Mitropoliti Nikolla: Parajsa dhe ferri janë realitete, sipas Ungjillit

Sot 08:49
49
Mitropoliti Nikolla Mitropoliti Nikolla

Në predikimin e tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit përmend edhe shenjtërimin e murgeshës rumune Elisabeta e Pasareas

Mitropolia e Apollonisë dhe Fierit ka publikuar predikimin e Hirësisë së Tij, Imzot Nikolla, mbajtur më 1 nëntor 2026, kushtuar temës "Parajsa dhe ferri – dy realitete të jetës së përtejme". Sipas Media Ngjallja, predikimi u mbajt me rastin e së Dielës V të Llukait, kur lexohet pjesa e Ungjillit për Llazarin dhe pasanikun.

Më poshtë, teksti i plotë i predikimit:

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,

Një vit më parë, në vitin 2025, Patriarkana e Rumanisë shpalli shenjtore një murgeshë eremite, të njohur si Elisabeta e Pasareas. Ajo lindi në Rumani, në vitin 1970, dhe që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare vendosi t'ia kushtonte të gjithë jetën e saj Perëndisë, duke përqafuar jetën murgërore.

Për dhjetë vjet shërbeu në manastir dhe më pas u dërgua për të shërbyer për rreth një vit në vendet e shenjta, në Jerusalem, gjatë viteve 1996–1997. Pikërisht gjatë kësaj periudhe pësoi një vdekje klinike. Sipas rrëfimeve për jetën e saj, në atë gjendje ajo përjetoi realitetin e jetës së përtejme dhe mundimet e ferrit. Por, nëpërmjet dashurisë dhe njeridashjes së Tij, Krishti e ktheu përsëri në këtë jetë, duke i dhënë mundësinë të vazhdonte udhëtimin e saj shpirtëror.

Pas kthimit në manastir, qëndroi edhe disa vite dhe më pas zgjodhi të jetonte në vetmi, në një jetë të thellë asketike. Për shtatëmbëdhjetë vjet iu përkushtua lutjes, asketizmit dhe jetës shpirtërore. U bë e njohur për shenjtërinë e jetës së saj dhe për dhuratat shpirtërore që, sipas dëshmive, Perëndia i kishte falur. Ndërroi jetë në vitin 2014 dhe, rreth njëmbëdhjetë vjet më vonë, u shpall shenjtore nga Patriarkana e Rumanisë.

Nuk është hera e parë që dëgjojmë rrëfime të tilla. Përgjatë historisë së Kishës, kemi dëgjuar dëshmi të ndryshme nga shenjtorë dhe njerëz të tjerë që flasin për përjetime të jetës së përtejme, për bukurinë dhe lumturinë e Parajsës, por edhe për vuajtjet dhe mundimet e ferrit.

Megjithatë, një besimtari të mirëfilltë nuk i nevojiten rrëfime të tilla për të besuar në ekzistencën e Parajsës dhe të ferrit. Përse?

Sepse themeli i besimit tonë nuk qëndron në përjetimet apo dëshmitë e njerëzve, por në fjalën e vetë Zotit tonë, Jezu Krishtit. Është vetë Krishti Ai që na ka zbuluar ekzistencën e këtyre dy realiteteve. Është Ai që na ka folur për jetën e përjetshme, për Mbretërinë e Perëndisë, por edhe për vendin e mundimeve.

Prandaj, për ne si të krishterë, Parajsa dhe ferri nuk janë thjesht tregime, përfytyrime apo mendime njerëzore. Ato janë realitete për të cilat na dëshmon vetë Krishti.

Dhe pikërisht për këtë na flet edhe Ungjilli i sotëm, nëpërmjet historisë së të varfrit Llazar dhe të pasanikut.

Krishti na paraqet dy njerëz, dy jetë krejt të ndryshme dhe, pas vdekjes, dy përfundime krejt të ndryshme.

Llazari ishte i varfër, i mbuluar me plagë, i braktisur dhe i përbuzur. Ai qëndronte pranë portës së pasanikut dhe dëshironte të ngopej qoftë edhe me thërrimet që binin nga tryeza e tij. Por, ndërsa në këtë jetë nuk kishte as pasuri, as rehati dhe as përkujdesjen e njerëzve, kishte diçka shumë më të çmuar: mundësinë për të qenë pranë Perëndisë.

Kur vdiq, engjëjt e çuan në gjirin e Abrahamit, në vendin e ngushëllimit dhe të gëzimit.

Ndërsa pasaniku, i cili gjatë jetës kishte pasur gjithçka që mund të dëshironte, pas vdekjes u gjend në vendin e mundimeve. Atje, i përfshirë nga vuajtjet, kërkonte që Llazari t'i vinte të lagte majën e gishtit në ujë dhe t'ia freskonte gjuhën.

Sa i madh është ky ndryshim!

Njëri, që në këtë jetë kishte vuajtur, gjen ngushëllim në përjetësi. Tjetri, që kishte jetuar në luks dhe në bollëk, përballet me mundimet.

Por le të ndalemi këtu dhe të kuptojmë diçka shumë të rëndësishme: A mos vallë Krishti na mëson se pasuria është mëkat dhe varfëria është vetvetiu virtyt? Jo! Mesazhi i Ungjillit është shumë më i thellë.

Pasaniku nuk dënohet thjesht sepse ishte i pasur, por sepse zemra e tij ishte e mbyllur ndaj vuajtjes së tjetrit. Ai kishte çdo ditë përpara syve një njeri të uritur, të sëmurë dhe të braktisur, por nuk e pa kurrë me sytë e dashurisë. Kishte mundësi të ushtronte mëshirë, por zemra e tij mbeti e pandjeshme.

Ndërsa Llazari, megjithë vuajtjet dhe mjerimin e tij, nuk e humbi shpresën te Perëndia.

Pra, dallimi ndërmjet këtyre dy njerëzve nuk qëndronte thjesht te pasuria apo varfëria, por te gjendja e zemrës së tyre.

Dhe pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi për secilin prej nesh.

Për këtë temë Mitropoliti Nikolla në Fier: ngrini zërin pa frikë për të vërtetën
Në katedralen e Shën Gjergjit në Fier, më 18 tetor, mitropoliti foli për protestat, drejtësinë dhe deklaratën e Këshillit Ndërfetar për paqe e dialog kombëtar.

Të dashur besimtarë,

Kur Krishti na flet për Parajsën dhe ferrin, Ai nuk dëshiron të na frikësojë. As Kisha nuk na i kujton këto realitete për të mbjellë frikë në zemrat tona. Përkundrazi, ajo na i kujton sepse na do, sepse dëshiron shpëtimin tonë dhe sepse nuk dëshiron që të ecim në këtë jetë pa e ditur se cili është destinacioni ynë i përjetshëm.

Ne shpeshherë jemi kaq të përqendruar te gjërat e kësaj bote, te shqetësimet e përditshme, te pasuritë, te planet dhe dëshirat tona, saqë harrojmë të vërtetën më të madhe: jeta jonë tokësore është e përkohshme.

Vjen një moment kur secili prej nesh do të largohet nga kjo jetë. Pasuria, lavdia, pozita, bukuria dhe të gjitha gjërat që sot na duken kaq të rëndësishme do të mbeten pas. Me vete nuk do të marrim asgjë nga këto. Ajo që do të mbetet është jeta jonë shpirtërore, dashuria që kemi treguar, mëshira që kemi ushtruar, falja që kemi dhënë dhe marrëdhënia jonë me Perëndinë.

Prandaj, Krishti dhe Kisha na ftojnë të jemi gjithmonë të përgatitur. Jo të jetojmë me frikën e vdekjes, por me vetëdijen se jemi thirrur për jetën e përjetshme.

Bota, me joshjet dhe mashtrimet e saj, përpiqet vazhdimisht të na bëjë të harrojmë këtë të vërtetë. Na lidh me gjërat kalimtare dhe na largon nga qëllimi ynë i vërtetë. Por Kisha, si një nënë e dashur, na zgjon dhe na kujton se jeta nuk përfundon këtu. Ne jemi krijuar për përjetësinë, për bashkimin me Perëndinë.

Në fund të Ungjillit të sotëm, pasaniku i kërkon Abrahamit që të dërgojë Llazarin te pesë vëllezërit e tij, për t'i paralajmëruar, që edhe ata të mos përfundojnë në vendin e mundimeve.

Por Abrahami i përgjigjet: «Kanë Moisiun dhe profetët; le t'i dëgjojnë ata».

Çfarë përgjigje domethënëse!

Kjo do të thotë se Perëndia na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për të njohur të vërtetën dhe për të ecur drejt shpëtimit. Nuk kemi nevojë të presim mrekulli të jashtëzakonshme, shenja të veçanta apo dëshmi të botës tjetër, që të fillojmë të besojmë dhe të ndryshojmë jetën tonë.

Ne kemi Krishtin! Kemi Ungjillin e Tij! Kemi mësimet e Kishës, kemi shenjtorët si shembuj të gjallë të besimit dhe kemi hirin e Perëndisë që na ndihmon në udhëtimin tonë shpirtëror.

Por pyetja është: A i dëgjojmë vërtet këto mësime? A i zbatojmë ato në jetën tonë? A e shohim Llazarin që qëndron edhe sot pranë portës sonë? A e shohim njeriun që ka nevojë për ndihmën tonë, për dashurinë tonë, për një fjalë ngushëllimi dhe për një dorë të shtrirë?

Sepse nuk mund të dëshirojmë Mbretërinë e Perëndisë, nëse zemra jonë mbetet e mbyllur ndaj vëllait tonë. Nuk mund të kërkojmë mëshirën e Perëndisë, nëse vetë nuk mësojmë të jemi të mëshirshëm.

Le të mos e harrojmë, pra, këtë mesazh të Ungjillit: Parajsa dhe ferri janë dy realitete të jetës së përtejme, por përgatitja për përjetësinë fillon që këtu, në këtë jetë, në mënyrën se si besojmë, se si duam dhe se si sillemi me njëri-tjetrin.

Le t'i kërkojmë Zotit të na japë një zemër të përulur, të mëshirshme dhe të mbushur me dashuri. Le të mos e shpërdorojmë kohën që na është dhënë, por ta jetojmë çdo ditë në pendim, në lutje, në dashuri dhe në zbatimin e porosive të Krishtit.

Dhe dhëntë Zoti, me mëshirën dhe dashurinë e Tij të pafundme, që të gjithë të gjendemi një ditë në gjirin e Abrahamit, në Mbretërinë e Tij qiellore, ku nuk ka më dhimbje, as vuajtje, as lot, por jetë dhe gëzim të përjetshëm!

Amin!

Më parë, Mitropolia e Shenjtë kishte folur për edukimin e fëmijëve si përgjegjësi e përbashkët, një temë e lidhur gjithashtu me rolin formues të besimit në jetën e përditshme të familjeve.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu