Rrëfimi i Shenjtë: pyetje dhe përgjigje për besimtarët orthodhoksë
Udhëzimi shpjegon si u themelua Misteri i Rrëfimit, si bëhet, çfarë rrëfejmë dhe pse Rrëfimi na përgatit për Kungatën Hyjnore.
Rrëfimi është një nga misteret themelore të Kishës dhe na përgatit për Kungatën Hyjnore. Më poshtë gjeni përgjigjet për pyetjet më të shpeshta të besimtarëve: si u themelua ky mister, si bëhet, çfarë rrëfejmë dhe çfarë ndodh pas Rrëfimit.
Çfarë është Rrëfimi?
Rrëfimi na përgatit për Kungatën Hyjnore. Nuk kungohemi pa u rrëfyer!
Rrëfimi është një nga misteret themelore të Kishës. Ai na jep mundësinë të pajtohemi me Perëndinë, të shqyrtojmë besimin dhe jetën tonë e të kujdesemi për shëndetin tonë shpirtëror. Është një vepër pendimi. Pendimi do të thotë të ndryshojmë veten, të kthehemi dhe të shndërrohemi. Kur mëkatojmë, largohemi nga Perëndia. Por kur pendohemi, i rrëfejmë mëkatet tona dhe kërkojmë falje, kthehemi tek Ai. Rrëfimi na çliron nga barra e mëkatit. Ai na jep edhe mundësinë të flasim për shqetësimet tona më të thella, të marrim këshilla dhe të forcohemi shpirtërisht.
Si u themelua Rrëfimi? Mos vallë është një shpikje e vonshme e klerikëve?
Misterin e themeloi vetë Krishti. Ai u dha Apostujve pushtetin të falnin mëkatet (Joani 20:23). Më pas, Apostujt ua përcollën këtë dhunti episkopëve dhe priftërinjve të Kishës. Kështu, kjo dhunti përcillet brez pas brezi nëpërmjet dorëzimit kanonik.
A është i nevojshëm Rrëfimi për të gjithë?
Vetëm ai që është pa mëkat s’ka nevojë për Rrëfim. Shën Joani, Theologu dhe Ungjillori, shkruan se kush e quan veten pa mëkat, gabohet dhe është larg së vërtetës (1 Joanit 1:8). Por edhe Krishti, i vetmi pa mëkat, pranoi nga Pararendësi pagëzimin e pendimit dhe tregoi kështu domosdoshmërinë e këtij misteri. Prandaj Rrëfimi është pjesë e pandashme e jetës së krishterë orthodhokse.
Kush mund ta kryejë Rrëfimin?
Siç thamë, rrëfehemi tek një atë shpirtëror, domethënë tek një prift i caktuar posaçërisht për këtë shërbim. Zakonisht lidhemi me të që të na caktojë kohën dhe vendin. Nëse ai pret për rrëfim në ditë dhe orë të caktuara, mund të shkojmë pa u marrë vesh paraprakisht.
Edhe ati shpirtëror ka mëkate!
Ati shpirtëror na i fal mëkatet me hirin që i është dhënë nga Perëndia. Ai vetëm ndërmjetëson. Falja nuk varet nga shenjtëria apo fuqia e tij vetjake. Edhe ai kujdeset t’ia rrëfejë mëkatet e veta një ati tjetër shpirtëror.
Gjatë Rrëfimit
Ku bëhet Rrëfimi?
Zakonisht Rrëfimi bëhet në kishë. Mund të bëhet edhe në një kishëz ose në një vend tjetër.
Si bëhet Rrëfimi?
Ulemi përballë ikonave dhe, me nxitjen e atit shpirtëror, rrëfejmë mëkatet tona. Mund të këshillohemi me të edhe për ndonjë çështje që na shqetëson. Kur mbarojmë së rrëfyeri, gjunjëzohemi. Ati shpirtëror na vendos mbi kokë epitrahilin, shenjë e shërbesës së tij priftërore, dhe i kërkon Perëndisë faljen e mëkateve tona. Para se të largohemi, puthim epitrahilin dhe dorën e atit shpirtëror.
Çfarë duhet të them në Rrëfim?
Në Rrëfim shqyrtojmë ndjenjat, mendimet, fjalët, veprat, sjelljen, zakonet, vlerat, përparësitë dhe synimet tona, si edhe drejtimin që i kemi dhënë jetës dhe mënyrën si jetojmë. Krahas jetës sonë shpirtërore, shqyrtojmë edhe marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, punën e madje edhe mënyrën si zbavitemi. E gjithë jeta jonë duhet të ndriçohet nga Shpirti i Shenjtë, që të ecim me siguri drejt Krishtit, pa e dënuar veten.
Mund t’ia parashtrojmë atit shpirtëror çështjet që na shqetësojnë, që me gjykimin e tij të marrim vendime e të bëjmë zgjedhje që na ndihmojnë të përparojmë shpirtërisht dhe të shmangim ato që mund të na dëmtojnë shpirtin.
As kam vrarë, as kam vjedhur… Çfarë të rrëfej?
Kur pyesim kështu, tregojmë se nuk e njohim mësimin e Krishtit. Krishti na mëson se edhe mendimet mëkatare na largojnë nga Perëndia. Mëkatojmë kur bëjmë të keqen dhe kur lëmë pa bërë të mirën. Vallë, kush mund të thotë se e përmbush vërtet urdhërimin e dashurisë, sidomos ndaj armiqve të vet?
A ka ndonjë mënyrë të thjeshtë për ta shqyrtuar veten sipas ligjit të Perëndisë?
Kemi Dhjetë Urdhërimet dhe shpjegimin e tyre në dritën e Dhiatës së Re. Por kriteri më i përsosur dhe më i saktë është urdhërimi për ta dashur Perëndinë dhe të afërmin. Sipas fjalëve të Krishtit, në këtë urdhërim përmblidhen të gjitha urdhërimet e tjera (shih Mattheu 22:40).
Për shembull, nuk mund ta duam Perëndinë e njëkohësisht të shkelim urdhërimet e Tij. As mund t’i duam njerëzit dhe njëkohësisht t’u bëjmë padrejtësi. Vërtetësia e dashurisë sonë për Perëndinë shihet në dashurinë për të afërmin (1 Joanit 4:20). Kështu, kur tregohemi indiferentë ndaj të tjerëve ose i keqtrajtojmë, tregojmë se nuk e duam Perëndinë. Përbuzim urdhërimin e Tij për ta dashur të afërmin dhe nuk i respektojmë krijesat e Tij.
E kam të vështirë të flas për gjëra kaq vetjake. Më vjen turp. Çfarë do të mendojë ati shpirtëror?
Vendin ku rrëfehemi duhet ta shohim si një vend shërimi dhe atin shpirtëror si mjek. Për ne, Rrëfimi ka të bëjë me shëndetin e shpirtit dhe shpesh edhe me atë të trupit. Për atin shpirtëror është pjesë e zakonshme e shërbesës së tij. Mëkatet tona s’kanë për ta tronditur. Me siguri ka dëgjuar edhe më të rënda. Fundja, a nuk është e çuditshme që turpi, të cilin nuk e ndiejmë kur mëkatojmë, na pushton pikërisht kur pendohemi?
Kam frikë se mos ati shpirtëror ua tregon të tjerëve mëkatet e mia.
Ati shpirtëror ka për detyrë të shenjtë të ruajë fshehtësinë e Rrëfimit, të cilën e njeh edhe ligji. Nëse e shkel këtë detyrë, ai jep llogari para episkopit të vet dhe organeve të drejtësisë kishtare.
Siç thamë, atin shpirtëror duhet ta shohim si dikë që na ndihmon të shërohemi. Ndaj duhet t’i tregojmë edhe besimin që i takon këtij shërbimi. Për këtë arsye, atin shpirtëror e zgjedhim lirisht dhe me përgjegjësinë tonë. Zgjedhim dikë që dallohet për besim e virtyt dhe për të cilin besimtarët japin dëshmi të mirë. Tradita e Kishës sonë këshillon që të rrëfehemi rregullisht tek i njëjti atë shpirtëror dhe të shmangim ndërrimin e tij.
Shpesh jemi ne vetë që bëhemi shkak të dalin në shesh çështjet e jetës sonë vetjake, kur ua besojmë njerëzve të papërshtatshëm, të cilët nuk janë as etër shpirtërorë.
Si duhet t’ia rrëfej mëkatet atit shpirtëror?
Mjafton t’i thuash thjesht, qartë dhe shkurt. Hollësitë, sidomos për çështjet trupore, hyrjet e gjata dhe justifikimet janë të panevojshme. Nëse i duhet të dijë më shumë, ati shpirtëror do të të pyesë. Ajo që duhet patjetër është përulësia dhe vetëdija për mëkatet tona.
Çfarë mund të më thotë ati shpirtëror?
Mund të më shpjegojë peshën e një mëkati, të më këshillojë si ta shmang dhe t’i përgjigjet ndonjë pyetjeje që i kam bërë.
Pas Rrëfimit
Pas uratës së atit shpirtëror, a më janë falur të gjitha mëkatet? Mos duhet t’i rrëfej përsëri disa prej tyre?
Me uratën e atit shpirtëror na falen të gjitha mëkatet që kemi rrëfyer. Prandaj, nëse dyshojmë për këtë, tregojmë mungesë besimi te misteri dhe te fuqia e Perëndisë. Nëse kemi lënë pa thënë diçka thelbësore për ndonjë mëkat, duhet ta sqarojmë herën tjetër.
Po sikur të harroj ndonjë mëkat? Po sikur ta fsheh ndonjërin nga turpi?
Nëse kemi harruar diçka dhe ajo s’është e rëndë, mund ta përmendim në rrëfimin e radhës. Por, nëse kemi lënë qëllimisht pa rrëfyer ndonjë mëkat, s’duhet të mendojmë se na është dhënë falja. S’duhet as të kungohemi, edhe nëse ati shpirtëror na ka dhënë leje.
A është e nevojshme Kungata Hyjnore pas Rrëfimit?
Pendimi shtrihet përtej Misterit të Rrëfimit. Pajtimi dhe bashkimi ynë me Perëndinë plotësohen në Kungatën Hyjnore. Ajo është bashkimi mistik me Krishtin Perëndinjeri dhe kulmi i mistereve.
Rrëfimi na përgatit për Kungatën Hyjnore. Nuk kungohemi pa u rrëfyer!
A mund të kungohem, pra, pasi jam rrëfyer?
Pas Rrëfimit duhet t’i kërkojmë leje atit shpirtëror për t’u kunguar. Ai do të na udhëzojë se kur dhe sa shpesh të kungohemi, si edhe si të përgatitemi, me kreshmë, lutje, falje dhe pajtim me të tjerët.
Ç’kuptim ka të rrëfehem rregullisht, kur e di se do të përsëris të njëjtat mëkate?
Ashtu si njeriu që vuan nga një sëmundje kronike përpiqet pa pushim të shërohet, edhe ai që e dëshiron vërtet shëndetin shpirtëror kujdeset pareshtur ta fitojë. Ky është vetë luftimi shpirtëror i njeriut, pendimi gjatë gjithë jetës. Misteri i Rrëfimit na siguron se asnjë mëkat nuk mund të na largojë nga mëshira e Perëndisë. Vetëm mungesa e pendimit mund të na dënojë të mbetemi përjetësisht pa Të.
Në të njëjtin kontekst kishtar, UGO kishte shpjeguar edhe pse Kisha Orthodhokse nuk praktikon «Kungimin e hapur».
Përgatiti UGO.AL

