Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

2824
17:42
Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Kisha e Ungjillëzimit, Tiranë 25 mars, 2026

Festa e sotme njihet nga të gjithë dhe është festë shumë e rëndësishme. Në çdo festë lexojmë një pjesë nga Ungjilli, por shpesh ngaqë familjarizohemi me leximin, nuk i kushtojmë vëmendje fjalëve. Dhe gjithmonë, më e keqja është kur njeriu mendon se e di. Nuk i dimë dot të gjitha. Edhe sikur të kemi studiuar vite e vite, përsëri në gjendje të ndryshme emocionale, mund të kuptojmë gjëra të tjera. Kjo është jeta shpirtërore, një rritje e vazhdueshme. Shën Jeronimi thoshte këto fjalë: Leximi, dhe ka fjalën për leximin e Biblës, nuk është në të lexuarit, por në të kuptuarit. Nëse do të fillojmë të kuptojmë dalëngadalë nga Shkrimi i Shenjtë, do të krijojmë një pasuri shumë të madhe shpirtërore brenda nesh dhe do ta shijojmë çdo lloj feste të Kishës, sidomos festën e sotme që është fillimi i shpëtimit tonë dhe zbulimi i një misteri shumë të vjetër.

Si fillon dialogu ndërmjet engjëllit dhe të Tërëshenjtës? Ai i drejtohet me fjalën: Gëzohu. Fjala gëzohu është shumë e rëndësishme, sepse Ungjilli pikërisht këtë kuptim ka: Lajmi i Mirë. Lajmi i mirë për çfarë? Lajmi i mirë ishte që do vinte një Shpëtimtar, për të shpëtuar njerëzimin. Shumë popuj, filozofë, njerëz të ndryshëm kanë folur vazhdimisht me shpresën për ardhjen e një shpëtimtari, por Shpëtimtari i vërtetë ishte pikërisht Krishti. Çdo pjesë tjetër rryme filozofike ose njerëz që mendojnë se janë shpëtimtarët e njerëzimit janë antikrishti, sepse vetëm Krishti mund të na shpëtojë. Vetëm Perëndia ka fuqinë për të na shpëtuar. Prandaj dhe ky është Lajmi i mirë, siç edhe vetë fjala ‘Ungjill’, që do të thotë Lajmi i mirë. Prandaj dhe Zoti nëpërmjet engjëllit na thote: Gëzohuni. Kjo ditë është një ditë e gezuar, madje edhe i gjithë ajri mbushet me gëzim. Në mënyrë ndoshta instinktive, njerëzit e kuptojnë që kjo ditë shpreh një gëzim shumë të madh, edhe kur ndoshta nuk mund ta artikulojnë arsyen përse. Megjithatë të gjithë e ndjejnë gëzimin. Gëzimi vjen pikërisht sepse gjithsecili nga ne është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Çdo njeri, pa përjashtim, e ka ikonën e Perëndisë brenda tij. Pikërisht, detyra jonë është ta restaurojmë këtë ikonë, gjë që nuk e realizojmë dot vetëm. Po me praninë e Zotit mund ta resturojmë ikohën tonë dhe t'i japim ndriçimin e parë. Gëzimi është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë, prandaj flasim shpesheherë për të. Gëzim nuk do të thotë kënaqësia që ndjejnë njerëzit. Gëzimi është bekim i madh shpirtëror. Kur njeriu mbushet brenda me hirin e Shpirtit të Shenjtë, kjo i jep atij një dimension krejt të ndryshëm: dimensionin e tij të vërtetë, për të cilën është krijuar. Gëzimi nuk ka lidhje me temperamentin e njeriut, as me pasurinë, as me gjëra të tjera si këto. Ai është dhuratë nga Zoti. Dhe kjo dhuratë nga Zoti vjen kur zemra jonë është e pastër, sepse Zoti nuk mund të qëndrojë aty ku është e keqja. As bekim nuk mund të ketë aty ku është e keqja. Siç e shkruan profeti Isaia që nuk ka paqe, nuk ka gëzim për të paudhët (Is.48:22). Aty ku është e keqja nuk ka as paqe, as gëzim. Vetëm aty ku është Zoti, ka paqe edhe ka gëzim. Prandaj dhe Zoti na thotë: Gëzohu. Gëzohu, sepse shpirti i Ungjillit është shpirt fuqie. Si shkruan Shën Pavli, Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por na ka dhënë frymë paqeje, gëzimi (2 Tim.1:7). Çdo njeri që ka kungim me Perëndinë e ndjen gëzimin.

Festa e sotme është shumë e rëndësishme për ne, për të medituar edhe për shpëtimin tonë. Ndaj dhe leximet që bëjmë në kishë, nuk janë thjesht nga ana intelektuale, që të mësojmë si është ngjarja. Ne mund ta kemi lexuar me qindra herë, por nëse nuk marrim pjesë shpirtërisht, nuk kuptojmë dot asgjë. Këtë kuptim kanë fjalët e shën Jeronimit, që leximi i Shkrimi i Shenjtë nuk është në të lexuarit, por në të kuptuarit dhe akoma më thellë është në të shijuarit e asaj që lexohet. Sikundër jap shpeshherë një shembull, që ne mund t'i njohim miqtë tanë, e dimë që janë shumë të dashur, megjithatë na pëlqen të rrimë me ta. Dhe kur na pëlqen që të rrimë me ta, kjo do të thotë që miqësia jonë është e vërtetë dhe ne e shijojmë atë gjë. E njëjta gjë është dhe me Shkrimin e Shenjtë. Ne mund ta dimë ngjarjen, por kur fillojmë dhe shohim ëmbëlsinë e Shkrimit të Shenjtë dhe mesazhet shpirtërore që ai jep, atëherë Shkrimi bëhet yni. Dhe, pjesën e sotme të Ungjillit, do t’ju rekomandoja ta lexoni edhe njëherë kur shkoni në shtëpi, sepse aty kemi një takim ndërmjet Zotit dhe njeriut. Zoti zgjodhi një vajzë të re për këtë detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ai zgjodhi njeriun më të pastër që ka ekzistuar ndonjëherë, sepse, padyshim, Zoti do të zgjidhte më të mirën e të mirëve për planin e Tij. E Tërëshenjta ishte përgatitur për këtë gjë. Ajo kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës së saj në tempull; njihte Shkrimin e Shenjtë, kishte përvojë të jashtëzakonshme shpirtërore. Sjellja e saj ishte e jashtëzakonshme. Njerëzit, asnjëherë, nuk e kishin dëgjuar të qeshte me zë të lartë, por gjithmonë me një buzëqeshje të ëmbël. Asnjëherë nuk kishte ofenduar askënd, kushdo të ishte ai. Ajo ishte përgatitur pikërisht për takimin me Zotin, sepse takimi me Zotin kërkon pastrimin e zemrës sonë. Kur zemra jonë pastrohet nga çdo ligësi që gjithsecili ka brenda tij, vetëm atëherë Zoti është i pranishëm. Dhe Kryeengjëlli Gabriel jep lajmin e madh: Gëzohu dhe Zoti është me ty. Pyetja që i bën ajo se si do të ndodhë kjo, sepse unë nuk njoh burrë, nuk paraqet dyshimin, por mënyrën për të kuptuar si do ndodhte ajo që tha Kryeengjëlli. Dhe Gabrieli i përgjigjet që ajo do të ndodhë me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Dhe ajo përgjigjet që ja shërbëtorja jote, u bëftë sipas dëshirës sate, o Zot.

Këto fjalë, në dukje kaq të thjeshta, nuk janë aq të thjeshta. Njerëzit, nëse thirren nga Zoti për një detyrë, zakonisht nuk përgjigjen. Shpeshherë na ndodh që u themi njerëzve për të bërë ndonjë detyrë në kishë dhe gjithsekush gjen justifikime të ndryshme për të mos e bërë atë detyrë. Detyrat që jep Zoti nuk janë të lehta, por vetëm dashuria për Zotin na bën që t’i marrim përsipër ato. Thirrja që bën Zoti nuk është se do të dërgojë një engjëll për gjithësecilin nga ne. Kur shohim një njeri në rrugë që po vdes urie, nuk presim të na thotë ai që më jepni diçka dhe pastaj t’i japim, por shkojmë ne i japim. Kur shohim që në kishë ka shumë nevoja të ndryshme, do të vijmë ne të afrohemi, që të ndihmojmë dhe jo të presim derisa të na thërrasin. Nëse realisht do ta duam diçka, do të vazhdojmë dhe do të marrim pjesë në të. E Tërëshenjta iu përgjigj një detyre jashtëzakonisht të madhe, të cilën nuk mund ta kapte dot mendja njerëzore, por që kuptohet nga fuqia shpirtërore. Një thënie shumë e njohur në Kishën Orthodhokse thekson që Perëndia është mbi arsyen, por jo jashtë saj. Kjo do të thotë që nuk mund ta kuptojmë dot të gjithën dhe ta shpjegojmë nga ana mendore, intelektuale, por mund ta ndiejmë Atë në mënyrë shpirtërore. Edhe e Tërëshenjta ndoshta nuk mund ta shpjegonte në kuptimin intelektual këtë mister kaq të madh, por duke qenë një shpirt i pastër ajo e kuptoi atë. Prandaj dhe u përgjigj: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë tek unë sipas fjalës sate” (Lk.1:38).

Bindja e saj ndaj Zotit në një moshë kaq të re shpreh shumë gjëra. E para shpreh vullnetin e lirë që ka çdo njeri. Gjithsekush ka vullnetin e lirë, për t'ju përgjigjur thirrjes së Zotit ose jo. Ne jemi të lirë edhe për të mëkatuar, por mëkati na shkatërron. Zoti e ka krijuar njeriun të lirë dhe me fuqinë, për t'ju bashkuar Atij ose për t'u larguar prej Tij, siç ndodh në jetën e përditshme. E Tërëshenjta iu përgjigj me vullnet të plotë fjalës së engjëllit: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë tek unë sipas fjalës sate”. Edhe pse duket kaq e thjeshtë, nuk është aq e thjeshtë. Prandaj, do të doja që gjithsecili nga ne të meditojë: Kur dëgjojmë për një nevojë të njerëzve të tjere, a i përgjigjemi përnjëherë kësaj nevoje apo në shumicën e rasteve nuk i përgjigjemi? Sepse kërkon një dashuri shumë të madhe që t'i përgjigjesh nevojave të gjithësecilit. E Tërëshenjta ishte në moshë të re dhe kjo është një shpresë për të gjithë të rinjtë, sepse qarkullojnë shpeshherë disa zëra që janë të antikrishtera, sikur Kisha është vetëm për të vjetrit. Kjo qarkullon edhe në shumë vende të botës. Në fakt, Kisha është kryesisht për të rinjtë, sepse në rini njeriu ka fuqinë më të madhe dhe vetëm në atë moshë mund t'i kushtohet Zotit me gjithë fuqinë e tij dhe t'i japë Atij pjesën më të mirë të tij. Shën Agustini u kthye në një moshë jo të madhe, pa mbushur 30 vjeç dhe në librat e tij e përmend shpeshherë që i vjen shumë keq që u kthye aq vonë te Zoti. Ai thotë: “Më vjen keq që të jap një lëkurë të vjetër dhe të plakur. Do të kisha dëshirën ta kisha dhënë që ku isha fare i ri”. Të rinjtë e kanë këtë forcë. Nëse nuk i kushtohemi Zotit në rini, do të jetë shumë vështirë t’i kushtohemi më vonë. Prandaj, kjo është një shpresë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Le ta ruajnë pastërtinë e zemrës së tyre, sepse një gabim i vogël, mund t'ju shkatërrojë të gjithë jetën e tyre. Diçka që për çastin mund të duket shumë e kënaqshme, mund të shkatërrojë gjithçka tjetër që do ketë në jetë. Nëse do të qëndrojnë pranë Zotit dhe do mundohen ta ruajnë zemrën të pastër, pa dyshim që do të kenë bekim dhe do të mbushen me gëzim.

Pse bota e sotme nuk ka gëzim? Nuk ka gëzim, pikërisht ngaqë Zoti nuk është i pranishëm në jetën tonë të përditshme. Duke larguar Zotin, largojmë jetën, gëzimin, paqen dhe çdo gjë tjetër të mirë. Nuk mund të ketë paqe dhe gëzim, aty ku nuk është i pranishëm virtyti, që do të thotë aty ku nuk është i pranishëm Zoti. Prandaj, festa e sotme është e gëzueshme, sepse një shpirt i pastër mori përsipër të lindte Birin e Perëndisë, fillimin e shpëtimit tonë. Kjo është arsyeja që festa e Ungjillëzimit është kaq shumë e rëndësishme në Kishën Orthodhokse. Do të doja që të gjithë ne ta lexojmë vazhdimisht këtë pjesë dhe do të mësojmë shumë gjëra, nëse do të ndalojmë dhe meditojmë. Në mundtë flasim me orë të tëra rreth saj, dhe përsëri ajo nuk shteron, sepse Misteri i Zotit, kur shijohet, nuk shteron asnjëherë. Jeta shpirtërore nuk është jetë monotone. Shën Gregor Theologu na thotë diçka shumë të rëndësishme: “Nëse do të bëhemi të denjë për të shkruar në qiell, jeta nuk do të jetë statike, por do të kalojmë nga lavdia në lavdi”. Meqënëse Zoti nuk shteron asnjëherë në përjetësi, ashtu dhe ne, duke u rritur shpirtërisht, nuk e shterojmë asnjëherë jetën shpirtërore. Sa më shumë jetë shpirtërore bëjmë, aq më shumë rritet gëzimi, shpresa dhe paqja në jetën tonë.

Dita e sotme është bekim për të gjithë të krishterët. E Tërëshenjta ka treguar gjatë gjithë historisë së Krishterimit që ka qëndruar pranë të gjithëve, nga dashuria e madhe që ka për gjithsecilin nga ne. Prandaj dhe shpeshherë quhet: Nëna e të krishterëve. Ashtu si dhembshuria e nënës për fëmijët, qofshin të drejtë ose të padrejtë, edhe e Tërëshenjta i përgjigjet çdo lloj lutjeje të sinqertë që ne mund të bëjmë. Sa herë jemi në vështirësi, le t'i lutemi së Tërëshenjtës. Asnjë lutje e drejtuar tek ajo me gjithë zemrën, nuk është kthyer bosh. Sepse dashuria e saj prej nëne është e pakufijshme. Ajo mbetet gjithmonë një nga personazhet më të rëndësishëm të jetës së krishterë. E nderuar nga të gjithë dhe do vazhdojë të jetë e nderuar në jetë të jetëve. Amin.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu