Fjalimi lamtumirës për Kryepishkopin Anastas
Fjalimi lamtumirës për Kryepishkopin Anastas
Lamtumirë, Kryepeshkopi dhe kryebariu Anastas Janullatos që i doli zot kishës e kombit dhe dy fjalë për atë që hodhën baltë!
Nga Rigels Seliman
Shqipëria dhe bota ortodokse kanë humbur një udhëheqës të madh shpirtëror, një njeri që i kushtoi jetën e tij besimit, dashurisë dhe ndërtimit të një kishe që u ngrit nga rrënojat. Kryepeshkopi Anastas Janullatos nuk ishte thjesht një klerik, por një kryebari dhe rilindës i vërtetë i Orthodhoksisë shqiptare, një urë lidhëse mes besimit dhe kombit, një figurë që sfidoi kohët e vështira me durim, mençuri dhe përkushtim të palëkundur. Por sa e vështirë ishte kjo rrugë për të! Që në ditët e para të shërbesës së tij në Shqipëri, mbi emrin e tij u hodh baltë, u ngritën akuza dashakeqe, u shpif me zë të lartë nga ata që nuk pranonin të shihnin të vërtetën: që ai nuk erdhi si pushtues, por si ndërtues, jo si armik, por si një shpëtimtar i një Kishe të shkatërruar nga komunizmi.
Një mision Hyjnor për të ringritur Kishën nga hiri
Kur Kryepeshkop Janullatos erdhi në Shqipëri në mesin e viteve ‘91, ai nuk gjeti një Kishë, por një kujtim të saj. Në një vend ku feja ishte ndaluar, ku kishat ishin kthyer në magazina dhe stallë bagëtish, ai mori përsipër një mision të pamundur: ta ringrinte nga hiri besimin ortodoks shqiptar. Dhe ai e bëri këtë me përkushtim të jashtëzakonshëm. Nën drejtimin e tij, u ndërtuan dhe u restauruan mbi 150 kisha e manastire, u hapën shkolla teologjike, u formuan breza të rinj klerikësh shqiptarë, dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë rifitoi vendin e saj të merituar në botën ortodokse. Në një vend të varfër, të dalë nga diktatura, ai nuk solli përçarje, por ndihmë konkrete për të rinjtë, për të sëmurët, për ata që kishin nevojë.
Ata që e sulmuan dhe e vërteta që i mposhti
Por nuk munguan ata që, me urrejtje dhe nacionalizëm të verbër, e sulmuan Kryepeshkopin Anastas duke e quajtur "grek", "agjent", "antishqiptar". E vërteta është se askush nuk bëri më shumë për Kishën Ortodokse Shqiptare sesa ai. Ata që e kundërshtonin me fjalë, nuk ngritën as edhe një gur për Kishën; ai, qëndroi në heshtje dhe ndërtoi një nga komunitetet fetare më të fuqishme dhe më të organizuara në Shqipëri. Po të ishte Anastasi armik i Shqipërisë, a do të kishte luftuar për ta bërë Kishën Autoqefale të respektuar në gjithë botën ortodokse? Po të ishte ai kundër shqiptarëve, a do të kishte punuar kaq shumë për të ndihmuar të varfrit, për të mbështetur arsimin, për të sjellë paqe në shoqëri? Ata që hodhën baltë mbi emrin e tij, sot duhet të ulin kokën me turp. Historia do ta mbajë mend Kryepeshkopin Anastas si një burrë të madh të fesë dhe kulturës, jo siç e përshkruanin shpifësit.
Një trashëgimi që do të jetojë përjetësisht
Sot, në momentin e lamtumirës, Kryepeshkopi Anastas lë pas një trashëgimi të pashlyeshme. Ai nuk ishte thjesht një figurë fetare, por një simbol i mençurisë, i unitetit dhe i shërbimit ndaj njeriut. Kisha që ai rindërtoi do të qëndrojë për shekuj, besimi që ai forcoi nuk do të lëkundet, dhe e vërteta për jetën e tij do të triumfojë mbi çdo shpifje. Lamtumirë, At i Shenjtë! Shqipëria nuk do të të harrojë, dhe Kisha Ortodokse do të vazhdojë të ecë përpara mbi themelet që ti ndërtove me aq mund dhe dashuri. Pusho në paqe, Kryepeshkop Anastasi!
Të gjithë flasin për ju Fortlumturi ke lënë gjurmë në besimin orthodhoks dhe jo vetëm!