Kishat në mbarë botën ndriçohen me të kuqe për të krishterët e përndjekur
Të paktën 130 katedrale marrin pjesë në Javën e Kuqe, e cila përfshin edhe vigjilje lutjeje dhe dëshmi për përndjekjen fetare.
Përndjekja e të krishterëve është në qendër të Javës së Kuqe, gjatë së cilës kisha, monumente dhe ndërtesa publike në mbarë botën ndriçohen me të kuqe. Sipas The Christian Post, bazilika Sacré-Cœur në Paris u ndriçua më 18 nëntor, ndërsa ndërtesat e Parlamentit Evropian në Strasburg pritet të ndriçohen më 23 nëntor.
Fondacioni papnor Aid to the Church in Need (ACN) e organizon nismën çdo vit që nga 2015. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e martirëve. Në Spanjë marrin pjesë mbi 250 kisha, monumente dhe ndërtesa të tjera, ndërsa në Londër nisma shënohet me një meshë në Katedralen e Shën Gjergjit.
Gjatë nëntorit zhvillohen edhe takime publike dhe veprimtari në shkolla. Regina Lynch, presidente ekzekutive e ACN-së, u bëri thirrje besimtarëve të luten për të krishterët që ndihen të vetmuar për shkak të përndjekjes.
Në raportin e publikuar në tetor, ACN-ja konstatoi se gjatë dy viteve të fundit gjendja e të krishterëve ishte përkeqësuar në më shumë se gjysmën e 18 vendeve të monitoruara. Në vendet e tjera të përfshira në raport, gjendja kishte mbetur e njëjtë.
Në Shqipëri, UGO ka sjellë historinë e Atë Kosta Kotnanit, priftit të Korçës që kreu shërbesa fshehurazi gjatë përndjekjes. Pas rihapjes së kishave, ai kreu Bekimin e Madh të Ujit në Korçë më 6 janar 1991.
