Fjala e Atë Aleks Ndonit, epitrop arkihieratik, në ditën e Fronëzimit të Kryepiskopit

2824
01 Prill 21:16
13
Fjala e Atë Aleks Ndonit, epitrop arkihieratik, në ditën e Fronëzimit të Kryepiskopit

Le të jetë fronëzimi juaj një dritë e re, një burim hiri për çdo shpirt që kërkon Zotin, dhe një bekim i përjetëshëm për KOASH-in.

 

U publikua në faqen zyrtare të facebook-ut të Radios Ngjallja fjala e Atë Aleks Ndonit, epitrop arkihieratik, në ditën e Fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe I Gjithë Shqipërisë Imzot Joanit.

Vijon si më poshtë

29 mars 2025

Fortlumturi!

Sot është një ditë e gëzimi për të gjithë ne klerikët dhe besimtarët orthodhoks. Sot ne jemi bledhur me shumë dashuri, mirënjohje dhe respekt për të kremtuar fronëzimin tuaj si Kryebariun tonë.

Më lejoni, që në emër të të gjithë klerikëve dhe besimtarëve të kryepiskopatës së shenjtë të Tiranës dhe Durrësit, t’ju shprehim urimet tona më të sinqerta, për zgjedhjen tuaj, si kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Zoti ju dhëntë shëndet, jetëgjatësi, fuqi shpirtërore dhe urtësi, që të përmbushni përgjegjësinë e madhe që ju është besuar. Le të jetë fronëzimi juaj një dritë e re, një burim hiri për çdo shpirt që kërkon Zotin, dhe një bekim i përjetëshëm për KOASH-in.

I gjithë rrugëtimi i Kryepiskopit tonë të ri, të sapozgjedhur, fortlumturi Joanit, që nga fillimi e deri më sot është një rrugëtim përkushtimi ndaj Krishtit dhe Kishës, një rrugëtim ku ka mbizotëruar dashuria, përulësia, mirënjohja ndaj gjithë besimtarëve orthodhoks. Të gjitha këto cilësi i ka shpalosur më së miri për 27 vjet rresht si drejtues i mitropolisë së Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës. Si mitropolit i Korçës ka dhënë një kontribut të çmuar në restaurimin dhe ndërtimin e shumë kishave dhe manastireve, duke kthyer kështu jetën shpirtërore në këtë komunitet. Ka dhënë një kontribut të çmuar në përkthimin e shumë teksteve teologjikë, dhe është autori i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe.

Si themeluesi dhe drejtuesi i revistës periodike“Tempulli”, ai ka kontribuar në përhapjen e njohurive teologjike dhe kulturore në komunitet. Roli i fortlumturisë së tij, imzot Joanit është vlerësuar jo vetëm në aspektin shoqëror por edhe në atë humanitar dhe social. Me iniciativën e tij është hapur në Korçë një mencë që prej 27 vjetësh, që ndihmon çdo ditë njerëzit në nevojë.

Fortlumturi Joani ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri, duke marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi teologjinë, historinë dhe filozofinë. Për këto kontribute ai është nderuar me tituj të spikatur në fushën e kulturës, arsimit dhe dialogut ndërfetar. Pikërisht këto arritje, dhe përkushtimi i tij i palodhur, kanë luajtur një rol kyç, në ringjalljen e besimit dhe përmirësimin e jetës shpirtërore dhe sociale jo vetëm në mitropolinë e Korçës, por edhe më gjërë.

Në këtë ditë të shenjtë zemrat tona kthehen me respekt drejt kujtimit të kryepiskopit tonë të ndjerë Anastasit, figura e të cilit do të mbetet një model frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në vlerat e paqes, dashurisë dhe shërbimit ndaj njerëzve. Kryepiskopi i sapozgjedhur, fortlumturi Joani, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë, i të ndjerit kryepiskop Anastas, për 32 vjet rresht duke kontribuar përkrah tij, në rimëkëmbjen e kishës së shkatërruar në Shqipëri. Kjo përvojë kaq e madhe e ka përgatitur fortlumturinë për detyrën e re dhe sfidat që e presin në të ardhmen. Shprehim besimin dhe shpresën se nën udhëheqjen e kryepiskopit të Ri, KOASH-i, do të vazhdoj të rritet dhe forcohet duke ndjekur trashëgimninë e lënë nga Kryepiskopi i ndjerë Anastasi dhe duke u përshtatur me nevojat e Kishës sonë.

Le të falenderojmë Perëndinë e gjithëpushteshëm, burimin e çdo bekimi që na ka dhuruar këtë ditë të mrekullueshme dhe këtë udhëheqës të ri.
Sot të gjithë ne klerikët dhe besimtarët, po shohim në këtë moment historik, një shenjë të fuqishme, të vazhdimësisë, shpresës dhe përkujdesjes hyjnore për popullin e Zotit.

Prandaj fortlumturi ju siguroj se: dashuria, respekti, bindja dhe mbështetja e plotë e komunitetit të klerit dhe besmitarëve në misionin tuaj të shenjtë, nuk do të mungoj asnjëherë.

Duke qenë të vendosur në unitet dhe në bashkëpunim me njëri-tjerin, do të arrijmë të përmbushim synimet tona të përbashkëta.

Të lutemi të gjithë së bashku, që Perëndia t’i japë Kryepiskopit të Ri, të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë fortlumturisë së Tij, Joanit, forcën, urtësinë dhe hirin e nevojshëm, për t’a çuar përpara këtë mision të shenjtë.

Për shumë vjet o Kryezot!
Përgjithmonë qofsh i denjë, në krye të KOASH-it.
Lavdi Zotit për gjithçka!

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu