Kryepiskopi Joan predikon mbi paravolinë e të pasurit të pamend në Tiranë

Sot 19:10
0
Kryepiskopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Foto: Radio Ngjallja Kryepiskopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Foto: Radio Ngjallja

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Kryepiskopi Joan paralajmëroi se lakmia shkatërron njeriun dhe thirri besimtarët të mbledhin thesar në qiell.

Kryepiskopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë mbajti predikimin e së Dielës IX të Llukait, kushtuar paravolisë së të pasurit të pamend, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Sipas Radio Ngjallja, që citon Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, teksti i plotë i predikimit u publikua më 22 nëntor 2026. Më poshtë UGO sjell tekstin e plotë të predikimit.

Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

I pasuri i pamend - E Diela IX e Llukait

Lakmia e shkatërron njeriun, prish marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe nuk ngopet kurrë

***

Paravolia e sotme është shumë e shkurtër, por është një mesazh shumë i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne. Pasi Zoti kishte bërë disa mrekulli dhe po mësonte, i afrohet një djalë i ri dhe i thotë: “Mësues, thuaji tim vëllai ta ndajmë trashëgiminë”. Zoti kthehet dhe i thotë: “Kush më ka vënë mua si gjykatës mbi ju? Ruhuni nga lakmia!” Pas kësaj tregon këtë paravolinë e sotme. E përmendim këtë episod më parë për të kuptuar më mirë paravolinë. Ai thotë: Një njeriu të pasur toka i dha shumë prodhime dhe ai filloi të shqetësohej, duke thënë: “Çfarë do të bëj unë tani me të gjitha këto?” Pastaj shtoi: "Do të bëj këtë: do t'i prish hambarët e mi dhe do të ndërtoj më të mëdhenj. Do t'i vendos gjithë këto prodhimet e mia atje dhe do t'i them shpirtit tim: 'Tani ha, pi dhe dëfrehu!'” Por një zë u dëgjua lart nga qielli dhe i tha: “I marrë, pikërisht sot do të merret shpirti yt nga ty, e kujt do t'ia lësh gjithë këto që grumbullove?! Kështu është për të gjithë ata që grumbullojnë pasuri për veten e tyre dhe nuk nuk mbështeten në pasuritë qiellore”. Dhe Zoti e përfundon me fjalët e tij të njohura: “Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!” Kjo është paravolia e sotme.

Zoti na mëson në çdo hap të jetës sonë. Nganjëherë, si mësuesi i mirë, Ai e ngre pak tonin, siç bën në këtë paravoli, duke na dhënë një paralajmërim shumë të madh. Sepse, nëse nuk grumbullojmë thesare në qiell, çfarë do të kemi kur të shkojmë atje? Ju e shikoni se çfarë bëjnë njerëzit në tokë: punojnë gjithë jetën, paguajnë sigurime për pensionin, nganjëherë 40 e ca vite. Dikush e gëzon, dikush ndoshta jo, sepse mendojnë që të kenë diçka të mirë në fund të jetës së tyre. Po për pensionin e përjetshëm a mendojmë se do të kemi thesar në qiell? Thesaret në qiell janë veprat e mira. Nëse bëjmë vepra të mira, ato janë thesare që nuk prishen!

Në paravolinë e sotme kemi dy tema shumë të rëndësishme. E para është mënyra sesi ky njeri e pa pasurinë. Në kuptimin e krishterë, pasuria nuk është jona. Pasuria është e Zotit. Gjithçka që ndodhet në botë i përket Atij. Nëse Zoti nuk jep ajrin e duhur, erën e duhur, shiun e duhur, asnjë tokë nuk mund të prodhojë asgjë.

“I Zotit është dheu dhe gjithçka ndodhet në të”, thotë psalmisti. Etërit e Kishës e kanë interpretuar gjithmonë në këtë formë këtë gjë: Pasuria në vetvete është neutrale. Mund të kthehet në bekimin tënd ose në mallkimin tënd. Abrahami ishte i pasur dhe shpëtoi; Jobi ishte i pasur dhe shpëtoi; Nikodhimi ishte i pasur dhe shpëtoi, sepse ata nuk e shikonin pasurinë si pronën e tyre personale, as veten e tyre si pronarë, por vetëm si kujdestarë të saj. Kështu, nëse Zoti na jep një pasuri të caktuar, me anë të saj na ka dhënë një shans të madh që të shpëtojmë veten, nëse atë pasuri e administrojmë jo thjesht për të mirën tonë, por për të mirën e gjithë njerëzve që janë rrotull nesh. Shën Vasili i Madh thotë se Zoti jep gjithmonë dy prova: të parën nëpërmjet varfërisë, kur njerëzit janë shumë të varfër dhe kanë sfida shumë të mëdha në jetë. Nëse do t'i kalojnë ato me durim të madh dhe me shpresë te Perëndia, kjo do t'u quhet një thesar në qiell. Dhe të dytën, nëpërmjet pasurisë, kur Zoti dikujt i jep bollëk shumë të madh, i cili në fakt nuk është vetëm për të, është për të gjithë njerëzit rrotull tij.

E kemi përmendur vazhdimisht dhe themi se njeriu është një qenie komunitare. Çfarë do të thotë qenie komunitare? Do të thotë që ne nuk jemi vetëm për vete. Njeriu nuk mund të jetojë vetëm për veten e tij, por edhe për njerëzit që janë rrotull, që janë komuniteti i tij. Ne nuk jemi të ndarë nga njëri-tjetri. Natyra njerëzore është një. Shën Grigori i Nisës ka një shkrim shumë të bukur rreth kësaj, në të cilin thotë se të gjithë njerëzit ndajnë të njëjtën natyrë. Natyra është një, ashtu siç natyra hyjnore është një, por në tre Persona, edhe natyra njerëzore është e njëjta, por në miliona e miliona persona. Pra, ne ndajmë të njëjtën natyrë me çdo njeri, kushdo qoftë ai, dhe kemi përgjegjësi për njerëzit që janë rrotull nesh.

Personazhi i sotëm veproi ndryshe. Ai mendoi që tani do të kem gjithçka, do t'i prish hambarët, do t'i grumbulloj, do t'i shtoj. Kështu siç ndodh edhe sot. Në kohën e sotme një njeri të tillë do ta quanim të suksesshëm dhe shumë njerëz do ta kishin zili për pasurinë që vuri ai person. Zoti nuk thotë këtë gjë, Ai nuk e lavdëron, por e quan të marrë. I marrë në kuptimin biblik nuk do të thotë i çmendur, por një njeri që nuk e vendos shpresën te Perëndia, por te vetja e tij. Njeriu që në jetën e tij ecën në rrugë të ndryshme nga ajo që mëson Zoti quhet i marrë, sepse në këtë formë ai do të humbasë gjithçka.

Shën Joan Gojarti dhe shumë Etër të tjerë të Kishës kanë predikuar shumë në lidhje me këtë. Në librin e tij që shkruan mbi pasurinë dhe varfërinë, ai thotë diçka shumë të bukur: “Ky njeri, që pati kaq shumë bollëk, në vend që të fillonte të lavdëronte së pari Perëndinë për gjithçka që i kishte dhënë, mendoi për hambarët e tij. Ata hambarë ku sot vendoset një ushqim, i cili nesër ndoshta mund të prishet. Përse nuk i vendosi në hambarët e përjetshëm? Po cilët janë hambarët e përjetshëm? Bën një pyetje retorike vetë dhe përgjigjet: Janë barqet e të varfërve. Kudo që ka nevojë, vendosni tek ata hambarë dhe thesari do të jetë përjetë”.

Etërit e Kishës e shikonin në këtë mënyrë, sepse kishin ndjenjën e përjetësisë dhe e përjetonin atë. Ne sot e kemi humbur këtë ndjenjë. Njerëzit nuk mendojnë më për përjetësinë.

Simbolin e Besimit themi: “Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amshuar. Amin”. Pra, a e kemi parasysh gjithmonë jetën e ardhshme të amshuar dhe çfarë veprash kemi bërë për të hyrë në të? Nuk mendon njeri për këtë gjë, ose shumë pak njerëz mendojnë rreth këtyre gjërave. Nëse nuk do të kemi ndjenjën e jetës së përjetshme, të përjetësisë, jeta jonë realisht do të thahet dhe nuk do të ketë jetë shpirtërore. Pa jetë shpirtërore njeriu nuk mund të ketë gëzim në zemrën e tij.

Shikoni të pasurin e sotëm, i cili i tha shpirtit të tij: “Tani, shpirt, ha, pi dhe dëfrehu!” Gjë që është qesharake në kuptimin e saj, se shpirti nuk ka nevojë për të ngrënë, as për të pirë; s'ka nevojë për bukë, as për verë, as për gjëra të tjera. Shpirti ka nevojë për virtytet! Në vend që t'i jepte shpirtin e tij virtytet, që janë mëshira, dhembshuria për të tjerët, ndihma ndaj të varfërve, ai mendoi se do ta gëzonte atë, duke pasur gjëra që sot janë e nesër prishen.

Ju kam treguar një histori që vjen nga një traditë e lashtë e Izraelit. Në Izraelin e lashtë ruheshin disa shpjegime mbi ngjarjet e Dhiatës së Vjetër dhe kemi lexuar në të se njerëzit e parë jetonin 900 vjet: Adami 930, Mathusala 969 dhe kështu me radhë. Sipas traditës që ekzistonte thuhej që nuk ndërtonin shtëpi, sepse mendonin: “Pak do të rrimë këtu, do të ikim”, pasi ndjenja e përjetësisë ishte e gjallë ndër ta.

Sot, me një jetë kaq të shkurtër, njerëzit nuk kënaqen as me një shtëpi, as me dy, as me tre. Madje duan edhe më shumë. Se për çfarë i duan, askush nuk e kupton. Lakmia është burimi i gjithë të këqijave. Prandaj dhe Zoti nuk hyri të gjykonte ndarjen e pasurisë ndërmjet dy vëllezërve, por u tha: “Ruajuni nga lakmia!” Sepse lakmia e shkatërron njeriun, i prish marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe nuk ngopet kurrë. Sado të ketë njeriu, përsëri nuk ngopet. Ajo është një pus pa fund.

Nëse ndizet lakmia në shpirtin tonë, ne do ta shkatërrojmë atë dhe do të shkatërrojmë edhe shumë njerëz që janë rrotull nesh, sepse lakmia prish dhe helmon edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Prandaj Kisha dhe Etërit e saj kanë folur gjithmonë folur rreth saj, sepse është e rëndësishme për gjithsecilin nga ne mënyra e shikojmë pasurinë. Pasuria, nëse nuk shikohet si pasuria e Zotit, por si jona, do të japë një shqetësim jashtëzakonisht të madh. Një psikiatër shumë i famshëm, Karl Menninger, ka shkruar një libër shumë të njohur, në të cilin, duke trajtuar çështjet e depresionit, tregon raste konkrete. Ishte një djalë milioner, me të ardhura miliona dollarë në vit, i cili kishte bërë një tentativë për të vrarë veten. Gjatë kurimit që po i bënte, ai i tregoi se përse e kishte këtë gjendje: “Ja, kam një pasuri të madhe dhe kam një shqetësim shumë të madh nga ajo, se nuk di çfarë të bëj” Dhe psikiatri e këshillon e i thotë: Përse nuk bën bamirësi për shpirtin e atit tënd apo për gjëra të tjera?”. Djali i përgjigjet: “Po nuk mund t'i bëj dot”. “Dhe për këtë vendose të vrasësh veten?” - e pyet psikiatri. Dhe përgjigjja e djalit ishte sa qesharake aq edhe tragjike: “Po çfarë të bëja tjetër?!”

Shqetësimi që sjell lakmia dhe pasuria e madhe mund ta shkatërrojë njeriun, mund të shkatërrojë familjen e tij, jetën e tij dhe gjithçka tjetër; dhe jo vetëm kaq, por shkatërron edhe jetën e njerëzve që janë rrotull tij. Prandaj, nëse do ta shikojmë pasurinë si bekim nga Zoti, si dhuratë që na ka dhënë dhe duhet ta ndajmë me të tjerët, do të vendosim thesare në bankën qiellore, siç thotë Zoti, ku as hajdutët nuk i vjedhin dot, as krimbi nuk i ha, as ndryshku nuk i prish. Ato janë pasuritë e përjetshme. Nëse bëjmë këtë gjë, kemi siguruar diçka për jetën tonë, sepse, duam apo nuk duam ne, shumë shpejt do të paraqitemi para Zotit. Dhe e rëndësishme është se çfarë do të thotë Zoti në ato momente. Nëse Zoti do të thotë: “I marrë!”, atëherë kemi humbur gjithçka. Nëse Zoti do të thotë: “Të lumtë, shërbëtor besnik!”, atëherë kemi fituar gjithçka. Le të mundohemi ta kemi këtë parasysh në jetën tonë.

I pasur nuk do të thotë vetëm të kesh miliona. I pasur do të thotë të kesh më tepër sesa ke nevojë. Prandaj shën Vasili i Madh shkruan: “Ajo rrobë që qëndron në dollapin tënd dhe nuk të nevojitet, ia ke vjedhur të varfërve; ato këpucë që nuk i vesh, ia ke marrë atij që nuk ka këpucë”. Çdo gjë që kemi me tepricë nuk është më jona, por duhet t'ua japim të tjerëve, sepse njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra; mjaftojnë pak që ai të jetë i lumtur.

Prandaj, Kisha na porosit vazhdimisht dhe i lexojmë çdo vit këto paravoli, për të na i kujtuar, sepse natyra njerëzore harron shpejt. Edhe kur mendojmë se e dimë diçka, e harrojmë shpejt. Kisha na ndihmon, duke na i kujtuar vazhdimisht paravolitë. Siç u thoshte Zoti profetëve të Dhiatës së Vjetër për t'i thënë Izraelit: “Kujtohu, Izrael! Kujtohu se çfarë ka bërë Zoti për ty! Kujtohu për gjithçka që duhet të jetë në jetën tënde!” Sepse shpesh na pushtojnë sfidat e ndryshme, problemet e kota që na dalin në jetë dhe që e turbullojnë mendjen e njeriut, duke e penguar të përqendrohet te Zoti dhe tek ajo që është më e mira për njeriun vetë.

Duke dhënë, nuk humbasim, por fitojmë. Duke i mbajtur gjërat për vete, ne humbasim! Lakmia asnjëherë nuk mund të ngopet. Prandaj krijohen kaq shumë konflikte, luftëra, sherre, grindje, sepse lakmia është një sëmundje e tmerrshme shpirtërore. Me të drejtë Gandi thoshte një thënie shumë të bukur: “Bota ka mjaft për nevojën e gjithsecilit, por nuk ka mjaft për lakminë e gjithsecilit”.

Prandaj ka kaq shumë grindje e sherre dhe gjithçka tjetër e keqe që ndodh. Paravolia e sotme është një paralajmërim për gjithsecilin nga ne. Le të mundohemi t'i dëgjojmë këto fjalë, sepse Zoti e përfundon atë pikërisht duke thënë: “Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!” Le t'i mprehim veshët e shpirtit për t'i dëgjuar këto fjalë, sepse këto janë fjalë jete që do të na japin jetë. Nëse nuk i dëgjojmë këto fjalë, do t'i harrojmë ato dhe do të biem nën presionin e botës. Në botë vazhdimisht lavdërohet pasuria: kush është i pasur quhet i suksesshëm, kush ka pozita quhet i suksesshëm. Por me shkallën e Zotit ndodh e kundërta. I suksesshëm te Zoti është ai njeri që vepron sipas mësimeve që ka dhënë Ai dhe që bën një jetë të ndershme. Qoftë i pasur, qoftë i varfër, i suksesshëm është ai njeri që mbledh thesar në qiell.

Prandaj, le të mundohemi të kemi thesar në qiell, që, kur të paraqitemi para Zotit, të na thotë: Ju lumtë, shërbëtorë besnikë! Amin!

Katedralja “Ngjallja e Krishtit”

Tiranë, 22 nëntor 2026

Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan kishte predikuar edhe mbi paravolinë e të pasurit dhe Llazarit, një tjetër mësim ungjillor mbi qëndrimin e njeriut ndaj pasurisë dhe ndaj të varfërve.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu