Fjala e përmortshme e moderatorit të Këshillit Botëror të Kishave në varrim të Kryepiskopit Anastas

2824
01 Shkurt 13:38
Heinrich Bedford-Strohm. Foto: Radio Heinrich Bedford-Strohm. Foto: Radio "Ngjallja"

Për Kryepeshkopin Anastas, uniteti ishte i rrënjosur në vizionin Trinitar të Perëndisë si një bashkësi dashurie, e cila thërret Kishën ta pasqyrojë këtë unitet në jetën dhe misionin e saj.

Fjala e përmortshme e moderatorit të Këshillit Botëror të Kishave, z. Heinrich Bedford-Strohm, mbajtur në shërbesën e varrimit të Kryepiskopit Anastas. Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, Hiri dhe paqja qoftë mbi ju nga Zoti ynë Jisu Krisht, i cili është “Ngjallja dhe Jeta”.

Mblidhemi sot me pikëllim dhe njëkohësisht me mirënjohje të thellë, teksa ia besojmë shpirtin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit, përqafimit të përjetshëm të Zotit tonë të ngjallur. Gjatë ditëve të fundit të jetës së Kryepiskopit të ndjerë Anastas, ndjemë qartë se sa shumë ishte i dashur këtu në Shqipëri, në vendin ku ai kreu shërbimin e tij të gjatë dhe të palodhur për popullin që i kishte hyrë aq thellë në zemër.

Dëgjuam për rëndësinë e tij të jashtëzakonshme si udhëheqës shpirtëror dhe integrues për të gjithë komunitetin orthodhoks. Më lejoni t’i shtoj kësaj edhe zërin e lëvizjes ekumenike globale. Për ne, Kryepiskopi Anastas ishte një autoritet i madh shpirtëror: një teolog mbresëlënës, i rrënjosur thellë në traditën e tij dhe në të njëjtën kohë me një horizont jashtëzakonisht të gjerë. Ai ishte një vëlla i dashur në Krishtin, i dashur nga të gjithë për përulësinë, hirin dhe dashurinë e tij.

Për dekada me radhë, ai ishte një nga figurat më me ndikim në lëvizjen ekumenike orthodhokse, një figurë madhështore, kontributet e të cilit në Këshillin Botëror të Kishave (KBK) formësuan misionin e tij dhe zgjeruan vizionin e tij. Ai shërbeu si një teolog vizionar dhe një udhëheqës pragmatik, siç dëshmon, ndër të tjera, roli i tij si president i Këshillit Botëror të Kishave (për të përmendur vetëm një nga shumë të tilla), duke dhënë një kontribut të çmuar në misionin e këtij këshilli për të bashkuar kishat në mirëkuptim të ndërsjellë dhe dëshmi të përbashkët.

Shkrimet e tij të gjera teologjike trajtuan çështje thelbësore, si misioni i Kishës në një botë pluraliste, dialogu ndërfetar, kujdesi për mjedisin, teologjia e pajtimit, drejtësia sociale dhe roli i Kishës në adresimin e pabarazisë ekonomike globale. Këto vepra mbeten një burim i fuqishëm frymëzimi, duke nxitur të krishterët në mbarë botën të kapërcejnë ndarjet, të forcojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të jenë një shenjë e unitetit në këtë botë të përçarë. Kryepiskopi Anastas organizoi takime dhe konsultime ndërkombëtare ekumenike, duke krijuar hapësira për dialog dhe reflektim të përbashkët mbi çështje globale urgjente. Ai gjithashtu dëshmoi një përkushtim të palëkundur për fuqizimin e të rinjve dhe për rritjen e rolit të grave në Kishë. Teologjia e tij ishte thellësisht e bazuar në marrëdhënie.

Ajo mishëronte ekumenizmin e zemrës, një burim frymëzimi për angazhimin tonë në lëvizjen ekumenike, duke nxitur lidhje mes denominacioneve dhe traditave fetare. Për Kryepeshkopin Anastas, uniteti ishte i rrënjosur në vizionin Trinitar të Perëndisë si një bashkësi dashurie, e cila thërret Kishën ta pasqyrojë këtë unitet në jetën dhe misionin e saj. Ai na kujtoi se ekumenizmi nuk është një veprimtari dytësore, por një pjesë thelbësore e misionit dhe thirrjes së Kishës.

Krishti nuk është i ndarë; si mund të jemi të ndarë ne, populli i Tij? Prandaj, ndërsa nderojmë kujtimin e tij, le të përqafojmë me guxim dhe vendosmëri misionin ekumenik, duke u frymëzuar nga jeta që ai e jetoi me përkushtim të palëkundur. Ai mishëroi moton e asamblesë së fundit të Këshillit Botëror të Kishave në vitin 2022: “Dashuria e Krishtit e shtyn botën drejt pajtimit dhe unitetit.” Le të vijojmë misionin e tij duke forcuar bashkësinë tonë si të krishterë dhe duke shtrirë solidaritetin tonë ndaj të gjithë njerëzve me vullnet të mirë. Zoti e bekoi me bollëk jetën e Kryepeshkopit Anastas, dhe nga kjo jetë bekimet e tij u derdhën me bujari mbi kaq shumë njerëz. Ne, si Këshilli Botëror i Kishave, kemi pasur privilegjin të marrim një pjesë të çmuar të këtyre bekimeve. Lavdërojmë Zotin për këtë jetë të jashtëzakonshme.

Me mirënjohje të thellë, ia dorëzojmë shpirtin në krahët e Zotit, me besimin e patundur se ai tani hyn në mbretërinë e përjetshme, ku nuk ka më vuajtje, ku çdo lot fshihet dhe ku mbretëron vetëm paqja hyjnore. Amin.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu