doganierit dhe me të njëjtat fjalë të tija, shumica të panumërta të krishterësh, ia besojnë veten e tyre mëshirës dhe dhembshurisë së Perëndisë. Bënë ç’të mirë mundën, por këtë nuk e konsideronin të mjaftueshme. Pas të gjithave shikonin mëkatin e tyre dhe fajin e tyre, përballë Perëndisë Triadik. Prandaj dhe u hodhën në detin e dashurisë së Tij, me të vetmin mjet shpëtimi bindjen se, “Zoti është i dhembshur dhe përdëllimtar, zemërgjerë dhe mëshirëplotë”. Psalm 102, 8.
Le ta hedhim shpresën tonë tek Perëndia. Ku dhe tek kush do të mbështetemi? Çfarë mund të shpresojmë? Çfarë mund të presim? Asgjë. “Po të vësh re paudhësitë o Zot, kush ka për të mbetur?” Pyet me agoni Psalmisti. Që të përgjigjet vetë ai duke depozituar njoftimin e tij të brendshëm, “se pranë Teje është ndjesa”. Psalm 129, 3-4. Ai është që na fal. Pranon dhe ofrimin tonë më të vogël, njeh çdo përpjekje të mirë, llogarit cilëndo punë, që bëjmë me përulësi, si shprehje të besimit tonë. Dhe i vlerëson. Komenti, që si përfundim bën Zoti, është i prerë dhe i qartë: “Ky zbriti në shtëpinë e tij i drejtësuar dhe jo ai”. Jo Fariseu mendjemadh, por Doganieri, që rënkoi dhe lotoi dhe iu dha dashurisë së Perëndisë, fitoi shpëtimin. Dy njerëz, dy botë, dy tipa përfaqësues, kaluan sot para nesh. Njëri donte të dukej i drejtë. Prandaj mbështetej tek shpikjet njerëzore dhe dredhitë. Tjetri kërkonte të bëhej i drejtë. Prandaj u mbështet tek Gatuesi dhe Krijuesi i tij.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Në një epokë, që njerëzit bëjnë çdo gjë vetëm për t’u dukur, le të imitojmë Doganierin: Të bëhemi më të lartë dhe të drejtë, siç duhet të jenë me të vërtetë të Krishterët. U bëftë!
Ish Mitropoliti i Beratit,Vlorës dhe Kaninës +IGNATI
![Në intubim përsëri Mitropoliti i Konicës (Greqi)](/img/article/842/9_tn-v1739088811.jpg)
![Ka dy gjëra që njeriu mund t'i bëjë vetëm në gjuhën e tij amtare](/img/article/842/7_tn-v1738855713.jpg)