Kryepiskopi Joan predikon mbi Kryqin e Krishtit në Katedralen e Tiranës

2824
14:02
2
Kryepiskopi Joan predikon mbi Kryqin e Krishtit në Katedralen e Tiranës

Në predikimin e Dielës pas Lartësimit të Kryqit, ai bëri thirrje për përulësi, mohim të vetes dhe bashkim të kryqeve tona me Kryqin e Krishtit.

"Le ta kthejmë çdo kryq tonin në Kryq të Krishtit"

Predikim nga Fortlumturia e Tij, † Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë — E Diela pas Lartësimit të Kryqit të Nderuar

Të dielën e sotme përkujtojmë përsëri Kryqin. Predikimi që bën Krishti në episodin e Ungjillit të sotëm, është nga më të rëndësishmet në jetën tonë. Ndaj, do të doja t'i kushtojmë vëmendje të gjitha fjalëve që thotë Zoti. Ai e fillon predikimin duke thënë: "Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij". Në logjikën e njeriut ndoshta mund të shfaqet një dyshim: ç'do të thotë të mohojmë veten tonë? Për cilën vete e ka fjalën realisht Krishti?

Krishti nuk e ka fjalën për veten tonë të vërtetë, por për veten e shtrembëruar. Adami u shkëput nga Zoti dhe vetja e tij u deformua, e si rrjedhojë, të gjithë njerëzit pa përjashtim krijojnë një pseudovete. Ajo ushqehet nga dëshira për t'u pëlqyer të tjerëve ose nga imazhi që duan që të tjerët të shohin tek ata. Edhe kjo pseudovete është një parazit, sepse sipas doktrinës orthodhokse, e keqja nuk ka substancë, nuk ka qenie; është një deformim i të mirës, është mosprania e të mirës. Ashtu si errësira nuk ekziston në vetvete, por është thjesht mungesa e dritës.

Prandaj, Zoti kërkon nga ne që ta largojmë këtë parazit e të shohim veten tonë reale. Shenjtorët pikërisht këtë gjë bënë. Po si mund ta zhdukim ne pseudoveten? Vetëm përmes përulësisë. Nëse jemi krenarë dhe kemi një ego shumë të fortë, pa dyshim që nuk mund të largohemi nga pseudovetja. Ja çfarë ndodh me pseudoveten: ne e vendosim veten në skllavërinë e diçkaje që nuk është realisht jona. Ne e tjetërsojmë dhe e bëjmë të huaj veten tonë nga vetja e vërtetë.

Pendimi sjell kthimin tek vetja. Prandaj, në parabolën e Djalit Plangprishës thuhet që, kur djali u pendua, njohu veten reale. Fjala që përdoret në Ungjill është pikërisht kjo: "dhe ai erdhi në vete". Ne e themi shpeshherë këtë shprehje: "nuk është në vetë", eja në vete" ose "ka ikur nga vetja". Për të gjetur veten e vërtetë nuk është aq e lehtë; kjo kërkon një përulësi dhe një dituri shumë të madhe. Nëse dikush arrin të zbulojë veten e tij të vërtetë, do të dallojë diçka thelbësore: do të kuptojë që nuk ka asgjë për të qenë krenar dhe do të përulet. Dhe përulësia do të sjellë hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të ndryshojë e do të shërojë gjithçka brenda nesh.

Por, që të mundim këtë parazit, ne duhet të marrim Kryqin. Prandaj Zoti shton: "le të marrë kryqin e tij e të më vijë pas". Çfarë do të thotë të marrim kryqin? Kryqi do të thotë që gjithsecili prej nesh, çdo gjë që t'i ndodhë në jetë, ta presë me durim dhe me shpresë tek Perëndia. Vuajtjet e ndryshme nuk do të na mposhtin, nëse i sjellim ato pranë Kryqit të Krishtit. Njerëzve do t'u ndodhin sprova dhe do të kenë kryqe në jetë, duam apo nuk duam ne. Kjo "luginë lotësh", siç e kanë quajtur të vjetrit botën, nuk kalohet pa derdhur lot. Gjithsecili do të ketë vështirësi të shumta.

Nëse arrijmë të kuptojmë misterin e Kryqit të Krishtit dhe çdo kryq tonin e kthejmë në Kryq të Krishtit, ne do ta mundim pseudoveten, do të gjejmë veten e vërtetë dhe do të marrim shërimin. Njerëzit shpeshherë kanë ankthe shumë të mëdha dhe pasiguri, të cilat u krijojnë atyre një kryq shumë të madh. Çdo njeri ka kryqet e veta. Mund të jenë kryqe që burojnë nga frika, nga pasiguria, nga pasionet apo nga fatkeqësitë personale, familjare e më gjerë. Të gjitha këto kryqe mund ta mundin njeriun ose mund ta deformojnë; mund ta mbushin me urrejtje e me zemërim ndaj të tjerëve, duke i shtuar ankthin e gjithçka tjetër.

Megjithatë, problemi i njeriut nuk është asnjëherë jashtë, por brenda zemrës sonë. Nëse ne arrijmë ta mposhtim pseudoveten brenda nesh, e kemi mundur të keqen. Por këtë nuk mund ta bëjmë pa praninë e Zotit. Kur Zoti na thotë që gjithsecili prej nesh duhet të mohojë veten e tij e të marrë kryqin, Ai po na tregon rrugën në të cilën duhet të ecim. Ai po na tregon shpëtimin dhe po na ofron mjekimin, sepse po nuk e morëm këtë mjekim, nuk mund të shërohemi.

Problemi më i madh i njerëzve, dhe sidomos i qytetërimit të sotëm, është se ata mendojnë që janë në rregull shpirtërisht dhe nuk e kuptojnë egoizmin që kanë brenda. Nëse do të gjenin veten e vërtetë, ata do ta merrnin kryqin. Sepse kryqi përfaqëson të gjitha sakrificat që bëjmë ne për të tjerët. Nëse njerëzit do të bënin sakrifica, nuk do të kishte aq shumë grindje me njëri-tjetrin, se egoizmi nuk pranon asgjë. Ai nuk pranon qortimin dhe nuk pranon që dikush tjetër ta udhëzojë. Egoisti dëshiron gjithmonë që t'i realizohen tekat e veta. E gjithë kjo sjell turbullirë, duke helmuar marrëdhëniet ndërnjerëzore. Sot, është pikërisht egoizmi ai që i helmon këto marrëdhënie, sepse tjetri nuk shihet më si person, por thjesht si një mjet për të realizuar qëllimet personale.

Prandaj, nëse ne do të pranojmë çfarëdolloj kryqi, edhe familja do të jetë më e fortë. Një familje që bën sakrifica është një familje e fortë. Një familje që nuk bën sakrifica është një familje e dobët dhe shumë shpejt mund të thyhet. Njerëzit duhet të pranojnë çfarëdolloj kryqi. Dikush ndoshta mund të ketë një martesë të vështirë, por nëse do ta pranojë këtë kryq, Zoti do ta kthejë atë në ngjallje, ashtu siç ktheu kryqin e tij. Nëse ne e bashkojmë kryqin tonë me Kryqin e Krishtit, ai do të triumfojë mbi çdo të keqe. Prandaj dhe Zoti na kërkon që të mohojmë veten, pseudoveten, e të marrim kryqin për ta ndjekur pas.

Më tej, Ai vazhdon të thotë fjalë shumë të rëndësishme për jetën tonë: "Kushdo që do ta fitojë jetën e tij, do ta humbasë; dhe ai që do ta humbasë atë për mua dhe Ungjillin tim, do ta fitojë". Në dukje kjo ngjan me një paradoks dhe duket sikur nuk ka logjikë: si mundet që ai që do ta fitojë, ta humbasë, dhe ai që do ta humbasë, ta fitojë?! Pikërisht këtë të vërtetë po tregon Zoti. Një njeri që është egoist dhe përpiqet ta fitojë jetën e tij vetëm për vete me çfarëdo lloj mjetesh, përmes vjedhjes, korrupsionit e shumë gjërave të tjera që i gjejmë rëndom sot, nuk do ta fitojë shpirtin e tij.

Prandaj, Zoti pas këtyre fjalëve thotë: "Çfarë do të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të tij?". Sikur gjithë botën të fitojë një njeri, nëse humbet shpirtin, e ka humbur të gjithë botën, ka humbur gjithçka. Nëse njeriu ka fituar shpirtin e tij, ka fituar gjithçka. Të humbësh jetën për Ungjillin do të thotë që, edhe kur ke mundësi të vjedhësh, nuk vjedh; edhe kur ke mundësi të përfshihesh në korrupsion dhe të marrësh ryshfet, ti nuk e pranon atë; edhe kur ke mundësi të bësh një padrejtësi, nuk e bën atë.

