Mitropoliti Nikolla predikon për Samaritanin e mirë në Fier
Kreshmë të mbara dhe të bekuara!
Ne e dimë, të dashur besimtarë, se, kur Krishti filloi të shpallte mësimet e Tij, të cilat vazhdimisht i shoqëronte me shërime dhe mrekulli të shumta, edhe shumë njerëz e ndiqnin Krishtin në të gjitha udhëtimet e Tij. Kjo ngjalli një xhelozi të madhe te mësuesit e ligjit, te shkruesit dhe te kryepriftërinjtë. E shikonin se dikush tjetër po tërhiqte popullin dhe shpeshherë përpiqeshin t’i bënin Zotit pyetje për ta vënë në vështirësi e për ta turpëruar përpara popullit.
Një rast i tillë na tregohet në pjesën e Ungjillit të sotëm. Një nga mësuesit e ligjit i afrohet Zotit dhe, për ta tunduar, e pyet: “Çfarë duhet të bëj?”, i thotë, “që të fitoj jetën e përjetshme?”
Edhe Krishti nuk i thotë të bëjë këtë apo atë. I përgjigjet: “Ti je mësues i ligjit. Duhet ta dish çfarë të kërkon ligji të bësh.”
Ai i thotë: “Po, ligji thotë: Duaje Perëndinë me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe duaje të afërmin si veten tënde.”
Zoti i thotë: “Shumë bukur e the. Kështu bëj dhe do të jetosh.”
Por ai këmbëngul dhe e pyet: “Po mirë, kush është i afërmi im?”
Duke marrë shkas nga kjo pyetje, Zoti tregon paravolinë e bukur të Samaritanit të mirë. Një njeri, thotë Zoti, zbriti nga Jerusalemi për në Jeriko dhe atje ra në duart e kusarëve. Pasi e plaçkitën, e lanë gjysmë të vdekur, të mbuluar me plagë.
Në atë rrugë, thotë Zoti, kaloi një prift. E pa të plagosurin dhe kaloi në anën tjetër. Më pas kaloi një levit. Edhe ai e pa, por nuk e ndihmoi. Vetëm një samaritan, i urryer në sytë e izraelitëve, u kujdes për atë njeri. Ia lidhi plagët, ia mjekoi, e hipi në kafshën e tij, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes gjithë natën për të sëmurin.
Në mëngjes mori dy dinarë dhe i tha të zotit të bujtinës: “Merri këto dhe kujdesu për të derisa të shërohet plotësisht. Nëse shpenzon më shumë, do të ta paguaj pjesën tjetër kur të kthehem.”
Atëherë Zoti e pyet mësuesin e ligjit: “Kush u tregua i afërmi i atij njeriu?”
Dhe ai përgjigjet: “Samaritani.”
Zoti i thotë: “Shko dhe bëj edhe ti si ai.”
Të gjitha këto që thotë Zoti sot, i thotë me shumë urtësi. Asgjë nuk është e pakuptimtë brenda kësaj paravolie. Kush është njeriu që zbriti nga Jerusalemi për në Jeriko? Është njeriu që u krijua për të jetuar në Jerusalemin qiellor, në Parajsë, por u largua nga Parajsa dhe e humbi atë. Me humbjen e Parajsës, njeriu u gjend në prag të vdekjes. Në prag të vdekjes u gjend mbarë njerëzimi.
Por Perëndia, në dhembshurinë e Tij, gjithmonë dërgon njerëz për ta ndihmuar njeriun të kthehet në Parajsë. Dërgon Ligjin dhe profetët, që në këtë rast përfaqësohen nga prifti dhe leviti. Por ata nuk e shëruan dot njeriun. Nuk ia kthyen dot shëndetin. Por kush vjen? Vjen Krishti dhe e shëron. Dhe Samaritani në këtë rast është Krishti.
Ka një arsye pse Zoti e paraqet veten si samaritan. Atë e quanin të demonizuar dhe samaritan. Është sikur të thotë: “Ju që më konsideroni samaritan e të huaj, unë do të bëhem Shpëtimtari juaj.” Ashtu u bë edhe Samaritani shpëtimtar për njeriun që e mori, e çoi në bujtinë dhe u kujdes për shërimin e tij.
Por na bën përshtypje diçka. Sa mirë do të ishte sikur Samaritani ta kishte vazhduar edhe pak veprën e tij! Domethënë, të qëndronte me të sëmurin derisa ai të shërohej plotësisht dhe, pasi të sigurohej se ishte shëruar, ta ndihmonte të kthehej në shtëpi. Pse Samaritani u largua? Na duket sikur nuk e ka çuar deri në fund veprën e tij.
Zoti e përfundon kështu paravolinë me një qëllim. Pse? Mjafton të kujtojmë veprën e Zotit. Zoti erdhi, u bë njeri, na mësoi, bëri mësimet e Tij, përmbushi veprën e Tij shpëtimtare me vdekjen dhe Ngjalljen e Tij, dhe u ngjit në qiell. Pas Ngjitjes së Tij, këtë vepër do ta vazhdonte dikush tjetër.
Samaritani e la të sëmurin në bujtinë që të shërohej plotësisht atje. Krishti çfarë la? La Kishën. Kisha është bujtina në të cilën ne duhet të shërohemi. Në këtë bujtinë do të shërohemi plotësisht dhe do të fitojmë Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj, Krishti vazhdon veprën e Tij shpëtimtare nëpërmjet Kishës së Tij. Ai u ngjit në qiell, por vepra e Tij shpëtimtare vazhdon.
Kujdesin për të sëmurin e merr përsipër i zoti i bujtinës, që njeriu të shërohet plotësisht dhe të vazhdojë jetën e tij. Kështu edhe ne, duhet të qëndrojmë brenda Kishës. Aty përmbushet plotësisht qëllimi i jetës sonë. Aty shërohemi plotësisht dhe aty do të fitojmë Mbretërinë e Perëndisë.
Në paravoli, Samaritani thotë: “Do të vij përsëri dhe do të të shpërblej.” Ne e dimë se Krishti do të vijë përsëri për të vendosur përfundimisht Mbretërinë e Tij. Të gjitha këto figura na tregojnë sa e urtë është Fjala e Perëndisë, me sa urtësi flet Krishti dhe sa e madhe është dashuria e Perëndisë për njerëzimin.
Ai na do të gjithëve me një dashuri të pafundme. Me një dashuri që jepet deri në flijim. Me një dashuri që është gati të bëjë gjithçka që ne të arrijmë bukurinë për të cilën Zoti na ka krijuar.
Prandaj, çfarëdo që të ndodhë në jetën tonë, çfarëdo gabimi a mëkati që të bëjmë, të mos largohemi kurrsesi nga bujtina, nga Kisha, pa u shëruar dhe pa fituar Mbretërinë e Perëndisë. Të këmbëngulim. Po, unë jam mëkatar, por do të qëndroj në Kishën e Tij derisa Zoti të vijë e t’i shërojë plotësisht plagët e mia dhe unë të fitoj Mbretërinë e Perëndisë. Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Imzot Nikolla, E Diela e VII-të Lukait, Katedralja e Shën Gjergjit, Fier 15/11/2026!