Ahmet Dursun: Kryepeshkopi Anastas, shtylla e tretë e krenarisë shqiptare
Në një shkrim në Facebook, autori e vendos veprën e Kryepeshkopit Anastas krahas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe flet për trashëgimtarin, Kryepeshkopin Joan.
Ahmet Dursun i ka kushtuar një shkrim të gjatë veprës së Kryepeshkopit Anastas (Janullatos). Sipas postimit të tij në Facebook, autori e quan veprën e Kryepeshkopit shtyllën e tretë të krenarisë shqiptare, pas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit.
Shkrimi i drejtohet drejtpërdrejt lexuesit dhe ndalet te ringritja e Kishës Ortodokse, te marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe te zgjedhja e trashëgimtarit, Kryepeshkopit Joan Pelushi. Më poshtë po e botojmë shkrimin të plotë.
Hirësia e Tij, Janullatos… me mirënjohje të pafundme
Çuno. Sot kam vendosur të të flas për veprën e Hirësisë së Tij, Janullatos. Veprën e njeriut që krahas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, është shtylla e tretë e pathyeshme e krenarisë së qenurit shqiptar. Të njoh mirë! Mos prit prej meje të ta shenjtëroj verbërinë, shurdhërinë dhe injorancën. E shumta që mund të bëj për ty është të të ftoj të dalësh prej errësirës që të kanë mbyllur politikanët mëkatarë të 36 viteve të fundit. Kaq!
Këtë shkrim po e ndaj me pika, që me shpresën se strabizmi i përhershëm të dalë për herë të parë fitimtar ndaj rrjetave të ngatërruara që ia kanë marrë frymën gjykimit tënd, e që ia ka asfiksuar të ardhmen kombit tonë të shtrenjtë.
***
Hirësia e Tij, Janullatos.
· Deri më sot është intelektuali i vetëm me përmasa globale i shekullit '21, në të gjithë Evropën. Intelektualët e tjerë duke u shndërruar veçse në hamejtë e veprave të mendjendriturve të dikurshëm, e shumta kanë arritur të sjellin ide sa kopshti i tyre, e asgjë tjetër.
· Atëherë pse? Pse një njeri i tillë, ndërsa mund të zgjidhte çdo parajsë në botë, e kaloi jetën më produktive, në ferrin e ndyrë të tranzicionit shqiptar? Psh. pse jo në Afrikë, jo në Amerikën Latine, jo në Lindjen e Mesme, por zgjodhi Shqipërinë? A e ke menduar ndonjëherë? Pse?!
· Çdo intelektual i ndershëm moralin e bazon në përballimin e nevojave jetike të njerëzve të vuajtur. Populli grek pas viteve '90, falë dashurisë dhe besimit të patundur ndaj Hirësisë së Tij, ua hapi dyert qindra mijëra shqiptarëve të uritur. Ia ngiu barkun secilit, i veshi, i strehoi, i dha punë. Përkatësinë e të qenurit njeri, të cilën regjimi komunist prej kohësh ua kish shkulur nga zemra. Hirësia e Tij Janullatos, duke luftuar si me ligësinë e politikanëve shqiptarë, ashtu edhe me sëmundjet e hershme të politikanëve grekë, ia doli t'ua rikthejë qindra-mijëra emigrantëve shqiptarë e familjeve të tyre dinjitetin njerëzor të grabitur po nga vetë shqiptarët.
· E ringriti në këmbë kishën ortodokse prej rrënojave, jo për ortodoksët, por për të gjithë shqiptarët për t'ua dëshmuar se dashuria për Zotin e vërtetë, gjithnjë del fitimtare ndaj djajve të kollarisur, kudo.
· Për herë të parë, shqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare nisën të mësojnë gjuhën e një fqinji mijëravjeçar, me të cilin kanë ndarë jo vetëm bukën, por edhe kokrrën e grurit në mes. Greqishtja u bë gjuha e huaj e parë në Shqipëri. (Kur 12 vite më parë kam shprehur mendimin se në të gjitha shkollat fillore në trojet shqiptare duhet të mësohet gjuha greke si dhe ajo serbe, si ujk i tërbuar m'u sule, o çun! Ndërkohë që kjo nismë nuk është kurrsesi inferioritet, por gur themeli i një bashkëjetese që do t'i bënte fëmijët tanë nesër udhëheqës në shumë procese. Megjithatë, kush kupton vonë, gëzon vonë! Kush nuk kupton fare, nuk gëzon fare).
· Për të kuptuar vlerat e kombit shqiptar, patjetër duhet të dish historinë në hollësi të perandorisë romake, bizantine, perse, otomane dhe patjetër shkakun dhe pasojat e dyndjeve sllave. Pikat ndarëse si dhe ngjashmëritë e tyre. Sukseset dhe dështimet, si edhe reagimet e institucioneve të tyre në të dyja rastet. Pikërisht këtë bëri Hirësia e Tij, Janullatos, atë që nuk e ka bërë dot askush para tij. Mes gurëve, pështymave e baltosjes hyri në thellësinë e rafteve të pluhurosura dhe nxori librin e mykur të kombit shqiptar, dhe e rishkroi që ta lexojnë nesër fëmijët tanë, gjithë lavdi.
· Ç'është kjo lavdi? Për ta kuptuar, të duhet harta e botës përpara. Që të përlotesh, të rrëqethesh, të të merret fryma me krenarinë e të qenurit shqiptar si kurrë më parë. Pra… nëse nuk do të ishte oqeani Atlantik në mes SHBA-ve dhe kontinentit evropian, dhe nga Kalifornia të niseshe me biçikletë, vetëm duke ngrënë e duke fjetur në shtëpitë shqiptare, pa asnjë vakt në restorant e pa asnjë natë në hotel, do mund të mbërrije në Shqipëri. A e ke menduar ndonjëherë këtë?
· Ta zëmë se ke fuqi akoma për të pedaluar. Falë veprës së përkryer të Hirësisë së Tij, që e afroi si kurrë më parë kombin shqiptar me atë grek dhe e hapi korridorin e Greqisë si një herë e dikur, sërish pa ngrënë në asnjë restorant e pa fjetur në asnjë hotel, veçse duke u ushqyer e duke bujtur në shtëpitë e shqiptarëve përgjatë rrugës, mund ta kalosh gjithë Turqinë, Sirinë, Libanin, tokat e shenjta e të mbërrish në Kajro të Egjiptit. A e di se ç'do të thotë kjo, çuno? Nëse nuk do ishte oqeani Atlantik në mes, ti si shqiptar në majë të biçikletës mund të udhëtosh 10 mijë km, nga Kalifornia deri në Kajro, pa nevojën e asnjë të huaji. Cili komb në botë e zotëron sot këtë mundësi? Asnjë!
Prit, nuk mbaroi këtu! Hirësia e Tij duke e ringritur kishën ortodokse, me një vizion të shndritshëm shtroi rrugën gjithë gropa mes nesh dhe kombit më të madh ortodoks në botë, pra atë rus. Ia hapi aortën e bllokuar prej mendësive shterpë të „zotërve" që ke votuar plot 36 vite. Mbase jo sot, por një ditë, patjetër do të kuptohet vlera e vërtetë e kësaj vepre e cila kombin shqiptar do ta vendosë në qendër të gjeopolitikës euroaziatike. Një ditë, patjetër fëmijët tanë do ta kuptojnë, do ta zhvillojnë dhe do ta mbajnë në zemër trashëgiminë e tij epokale.
Tani a e kuptove se pse veprën e Hirësisë së Tij, Janullatos, ashtu si veprën e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit e quaj shtyllën e tretë, e të pathyeshme të krenarisë së qenurit shqiptar, çuno?! Sepse secili prej tyre, me dashuri ndaj Zotit dhe në respekt të plotë ndaj kombeve evropiane, aziatike e afrikane lanë pas vepra të cilat nuk mund të kuptohen prej liderëve që ke votuar 36 vite me radhë. Kjo është arsyeja se pse nuk mund t'i falet e nuk mund t'i shitet askujt një grimcë toke shqiptare, pasi kjo do të thotë t'ia kesh dorëzuar korridoret e tregtisë, të mbrojtjes si dhe influencës së kombit tonë, të tjerëve. Sa më shumë rrugë të hapura, aq më shumë siguri, përkatësi dhe mirëqenie.
· Së fundmi… Pse e la pas një trashëgimtar si Kryepeshkopi Joan Pelushi? Pse nuk ia dorëzoi kishën ortodokse shqiptare një njeriu si puna jote, apo dikujt të ngjashëm me ata që ti mezi pret t'i votosh sërish? Po për këtë, a ke menduar ndonjëherë? Kryepeshkopi Joan Pelushi ishte një ndër të rinjtë më të zgjuar në të gjitha trojet shqiptare, madje ende pa rënë regjimi komunist. Hirësia e Tij e zbuloi këtë gur të çmuar dhe deri në frymën e tij të fundit, e përpunoi duke ia veshur këtë zgjuarsi edhe me mençuri, urtësi dhe dije, në të mirën e shqiptarëve, të Evropës, të botës.
Tani o mik, a e kuptove se pse ashtu si Skënderbeun, si Ismail Qemalin, edhe Hirësinë e Tij, Janullatos, e quaj një shtyllë të pathyeshme të kombit shqiptar?! Lexoje sërish! Po deshe, edhe së bashku me ata që i quan zot, e që i ke votuar plot 36 vite. Siç e sheh, këtu dalloj me ty! Pa asnjë keqardhje nuk të shenjtëroj dot as ty, e as ata…
Ahmet Dursun
Siç kishte raportuar UGO, kujtimet nga ngjitja në fron e Kryepeshkopit Anastas në vitin 1992 sollën sërish në vëmendje fillimet e shërbesës së tij në Shqipëri.
