Takimi i të rinjve orthodhoksë me Fortlumturinë e tij, Anastastin, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë
![Foto: Radio Ngjallja](/img/article/842/4_main-v1738769552.jpeg)
Prag Krishtlindjesh, 2023
Kryepiskopi Anastas: Për mua takimi i sotëm është një surprizë shumë e këndshme. Që nga viti i parë kur erdha në Shqipëri gjithmonë e vija theksin në faktin se për ne rinia nuk është e ardhmja, është e tashmja e Kishës. Në atë kohë sigurisht, shumica prej jush nuk kishin lindur akoma, sepse po flasim për para 30 vjetësh. Për mua do të ishte gëzim i madh që të ishim pak më afër dhe të kishim mundësi të bisedonim. Që nga vitet e mia të rinisë isha gjithmonë pranë të rinjve. Edhe gjatë 20 viteve që punova si pedagog në universitet isha gjithmonë me të rinjtë dhe ndiej se të rinjtë janë ambienti im. Kjo video e shkurtër që patë është e rëndësishme, jo vetëm për ne të rriturit, po është e rëndësishme për ju, sepse jeni të rinj dhe nuk e keni jetuar të shkuarën. Këtu filluam nga rrënoja, nga gërmadha, sepse ajo që ndodhi në Shqipëri, nuk kishte ndodhur në asnjë vend tjetër.
Përgjatë gjithë historisë së botës kemi dëgjuar për përndjekje të shumëllojshme dhe të ndryshme, por nuk kemi dëgjuar asnjëherë dhe në asnjë vend tjetër që në mënyrë zyrtare të ndalohet çdo formë e shprehjes së besimit. Nga vitet 1945-1967, në Shqipëri, kishim atë përndjekjen klasike e cila ekzistonte në të gjitha vendet e Lindjes, e cila u huazua nga Rusia, nga Bashkimi Sovjetik. Por nga viti ‘67 deri në vitin ’90 kishim diçka që ishte krejtësisht e re dhe e padëgjuar, ndalimin e plotë, absolut të çdo lloj shprehjeje fetare dhe të çdo lloj shprehjeje të besimit. Kishim një ndalim të plotë të lirisë së ndërgjegjjes. Dhe këtë dua ta përsëris, që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në asnjë pjesë të botës dhe në asnjë moment të historisë. Prandaj, çdo gjë që kemi jetuar këto 30 vitet e fundit është diçka që ndeshet për herë të parë. Jam veçanërisht i gëzuar, sepse ai brez i rinisë me të cilin filluam këtu para 30 vjetësh, sot janë kryefamiljarë të suksesshëm, janë nëna dhe baballarë të bekuar.
Dhe sa herë meshoj dhe shikoj kishën të mbushur me të gjitha moshat, me njerëz të ndryshëm, lavdëroj Perëndinë për këtë fakt. Siç e vutë re, përveç jetës fetare, jetës së besimit që kemi, ka edhe përpjekje të tjera që shkojnë në mënyrë paralele me këtë. Sepse edhe kur lexojmë Ungjillin, aty konstatojmë një fakt që edhe Zoti ynë Jisu Krisht edhe predikonte, ungjillëzonte, por edhe shëronte. Prandaj, në mënyrë të mënjëhershme, u përpoqëm të ishim pranë popullit, pranë njerëzve, jo vetëm me shprehjen e ideve apo të mendimeve, por edhe në mënyrë praktike, për t'i ndihmuar ata. Një vepër e tillë është dhe klinika në të cilën disponojmë 24 sektorë të ndryshëm të mjekësisë. Klinika të ndryshme të vogla që kemi në qytete të tjera, edhe menjëherë vijon me kujdesin që kemi për fëmijët jetim ose në vështirësi, për njerëzit e moshës së tretë. Vitet që kaluam ishin vitet që u shenjuan nga varfëria edhe nga sëmundje të ndryshme dhe me mundësinë që kishim lypnim në të gjitha drejtimet, për t’ju gjendur pranë vëllezërve tanë që ishin më të varfër sesa ne. Patëm një kujdes të veçantë për shkollat, sepse shkolla është pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri në jetën e tij.
