Mitropoliti Nathanail kremton njëvjetorin e fronëzimit në Gjirokastër
Liturgjia u kremtua në Katedralen "Ngjallja e Krishtit", me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Beratit, Vlorës e Kaninës, Asti, dhe kryebashkiakut Flamur Golemi.
Mitropolia e Gjirokastrës kremtoi sot njëvjetorin e fronëzimit të Mitropolitit Nathanail në Fronin e Mitropolisë së Hirshme të Gjirokastrës. Sipas njoftimit të vetë Mitropolisë , kremtimi u zhvillua në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" me Liturgji Hyjnore kryepriftërore.
Në ceremoni morën pjesë Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail, dhe Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Asti. Kremtimi u lidh me festën e Lartësimit të Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës, ndërsa predikimin e mbylljes së festës e mbajti vetë Mitropoliti Nathanail. Në fjalën e tij, ai theksoi se Kryqi i Krishtit nuk është vetëm simbol vuajtjeje, por shprehje e dashurisë hyjnore dhe portë drejt ngjalljes.
Mitropoliti Nathanail falënderoi Perëndinë për shërbesën baritore që i është besuar, si dhe klerin dhe besimtarët e Mitropolisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen gjatë vitit të parë të shërbimit të tij. Një falënderim i veçantë iu drejtua Mitropolitit Asti për pjesëmarrjen në këtë gëzim shpirtëror.
Në emër të klerit dhe besimtarëve të Mitropolisë, Mitropolitin Nathanail e përshëndeti Protopresviter Atë Emiliano Lito, i cili shprehu mirënjohje për dashurinë atërore të Kryebariut ndaj grigjës dhe i uroi vazhdimësi me të njëjtin zell në shërbesën baritore. Pas Liturgjisë, në Qendrën Shpirtërore të Katedrales u organizua një pritje për klerin dhe besimtarët. Në përvjetor ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Golemi, i cili përshëndeti dhe uroi Mitropolitin Nathanail me këtë rast.
Nuk është hera e parë që aktivitetet e Mitropolisë së Gjirokastrës tërheqin vëmendjen e besimtarëve; kohët e fundit vëmendja ra edhe mbi kremtimin e Shën Anës në Pogon, ku Mitropoliti Nathanail kreu një tjetër Liturgji të rëndësishme për besimtarët e zonës.
Kisha ripërtëriu lutjen që Perëndia ta ruajë, ta ndriçojë e ta forcojë Mitropolitin Nathanail në misionin e tij baritor, duke i dhënë shëndet, urtësi dhe fuqi për vazhdimin e shërbesës së shenjtë të besuar për të mirën shpirtërore të grigjës së Mitropolisë së Hirshme të Gjirokastrës.