Mitropoliti Anastas në Korçë: Liria është cilësi që buron nga Perëndia

Sot 14:39
36
Foto nga Shërbesa e Dhoksologjisë së Flamurit. UGO.AL Foto nga Shërbesa e Dhoksologjisë së Flamurit. UGO.AL

Në Dhoksologjinë e Flamurit në Katedralen «Ngjallja e Krishtit», ai u bëri thirrje të rinjve që të qëndrojnë në vend dhe mërgimtarëve të mos harrojnë atdheun.

Mitropolia e Korçës kremtoi më 28 nëntor 2026 Dhoksologjinë e Flamurit në Katedralen «Ngjallja e Krishtit», ku Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi, mbajti fjalën e rastit.

Në shërbesë, sipas korrespondentit të UGO.AL në Korçë, ishin të pranishëm prefektja, përfaqësues të Bashkisë, kryetari i Këshillit të Qarkut, si dhe përfaqësues të autoriteteve, të shoqatave dhe të institucioneve të qytetit. Mitropoliti kujtoi se kjo shërbesë u përfshi në kalendarin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga Noli. Më poshtë po botojmë fjalën e plotë.

Fjala e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasit, në Dhoksologjinë e Flamurit, Katedralja «Ngjallja e Krishtit», Korçë, 28 nëntor 2026

Më lejoni, e nderuar zonjë prefekte, të nderuar përfaqësues të Bashkisë, i nderuar kryetar i Këshillit të Qarkut, të nderuar përfaqësues të autoriteteve, të pushtetit, të shoqatave dhe të gjithë institucioneve të qytetit tonë.

Më lejoni, në këtë ditë të bekuar që u mblodhëm në këtë katedrale të shenjtë, për të kremtuar këtë shërbesë, të cilën paraardhësit tanë dhe veçanërisht Noli i madh e përfshiu në librin e të kremteve të Kishës Orthodhokse. Pra, e futi atë në kalendarin e festave tona, të komunitetit të Kishës Orthodhokse, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Dhe, ashtu siç kremtojmë festat e shenjtorëve, ngjarjet e mëdha, të kremtet zotërore dhe hyjlindësore, në ditë të caktuar kremtojmë këtë shërbesë, në të cilën Kisha jonë, ashtu siç e bën në çdo ditë, në çdo shërbesë, në çdo lutje dhe në çdo meshë — që shumë prej jush që jeni prezent këtu e dini — lutemi për Republikën e Shqipërisë, për qeverinë, për ushtrinë dhe për gjithë popullin në çdo shërbesë. Nuk ka asnjë shërbesë që bëhet në Kishën Orthodhokse dhe të mos lutemi për këto që thamë. Dhe nuk ka asnjë shërbesë në Kishën Orthodhokse, nuk bëhet asnjë Liturgji Hyjnore, në të cilën ne të mos kujtojmë edhe gjithë ata që ranë për fenë dhe për atdheun.

Dhe prandaj sot, në këtë ditë, është një gëzim i veçantë për ne. Dhe kjo ditë është një ditë gëzimi, sepse kremtojmë lirinë e vendit tonë.

Dhe liria nuk është një gjë që e kalojmë thjesht me një fjalë. Liria është një cilësi që buron nga Perëndia, sepse, ashtu siç besojmë ne të krishterët, Perëndia e krijoi njeriun sipas ikonës së Tij. Dhe tri nga karakteristikat të cilat e bëjnë njeriun të ngjashëm me Perëndinë janë se u krijua i shenjtë, u krijua i pavdekshëm dhe u krijua i lirë. Dhe nëpërmjet mëkatit dy të parat i humbëm. Dhe shpeshherë, në rrugëtimin e jetës sonë, qoftë personale, por edhe kombëtare, kemi humbur edhe të tretën, edhe lirinë. Por gjithmonë, ashtu si njeriu bën përpjekje për të fituar dhe për të rifituar dy të parat, shenjtërinë dhe pavdekësinë, gjithmonë në rrugëtimin e tij ka bërë përpjekje kolosale për të fituar lirinë.