Në këto raste, njerëzit mendojnë sikur ky njeri ka humbur. Për shembull, nëse një gjykatës është i drejtë e nuk bën asnjë padrejtësi, bota mendon se ai nuk ka fituar asgjë në shkëmbim të favoreve apo ndereve që mund t'u ektë bërë të tjerëve. Megjithatë, ai që në dukje nuk ka fituar asgjë, ai ka fituar të gjithën. Sepse çdo njeri që vepron me drejtësi e dhembshuri dhe e mban kryqin e tij, ai e ka bashkuar atë kryq me Kryqin e Krishtit. Dhe ne e dimë që kryqi nuk është përfundimi i udhëtimit shpirtëror; Ngjallja është destinacioni përfundimtar. Çdo kryq yni që bashkohet me Kryqin e Krishtit kthehet në ngjallje dhe në shërimin tonë.

Prandaj, shenjtorët duronin çdo gjë: sharjet, fyerjet dhe përbuzjet. Ata nuk zemëroheshin, madje luteshin për përndjekësit e tyre. Një njeri shumë i ditur dhe i shenjtë ka thënë këto fjalë, të cilat jua kam thënë edhe një herë tjetër: "Në jetën time kam gëlltitur shumë gjëra, dhe duke i gëlltitur ato, u shërova". Ai bën një analogji me mjekimin: kur marrim një ilaç, ne e gëlltisim atë që të na shërojë. Ilaçi mund të jetë i hidhur, por shërimi do të jetë i ëmbël. Prandaj, Ungjilli i sotëm është aq i rëndësishëm për jetën tonë.

Vargu i fundit që thotë Zoti në këtë Ungjill, lidhet përsëri drejtpërdrejt me jetën tonë të përditshme: "Kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë". Kjo është një fjalë e ashpër për gjithsecilin prej nesh. Sepse njerëzve shpeshherë u vjen turp të bëjnë shenjën e kryqit në publik; u vjen turp për Krishtin, pasi në sytë e botës kjo duket marrëzi. Si mund t'i vijë njeriut turp për Zotin?! Para kujt të vijë turp?!

Një mitropolit i shenjtë thekson: "Të kesh turp për Krishtin është njësoj si të kesh turp për babain në prani të derrit, ose të kesh turp për nënën në prani të dhisë. Pra, si mund të kesh turp për Zotin në prani të njerëzve mëkatarë?!". Ky është absurdi më i madh. Ne nuk duhet të kemi turp për besimin tonë, as duhet të kemi ndrojtje për ta shpallur atë kudo. Sepse për ne, Krishti është lavdi dhe Ai është Shpëtimtari ynë. Si mund të na vijë turp për Bamirësin, Shpëtimtarin dhe Zotin tonë? Prandaj, Zoti e përsërit atë fjalë, se kujdo që do t'i vijë turp për Atë në këtë brez të shtrembër e kurorëshkelës, edhe Atij do t'i vijë turp për të.

Prandaj, duhet ta marrim besimin tonë seriozisht, sepse me Zotin nuk mund të luhet. "Me Zotin nuk mund të tallesh", thotë një fjalë e urtë në Dhjatën e Vjetër. Nëse e bëjmë këtë, jemi ne ata që humbasim. Besimi ynë është një thesar i çmuar shpirtëror. Madje, ne kemi për detyrë ta përhapim atë kudo. Sepse, nëse besojmë që besimi ynë është drita, por e mbajmë atë vetëm për vete, ajo dritë do të fillojë të pakësohet e në fund do të shuhet fare. Ajo dritë shtohet vetëm duke u ndarë me të tjerët. Duke e ndarë me të tjerët, ne realisht dëshmojmë praninë e dritës në shpirtin tonë. Përndryshe, ne e mohojmë besimin si brenda vetes, ashtu edhe para të tjerëve.

Le të meditojmë, pra, rreth këtyre fjalëve e le të përpiqemi t'i zbatojmë ato në jetën tonë të përditshme, sepse predikim i Ungjillit të sotëm, së bashku me Predikimin në Mal, janë themeli i Ungjillit. Çdokush që kupton misterin e Kryqit dhe misteret që shpalos Zoti në këtë episod që lexuam sot, ai njeri ka hyrë në rrugën e vërtetë; në rrugën që do t'i sjellë dritë, paqe dhe gëzim. Amin.

Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, Tiranë, 20.09.2026

 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu