Kryepiskopi Joan flet për martesën, familjen dhe edukimin e fëmijëve
Në ligjëratën e tij, Kryepiskopi Joan trajton besnikërinë në martesë, rolin e shembullit prindëror dhe kujtimet që fëmijët ruajnë nga familja.
Kryepiskopi Joan Pelushi flet për vendin e besimit në martesë dhe për përgjegjësinë e prindërve në edukimin e fëmijëve. Sipas regjistrimit të ligjëratës në YouTube, ai e paraqet besimin si themelin e martesës dhe të jetës familjare.
Kryepiskopi ndalet te besnikëria mes bashkëshortëve, ngrohtësia që fëmijët gjejnë në familje dhe rëndësia e kufijve në edukim. Ai flet edhe për mënyrën se si fëmijët mësojnë nga sjellja e prindërve dhe për kujtimet që mbartin me vete gjatë jetës.
Martesa familja dhe edukimi i fëmijëve
Kryepiskopi Joan
Transkriptim i bashkuar dhe i korrigjuar
Gëzohem që jam sot me ju për të ndarë disa mendime rreth martesës, familjes dhe rritjes së fëmijëve, që është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme në jetën shpirtërore. Familja mbështetet në martesë. Nuk mund të ketë një familje pa pasur një martesë. Martesa, për Kishën Orthodhokse, është diçka e shenjtë.
Nuk mund të ndërtohet një martesë nëse nuk do të ketë një ligj moral. Ne nuk mund të kemi një ligj moral nëse nuk besojmë se ka një Perëndi, sepse, nëse e heqim Perëndinë, nuk mbetet më asgjë. E përsërisim shpesh thënien e famshme të Dostojevskit, «Nëse Perëndia nuk ekziston, të gjitha janë të lejueshme». Shikojeni botën sot. E kanë hequr Perëndinë nga jeta e përditshme dhe nuk ndalen para asgjëje. Asgjë nuk mund të luftohet nëse nuk do të jetë ligji moral. Sepse, cila do të jetë arsyeja që njerëzit të mos jenë të korruptuar? Cila do të jetë arsyeja që njerëzit të mos jenë të shthurur? Cila do të jetë arsyeja që njerëzit të jenë besnikë?
Pa besnikëri nuk mbahet familja. Që të mbahet familja, duhet të jetë gjithmonë besnikëria. Besnikëria mund të mbahet vetëm nëse ekziston një ligj moral, të cilin e besojmë. Prandaj besimi është themeli i martesës dhe i familjes së krishterë orthodhokse. Pa këtë besim ajo nuk mund të mbahet. Edhe nëse njerëzit e fillojnë me sinqeritet dhe duan ta mbajnë, rrugën do të lodhen nga vështirësitë e shumta do të rrëzohen. Vetëm një besim që rigjallërohet vazhdimisht ka shpresa ta mbajë familjen të bashkuar.
Një familje e bashkuar mund të krijojë një martesë shumë të qëndrueshme. Një martesë e qëndrueshme mund të krijojë një ngrohtësi shumë të madhe brenda familjes. Fëmijët rriten kur kanë ngrohtësi emocionale. Ndoshta ata që kanë përvojë me fëmijë të cilët nuk kanë pasur familje, që janë rritur në shtëpi fëmijësh ose nëpër rrugë, shikojnë tek ata një lloj ndrydhjeje emocionale, një ashpërsi në sjellje, që vjen nga mungesa e ngrohtësisë emocionale. Për fatin tonë të keq, sot kjo po ndodh edhe me fëmijët që janë brenda familjeve, sepse mungon kjo ngrohtësi emocionale. Sherret, grindjet, sharjet ndaj njëri-tjetrit, indiferenca dhe të gjitha të tjerat ndikojnë tek ata.
Që të ndërtohet një familje e plotë, fillohet me besimin. Institucioni i familjes është një nga institucionet më të vjetra. Edhe institucioni i martesës është nga më të vjetrit, sepse është themeluar nga Vetë Zoti. Qysh në Dhiatën e Vjetër ne kemi themelimin e institucionit të familjes. Institucioni i familjes ka qenë pikërisht lidhja ndërmjet një burri dhe një gruaje. Nuk mund të ketë familje tjetër, nuk mund të ekzistojë një familje ndërmjet dy burrave ose ndërmjet dy grave. Lidhja martesore duhet të jetë ndërmjet një burri dhe një gruaje. Ky është një kusht i domosdoshëm për të krijuar një familje. Krishterimi orthodhoks pikërisht kështu e shikon familjen, si një bashkim ndërmjet një burri dhe një gruaje.
Por nuk përfundon vetëm këtu. Në mes tyre duhet të jetë edhe diçka tjetër, një hallkë lidhëse. Një filozof shumë i njohur, Kirkegori, themeluesi i ekzistencializmit, thotë se dituria e botës e sheh dashurinë si një lidhje ndërmjet një burri dhe një gruaje. Ndërsa dituria e krishterë thotë se ajo është bashkim i burrit, Perëndisë dhe gruas. Kjo do të thotë se Perëndia është hallka lidhëse për t’i mbajtur të bashkuar. Pa këtë hallkë do të jetë shumë e vështirë që njerëzit të mbeten të bashkuar. Mund të qëndrojnë disa vite bashkë dhe pastaj të mërziten me njëri-tjetrin. Edhe kur e kanë filluar me sinqeritet, rrugës mund ta humbasin.
Duke qenë Perëndia në mes, Ai e bën lidhjen të qëndrueshme. Ai është çimentoja që mund t’i mbajë gurët bashkë. Pa të, gurët do të shkërmoqeshin. Historia e shoqërive moderne pikërisht këtë na tregon. Duke u hequr kjo lloj çimentoje, duke u hequr Perëndia nga martesa, familja ka filluar të shpërbëhet. Kjo shpërbërje sjell shqetësim për të gjithë njerëzit. Nëse një shoqëri nuk do të ketë familje të shëndosha, as shoqëria nuk mund të jetë e shëndoshë. Vetëm në një familje të shëndoshë ka shpresë të rriten njerëz me dinjitet.
Në një diskutim panorthodhoks për familjen dhe martesën thuhet një fjalë shumë e rëndësishme. Vetëm një familje e lidhur pranë Perëndisë mund të krijojë kushtet që fëmija të rritet me dinjitet, të edukohet me dinjitet. Një dinjitet që nuk ia japim ne, por që ia ka dhënë Perëndia çdo qenieje njerëzore, gjersa e ka krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Hiqe Perëndinë dhe e gjithë ndërtesa do të shembet. Prandaj edhe e theksojmë këtë gjë. Edhe kurorëzimi në Kishë pikërisht kjo gjë është, lidhja ndërmjet burrit dhe gruas, dhe hallka lidhëse është Perëndia.
Një familje e tillë, pa dyshim, krijon edhe gjëra të tjera. Krijon shpresë për të rritur fëmijë jashtëzakonisht të shëndetshëm edhe nga ana psikike, jo vetëm thjesht fizikisht, njerëz që janë të qëndrueshëm nga ana emocionale. Në kohën ku jetojmë sot është rritur në mënyrë të frikshme numri i psikopatëve, sociopatëve dhe karakteropatëve. Kur themi «psikopat», nuk është kuptimi popullor për njerëz të marrosur. Psikopati është i përgjegjshëm para ligjit. Psikopatia është një shtrembërim i karakterit, kur njeriu fillon dhe humbet ndjeshmërinë natyrale. Çdo njeri ka një ndjeshmëri natyrale për njerëzit që ka rrotull, ka një dashuri për prindërit, ka një dashuri për vëllezërit e motrat. Kur kjo fillon dhe humbet e ftohet, kjo është psikopatia.
Kjo fillon të humbasë e të ftohet nëse nuk do të qëndrojë brenda zjarri i fesë. Është vetëm Zoti që mund ta japë këtë ngrohtësi brenda familjeve, bashkë me vlerat që ka krijuar feja në shekuj. Hiqi këto dhe familja ftohet. Njerëzit fillojnë e bëhen egoistë, gjithsecili mendon për vete. Madje edhe në çështje të thjeshta, banale, si ndarja e ushqimit, gjithsecili do të marrë pjesën më të madhe, sepse fillon egoizmi. Një familje që mbështetet në vlerat e themeluara nga feja, pa dyshim që nuk sillet në këtë formë.
Është fryma e sakrificës. Sakrifica është ajo që e shenjtëron njeriun. Edhe vetë fjala «sakrificë», nga etimologjia, po ta zbërthesh, përbëhet nga dy fjalë latine, «sacra», që do të thotë «e shenjtë», dhe folja «facere», që do të thotë «bëj». Fjalë për fjalë do të thotë «bëj të shenjtë», me një fjalë, «shenjtëroj». Nëpërmjet sakrificës. Prandaj edhe kryqi, në kuptimin e krishterë, është shenja e shpëtimit dhe e shenjtërimit. Nëpërmjet kryqit ne mund të mundim egoizmin. Nuk ka gjë tjetër me të cilën mundet egoizmi, nëse nuk kultivohen sakrifica dhe dashuria ndërmjet anëtarëve të familjes.
Për fatin tonë të keq, sot jetojmë në një kohë kur egoizmi ka marrë përmasa jashtëzakonisht të rrezikshme. Gjithsecili mendon vetëm për vete. Duke qenë në këtë formë, të gjithë do të mbeten vetëm. Familja prishet. Fëmijët nuk ndiejnë përgjegjësi për prindërit, nuk ndiejnë për njëri-tjetrin. As vëllezërit dhe motrat nuk kanë më atë dashuri që kishin dikur, sepse ka humbur esenca e familjes.
Familja është «kisha e vogël», siç e quan Shën Joan Gojarti. Mbi këtë kishë të vogël mund të ndërtohet edhe Kisha e madhe. Ne nuk mund të kemi dot Kishë të madhe nëse nuk ndërtojmë kishat e vogla. Nëse njerëzit nuk edukohen qysh të vegjël me këtë frymë, si do të rriten më vonë? Ja, kemi një problem shumë të madh me kandidatët, qoftë për priftërinj, qoftë për murgj, qoftë për episkopë e të tjerë, sepse në familje nuk rriten më me këtë frymë. Madje, kur dikush mendon të ndjekë rrugën e murgërisë, familja ndoshta mund të shqetësohet shumë. Kam parë shpesh beteja të mëdha, grindje shumë të mëdha ndërmjet djalit ose vajzës dhe prindërve, sepse u duket sikur fëmija u vdiq.
Kjo vjen sepse besimi nuk është shumë i fortë. Nuk mjafton vetëm të themi thjesht me buzë «unë besoj». Nëse këtë besim nuk e përkthejmë në vepra në jetën tonë të përditshme, kjo tregon se realisht nuk besojmë. Një besim i vërtetë gjithmonë do ta ndryshojë njeriun. Nëse ne do të krijojmë një familje të mbështetur në vlerat që ka themeluar Zoti, pa dyshim që shumë gjëra do të ndryshojnë. Madje edhe vetë jeta jonë dalëngadalë fillon të ndryshojë.
Mjekimi që vjen nga prania e Zotit gjithmonë jep efekt, nëse është i pranishëm në jetën tonë. Është po e njëjta gjë si me mjekimin. Mund të besosh në fuqinë e antibiotikëve, këtë shembull e jap gjithmonë, por, nëse nuk e injekton antibiotikun në trupin tënd, asgjë nuk do të ndodhë. E njëjta gjë është me besimin. Mund të besosh, ose mendon se beson nga ana rituale, por, nëse nuk e praktikon besimin në jetën tënde të përditshme, nuk do të ketë efekt. Prandaj edhe njeriu nuk ndryshon.
Më tha dikush diçka, të cilën e kam ndarë me shumë veta. Më tha diçka të rëndësishme, meqenëse ishte njëzetvjetori i fronëzimit. Më tha se para njëzet vjetësh kishte qenë më i mirë, ndërsa sot nuk ishte më aq i mirë. Pikërisht kjo gjë tregon se, ndonëse është njeri që vjen vazhdimisht në kishë, vjen çdo të diel, nëse nuk do ta praktikojmë besimin në jetën e përditshme, ne nuk do të përmirësohemi. Nuk përmirësohemi sepse besimi mbetet jashtë nesh, nuk është besimi që motivon veprimet tona të përditshme. Edhe njerëz që besojnë, në çastin më të vogël e humbasin gjithçka, gati të fillojnë sherre, gati për zënka e të tjera, gati të rrëmbejnë diçka, sepse besimi nuk është i fortë. Mund të fyhemi shumë shpejt, të ndiejmë diçka të vogël e të fyhemi. Njerëzit mund të gjejnë argumente të shumta për ta justifikuar, por argumenti kryesor është besimi ynë i vakët.
Kur themi «besim në familje», ndoshta është gjëja më e rëndësishme. Dhurata më e madhe që mund t’i jepni një fëmije është një edukatë e mirë. Të edukosh fëmijët nuk është një gjë e lehtë. Neglizhimi i edukimit të fëmijëve është një mëkat shumë i madh. Shën Joan Gojarti thotë tekstualisht këto fjalë, «Mëkati më i madh është mosedukimi i fëmijëve». Kur flet për edukimin e fëmijëve, thotë pikërisht t’i ushqesh me ato vlera për të cilat ne mendojmë se besojmë.
Nëse ne i ushqejmë fëmijët me egoizëm, jo me ndjenjën e sakrificës, i ushqejmë vetëm për përfitimin e tyre, pa dyshim që edhe ata do të bëhen egoistë. Pastaj habitet prindi e thotë, «Si iku fëmija dhe më la?». Po ti kështu e edukove, në këtë formë u rrit. Në një shoqëri egoiste të gjithë do të jenë të humbur. Është përgjigjja e gjithësishme. Në një shoqëri hileqarësh të gjithë janë të humbur.
T’ju tregoj një episod, është i vërtetë, por nuk po e them emrin, se ndoshta mund të ketë edhe nga Lushnja. Isha njëherë në Lushnjë,dhe doja një arkë domate. Një prift më dërgoi te një fermer dhe ai filloi të mblidhte. Fermeri i tha atij që po mblidhte, «Jo, nga rreshti tjetër». E pyeta, «Përse nga rreshti tjetër?». Më tha, «Rreshti tjetër është për familjen time». I thashë, «Mirë, e paske siguruar familjen për këtë. Po fëmijët do të hanë edhe djathë?». Më tha po. «Po përse ai që e bën djathin nuk e bën si puna jote? Prapë me hile». «Mish a ha? Po përse ai i mishit nuk punon si puna jote?». Sepse të tjerave u kishte hedhur pesticide të ndaluara, ndërsa të vetat i ruante.
Në një shoqëri hileqarësh, njëri-tjetri është i humbur. Mund të fitojmë në afat të shkurtër në një gjë, por do të humbasim në shumë gjëra të tjera. Nëse do të jetë diçka e mirë, do të jetë nga të gjithë. Edhe brenda familjes është po i njëjti qëndrim, një qëndrim egoist, sepse ne mendojmë vetëm për veten. Prandaj edhe njerëzit kanë mbetur vetëm.
Një i krishterë vetëm nuk është më i krishterë. Që në shekullin e dytë, Tertuliani thotë disa fjalë, të cilat unë i përmend shpesh, «Unus Christianus, nullus Christianus». Do të thotë se një i krishterë që është vetëm, i vetmuar, jo vetëm fizikisht, nuk është i krishterë. Një i krishterë është pjesë e komunitetit. Bërthama e komunitetit është familja. Familja e ndërton komunitetin. Qenia njerëzore është një qenie komunitare. Perëndia na ka krijuar sipas ikonës së Tij, na ka krijuar si qenie komunitare.
Çfarë është Trinia? Është një qenie hyjnore në tre Persona. Kungimi i këtyre tre Personave përbën Trinitetin. Edhe njerëzit po kështu janë. Shën Grigor Theologu thotë këto fjalë, që ndoshta mund t’ju duken shumë të çuditshme. Të thuash «qenie njerëzore» në shumës është herezi. Ka një qenie njerëzore dhe miliona persona. E gjithë familja njerëzore ka diçka shumë të përbashkët, ka të njëjtën natyrë. Mund të jemi miliona persona të ndryshëm, por këtë e kemi të gjithë të përbashkët. Në familje kjo mund të kultivohet.
Njerëzit që kultivojnë në familje dashurinë për njëri-tjetrin dhe sakrificën për njëri-tjetrin kanë shanse të kenë dashuri dhe sakrificë edhe për njerëzit që janë jashtë familjes. Ndërsa persona që nuk e bëjnë këtë as brenda familjes, si mund ta bëjnë me njerëz që nuk i njohin fare? Shoqëritë sot në të gjithë botën përballen me këtë gjë. Njerëzit kanë mbetur vetëm, sepse e shohin jetën e tyre, gjithsecili vetëm të vetën. Është diçka që doja të ndaja me ju, e përmend shpesh, sepse është shumë e rëndësishme.
Ne jetojmë sot në një kohë ku shumë doktrina, shumë ideologji, shumë thënie, shumë opinione vijnë dhe nuk janë opinione të krishtera. Është një opinion, «Kjo është jeta ime, bëj çfarë të dua. Është trupi im, bëj çfarë të dua». Këto janë opinione antitëkrishtera. E para, është një gënjeshtër, sepse nuk është e jotja, është një dhuratë nga Zoti. E dyta, nuk është vetëm e jotja, është edhe e familjes tënde. Nëse një njeri, një vëlla, një motër bën diçka shumë të rëndë, deri në vetëvrasje, sa preken jetët e të tjerëve? Jeta e tij nuk është vetëm e tij, ose jeta e saj nuk është vetëm e saj, por është edhe e të tjerëve. Jeta jonë prek edhe jetët e njerëzve që kemi rrotull nesh. Prandaj nuk mund të jetë vetëm e jona.
Ky është kuptimi i thënies që një i krishterë e shikon veten si qenie komunitare, si pjesë të komunitetit, jo vetëm për veten. Vetmia mund ta shkatërrojë njeriun. Vetmia dhe egoizmi janë dy gjëra që e prishin qenien njerëzore. Nëse njeriu do të jetë i izoluar, i vetëm, ai nuk mund të jetë një qenie e plotë, sepse shkëputet nga qenia njerëzore, nga natyra e vërtetë në të cilën është krijuar. Familja është vendi ku mund të kultivohet kjo ndjenjë. Nëse nuk e kultivojmë në familje, është shumë e vështirë për dikë që ta realizojë në shoqëri.
Kjo është përgjegjësia e madhe e prindërve për edukimin e fëmijëve, për t’i ushqyer me ndjenjën komunitare. Edhe për t’i ushqyer me disa vlera që do të jenë shumë të rëndësishme gjatë gjithë jetës së tyre. Pak njerëz, pak familje ose pak prindër mundohen t’i edukojnë fëmijët të bëhen të shenjtë dhe të bëhen të drejtë. Pjesa më e madhe përpiqet që të bëhen të suksesshëm, të bëhen avokatë, se mund të kenë shumë lekë, të bëhen mjekë, të kenë prestigj, ose të bëhen politikanë e të tjerë. Por shumë pak këmbëngulin që të bëhen të drejtë. Ju i keni dëgjuar, ka ndoshta që mund t’ua kenë thënë edhe fëmijëve, «Pse përzihesh me të tjerët? Shiko vetëm tënden».
Nuk kultivohen vlera besnikërie, vlera miqësie, vlera heroizmi, vlera sakrifice për njerëzit e tjerë. Gjithsecili mendon vetëm për vete. Po të jetë mirë për ty, nuk prish punë për të tjerët. Po ashtu, njëlloj, edhe të tjerët. Në një shoqëri të tillë të gjithë janë të rrezikuar. Prandaj edhe shoqëria jonë është kaq e lodhshme sot. Shkojnë njerëzit në punë, punojnë tërë ditën, ose nuk bëjnë asnjë punë, kthehen të lodhur, të dërmuar. Pikërisht nga stresi. Nuk kanë një siguri. Dyshojnë tek njëri, dyshojnë tek tjetri, sepse mungon lidhja e përbashkët njerëzore. Kjo fillon që nga familja.
Pika e dytë e edukimit të fëmijëve, që është shumë e rëndësishme për ju, është që t’i mësoni fëmijët të thonë «jo». T’i thonë vetes «jo» për disa gjëra. Liria është shpeshherë e keqkuptuar. Liria nuk do të thotë të bësh çfarë të duash. Nëse ne do t’i mësojmë fëmijët të bëjnë çfarë të duan, nuk do të thotë se u kemi dhënë diçka shumë të mirë. Njerëzit kanë dëshira nga më të ndryshmet, por nuk do të thotë se të gjitha dëshirat janë të drejta e të gjitha dëshirat janë të mira. Ka një kufizim.
Nëse do të lexoni Dhiatën e Vjetër, Zoti është pedagogu më i madh. Askush nuk mund të krahasohet në pedagogji me Zotin. Zoti e fillon pedagogjinë me një «jo». «Do të hani nga të gjitha pemët, por jo nga kjo». I vendos një kufizim, i vendos një ndalesë. Kjo ndalesë nuk ishte për ta penguar atë, as për të penguar lirinë e tij, por për ta forcuar lirinë e tij. Njerëzit e parë ranë . Ne i dimë pasojat katastrofike të kësaj gjëje. Edhe sot është po e njëjta gjë. Shumë «jo» që vijnë nga kufizimet morale nuk janë për ta dëmtuar njeriun, por janë për ta mbrojtur atë.
Unë e jap shpesh një krahasim. Shikoni nëpër rrugët malore, ka disa parmakë anash. Ata parmakë nuk janë për të kufizuar lirinë e shoferit, por janë për ta mbrojtur që të mos bjerë në greminë. E njëjta gjë ndodh me kufizimet morale, ato janë për ta mbrojtur atë. Sot ne kemi një agresion kulturor dhe njerëzit mendojnë se kufizimet morale e dëmtojnë individin. Është krejtësisht e gabuar.
Kjo ka lindur, mund t’ju jap një historik shumë të shkurtër. Është e habitshme që qoftë Etërit e Shkretëtirës, qoftë edhe psikologjia e Frojdit përdorin pothuajse të njëjtin imazh. I pari ndoshta ishte Frojdi, që e quajti një instinkt brenda njeriut, libidon, me emrin «kafsha», «shtaza brenda njeriut». Është një term i Etërve të Shkretëtirës ky. Ai vuri re, ndoshta me të drejtë, se shumë neuroza vinin nga kundërshtimi i këtyre kufizimeve morale. Duke qenë ateist, mendoi se ndoshta, duke i hequr kufizimet, shtaza brenda njeriut do të qetësohej. Jungu, i cili ishte më shpirtëror, dha variantin se ndoshta shtaza duhet mbajtur mike, duhet të miqësohesh me të. Etërit e Kishës thoshin po të njëjtën gjë, por me një zgjidhje tjetër.E vetmja mënyrë, thonë, për të shpëtuar prej saj duhet ta vrasësh. Por, duke i zgjidhur zinxhirët, shtaza jo vetëm që nuk u qetësua, por filloi t’i përpijë të gjithë të tjerët. Rezultatet klinike treguan se ky argument nuk ishte i saktë.
Edhe sot njerëzit mendojnë se janë të lirë, por nuk janë të lirë. Njeriu i shthurur nuk mund të jetë i lirë. Kushdo prej jush që ka përvojë me njerëz të shthurur e kupton se ata nuk janë të lirë, por janë skllevër të pasioneve të tyre. Madje janë shumë më larg lirisë se çdo qenie tjetër, sepse pa disa kufizime ne nuk mund ta mbrojmë lirinë tonë.
Duke i mësuar fëmijët me këtë gjë, me atë që do të thotë «jo», ju do t’u jepni një armë shumë të madhe. Sepse, nëse ata nuk janë të aftë t’i thonë vetes «jo» për diçka fare të vogël, si mund t’ia thonë për diçka të madhe? Kjo është një nga arsyet pse njerëzit e sotëm nuk kanë një fuqi të madhe përballë tundimit. Përballë çfarëdo lloj tundimi, përnjëherësh dorëzohen, sepse nuk janë stërvitur. Një atlet, që të ketë fuqi muskulore e fizike, duhet të ketë mijëra orë ushtrimesh. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën shpirtërore. Nëse nuk stërvitet me këtë gjë, ai nuk do të ketë forcën, as muskujt shpirtërorë për t’u përballur me tundimet e ndryshme që do të hasë njëherë. Mundohuni t’i mësoni fëmijët me këtë gjë, sepse do t’u jepni një armë shumë të rëndësishme në jetën e tyre.
Diçka tjetër shumë e rëndësishme për fëmijët është imazhi. Nëse ata nuk kanë imazhe të bukura në familje, do të kenë probleme shumë të mëdha emocionale, shpeshherë edhe psikike. Tek libri i famshëm «Vëllezërit Karamazov», Dostojevski vendos në gojën e starecit Zosima... Nuk e di kush mund ta ketë lexuar librin «Vëllezërit Karamazov», është një nga romanet më të bukura në botë. Ka dy kapituj shumë të rëndësishëm që flasin për starecin Zosima. Gjatë kohës që Dostojevski shkruante për të, kishte ndër mend Shën Tikonin e Zadonskit.
Në fund fare, në kapitujt e parë që flasin për të, në kapitullin që quhet «Murgu», stareci Zosima tregon një histori. I kujtohet kur gjyshja e tij e kishte marrë në kishë. Fillon ta përshkruajë kishën me sytë e fëmijës, temjanin, psalmet, priftin, ikonat, gjithçka. Nga mënyra si e përshkruan, ishte Mesha e të Parashenjtëruarave gjatë Kreshmës së Madhe. Pasi e mbaron përshkrimin, thotë këto fjalë, «Ai fëmijë, ai njeri që ruan kujtime të bukura nga familja, ka shpëtuar përgjithmonë».
Të njëjtën gjë thonë sot pothuajse të gjithë psikologët. Imazhet e bukura mund të krijojnë një strukturë shumë të fortë psikike për fëmijët. Por imazhet nuk janë domosdoshmërisht vetëm imazhe të jashtme. Janë edhe imazhet e kujtimeve të ndryshme. Figura e një babai të drejtë, të ndershëm dhe të devotshëm, figura e një nëne të dhembshur e sakrifikuese, i mbeten fëmijës për gjithë jetën në mendje. Edhe e kundërta i mbetet në mendje.
Prandaj ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe në rritjen e fëmijëve, për atë që u transmetojmë me tërë këto gjëra. Si mund t’i thuash një fëmije «mos gënje», kur ai e shikon prindin që gënjen? Si mund t’i thuash fëmijës «mos vidh», kur shikon prindin që vjedh? Siç u thonë shumë veta fëmijëve «mos përdor narkotikë», kur fëmija e ka parë babanë dhe nënën duke kultivuar hashash, duke e prerë nëna? Imazhi i mbetet në mendjen e tij. Imazhet që u lëmë fëmijëve shpesh lënë gjurmë të pashlyeshme dhe ata do t’i mbartin për gjithë jetën.
Ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe, sepse, sipas kuptimit të krishterë, fëmijët janë të Perëndisë dhe ne jemi kujdestarët e tyre. Do të kemi përgjegjësi përpara Zotit, jo vetëm thjesht për jetën tonë, por edhe për skandalet që u kemi shkaktuar atyre. Zoti thotë në Ungjill se do të ishte më mirë për njeriun të varte një gur mulliri në qafë e të hidhej në det, sesa të skandalizonte një nga këta të vegjlit. Sa herë mund t’i skandalizojmë ne fëmijët, sa herë mund t’ua prishim imazhin? Fëmija është shumë i vëmendshëm, shumë më tepër sesa mendojmë ne.
Tregojnë një histori shumë të bukur nga jeta e atë Shën Siluanit. Kur ishte katër vjeç, i ati ishte një njeri pa shkollë, por shumë fetar dhe shumë i butë nga natyra. Njerëzit e ditur që vinin në fshat i ftonte në shtëpi. Njëherë kishte ardhur një tregtar ambulant nga Moska dhe e ftoi në shtëpi. Duke qenë njeri shumë fetar, gjithmonë e hapte bisedën rreth Perëndisë. Tregtari ishte ateist dhe i thotë, «Çfarë Perëndie? Nuk ka Perëndi». I ati, thotë, ishte një njeri shumë i butë dhe nuk e kundërshtoi. Por ajo farë dyshimi që u mboll atëherë tek unë, thotë, më kushtoi shumë dekada dyshimesh .
Ne mund të mbjellim farën e mirë tek fëmijët, por mund të mbjellim edhe fara të këqija, shpeshherë duke mos qenë të vëmendshëm. Prandaj edhe Zoti thotë në Ungjill se do të gjykohemi për çdo fjalë të kotë që kemi folur, sepse ajo fjalë ndoshta mund të mbetet në shpirtin e njeriut e mund ta shkatërrojë atë.
Përgjegjësia e prindit për të rritur një fëmijë është e jashtëzakonshme. Madje, nëse ka edukuar një fëmijë, realisht e ka përmbushur një qëllim shumë të madh. Kjo do t’i quhet një vepër e jashtëzakonshme përpara gjyqit të Zotit. Ne jemi kujdestarë të këtyre fëmijëve dhe kemi përgjegjësi për ta, për jetën e tyre fizike, por edhe për jetën e tyre shpirtërore. Duke i mësuar fëmijët në këtë formë, pa dyshim që edhe ata do të fillojnë të bëhen më të mirë. Duke u bërë më të mirë, do të keni edhe ju dobi prej tyre.
Një njeri i virtytshëm nuk mund t’i braktisë prindërit. Një fëmijë që është rritur me besimin dhe me sakrificën, pa dyshim që, edhe kur të rritet, nuk mund t’i braktisë e t’i lërë mënjanë prindërit e tij. Sot, meqë janë rritur egoistë, sillen në këtë formë dhe të gjithë kanë mbetur vetëm. Ndoshta ne jemi në fazat e para, por në të gjithë botën njerëzit kanë mbetur vetëm. Edhe në vendet e tjera, ku mund të kenë shumë pasuri, mund të jenë edhe multimilionerë, kanë mbetur vetëm. Njeriu nuk mund të jetë dot i plotë kur është i vetmuar. Prandaj ka një problem shumë të madh. Shumë njerëz vdesin nga vetmia. Mund t’i kenë të gjitha të tjerat, por nuk kanë atë kryesoren, atë ngrohtësinë emocionale.
Për prindin është një plagë shumë e madhe kur plaket dhe fillon të kuptojë se fëmija i tij nuk e do. Mundohet të mos e pranojë, mundohet të gjejë njëzet mijë justifikime, por përsëri prindi e kupton fëmijën e tij. Nuk është vetëm faji i fëmijës, është edhe faji i prindit që nuk arriti t’i transmetonte diçka. Kishte të drejtë shkrimtari i famshëm francez Viktor Hygo, që thotë se për fajet e fëmijëve duhet rrahur prindi dhe për fajet e nxënësve duhet rrahur mësuesi. Ndoshta është nisur edhe nga historia me filozofin e vjetër antik Diogjenin. Njëherë Diogjeni po ecte rrugëve të Athinës dhe një fëmijë po ecte së bashku me pedagogun e tij. Fjala «pedagog» kishte kuptimin e mësuesit. Ky fëmijë e gjuajti me gur Diogjenin. Diogjeni u kthye dhe e goditi me shkop mësuesin. Për t’i thënë se është faji yt që ky më gjuajti me gur mua.
E njëjta gjë ndodh edhe me fëmijët. Mundohuni të kultivoni tek ata gjëra të mira. Mundohuni të mbillni tek ata farën e besimit, sepse frutat që do të dalin nga kjo do t’i shijoni ju të parët dhe, pa dyshim, do t’i shijojnë edhe fëmijët tuaj.
Në fillim duket e vështirë, kryqi është shumë i vështirë, por nuk ka rrugë tjetër për të kaluar. Zoti nuk na ka thënë se nuk do të kemi vështirësi. Ne do të kemi vështirësi. Madje Jisui thotë se në botë do të keni shtrëngim, por kini zemër, unë e munda botën. Me kryqin e Zotit do të kemi vështirësi, por fitorja është gjithmonë. Nëse do të jetë Zoti i pranishëm, pa dyshim që do të na mbrojë nga shumë rreziqe. Vështirësia është kur ne e kemi luftën vetëm, sepse nuk e pranojmë Zotin të jetë në jetën tonë të përditshme. Të vetmuar ne nuk mund të fitojmë. Madje, edhe kur kujtojmë se fitojmë, ne kemi humbur, sepse fitojmë në mënyrën e gabuar.
Ky është kuptimi i fjalëve paradoksale të Zotit që thotë se ai që do ta fitojë jetën e tij, do ta humbasë. Ai që do ta humbasë për mua dhe për Ungjillin tim, do ta fitojë. Çfarë do të thotë kjo gjë? Shumë njerëz synojnë ta fitojnë. E shikoni, nuk ndalen para asgjëje, rrëmbejnë, vjedhin, falsifikojnë dokumente, nuk po flas për ata që vrasin e bëjnë gjëra të tjera, dhe mendojnë se kanë fituar. Faktikisht nuk kanë fituar, madje jo vetëm për jetën që do të vijë pas kësaj jete.
Nuk mund të ketë paqe dhe gëzim në shpirtin e njeriut nëse nuk do të jetë Zoti i pranishëm. Gëzimi nuk është çështje e temperamentit të njeriut. Është një dhuratë. Këtë dhuratë e ke kur Zoti është i pranishëm. Nëse nuk do të jetë Zoti i pranishëm, të gjithë botën të fitoni, nuk do të ketë dobi. «Çfarë do të japë njeriu në këmbim të shpirtit?», thotë për të gjithë. Nëse ne duam të fitojmë, e fitojmë pikërisht duke humbur.
Çfarë do të thotë të humbasësh? Të humbasësh do të thotë që ti ke mundësi të marrësh diçka, por nuk e merr, sepse nuk është e drejtë. Ke dëshirë të plotësosh një pasion tëndin, mund të kesh shumë dëshirë, zjarr, por nuk e bën. Nuk e bën sepse nuk është e drejtë. Duket sikur humbet. Faktikisht nuk humbet, ti e fiton. Jo vetëm për jetën që do të vijë, por edhe në këtë jetë do të kesh më shumë paqe e gëzim.
Sot bota nuk ka gëzim, sepse e ka përjashtuar Zotin nga jeta e përditshme. Hiqe Zotin nga jeta e përditshme dhe e bën jetën të zymtë, jetë prozaike, jetë pa poezi. Vetëm «shiti e bleu», «ia punoi këtij, ia mori atij», një jetë e shëmtuar që, për fatin tonë të keq, ne po e jetojmë sot.
Është detyra juaj të mbillni tek fëmijët një frymë tjetër, të mbillni fara të besimit që të japin fruta shumë të mëdha. Nëse nuk do të mbillni ju, si do të rritet ajo gjë? Unë besoj, dhe kjo është diçka që e beson edhe Kisha dhe Etërit e Kishës kanë folur, se çdo njeri do ta ketë një shans në jetë. Do ta ketë një pranverë në jetën e tij. Nëse fara është atje, ka shans të mbijë. Nëse vjen një pranverë, dy, tre, katër, e nuk është mbjellë fara, atje nuk do të mbijë asgjë. Kjo është detyra e prindërve, për të mbjellë fara të mira tek shpirti i fëmijëve. Në një shpirt të njomë zë vend më lehtë. Sa më i njomë të jetë, aq më e lehtë është për të drejtuar diçka.
Përkëdheljet e shumta shpeshherë nuk e ndihmojnë. Jo më kot, për shembull, në anglisht fjala «përkëdhel» dhe «prish» është e njëjta fjalë. Sepse përkëdhelja e prish atë gjë. Edhe te Proverbat e Solomonit thuhet se ai që e do fëmijën e tij nuk e kursen disiplinën, për ta ndihmuar, jo për ta dënuar. Nëse e prish një fëmijë duke e përkëdhelur, e ke prishur përgjithmonë. Një fëmijë i përkëdhelur është fëmijë i prishur në të vërtetë. Ai do të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Prindi ndoshta mund ta tolerojë. Nëse nuk do të jetë në qendër të vëmendjes, do të fillojë të qajë, të përplaset, të kërkojë që të merreni vazhdimisht me të. Por moshatarët e tij nuk do të sillen me të në atë formë.
Nesër, pasnesër, kur të vijë koha që të martohen dy fëmijë të rritur të tillë, do ta kenë shumë të vështirë, sepse kanë tekat e tyre. Shpeshherë shumë divorce vijnë nga tekat e ndryshme, sepse askush nuk pranon të bëjë ndonjë sakrificë. Është një egoizëm, të jenë ata që të dominojnë, të jenë ata në qendër të vëmendjes, asgjë tjetër. Një familje e tillë dhe fëmijë të tillë nuk janë rritur në një frymë të krishterë. Fryma e krishterë është fryma e sakrificës për njëri-tjetrin, e ndihmës që ne mund t’i japim njëri-tjetrit. Duke u rritur në këtë formë dhe duke mbjellë farën e mirë, pa dyshim që kjo është dhurata më e madhe që mund t’u bëni fëmijëve.
Siç thamë në fillim, nuk mund të ketë dot një familje pa besnikëri. Nuk mund të ketë një martesë, nuk mund të ketë këtë gjë pa qenë ligji moral. Ligji moral nuk është thjesht në kufizimet, por është edhe në planin pozitiv, në gjërat e mira që njeriu duhet të kultivojë brenda familjes, të jetë i duruar, të jetë i sakrificës, të ketë dhembshuri për të tjerët.
Për këtë duhet t’i flisni edhe fëmijës dhe, pa dyshim, duhet të luteni për të. Siç ka thënë një episkop i shenjtë, është shumë më mirë t’i flasim Zotit duke u lutur për fëmijën, sesa t’u flasim fëmijëve gjithë ditën rreth Zotit. Mund t’u flisni rreth kësaj gjëje, por, nëse ata nuk e shohin shembullin, shpeshherë mund të japë efektin e kundërt. Nëse ne nuk e bëjmë atë që u themi fëmijëve se duhet ta bëjnë, fëmijët nuk do ta bëjnë dot kurrë. Madje do ta kthejnë kundër jush. Ndoshta kur janë të vegjël nuk mund ta kenë guximin, por, mbasi rriten pak, sa herë që ju do t’i kritikoni, do t’ju thonë, «Po edhe ju kështu bëtë».
Prandaj është shumë e rëndësishme një jetë e krishterë. Nëse fëmija rritet në një atmosferë të krishterë, ka shumë shanse që të bëhet ndryshe. Jo vetëm thjesht që do të fitojë jetën që do të vijë, por edhe në këtë jetë është më mirë. Sot, për shembull, njerëzit e kanë hequr përjetësinë nga botëkuptimi i tyre. Shumë pak njerëz flasin për jetën që do të vijë. E shohin këtë jetë të përkohshme vetëm në dimensionin e përkohshëm dhe nuk kanë gëzim. Gjithmonë janë me ankth, «Obobo, iku ky vit! Obobo, u plaka, thinjem!». Njëri bën operacione plastike, tjetri lyen flokët. Harron se kjo është një luftë, ato gjëra do të kalojnë. Ndërsa ai që e shikon dimensionin e përjetshëm e shijon edhe këtë pjesë të përkohshme, sepse çdo fazë e jetës ka bukurinë e saj. Ky është udhëtimi natyral i qenies njerëzore.
Sot preokupimi është shumë i madh sepse nuk kemi besim. Njerëzit bëjnë një shtëpi, pas një shtëpie bëjnë shtëpinë e dytë, edhe ata që kanë katër nuk janë të gëzuar, ose mund të kërkojnë gjëra të tjera. «Ai që nuk kënaqet me pak», thotë Solomoni i ditur, «e gënjen mendja se do të kënaqet me shumë». Prandaj mundohuni të kultivoni tek fëmijët ndjenjën e moderimit. Nuk është nevoja të kenë shumë gjëra. Nëse njeriu ka një shtëpi, një krevat ku të flejë, ka disa rroba dhe ka ushqimin, nuk është i varfër. Nëse nuk është i pasur, nuk do të thotë se është i varfër. Nëse plotësohen nevojat bazike, janë të mjaftueshme.
Tregohet një traditë e mbështetur në Dhiatën e Vjetër. Ata që kanë lexuar Zanafillën ndoshta e mbajnë mend se njerëzit e parë jetonin nëntëqind e ca vjet, për shembull Mathusalemi nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet, Adami nëntëqind e tridhjetë vjet. Një traditë thotë kështu, ata nuk ndërtonin shtëpi, se thoshin «pak jemi dhe do të ikim». Ndërsa ne, që sa mund të shkojmë, ja, për hatër njëri do të shkojë njëqind, shumë-shumë, dhe ndërtojmë kushedi sa shtëpi. Ky është një ankth i brendshëm. Ky ankth i brendshëm nuk mbushet dot me gjëra. Hidhi sa të duash brenda, pasuri, kurora, çfarë të jetë, ai nuk do të mbushet. E vetmja gjë që mund ta mbushë, e thotë Paskali i madh, këtë abis pa fund, është vetëm një objekt i pafund. Ky objekt i pafund është Perëndia, vetëm Ai mund ta mbushë shpirtin e njeriut.
Gjithë të tjerat, sa më tepër gjen, do edhe më tepër. Ja, shikojeni me fëmijët. Dikur ndoshta nuk kishin kaq shumë lodra sa ç’kanë sot, por ishin më të gëzuar. Të kesh gëzim nuk do të thotë të kesh gjëra. Sot i blen lodrën, e hap atë, e prish, e lë, nuk të gëzon. E njëjta gjë ndodh edhe me të rriturit. Fito këtë, ndërto shtëpinë e parë, shtëpinë e dytë e të tjera, përsëri nuk ngopet. Nuk ngopet sepse brenda njeriut është një ankth, një ankth ekzistencial. Kjo gjë mund të mbushet vetëm nga një besim shumë i madh. Vetëm ai mund ta mbushë e mund t’ia heqë njeriut stresin dhe ankthin.
Bota e sotme ka kaq shumë stres e ankth pikërisht nga mungesa e vlerave, nga mungesa e jetës shpirtërore. Nëse ne nuk do të kemi jetë shpirtërore, si do t’ua transmetojmë atë fëmijëve? Është detyra e prindit që ta praktikojë këtë gjë e t’ua transmetojë edhe të tjerëve. Figura që ne lëmë tek fëmijët do të jetë gjatë gjithë jetës së tyre.
Kam biseduar shumë me brezat pak më të vjetër, që janë mbi gjashtëdhjetë vjeç, dhe i kam pyetur shpeshherë se si e kanë ruajtur besimin në të gjithë këtë kohë. Përse po them? Nëntëdhjetë e nëntë për qind kanë thënë pothuajse të njëjtën gjë, ose nga figura e gjyshes, ose nga figura e babait. I kujtohet figura e babait, për shembull. Njëri ma ka përshkruar në mënyrë edhe më të detajuar. «Më kujtohet babai të dielën, përgatitej që në mëngjes, çohej herët, duke u rruar këndonte disa tropare, kur vishej të gjitha. «Të gjitha këto imazhe më ndihmuan mua ta mbaj besimin gjatë gjithë kësaj kohe. Nëse nuk do të kisha imazhe, ndoshta nuk do të kisha besim».
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me fëmijët tuaj. Nëse do të ruajnë imazhe kaq të bukura, ku ta kujtojnë që dita e diel është një ditë e veçantë, ku e gjithë familja përgatitet që nga veshja e të gjitha për të ardhur këtu, do t’u mbeten këto gjëra. Nëse nuk do t’i edukojmë me këtë gjë, atëherë nuk është vetëm faji i tyre, do të jetë edhe faji ynë.
Nëse i duam realisht fëmijët, do t’u japim diçka që nuk prishet. Thotë Zoti në Ungjill, «Punoni për ushqimin që nuk prishet, jo për atë që prishet». Këto, edhe sikur t’i kenë, do t’i kenë për një kohë të shkurtër. Edhe kur i kanë, përsëri nuk i gëzojnë, sepse ka shumë telashe e shumë gjëra të tjera. Por për atë që do të jetë përgjithmonë, ne nuk i përgatisim shumë fëmijët.
Shikoni njerëzit se çfarë bëjnë për të marrë një pension. Paguajnë tridhjetë vjet, njëzet vjet sigurime, çdo muaj, që dikush ndoshta e gëzon e dikush nuk e gëzon. Ndërsa për pensionin e përjetshëm nuk japin asgjë. Nuk japin sepse nuk e besojnë. Edhe kur e pranojnë në kuptimin intelektual, përsëri nuk e shohin si realitet të gjallë. Nëse nuk do të jetë realitet i gjallë, edhe besimi do të jetë i vakët, që do të thotë se besimi nuk është i fortë. Një besim i fortë gjithmonë jep fruta, sepse nuk mund të ketë një besim që nuk ka fruta.
Siç shkruan Shën Jakovi, «Ju thoni se besoni në Perëndi. Shumë mirë bëni. Edhe demonët besojnë në Perëndi». Madje demonët e dinë më mirë që ka Perëndi. Megjithatë kjo nuk vlen vetëm. «Ku janë veprat tuaja që tregojnë se ju besoni?». Një besim pa vepra është një besim i vdekur. Prandaj do të doja shumë që besimi juaj të japë disa vepra, së pari për fëmijët tuaj e për njerëzit që janë rrotull jush. Sepse ne nuk e ndezim dot kandilin e shpirtrave të të tjerëve nëse kandili ynë është i fikur. Një kandil i fikur nuk ndriçon. Më parë të ndezim kandilin e shpirtit tonë, me shpresën që kjo dritë të ndezë edhe kandilet e njerëzve që janë rrotull nesh. Amin.
Më parë, UGO kishte raportuar për zgjedhjen e Joanit, atëherë Mitropolit i Korçës, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