Dhe ne e kemi arritur këtë liri si komb, si vend dhe si shtet. Dhe për këtë arsye sot jemi të gëzuar. Dhe është një ditë në të cilën jemi krenarë, sepse i kemi arritur të gjitha këto me ndihmën e Perëndisë, patjetër, edhe me përpjekjet e njerëzve tanë.

Ndoshta krenaria është një ndjesi që brenda teologjisë së Kishës nuk është e mirë dhe nuk lavdërohet. Por ka edhe krenari të tilla të cilat, le të themi, mund të lejohen. Siç thotë shën Pavli: për mua qoftë larg të mburrem për gjithçka tjetër, përveçse për Kryqin e Krishtit. Më lejoni ta çoj pak më tutje: ne të krishterët mburremi patjetër për Kryqin e Krishtit dhe këtu është shpresa e shpëtimit tonë. Por edhe ata që luftuan dhe ranë për atdheun tonë, për vendin tonë, ngritën edhe ata kryqin e tyre, sepse kryqi është çdo formë sakrifice. Kështu që na lejohet edhe në ditën e sotme që të jemi krenarë, në vazhdim të Kryqit të Krishtit, edhe për kryqin e atyre që dhanë jetën dhe u përpoqën dhe dhanë çdo gjë që kishin, pa kërkuar asgjë në këmbim, për lirinë, për gjuhën, për historinë, për përparimin e vendit dhe të atdheut tonë.

Dhe është një ditë mirënjohjeje, sepse, siç na thotë shën Pavli: gjithmonë gëzohuni, thotë, gjithmonë lutuni dhe për çdo gjë falënderoni Perëndinë. Edhe çdo ditë e falënderojmë Perëndinë dhe e falënderojmë sot për lirinë tonë, për jetën tonë, për vendin tonë, për ata njerëz që iu dhanë dhe na u dhanë, që dhanë çdo gjë që ne të gëzojmë vendin tonë të lirë dhe të pavarur.

Por është edhe një ditë përgjegjësie dita e sotme, sepse për çdo gjë që marrim, për çdo gjë që fitojmë, për çdo gjë që trashëgojmë, jemi përgjegjës për mënyrën se si do ta menaxhojmë atë, për mënyrën se si do ta çojmë në brezat që vijnë, ashtu siç ne e morëm nga brezat që shkuan. Dhe nuk ka mënyrë tjetër që t'ua japim brezave që vijnë më të mirë, më të bukur, më të begatë vendin tonë, përveçse nëpërmjet sakrificës. Jemi të thirrur që, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, të sakrifikojmë çdo gjë personale për të mirën e përbashkët. Në mënyrë që t'u japim brezave që vijnë, fëmijëve dhe të rinjve tanë, një atdhe të lirë, të bekuar, të përparuar dhe që ecën denjësisht përkrah vendeve dhe kombeve të qytetëruara.

Dhe unë uroj në këtë ditë: gëzuar, për shumë vjet të gjithëve! Uroj veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët e vendit tonë që të gjejnë forcën edhe shpresën për të qëndruar në vendin tonë dhe këtu të gjejnë një jetë të mirë, një arsim dinjitoz dhe një të ardhme të sigurt.

Dua të uroj edhe të gjithë ata bashkatdhetarët tanë që janë larg vendit tonë, që jetojnë jashtë. I uroj gëzuar, për shumë vjet, edhe ju bëj thirrje që të mos harrojnë vendin e të parëve, t'u mësojnë fëmijëve gjuhën tonë. E di se vitet kalojnë dhe shpeshherë arsyet për t’u kthyer në vendin ku linde dhe ku u rrite, dhe pse jo edhe ku vuajte, shpeshherë pakësohen. Prindërit ikin nga kjo jetë dhe kemi një arsye më pak për t’u kthyer. Por unë do t’i inkurajoja që të kthehen jo vetëm se kanë prindërit, por të kthehen në vendin e tyre edhe pse kanë varret e prindërve të tyre.

Ju kërkoj ndjesë se u zgjata. Gëzuar dhe për shumë vjet të gjithëve! Ta gëzojmë lirinë edhe atdheun tonë!

Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti i Korçës predikoi për festën e Kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil në një tjetër shërbesë të kremtuar në Mitropolinë e Korçës.

Videoja e fjalës së Mitropolitit Anastas

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu