Kryepiskopi Joan: Perëndinë e lavdërojmë kur e duam shumë
Predikim i Fortlumturisë së Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, për festën e kryeengjëjve Mikael, Gabriel dhe të gjitha Fuqive qiellore
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Perëndinë e lavdërojmë kur e duam shumë
Sot kremtojmë festën e kryeengjëjve Mikael, Gabriel dhe të shumë të tjerëve. Prandaj, sot do të flasim për diçka të veçantë, një temë për të cilën flasim ndoshta vetëm një ose dy herë në vit.
Shkrimi i Shenjtë fillon me këto fjalë: "Në fillim Zoti bëri qiellin dhe dheun". Shën Jeronimi, përkthyesi i dëgjuar i Dhiatës së Vjetër dhe i të gjithë Biblës, thotë se kur lexojmë Dhiatën e Vjetër, nuk mjafton vetëm leximi. Ai thekson se rëndësia e Shkrimit të Shenjtë nuk është tek të lexuarit, por tek të kuptuarit. Çfarë do të thonë fjalët: "krijoi qiellin dhe dheun"? Etërit e Shenjtë të Kishës na kanë mësuar se me fjalën 'qiell' nuk nënkuptohet qielli që shohim sot, sepse ai u krijua ditën e dytë. Këtu flitet për fillimin e çdo gjëje. Bëhet fjalë për të gjithë botën shpirtërore që krijoi Zoti: engjëjt dhe shumë gjëra të tjera. Ndërsa kur thotë për tokën ose dheun, nënkupton pikërisht krijimin e botës materiale që shohim ne sot: qiellin sipër nesh, tokën këtu, planetët dhe gjithçka tjetër. Kështu e interpretojnë ata. Ky interpretim i Etërve të Kishës është i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë; ai është një zbulesë.
Shpeshherë e kemi të vështirë ta kuptojmë realitetin e engjëjve. Madje, kur flitet për këto gjëra, njerëzve u duket sikur dëgjojnë përralla. Ne jemi larguar shumë nga bota shpirtërore, prandaj nuk arrijmë ta kuptojmë dot atë në plotësinë e saj. Shën Paisi i Ri tregon se e kishte parë disa herë engjëllin e tij mbrojtës. Sot këto përjetime mund t'u duken njerëzve të çuditshme, sepse jeta jonë shpirtërore është e varfër. Sa më shumë të jetojmë një jetë shpirtërore dhe sa më shumë ta pastrojmë zemrën dhe shpirtin tonë, aq më shumë mund të kuptojmë edhe për hierarkinë qiellore.
Tradita e Kishës dëshmon se Zoti krijoi me mijëra e dhjetëra mijëra engjëj. Shumë nga Etërit përdorin këtë krahasim: "Shikoni tokën, se sa shumë banorë ka". Ata e thoshin këtë para 2000 vjetësh, ndërsa sot popullsia është akoma më e madhe. Nëse toka është kaq plot, është e pamundur që të jemi vetëm ne; pa dyshim që ekzistojnë edhe engjëjt, si dhe mbarë bota shpirtërore.
Historia e Kishës tregon që, pasi u krijuan engjëjt, u krijuan me lirinë e tyre, me një vullnet të lirë për ta pranuar ose jo Zotin. Sepse çdo krijim i arsyeshëm i Perëndisë është një krijim i lirë, ashtu siç është edhe njeriu. Mirëpo, edhe nga engjëjt një pjesë ra. Eosfori, ose Luciferi, siç njihet në latinisht, së bashku me një të tretën e engjëjve u rebelua, sepse donte të bëhej si Zoti. Madje, jo vetëm të bëhej si Zoti, por dëshironte të ngritej edhe mbi Të. Ky është fillimi i të keqes: kur njeriu gjen krenarinë brenda vetes. Krenaria e marros dhe e shpërfytyron njeriun, duke e bërë të mendojë se është ajo që në të vërtetë nuk është.
Prandaj kemi folur shpeshherë për pseudoveten. Njeriu krijon një pseudovete nga krenaria - atë që dëshiron të jetë, atë që do që të tjerët të shohin tek ai, ose atë që imagjinon që është. Në fakt, kjo nuk është vetja e vërtetë. Në kohën ku jetojmë sot, nëse njeriu realisht dëshiron të njohë realisht veten e tij dhe jo pseudoveten, nuk do të gjejë asgjë për të qenë krenar. Atëherë ai do të jetë i përulur, dhe përulësia i sjell hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili e shenjtëron njeriun.
E njëjta gjë ndodhi edhe me engjëjt. Historia e treguar nga Etërit dhe tradita e Kishës dëshmon se kryeengjëlli Mikael ishte i pari që thirri e tha: "Nuk ka tjetër si Zoti!". Ai mobilizoi të gjitha ushtritë qiellore, e mundi Satanain dhe e hodhi poshtë, duke e dëbuar nga qielli. Perëndia mund ta bënte vetë këtë, por ua la atyre këtë betejë pikërisht për të parë se kush e donte realisht Atë dhe kush ishte i përulur. Sot, engjëjt, ngaqë u pastruan shpirtërisht, nuk mund të bien më, sepse e kanë kaluar cakun e rënies. Jo se u ka humbur liria, por sepse e duan jashtëzakonisht Zotin. Në të njëjtën mënyrë, as demonët nuk mund të pendohen më, sepse e kanë kaluar cakun e ligësisë.
Engjëjt janë të krijuar në tre hierarki. Hierarkia e parë përfshin Serafimet, Keruvimet dhe Fronet. Këta ishin ata që qëndronin pranë Zotit dhe reflektonin dritën e Tij. Shën Grigor Pallamai i quan engjëjt "drita e dytë". Kjo nuk është dritë që buron prej tyre, por është drita që reflektohet nga vetë Perëndia. Ne nuk kemi jetë në vetvete; çdo qenie e krijuar nuk është qenie autonome. Ne nuk mund të kemi dot jetë, nëse nuk lidhemi me jetën që është te Perëndia. Dhe Zoti e jep falas dhe me dashuri këtë jetë, por, shpeshherë, jemi ne që e pengojmë të hyjë në zemrat tona.
Prandaj, rangu i parë i engjëjve përbëhet pikërisht nga Serafimet, që janë të zjarrtë - sepse vetë fjala Serafim atë kuptimim ka; nga Keruvimet me shumë sy, që derdhin diturinë e urtësinë tek engjëjt e tjerë dhe tek njerëzit, si dhe nga Fronet. Edhe pse funksioni i Froneve është i vështirë për t'u shpjeguar, tradita dhe fjalët e Etërve të Kishës thonë se ata e mbajnë Perëndinë në një mënyrë të mistershme. Rangu i dytë përbëhet nga Zotërimet, Fuqitë dhe Pushtetet. Tek këta transmetohet pikërisht po ajo dritë që është tek të parët, por transmetimi bëhet nëpërmjet atyre të rangut të parë. Ndërsa rangu i tretë, që është më poshtë se këta, përfshin Kryesitë, Kryeengjëjt dhe Engjëjt. Fjala "engjëll" do të thotë lajmëtar. Kjo fjalë nuk tregon natyrën e tyre, por funksionin. Prandaj, edhe emrat e tyre tregojnë funksionin dhe jo natyrën e tyre.
Mbi krye të të gjithë hierarkisë qiellore, Zoti vendosi pikërisht Kryeengjëllin Mikael, sepse ishte ai i pari që thirri: "Kush është si Zoti?!". Në fakt, vetë fjala Mikael (Mi-ka-el) këtë do të thotë: "kush si Zoti". Në gjuhët e vjetra nuk përdoret folja, pasi nënkuptohet, prandaj shprehja "kush si Zoti" mbart kuptimin "Kush është si Zoti! Nuk ka tjetër si Zoti!". Funksioni i tij është pikërisht mbrojtja e të gjithë njerëzimit, e popujve, e kombeve dhe, sidomos, mbrojtja e Kishës së Perëndisë. Prandaj ka aq shumë kisha në të gjithë botën e krishterë kushtuar Kryeengjëllit Mikael, sepse dashuria e tij e madhe për njerëzit e bëri shumë të dashur. Për të ekzistojnë histori të shumta (edhe pse do të duheshin orë e orë për t'i treguar të gjitha), si dhe mrekulli të panumërta që janë treguar dhe të tjera që vazhdojnë të bëhen nga ky kryeengjëll i dashur. Kështu, emri i tij tregon pikërisht funksionin e tij.
Kisha njeh shtatë kryeengjëj. I dyti është Gabrieli, emri i të cilit gjithashtu tregon funksionin e tij. I përkthyer nga hebraishtja, ai ka kuptimin "fuqia e Perëndisë" ose "heroi i Perëndisë". Gehver në hebraisht do të thotë pikërisht hero - heroi i Perëndisë. Ne e dimë nga Shkrimi i Shenjtë që Gabrieli është një personazh shumë i njohur, si në Dhiatën e Vjetër, ashtu edhe në të Renë. Ishte ai që njoftoi Zaharian për lindjen e shën Joan Pagëzorit; ishte ai që i dha lajmin e mirë të Tërëshenjtës duke i thënë: "Gëzohu, Zoti është me ty!"; si dhe është i pranishëm në shumë episode të tjera të Shkrimit të Shenjtë për të ndihmuar njerëzit.
I treti është Rafaeli, historinë e të cilit e gjejmë në Librin e Tobias. Rafaeli do të thotë "shërimi e Perëndisë", sepse funksioni i tij është të shërojë plagët fizike dhe shpirtërore të secilit nga ne. Tjetri është Urieli, që do të thotë "zjarri i Perëndisë" ose "flaka e Perëndisë", sepse ai nxit tek njerëzit pikërisht dëshirën e flaktë për t'u bashkuar me Perëndinë.
Një tjetër është Selafieli, që do të thotë "lutja e Perëndisë". Ky është një kryeengjëll që lutet vazhdimisht pranë Zotit dhe ndërmjetëson për njerëzimin dhe për të gjitha krijesat. Pas tij vjen Jegudieli, që do të thotë "lavdërimi i Perëndisë", sepse ai i nxit njerëzit ta lavdërojnë Perëndinë vazhdimisht. Mirëpo, lavdërimi i Perëndisë nuk është thjesht thënia e disave fjalëve. Lavdërimi i Perëndisë ndodh kur brenda shpirtit dhe zemrës sonë ndizet një zjarr i madh dashurie për Zotin. Kur kemi këtë lloj dashurie dhe kur kuptojmë se nga çfarë na ka shpëtuar Zoti, pa dyshim që do të na burojë edhe lavdërimi, ashtu siç bëjnë kryeengjëjt kur thonë: "Shenjt, shenjt, shenjt!". Ata nuk lodhen nga kjo, por gëzohen sepse e lavdërojnë Perëndinë ngaqë e duan shumë.
Pas tij vjen Barukieli, që do të thotë "bekimi e Zotit". Nëpërmjet tij përhapen të gjitha bekimet që vijnë nga Perëndia tek njerëzit. Përveç këtyre, Kisha ka shtuar edhe një tjetër, Jeremielin, që do të thotë "lartësimi i Zotit": ai që i ndihmon njerëzit të ngrihen lart për ta takuar Perëndinë.
Kjo është shkurtimisht historia dhe ajo që besojmë ne për këtë temë. Ne nuk mund ta kuptojmë të gjithën, sepse edhe në Shkrimin e Shenjtë thuhet vetëm një fjalë: "krijoi qiellin dhe dheun". Me fjalën "qiell" kuptohej pikërisht e gjithë bota shpirtërore. Kisha i porosit të gjithë besimtarët e saj që të mos bëhen tepër kuriozë e të mos hyjnë në hollësira të ndryshme, sepse mund të gabojnë.
Para Sinodit të Nikesë (325), u mblodh një Sinod në Laodike, i cili dënoi pikërisht disa shtrembërime të njerëzve, që kishin filluar t'i adhuronin engjëjt sikur të ishin ata krijuesit e botës. Po ky Sinod caktoi edhe këtë datë për t'i nderuar kryeengjejt dhe të gjitha Fuqitë e patrup. Ata caktuan muajin nëntor, sepse në atë kohë nëntori ishte muaji i nëntë i vitit, ngaqë viti fillonte në mars. Muaji shtator quhej kështu, sepse ishte muaji i shtatë, ndërsa tetori, ngaqë ishte muaji i tetë. Kështu, ata e caktuan këtë festë në nëntor, sepse ekzistojnë nëntë rangje të engjëjve. Gjithashtu, caktuan ditën e tetë të nëntorit, sepse dita e tetë në doktrinën mistike të Kishës përfaqëson kohën kur do të vijë Zoti për herë të dytë. Java ka shtatë ditë dhe këto shtatë ditë përfaqësojnë kohën e sotme, ndërsa dita e tetë është dita e përjetësisë. Prandaj e caktuan pikërisht këtë ditë për të nderuar të gjithë engjëjt dhe kryeengjëjt.
Por, në Kishën Ortodokse ekziston një rregull. Ata që kanë studiuar teologji ndoshta e dinë se si strukturohet dhe si mësohet ajo. Në teologji, gjithçka fillon duke ndjekur Simbolin e Besimit. Edhe pse shpeshherë e themi atë, nuk ndalojmë te kuptimi apo te renditja e fjalëve. Teologjia fillon së pari duke njohur se çfarë është Perëndia, aq sa mund ta kuptojë mendja njerëzore, dhe me krijimin. Pastaj pason një pjesë shumë e rëndësishme dhe më e gjata, që është Kristologjia: kush është Krishti, vepra e Tij shpëtimtare etj. Më tej vazhdon me Soteriologjinë, pra me mënyrën se si jemi shpëtuar dhe me praninë e Shpirtit të Shenjtë në Kishë. Në fund, është Eskatologjia, që do të thotë mbarimi i botës. Për fat të keq, shpeshherë njerëzit e fillojnë studimin ose interesimin pikërisht nga fundi.
Por, po ta lexoni Simbolin e Besimit, si fillon ai? Fillon pikërisht kështu: "Besoj në një Perëndi, Atë të tërëfuqishëm, krijuesin e qiellit dhe të dheut...", dhe vazhdon me një pjesë shumë të gjatë kushtuar Krishtit. Pas kësaj flet për Shpirtin e Shenjtë, për Misteret e Kishës dhe, në fund është Eskatologjia, ku thuhet: "Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amshuar". Arsyeja pse është bërë në këtë formë është shumë e rëndësishme. Për të kuptuar fundin e botës, aq sa mund të kuptojë mendja njerëzore, duhet ta njohim mirë doktrinën tonë. Duhet të njohim se çfarë është Perëndia, duhet të njohim Krishtin, veprën e Tij shpëtimtare dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë në Kishë. Më pas, ndoshta mund të kuptojmë diçka edhe për Eskatologjinë. Kur njerëzit përqendrohen vetëm te fundi i botës, pa njohur fillimisht Doktrinën Orthodhokse, mund të gabojnë lehtë dhe të bien pre e mashtrimeve të dëmonëve.
Një herë, shën Serafimi i Sarovit po shëtiste në oborrin e manastirit dhe pa që një murg tjetër, një nga vëllezërit e manastirit, po i vinte rrotull. Ai e kuptoi se për çfarë: murgu donte ta pyeste se kur do të jetë fundi i botës - pasi edhe njerëzit sot janë të fiksuar rreth kësaj gjëje. Prandaj i përgjigjet dhe i thotë: "Vëlla, po e lartëson shumë Serafimin e gjorë. Atë nuk e dinë as engjëjt që janë në qiell pranë Zotit, e jo ta dijë një Serafim mëkatar". Ai iu përgjigj në atë formë, sepse vetëm përulësia na shpëton nga gjëra të tilla. Kur njerëzit fokusohen shumë në këto gjëra dhe nuk e njohin më doktrinën, as çfarë bëri Perëndia për ne, as kush është personi i Jisu Krishtit, atëherë ata mund të marrosen prej tyre. Prandaj Kisha gjithmonë na porosit që të jemi të përulur dhe të fillojmë të mësojmë dalëngadalë. Pasi të njohim shumë gjëra të tjera të Doktrinës sonë, mund të kuptojmë diçka edhe nga bota qiellore.
Çfarë ju thashë rreth botës qiellore vjen nga tradita dhe nga mësimi i Etërve të Kishës. Ne nuk mund ta kuptojmë tërësisht natyrën e engjëjve. E dimë që ata janë frymë, por jo frymë siç është Perëndia, sepse nuk ka tjetër si Perëndia. Natyra e tyre mund të jetë diçka akoma më e lehtë, por përsëri është e krijuar. Shumë nga Etërit e Kishës thonë që i tillë do të jetë edhe trupi i njerëzve të lavdëruar në ardhjen e dytë të Zotit. Ashtu siç ishte trupi i Zotit: ndonëse dera dhe shtëpia ishin të mbyllura, ai hyri brenda. Është një trup i një tjetër lloji, është trup i lavdëruar për të cilin shkruan shën Pavli. Prandaj edhe mësimi rreth këtyre gjërave është i nevojshëm për ne, por në një masë të caktuar, sepse mendja jonë është e kufizuar dhe nuk mund ta kuptojë dot gjithçka.
Në këtë ditë, do të doja t'ju uroja të gjithëve që kanë emrat e kryeengjëjve: Gëzuar dhe për shumë vjet!
Katedralja e Ngjalljes së Krishtit