Politika e Dashurisë si zgjidhje e problemeve të përditshme
Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë shkruan se njerëzit janë lodhur nga 35 vjet politikë urrejtjeje dhe kërkon investim te familja, mësuesit dhe nxënësit.
Një politikë e ndërtuar mbi dashurinë dhe jo mbi përçarjen është thelbi i reflektimit të publikuar nga Petrika Tollkuçi, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë. Sipas postimit të tij në Facebook, njerëzit duan udhëheqës që i bashkojnë dhe që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme.
Tollkuçi u zgjodh kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë në mbledhjen e datës 26.09.2025, me shumicë votash (16 pro, 1 kundër, asnjë abstenim). Në këtë detyrë ai pasoi Erjon Nexhipin. Kohët e fundit ai ka mbështetur nisma si projekti “Ambasadorët e Fshatit” për promovimin e turizmit rural dhe ndërtimi i pedonales në Pustec.
Në tekstin e tij, të titulluar “Politika e dashurisë”, kryetari i Qarkut thekson se çdo njeri është i shenjtë dhe se dashuria ndaj Perëndisë dhe ndaj njëri-tjetrit është rruga për të shëruar marrëdhëniet e thyera njerëzore. Më poshtë po e sjellim të plotë.
POLITIKA E DASHURISË
Njerëzit duan politika që i bashkojnë ata dhe jo që t’i ndajnë, si dhe udhëheqës që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre. Prandaj duhen udhëheqës popullorë, të cilët duhet të vendosin njerëzit në radhë të parë dhe shërbimet ndaj tyre si prioritet.
Politika e përçarjes nuk mund t’i bëjë ballë politikës së dashurisë, sepse pushteti i përket popullit, të cilin ai e shpreh nëpërmjet vullnetit dhe vendimmarrjes.
Të dish të dëgjosh dhe të mësosh nga njerëzit është përgatitja më e mirë për politikën. Të prekësh terrenin dhe problemet e njerëzve atje ku ata jetojnë është eksperienca dhe qasja e duhur për çdo drejtues. Pikërisht terreni të mëson se ata që nuk kanë alternativë luajnë pisët, bëjnë reklama negative, fushata shpifëse dhe video apo foto të manipuluara me inteligjencë artificiale.
Në një moment si ky i sotmi ku marrëdhënia njerëzore është e thyer, duhet të duam Perëndinë dhe të duam më shumë njëri tjetrin, si edhe duhet të dëgjojmë çdo zë, edhe më të dobëtin, të nënvlerësuarin, të lënin pas dore.
Sepse çdo njeri është i shenjtë. Duhet t’i duam njerëzit siç duam veten tonë, sepse pavarësisht dallimeve tona, të gjithë duam të njëjtat gjëra: një jetë të sigurt, një punë të mirë, një shkollë publike cilësore dhe një shërbim shëndetësor të gatshëm kur kemi nevojë.
Në vend të dallimeve tona ne duhet të shohim atë që na bashkon, pavarësisht përkatësisë politike, racës, gjinisë, fesë apo kulturës. Mendoj se jemi të lodhur duke u vënë kundër njëri – tjetrit, jemi lodhur duke dëgjuar se duhet ta urrejmë njëri – tjetrin. Kemi 35 vjet që përballemi me këtë lloj politike.
Politikë si një sport i përgjakshëm, politikë që bazohet te provokimet dhe poshtërimi i tjetrit, e cila përçan familjet, i jep fund miqësive dhe na bën të ndihemi keq gjatë gjithë kohës. Njerëz nga i gjithë spektri politik janë të etur për një lloj tjetër politike. Jo një politikë urrejtjeje, jo një politikë frike, jo një politikë përçarjeje, por një politikë dashurie.
Dashuria është forca më e fuqishme në univers. Dashuria nuk është pasive, dashuria nuk është e dobët, dashuria është krijuese.
Urrejtja është e mërzitshme, urrejtja nuk mund të mësojë një fëmijë të lexojë, urrejtja nuk mund të ndërtojë dot të ardhme.
Por, atë që nuk e bën dot urrejtja, e bën dashuria.
Dashuria mund ta shndërrojë një nxënës në dijetar, dashuria mund ta shndërrojë një armik në një mik, dashuria mund ta shërojë atë që është thyer në marrëdhënien njerëzore, atë që është thyer mes nesh.
Ne nuk mund ta mposhtim politikën e përçarjes duke shtuar përçarjen. Nuk mund të vazhdojmë të luajmë të njëjtën lojë pasi nuk mund ta fitojmë atë.
Duhet ta ndryshojmë lojën. Duhet të zgjatim dorën e hapur të bashkëpunimit në vend të grushtit të mbyllur dhe kemi për të parë se do të jenë të shumtë ata që do ta përqafojnë atë dorë.
Politika e dashurisë i ka rrënjët në dashurinë për qytetarin dhe fshatarin, për qytetin dhe fshatin tonë, për Shqipërinë tonë.
Marrëdhënia njerëzore nuk mund të ndryshojë duke pritur nga lart dhe me sytë nga qielli, por duke nisur nga vetja dhe nga njëri – tjetri. Ajo ndryshon në çdo moment kur zgjedhim të jemi të sjellshëm, kur duam njëri – tjetrin dhe përpiqemi apo ndihmojmë atë që është në nevojë.
Dhe para së gjithash duhet të krijojmë familje që janë më të forta dhe më të shëndetshme. Kështu do të fitojë politika e dashurisë.
Kjo nuk do të ndodhë brenda një nate sikundër edhe Roma nuk u krijua në një ditë, por ne meritojmë të ëndërrojmë. Dhe do t’ia dalim.
Duhet të investojmë te mësuesit dhe nxënësit sidomos tek vajzat, të cilat nesër në rolin e nënës do të rrisin me dashuri fëmijë të zotë dhe të shëndetshëm, duke shëruar kështu rënien e thellë shpirtërore në rrënjë të këtyre krizave. Kështu do të ndërtojmë ura midis nesh duke riparuar lidhjet që na bëjnë bashkë.
Politika e mërisë duhet të marrë fund, duhet të triumfojë politika e dashurisë!
Thirrja e Tollkuçit për familje më të forta vjen në një kohë kur rajoni përballet me sfida të rënda demografike. Siç kishte raportuar UGO, Korça ka bilancin më negativ në vend, me 220 vdekje më shumë se lindje.