Edukimi, formimi i njeriut dhe kjo në një nivel shumë të mirë, të lartë. Që nga kopshtet dhe deri te Kolegji Universitar "Logos". Nga disa të dhëna, informacione që kanë ardhur kohët e fundit tek unë, vihet re se Kisha ka dhënë rreth 40.000 bursa për nxënësit që kanë studiuar. Dhe këto nuk erdhën nëpërmjet një shiu parash. Duhej që rreth e rrotull nesh të kërkonim ndihmë dhe mbështetje.
Dhe, Lavdi Zotit, pati përgjigje në këto kërkesa tonat. Dhe tani që u plotësuan 30 vjet nga ardhja ime në Shqipëri pati disa dhurata të rëndësishme. Besoj se e keni dëgjuar se dy fondacione të rëndësishme në Greqi na bënë dhuratë Rezonancën magnetike dhe Skanerin që kemi në klinikë. Vlera e tyre shkon afërsisht 1 milion e 600 mijë euro!
Por unë doja të vija vëmendjen edhe te një dhuratë tjetër, që një nga pjesëtarët e vjetër të rinisë, i cili e filloi punën e tij si një shofer i thjeshtë dhe më tej për shkak të aftësive të tij, u zhvillua në një biznesmen shumë të suksesshëm, kur vuri re shqetësimin tim për shkak se si ne do mundnim të ndërtonim kishën e Shën Prokopit dhe ai vetë më propozoi se do ta ndërtonte ai! Dhe tani vazhdon me ndërtimin e asaj kishe. Çfarëdo lloj gjëje që bëhet në kishën tonë, duhet të jetë një ofertë dhe një dhuratë e dashurisë.
Edhe ju duhet të keni parasysh që ndërkohë që do të mbaroni studimet, do të punësoheni diku, do të krijoni familjet tuaja, ndoshta në atë kohë unë nuk do të jem pranë jush, por ju ftoj që të keni vëmendjen tuaj që gjithmonë të ofroni diçka në Kishë!
Mos dëgjoni atë parrullë që tani dëgjohet kudo, që ka Kisha para. E vërteta është që Kisha nuk ka para! Ajo që ka Kisha, e vetmja gjë që ka, është oferta e anëtarëve të saj dhe të miqve të saj që janë nga vende të tjera. Dhe kjo ofertë e anëtarëve të saj duhet të jetë një lumë i vazhdueshëm, i rrjedhshëm. Pra, vendoseni dhe ju këtë gjë në programin tuaj. Dhe oferta e parë që më vjen në mendje kur mendoj për rininë është jeta e rinisë brenda Kishës, kjo është oferta që ju mund të bëni të parën. Nuk po flas tani vetëm për ofertë materiale. Patjetër që edhe ajo që bëni ju në këtë periudhë të Krishtlindjes, që mblidhni dhurata dhe fonde të ndryshme dhe blini gjëra për t’ua dhuruar njerëzve të varfër dhe kjo patjetër që është shumë e rëndësishme.
Unë shpeshherë sjell në mendjen time dhe mendoj sa vetmi ka këtu në Shqipëri! Sa vetmi ka në ato pallatet e vjetra që nuk kanë as ashensorë! Sa njerëz ka atje brenda që nuk kanë një mundësi komunikimi me të tjerët! Mendoni edhe ju vetë se ku ekziston nevoja. Ky vend nuk ka nevojë vetëm për drejtësi, ka më shumë nevojë për dashuri. Nuk e vë re te politikanët që të kenë vëmendje në këtë pikë. Respekt edhe dashuri për njerëzit që vuajnë, për njerëzit që janë në ditët e fundit të jetës së tyre. Merrni iniciativa. Të mos mbeteni vetëm shikues, vëzhgues të një vepre. Zbrisni nga ato shkallët e stadiumit në fushë. Pyetje: Përshëndetje! Dua të pyes Kryepiskopin, si një person që ka gjithë jetën që merret me njerëzit dhe me marrëdhëniet njerëzore, ndërpersonale, sesi mund të përmirësojmë ne marrëdhëniet me njëri–tjetrin në çfarëdo lloj niveli familjar, shoqëror profesional?
Kryepiskopi Anastas: Siç e dini ka një larmishmëri marrëdhëniesh. Marrëdhëniet familjare kanë forma të ndryshme në jetën e gjithësecilit prej nesh. Fusha tjetër është marrëdhënia me bashkëmoshatarët tanë. Përpiquni të keni një marëdhënie të tillë me njëri-tjetrin në një përpjekje të përbashkët. Mund të thotë kjo përpjekje e përbashkët, në një moment mund t’ju propozojë që të bëni një vizitë tek shtëpia e fëmijëve jetim që ne kemi! Përpiquni që të gjeni njerëz që janë fqinjët tuaj, që janë të vetmuar, që mund të kenë nevojë për një lule, ose një ëmbëlsirë ose diçka e tillë. Dhe për marrëdhënie ndërpersonale, shikoni atë që thamë më parë, që të krijoni grupe, sepse me shumë mundësi ata që janë dy mund të bëhen tre. Dhe ju thashë që si qendër që është më e lehtë për t’u arritur edhe më thelbësore është studimi i Shkrimit të Shenjtë. Ekzistojnë mundësi dhe raste për t’u lutur së bashku. Përpjekja juaj do të jetë që të kërkoni, të krijoni kushte. Dashuria nuk është diçka statike, ajo është krijuese dhe frytsjellëse.
Dashuria fillon nga e buzëqeshura edhe arrin deri në sakrificat më të mëdha! Jetojmë në periudhën e narcizmit dhe është shumë e vështirë të mbash një kategori njerëzish të bashkuar. Çfarë karakteristikash duhet të kemi ne si njerëz që të përpunojmë në veten tonë dhe të bëjmë të mundur përmirësimin e shoqërisë sonë? Unë do doja të thoja disa gjëra që janë praktike. Ashtu si do të mendoni veten tuaj se nuk do të qëndroni gjithë ditën në krevat dhe nga krevati do të bëni të gjitha gjërat, do lani sytë etj. Dhe unë do t’ju thoja që mos të lini asnjë ditë të kalojë pa lexuar diçka nga Dhjata e Re. Vendoseni këtë në programin tuaj si diçka të parë, sepse është diçka që ju furnizon me ide të cilat e kanë bazën e tyre tek e vërteta. Të keni diçka gjithmonë si shkak, si shtysë. Dhe nga ajo që do të lexoni zgjidhni diçka, dy tre fraza të cilët do të jenë udhëheqës të ditës suaj. Por mos lini mënjanë edhe pjesëmarrjen tuaj në lutjen e përbashkët, çka do të thotë pjesëmarrjen tuaj në Liturgjinë e së dielës edhe patjetër në të Kremtet e mëdha. Dhe në përputhje me moshën tuaj, shikoni sesi do të lidheni me njerëz të tjerë të ngjashëm me ju, që të formoni ato grupet e vogla. Mund të jenë për shembull grupet e muzikës.
Mund të jetë një grup që ka një program që pasdite shkojnë dhe bëjnë vizitë tek një i sëmurë… . Por është e rëndësishme që të bisedoni me njëri-tjetrin për këto gjëra. Ajo që doja t’ju thoja është që mos të njësoheni me atë që në ditët e sotme quhet rënie, me indiferencën. Ekziston ai mendimi që na thotë shpesh, pse unë do ta shpëtojë botën? Ose ajo ideja që këtu kështu është! Mos u pajtoni asnjëherë me 'kështu është këtu'.
Çështja është se çfarë duhet të bëhet? Dhe për atë se çfarë duhet të bëhet unë ju thashë se kush është burimi. Sjell në mendjen time vitet tona të rinisë. Atëherë bënim një përpjekje për të shkëputur apo nxjerrë disa pasazhe nga Shkrimi i Shenjtë apo Psalmet. Ky fakt u bë një burim që në mënyrë të pavetëdijshme shpeshherë ose në mënyrë automatike, na jepte një forcë në vështirësitë tona! Është shumë e rëndësishme që ndërgjegjia jonë edhe subkoshienca jonë të jetë e mbushur me këto fakte dhe këto të vërteta. Dhe doja t’ju thosha që sado t’ju duket hiperbolike kjo, ose edhe e vështirë, ju lutem, qëndroni, rezistoni, bëni një rezistencë cilësore. Kur të keni profesionin tuaj dhe një punë në të ardhmen mos thoni që kështu bëjnë. Jo si bëjnë, por si duhet të bëjnë. Pra, me këtë mënyrë rezistence mund të formojmë një personalitet tonin. Pyetje: Fortlumturi, unë jam një nxënëse nga shkolla “Protagonistët”, aktualisht maturante dhe unë dhe shumë nga bashkëmoshatarët e mi tashmë vihemi përpara një përgjegjësie shumë të madhe siç është ajo e zgjedhjes së universitetit.
Është një zgjedhje që na cakton në fakt edhe rrugën që do të kemi për jetën dhe pyetja ime për ju është që si menaxhuat që në këtë moshë kaq vendimtare të arrinit të bënit edhe zgjedhjen e një dëshire që ju kishit për jetën, po në të njëjtën kohë e mbajtët atë brenda besimit të Krishterë Orthodhoks dhe brenda asaj rruge. Dhe pyetja tjetër është çfarë ju motivoi për të ndenjur në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve, sepse ne që jemi të rinj tashmë tundohemi shumë për t’u larguar nga Shqipëria? Nuk mendoj se përvoja ime në mënyrë të detyrueshme e zgjidh atë dilemën që ju keni. Sepse ishte kohë tjetër ajo që ne jetuam vitet tona të adoleshencës dhe është tjetër epokë kjo juaja. Por meqë ju e bëtë pyetjen unë do të flas për këtë gjë, po nuk do të flas në kuptimin që ju të bëni të njëjtën gjë. Thjesht do të jetë një kujtesë për një të shkuar të rëndësishme. Deri në klasën e 8-të dashuria ime e madhe ishte matematika.
Dhe ishte viti 1947, që është një parahistori për brezin tuaj. Dhe në atë periudhë që ishte menjëherë pas periudhës së çlirimit ne mendonim se shoqëria jonë në atë kohë kishte nevojë për shumë gjëra. Kishte nevojë për barazi, kishte nevojë për drejtësi, madje një pjesë e madhe jona mendonte që shoqëria jonë kishte nevojë për dashuri. Dhe në kampet verore që bënim në atë periudhë këto ishin idetë që i diskutonim më shpesh. Dhe unë gjithmonë i thoja vetes sime: Cila është ajo gjëja më e rëndësishme që mund të bësh në jetën tënde? Dhe përgjigjja ishte: Të jetosh sa më thellë të jetë e mundur dashurinë e krishterë. Prandaj, zgjodha që të merrja drejtimin e studimeve theologjike, duke pasur në mendje Kishën. Por ndërkohë ka edhe stacione të tjera të ndërmjetme, vështirësi, dilema, boshllëqe etj. Dhe do të thoja që edhe për Shqipërinë ishte pak a shumë e njëjta gjë.
Në vitet tona, në ambientet e lidhjes ndërkombëtare orthodhokse, kishte filluar të bëhej fjalë për përgjegjësinë që kanë të krishterët orthodhoksë për botën jo të kishterë! Dhe mbaj mend që në atë kohë ishim në Selanik, në vitin 1959. Unë atëherë isha theolog, ende laik. Edhe gjithmonë pyesja dhe u thosha njerëzve të afërm që më bën përshtypje se si në Selanik nuk kemi një kishë që t’i kushtohet shën Kirilit dhe shën Metodit të cilët janë hierapostujt e botës sllave. Edhe thosha që e kemi harruar atë porosinë që buron nga një Ungjill mëngjesor që e lexojmë shumë shpesh e cila thotë: “Shkoni dhe bëni nxënës në të gjitha kombet”.
Dhe kjo thënie nga Ungjilli u bë shkak që të fillonim një përpjekje e cila kishte në qendër atë që thotë Ungjilli: Shkoni! Ishte atëherë koha kur Afrika po dilte nga errësira e thellë, ku po formoheshin shtete të pavarura edhe ky orientim imi u drejtua nga ky detyrim që mendoja se kishim. Thosha shpeshherë që nuk është nevoja të flasësh apo vetëm të shkruash për misionarët, por është e rëndësishme që të shkosh atje edhe ti edhe të bësh të njëjtën gjë. Dhe ekzistojnë stacione të ndryshme në këtë rrugëtim! Dhe tani le të kalojmë të flasim për atë që ju thatë, për Shqipërinë. Shqipëria që është një vend fqinj me ne, ju them se nuk më kishte shkuar kurrë mendja që mund të ishte një vend i tillë pune, domethënë vend për misionarizëm.
Dhe asnjëherë nuk e mendoja që atë që thotë Ungjilli ‘deri në skajet e dheut’, do të ishte kaq afër. Në vitet ‘70-’80 kur unë isha pedagog në Universitet, Shqipëria mbaj mend, ishte një vend thuajse krejtësisht i harruar. Ne ishim bashkuar me idenë se besimi këtu ishte fikur, kishte mbaruar. Dhe një moment kur isha në Afrikë, mora një telefonatë, më 3 janar 1991. Në atë telefonatë më thanë urime, ju jeni zgjedhur të shkoni si Eksark, domethënë si i dërguar në Shqipëri për të parë se çfarë ka mbetur nga Kisha atje. Personi që më fliste në telefon ishte Mitropoliti i Filadelfisë, nga Patriakana Ekumenike, në Kostandinopojë. Ai më tha që Shqipëria tashmë është hapur për zhvillime demokratike dhe kemi detyrë të shikojmë se çfarë ka mbetur atje nga Kisha Orthodhokse. Ne e dimë përvojën tuaj që keni në këtë fushë dhe përpjekjen tuaj të gjithanshme; dhe vetëm ju mund të shkoni që ta bëni këtë gjë. Unë thashë kur doni që unë të vij? Ai më tha, nesër. I thashë që e kisha të pamundur, sepse kisha për të bërë dorëzime klerikësh edhe gjëra të tjera që nuk mund t'i lija aty ku isha, por ai më tha që kjo ishte e rëndësishme dhe duhet ta bëja.
Kështu, bëra udhëtimin më të shpejtë që kisha bërë ndonjëherë nga Afrika në Athinë. Prita 6 muaj që të më jepnin vizën për të ardhur në Shqipëri. Kështu filloi përpjekja! Ishte diçka që nuk e kisha menduar kurrë. Sigurisht që nuk më thanë shkoni e bëhuni Kryepiskop atje. Më thanë që do të jeni thjesht i dërguar si ambasador. Dhe çështja është që kur kaloi periudha e pare, ndërkohë që kisha ardhur dhe pashë çfarë bëhej këtu, natyrshëm erdhi pyetja e dytë që më bënë që në qoftë se do t’ju propozonin që të qëndronit atje si Kryepiskop, do të pranonit? Ata e kishin në mendjen e tyre që përgjigja ime do të ishte negative. Sepse kisha funksionet e mia, isha drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Dashurisë të Kishës së Greqisë, isha pedagog në universitet, isha kandidat për në Akademinë e Shkencave të Athinës dhe askush nuk mendonte t’i linte dikush këto dhe të vinte në Shqipëri. Përgjigjia ime ishte: Nëse populli atje e do këtë, nëse ju nga Patriarkana Ekumenike e doni këtë gjë, sepse unë nuk isha pjesë e Patriarkanës Ekumenike, dhe në qoftë se qeveria e Shqipërisë do ta pranojë, unë do ta mendoja.
Dhe mendoja në mendjen time që kjo ishte një mënyrë për ta shmangur, sepse të gjithë miqtë e mi më thonin mos e bëni këtë gabim të qëndroni atje, sepse nuk mund të bëhet asgjë. Do të isha gjithmonë i dyshuar dhe nuk ju njohin, nuk ju duan dhe nuk do t’ju lënë që të punoni. Mos pranoni një internim të përjetshëm atje! Këto ishin këshillat që më dhanë të tjerët. Por prapë pikëpamja ime është çfarë do Zoti. Ishte një bisedë që kam bërë me një grup motrash nga Korça të cilat ma bënë këtë pyetje: Ne gjatë gjithë këtyre viteve luteshim që të vinte një njeri që të na donte dhe të na ndihmonte dhe ju tani do të ikni? Dhe unë aty përfundimisht thashë po!
Burimi Radio Ngjallja
![Ka dy gjëra që njeriu mund t'i bëjë vetëm në gjuhën e tij amtare](/img/article/842/7_tn-v1738855713.jpg)
![Anastasi i Shqipërise - biri i Ngjalljes](/img/article/842/2_tn-v1738617227.jpeg)