Këshillat e Jerond Porfirit për prindërit dhe edukimin e fëmijëve

2826
12:00
13
Këshillat e Jerond Porfirit për prindërit dhe edukimin e fëmijëve

 Në vitin 1997, bashkëshortja ime mbeti shtatzënë. Gëzimi ynë ishte i madh! Përkujdesja jonë e parë ishte të njoftonim atë Porfirin, i cili, që nga dita e parë e njohjes sonë, ndante me ne gëzimet dhe hidhërimet tona dhe na mbështeste me lutjet dhe këshillat e tij, të cilat ishin plot urtësi dhe frymëzim hyjnor. Për këtë arsye, e vizituam dhe i treguam lajmin e gëzueshëm. Ai u gëzua shumë! Gëzimi i pasqyrohej qartë në fytyrë.

— Tani lumturia juaj u plotësua! Perëndia ynë i mirë jua dha gjithçka! Jeni njerëz të mirë dhe të mirëve Zoti nuk u mungon asgjë! Për më tepër, jua kisha thënë se do të bënit fëmijë. Por ju, ore, jeni si Thoma mosbesues. Nuk besoni në ato që ju them. E di se më doni, por jeni besëpakë. Dorëzoheni lehtë, ju marrtë e mira… Ejani më shpesh të më takoni, sepse keni nevojë. Kur vini, ju shoh të ngrysur dhe të dëshpëruar, ndërsa kur largoheni dhe ju shoh në rrugë duke u kthyer në shtëpi, jeni të gëzuar, të lumtur dhe me besimin të forcuar! Makina juaj nuk ecën, por fluturon!

— Tani, — vazhdoi Jerondi, — uluni t'ju them disa gjëra që duhet t'i keni parasysh si prindër të ardhshëm. Ato që do t'ju them, dua t'i ngulitni mirë në mendje, t'i mbani mend dhe t'i zbatoni me përpikëri, nëse nuk dëshironi ta shihni të palumtur fëmijën tuaj dhe, po ashtu, edhe veten tuaj.

Këtu vijnë qindra prindër dhe, me lot në sy, më luten t'i ndihmoj fëmijët e tyre, sepse disa janë përfshirë në drogë, disa kanë rënë në shoqëri të këqija, ndërsa të tjerë i shajnë prindërit dhe u kërkojnë para për t'i përdorur në klubet e bixhozit dhe në lojëra të tjera fati. Kur prindërit nuk kanë t'ua japin, ata i kërcënojnë, madje edhe i godasin! Kështu, prindërit arrijnë të mallkojnë edhe fëmijët, edhe orën e çastin kur i sollën në jetë!

Kam parë prindër të qajnë me dëshpërim për katandisjen e fëmijëve të tyre dhe të thonë: «Një mijë herë më mirë të mos i kishim pasur! Sepse atëherë do të kishim vetëm një brengë dhe një trishtim, faktin që nuk kishim fëmijë; ndërsa tani, — më thonë, — kemi një mijë brenga dhe po aq shqetësime për problemet e tmerrshme që na krijojnë çdo ditë dhe turpërohemi të dalim mes njerëzve». Për këtë arsye, më kërkojnë t'i ndihmoj me lutjet e mia, që të shpëtojnë fëmijët e tyre.

Por kur i pyes: «Po ju, çfarë bëni tani për t'i ndihmuar këto krijesa të mjera?», pothuajse të gjithë më japin të njëjtën përgjigje: nuk mundën të bënin asgjë, sepse fëmijët u dolën nga kontrolli sapo hynë në adoleshencë!

Lexo Gjithashtu:

— Eh, kjo ishte e pritshme, — u them. — Meqenëse i latë të gjitha vitet e fëmijërisë të kalonin të pashfrytëzuara dhe prisnit të vinte puberteti për t'u marrë me fëmijët tuaj, sigurisht që këto rezultate do të kishit; madje duhet të prisni edhe më keq.

Fëmija është si brumi. Sa më i butë të jetë brumi, aq më lehtë merr formë. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijën: sa më i vogël të jetë, aq më lehtë formohet në virtyt, merr trajtë, edukohet dhe përsoset.

Tani që u kujtuat se keni fëmijë — ose, më mirë, tani që ata jua kujtuan këtë me prapësitë, kërkesat, shkeljet e ligjit dhe, në përgjithësi, me sjelljen e tyre të pamoralshme — tashmë është vonë. Zogu fluturoi! Dhe kur një zog që e mbanim në kafaz fluturon, është e vështirë ta kapësh përsëri, për të mos thënë se nuk kapet më!

Edukimi i fëmijës është alfa dhe omega e detyrimeve që kanë prindërit ndaj kësaj qenieje njerëzore, të cilën e sjellin në jetë me bashkëpunimin hyjnor! Prindërit që dështojnë ta edukojnë drejt fëmijën e tyre konsiderohen të dështuar në GJITHÇKA! Në GJITHÇKA, më dëgjuat?

Sepse, nëse supozojmë se ka prindër që ia kushtuan tërë jetën zgjerimit të ndërmarrjeve të tyre industriale dhe shumëfishimit të pasurisë, duke u bërë kështu manjatë, por njëkohësisht nuk bënë asgjë për edukimin e drejtë të fëmijëve të tyre, atëherë po ju them se jo vetëm që nuk u dhanë asgjë fëmijëve, por u përpoqën dhe u munduan për të krijuar dembelë, përtacë dhe kriminelë! Po! Këtë jua siguroj unë. Kriminelë krijuan!…

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu