Kisha Orthodhokse e Shqipërisë bekon flamurin kombëtar në Ditën e Flamurit

Sot 19:16
18
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë bekon flamurin kombëtar në Ditën e Flamurit

Katekisti Miron Çako shpjegon historinë kishtare të shqiponjës dykrenare dhe kontributin e 11 orthodhoksëve nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nderon dhe bekon flamurin kombëtar në Ditën e Flamurit, 28 nëntor, me lutje të veçanta nëpër kisha. Sipas shkrimit të katekistit të KOASH, Miron Çako, të publikuar në Facebook, për orthodhoksët shqiptarë flamuri ka një histori sa kombëtare, aq edhe kishtare.

Kisha Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri është i vetmi komunitet fetar që bekon flamurin kombëtar në Ditën e Flamurit!

Dita e Flamurit, e njohur ndryshe si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë nga pushtuesit osmanë dhe e ngritjes së flamurit shqiptar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, përkon me të njëjtën ditë në të cilën heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin e njëjtë në Krujë, më 28 nëntor 1443. Kjo është një ditë e veçantë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të krishterët orthodhoksë me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare.

Në këtë ditë, të krishterët orthodhoksë mblidhen nëpër kisha dhe adhurojnë e falënderojnë Perëndinë Triadik, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, i cili i dha lirinë e shumëkërkuar popullit shqiptar dhe e lejoi të riformohej përsëri shteti shqiptar, i cili kishte qenë për shekuj i robëruar nën Perandorinë Osmane.

Me klerikët në krye, besimtarët orthodhoksë nderojnë dhe bekojnë flamurin kombëtar, i cili vendoset në mes të kishës, duke iu drejtuar Zotit Jisu Krisht me këtë lutje: “O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje flamurin tonë dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngicë. Drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit, nën hijen Tënde, dhe vlerësona ne, të pavlerët, të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet dhe ditë të gjata, këtu dhe kudo. Ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës, dhe Ty të dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Për orthodhoksët shqiptarë, flamuri ka një histori sa kombëtare, aq edhe kishtare. Flamuri me shqiponjën dykrenare është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë iliro-shqiptare, Kostandini (306–337), themeluesi i Kostandinopojës, i cili krijoi dy qendra administrative për Perandorinë Romake: Romën dhe Kostandinopojën. Shqiponja simbolizonte këto dy qendra.

Gjatë sundimit të perandorit iliro-shqiptar Justiniani I (527–565), u bë bashkimi i dy Kishave, ose, më mirë të themi, i një Kishe Katholike Apostolike, të shtrirë në të gjithë Perandorinë Romake, në Lindje dhe në Perëndim. Si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dykrenare. Prandaj ajo gjendet si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe të Ballkanit, të cilat vareshin nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës.

Njihet fakti se Gjergj Kastriot Skënderbeu e huazoi këtë simbol nga Muzakajt, duke zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati, Gjoni. Me shembjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, shohim se Skënderbeu e përdori këtë simbol të shenjtë, duke dashur të tregonte se ishte vazhdues i pushtetit të Perandorisë Bizantine. Megjithatë, ai i bëri disa dallime për ta veçuar nga simboli i Bizantit. Në vulën e Skënderbeut, ku paraqitet shqiponja dykrenare, ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me gjashtë cepa. Mbi këtë yll është vendosur një yll tjetër me tetë rreze.

Me këtë flamur në krye, shqiptarët luftuan për 25 vjet kundër hordhive osmane dhe fituan, duke mos lejuar që flamuri i tyre të binte poshtë dhe të zëvendësohej me gjysmëhënën e osmanëve. Pas vdekjes së Gjergjit, shqiptarët që emigruan e morën me vete këtë flamur në Kalabri dhe e mbajtën si simbol të shenjtë, ashtu siç e shohim të shfaqet në një katalog venecian stemash të vitit 1463, kur Gjon Kastrioti, i biri i heroit, mori titullin “Fisnik i Republikës”.

Po kështu, ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij, Donika, në kishën e Shën Mërisë së Engjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur, Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenare me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër saj edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentet zyrtare. Me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ky flamur u mor dhe u shpall emblema e shtetit të ri shqiptar, ashtu siç e kemi edhe sot.

Kisha Orthodhokse në Shqipëri, ashtu si edhe kudo ku ajo shtrihet në botë, e nderon flamurin e çdo kombi, sepse Kisha Katholike Apostolike Orthodhokse, si Trupi i Krishtit, është atdhedashëse, por jo nacionaliste. Kisha Orthodhokse, e bazuar në të drejtën kanonike dhe në Traditën e Kishës, pranoi njëzëri reagimin teologjik të Patriarkanës Ekumenike, e cila dënoi etnofiletizmin, ose racizmin e popujve ndaj njëri-tjetrit, si herezi që minon themelet kishtare të besimit të krishterë.

Sinodi i Madh në Kostandinopojë (1872) vendosi se kriteri “racor” bie ndesh me Kishën Katholike (gjithëpërfshirëse), sepse cenon unitetin kishtar në aspektin dogmatik dhe administrativ. Duke qenë se Kisha lokale përcaktohet mbi bazën e kritereve territoriale-gjeografike, kriteri “racial” nuk e favorizon praninë e diversitetit si pasuri kishtare, por e përdor atë si element ndarjeje.

Kisha Orthodhokse përpiqet dhe kultivon atdhedashurinë sipas shembullit të Krishtit, Birit të Perëndisë, i cili, kur erdhi në botë si Biri i Njeriut, ishte jude dhe e deshi kombin e Tij jude deri në fund, pavarësisht se judenjtë e refuzuan si Mesinë e tyre. Krishti, duke parë pasojat tragjike të këtij refuzimi, nga dashuria dhe dhimbja qau për Jerusalemin, duke thënë këto fjalë profetike: “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, ashtu siç i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë. Sepse Unë po ju them se tash e tutje nuk do të më shihni më, derisa të thoni: ‘I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!’” (Mateu 23:37–39).

Po ashtu, apostull Pavli, edhe pse ishte caktuar si apostulli i kombeve (Veprat e Apostujve 9:15), nuk e mohon të qenët jude, por e dëshmon hapur kombësinë e tij. Apostulli shkruan: “Unë jam një njeri jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti me emër të Kilikisë; edhe të lutem, jepmë leje t’i flas popullit” (Veprat e Apostujve 21:39).

Edhe pse apostulli përndiqej nga judenjtë fanatikë, të cilët e urrenin dhe donin ta vrisnin, sepse ai predikonte se shpëtimi vjen nëpërmjet besimit te Krishti dhe jo nëpërmjet Ligjit dhe rrethprerjes, ai kurrë nuk i harroi dhe nuk i braktisi bashkëkombësit e tij, madje as ata që ishin ekstremistë dhe armiqësorë. Përkundrazi, ai i kujtonte gjithmonë në lutjet e tij dhe ishte madje gati të sakrifikonte edhe shpirtin e vet për ta, kur shkruan: “Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit, të cilët janë izraelitë dhe të cilëve u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet” (Romakëve 9:3–4).

Apostulli ishte shumë i qartë se çdo komb është i krijuar dhe i është caktuar vendi në tokë sipas Providencës Hyjnore dhe se secili duhet të mbrojë vendin e vet. Ai shkruan: “Ai (Perëndia) caktoi çdo komb njerëzish që të banojnë mbi gjithë faqen e dheut, edhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre” (Veprat e Apostujve 17:26).

Për të krishterët, thirrja e atdheut në rrezik është e thellë në ndërgjegjen e tyre. Edhe Etërit e mëdhenj të Kishës na mësojnë që të duam atdheun tokësor, të marrim pjesë në luftën mbrojtëse dhe të nderojmë ata që e mbrojnë dhe japin jetën për vendin.

Shën Athanasi i Madh, i mbiquajtur “Ati i Orthodhoksisë”, mëson: “Të vrasësh nuk është e lejueshme, por të vrasësh armiqtë në kohë lufte është edhe e ligjshme, edhe e denjë për lavdërim. Kështu, vlerësohen me nderime të mëdha ata që janë shquar dhe ngrihen për ta përmendore që dëshmojnë veprat e tyre”.

Shën Joan Gojarti: “Gjithsecili mund të përdorë armë; për shembull, virtyt është ai që lufton me to për mbrojtjen e atdheut të tij”. Shën Grigor i Nisës: “Tradhtia ndaj atdheut është një veprim imoral”. Shën Vasili i Madh: “I denjë është ai që nderon atdheun e tij ashtu siç nderon prindërit e tij”. Shën Grigor Theologu: “Nëna e përbashkët e të gjithëve është atdheu”. Shën Pais Agjoriti: “Së pari, i krishteri i mirë është edhe një patriot i mirë”.

Patriotizmi që frymëzon Kisha Orthodhokse nuk ka kuptimin e shovinizmit, i cili manifestohet me urrejtjen e popujve ndaj njëri-tjetrit, por të atdhedashurisë, që është një ndjenjë dashurie dhe sakrifice për tokën atërore, vendin ku kemi lindur dhe ku jetojmë si komb dhe popull. Kjo nuk lidhet vetëm me kuptimin racor, me gjakun, por edhe me atë shpirtëror, në kuptimin fetar: vendin që na bashkon me Zotin dhe ku i japim adhurim dhe falënderim Perëndisë Triadik.

Patriotizmi autentik bazohet në filantropinë e sinqertë të shenjtorëve që ranë për fenë dhe atdheun, si bij të zgjedhur të Kishës dhe të kombit, të cilët u dalluan për luftërat e tyre të mëdha dhe sakrifikuese “për fe dhe atdhe”. Për këtë arsye, Kisha ka me mijëra dëshmorë për dashurinë ndaj Krishtit dhe për mbrojtjen e atdheut, të cilin e përfaqëson edhe flamuri kombëtar. Prandaj, në këtë ditë dhe në çdo Liturgji Hyjnore, Kisha Orthodhokse lutet me nderim për të gjithë ata: “Për ata që ranë për fe dhe atdhe”.

Besimtarët orthodhoksë shqiptarë, mund të themi pa e ekzagjeruar, ishin ndër më të interesuarit për Pavarësinë e vendit. Kjo sepse besimtarët dhe komunitetet e tjera fetare kishin lidhje shpirtërore me vende të caktuara në botë, ku ndodheshin qendrat e feve të tyre; për shembull, myslimanët me Mekën si qendër të tyre ose katolikët me Vatikanin.

Ndërsa orthodhoksët shqiptarë, të gjendur përballë zhvillimeve historike, si copëtimi i Perandorisë Osmane, pavarësia e kombeve të Ballkanit dhe krijimi i shteteve të reja në rajon, së bashku me shpalljen e kishave autoqefale të tyre nga Patriarkana Ekumenike, sipas devizës “Kishë e pavarur në shtet të pavarur”, nxitonin për pavarësinë e vendit, krijimin e shtetit shqiptar dhe, rrjedhimisht, për autoqefalinë e Kishës në Shqipëri.

Kështu ndodhi pas shumë përpjekjeve të burrave atdhetarë dhe të krishterë orthodhoksë, si episkop Fan Noli, i cili thoshte: “Pa një Kishë Autoqefale nuk ka shtet shqiptar”, apo episkop Visarion Xhuvani, i cili u shpall kryepiskop, por jo në mënyrë kanonike. Ata kontribuuan për vetëshpalljen e autoqefalisë së Kishës, e cila, pas këtyre përpjekjeve kishtare dhe patriotike, më 17 prill 1937, me Tomosin Patriarkal dhe Sinodal: “Mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse në Shqipëri”, u bë realitet.

Kryepiskop kanonik i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë u bë imzot Kristofor Kisi, i cili baritoi popullin orthodhoks me devotshmëri, por pati një fund martirik në kohën e ateizmit komunist, periudha më e ligë për Kishën Orthodhokse gjatë 2000 mijë vjet krishterim në Shqipëri.

Prandaj, në këtë ditë, orthodhoksët shqiptarë jo vetëm si shtetas, por edhe si besimtarë, nderojnë flamurin, sepse në simbolin e tij nderojnë ata që ranë për fe dhe atdhe, si luftëtarët, ashtu edhe ata orthodhoksë që kontribuuan për Pavarësinë dhe Rilindjen Kombëtare me penë, si shkrimtarë dhe artistë.

Ata kontribuuan me shumë sakrifica, të cilat u kurorëzuan me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë nga 40 burra patriotë, ku 11 prej tyre ishin orthodhoksë: Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842–1917); Jani Minga (1872–1947); Dhimitër Tutulani (1875–1937); Spiridon Ilo (1876–1950); Thanas Floqi (1884–1945); Lef Nosi (1873–1946); Dhimitër Berati (1888–1970); Dhimitër Mborja Emanoil (1884–1945); Dhimitër Zografi (1878–1945); Pandeli Cale (1879–1923); Aristidh Ruci (1875–1950).

Krahas tyre, shumë të tjerë kanë sakrifikuar për fe dhe atdhe deri më sot. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Amin.

Nga Miron Çako, katekist në KOASH

Siç kishte raportuar UGO, kontributi i orthodhoksëve në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ka qenë edhe më parë temë e vëmendjes për lexuesit orthodhoksë.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu