E Diela XI e Mattheut: Paravolia e dhjetë mijë talantave

2826
17:47
13
E Diela XI e Mattheut: Paravolia e dhjetë mijë talantave

Predikim mbi dashurinë për bashkënjeriun, faljen e fajit dhe mëshirën e pakufishme të Perëndisë.

E Diela XI e Mattheut

Paravolia e dhjetë mijë talantave — Mbi faljen

Atë Epifan Haxhijanku

“ Kështu edhe Ati im qiellor do t’jua bëjë juve, në qoftë se secili prej jush, nga zemra e tij, nuk i fal vëllait të tij fajet e tij” (Matth. 18:35).

Dy janë urdhërimet e mëdha, vëllezërit e mi, që gjenden në Shkrimin e Shenjtë. Po të kërkojmë si në Dhiatën e Vjetër, ashtu edhe në Dhiatën e Re, do të shohim se në shumë vende theksohen dy urdhërime të mëdha. Dikur e pyetën edhe Zotin tonë se cili është urdhërimi më i madh në Ligj. Dhe Krishti u tha se urdhërimi më i madh në Ligj, urdhërimi më i madh që Perëndia u dha njerëzve, është: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendimin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë shpirtin tënd. Ky është urdhërimi i parë dhe i madh. Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me të, thotë Krishti, është ta duash të afërmin tënd si veten. Ta duash bashkënjeriun tënd ashtu siç do veten. “Gjithë Ligji dhe Profetët varen nga këto dy urdhërime” (Matth. 22:37-40). Nga këto dy urdhërime varen dhe burojnë të gjitha urdhërimet e tjera: “Mos vidh”, “Mos shkel kurorën” e kështu me radhë.

Në Ungjillin e sotëm, vëllezërit e mi, shohim të theksohet dhe të paraqitet urdhërimi i dytë: dashuria për bashkënjeriun. Dashuria për bashkënjeriun ka dy faqe. Ka, do të thoshim, dy shfaqje: një pozitive dhe një negative. Shfaqja e parë është dhënia, ajo që ndryshe e quajmë lëmoshë: t’i ofrosh bashkënjeriut tënd para ose ndonjë shërbim tjetër. Shfaqja e dytë e dashurisë për bashkënjeriun është falja: t’i falësh një të keqe që të ka bërë. Cila prej të dyjave është më e vështirë? Është, vëllezërit e mi, siç e kuptojmë të gjithë, e dyta.

Të japësh lëmoshë është diçka e lehtë. Sheh dikë, të dhemb shpirti për të, të vjen keq dhe menjëherë jep, i ofron diçka. Dëgjon për të dëmtuar nga tërmeti, dëgjon për të dëmtuar nga zjarri, prekesh menjëherë dhe jep. Kjo nuk është aq e vështirë. E vështira në dashuri është të falim atë që na bëri padrejtësi, atë që na hidhëroi, atë që na dëmtoi, atë që na fyeu, atë që na bëri ndonjë të keqe. Kjo është më e vështira. Por është edhe më e rëndësishmja dhe më e bukura, vëllezërit e mi.

Pikërisht për këtë, Zoti na tregon sot një paravoli: paravolinë e dhjetë mijë talantave. Shkak për këtë paravoli u bë një pyetje që Apostull Pjetri i drejtoi Krishtit. Apostull Pjetri i tha: “Zot, sa herë duhet të mëkatojë ndaj meje im vëlla, edhe t’ia fal? Deri në shtatë herë?” (Matth. 18:21).

Ligji —ose më saktë rabinët, mësuesit e Izraelit— thoshin se mund ta falësh deri në tri herë atë që të ka bërë faj. Domethënë, vjen dikush, të bën diçka, të kërkon falje dhe ti e fal. Vjen për herë të dytë, të kërkon përsëri falje dhe ti e fal. E fal edhe për herë të tretë. Pas kësaj nuk je më i detyruar ta falësh. Kështu thoshin rabinët.

Prandaj Pjetri tani duket më zemërgjerë dhe pyet: “Zot, deri në shtatë herë mund ta falim? A nuk mjaftojnë shtatë herë?” Dhe Krishti i thotë: “Nuk të them deri në shtatë herë, po deri në shtatëdhjetë herë shtatë” (Matth. 18:22). Sa herë që tjetri vjen të të kërkojë falje, duhet ta falësh. Dhe kur thotë “shtatëdhjetë herë shtatë”, nuk nënkupton katërqind e nëntëdhjetë herë —shtatë herë shtatëdhjetë—, por herë të panumërta, pa kufi.

Më pas Zoti na tregon paravolinë që dëgjuam sot në Ungjill, ne që ishim të pranishëm: paravolinë e dhjetë mijë talantave. Në këtë paravoli, vëllezërit e mi, Krishti na paraqet oqeanin e paanë të dashurisë së Perëndisë për njeriun. Meqë Perëndia është dashuri dhe Perëndia është i pakufishëm, edhe dashuria për bashkënjeriun duhet të jetë e pakufishme.

Diku në Dhiatën e Vjetër, në Urtësinë e Sirakut, thuhet një fjalë shumë e bukur, prekëse dhe njëkohësisht ngushëlluese për të gjithë ne: “Sa e madhe është madhështia e Tij, po aq e madhe është edhe mëshira e Tij”. Sa e pakufishme është madhështia e Perëndisë, po aq e pakufishme është edhe dashuria e Tij, mëshira e Tij. Këtë thënie e dëgjojmë edhe në Efqelinë e Shenjtë, që zakonisht e kryejmë në prag të së Enjtes së Madhe, pasditen e së Mërkurës së Madhe: “Sa e madhe është madhështia e Tij, po aq e madhe është edhe mëshira e Tij”.

Çfarë thotë paravolia që tregoi Krishti? Le ta rrëfejmë edhe ne shkurtimisht. Dikur ishte një mbret shumë i pasur, i cili kishte shërbëtorë. Këtyre shërbëtorëve u kishte besuar një pjesë të pasurisë së tij për ta administruar. Në një çast deshi “të bënte llogaritë me shërbëtorët e tij”. Sot do të thoshim se deshi të kryente një kontroll financiar, siç bëhen kontrollet financiare nga shteti.

I thërret shërbëtorët e tij, derisa në një moment i sjellin një njeri. Kush e di se çfarë kishte bërë! Nga dokumentet u pa dhe u vërtetua se i detyrohej mbretit —i cili i kishte dhënë pasurinë për ta administruar— dhjetë mijë talanta. Dhjetë mijë talanta janë një shumë përrallore, vëllezërit e mi. Sipas specialistëve që merren me të dhënat historike, dhjetë mijë talanta janë njëzet milionë lira ari. Mund ta përfytyroni: po ta kthenim në euro, do të flisnim për miliona e miliarda euro. Një shumë e jashtëzakonshme.

Kur mbreti zbuloi këtë shpërdorim të madh financiar, urdhëroi që shërbëtori të shitej. Në atë kohë njerëzit shiteshin. Sot, të paktën në vendet e qytetëruara, kjo nuk ekziston — ose ekziston në një mënyrë tjetër. Atëherë shiteshin njerëzit, veçanërisht shërbëtorët. “Ta shitni atë, gruan e tij, fëmijët dhe gjithçka që ka; dhe të merrni çfarë të mundni, që të paguhet detyrimi”.

Kur e dëgjoi këtë, ai njeri i mjerë —sa i mjerë!— ra duke qarë ndër këmbët e mbretit dhe i tha: “Zot, bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i laj të gjitha” (Matth. 18:26). “Më jep kohë, bëhu zemërgjerë me mua dhe unë do të t’i shlyej të gjitha”. Sikur të ishte e mundur të shlyente një shumë kaq të madhe! Por në atë çast njeriu i dëshpëruar kapet edhe pas fijes së kashtës, siç themi. E dha këtë premtim, megjithëse sigurisht nuk mund ta përmbushte kurrë.

Atëherë i zoti ndjeu dhembshuri për të. Dëgjoni tani madhështinë e këtij mbreti. E pa të gjunjëzuar e duke qarë përpara tij, i erdhi aq shumë keq, saqë ia fali, vëllezërit e mi, tërë atë shumë. I tha: “Shko, po ta fal. Qofsh i bekuar!” Mund ta përfytyroni gëzimin e këtij shërbëtori, kur dëgjoi se i qenë falur të gjitha ato borxhe.

Por dëgjoni tani vazhdimin. Kur doli, ky shërbëtor takoi rrugës një nga shokët e tij shërbëtorë, një bashkëpunëtor të vet, i cili i detyrohej njëqind dinarë. Një shumë relativisht e vogël. Le të kujtojmë se një dinar ishte mëditja e një punëtori. Një ditë pune vlente një dinar. Pra, i detyrohej njëqind dinarë.

Sapo e pa, e kapi dhe i tha: “Më jep detyrimin që më ke, njëqind dinarët”. Atëherë edhe ky i ra ndër këmbë dhe i tha po ato fjalë që i pari i kishte thënë mbretit: “Bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i jap të gjitha” (Matth. 18:29). “Më jep një zgjatje afati dhe do të t’i jap të gjitha”.

Por ai nuk bëri atë që mbreti i mirë kishte bërë për të. E kapi për fyti, po e mbyste dhe i thoshte: “M’i jep menjëherë paratë!” Pastaj e hodhi në burg. Këtë skenë e panë disa shërbëtorë të tjerë të mbretit. U erdhi fort keq dhe shkuan t’ia tregonin: “Mbreti im, ndodhi kështu e kështu. Ai të cilin ti e fale dhe të cilit ia fale atë borxh të jashtëzakonshëm, shkoi dhe hodhi në burg një shokun e vet, që i detyrohej një shumë të vogël e të papërfillshme”.

Kur e dëgjoi këtë, mbreti, siç ishte e natyrshme, u zemërua. E thirri dhe i tha: “Shërbëtor i lig! Shërbëtor i lig! Ti m’u lute dhe unë ta fala atë detyrim të madh që më kishe. A nuk duhej edhe ti t’ia falje këtë shumë të vogël shokut tënd shërbëtor, bashkëpunëtorit tënd?”

Dhe e futi në burg — këtë herë e meritonte. Tha: “Merreni, jepeni në duart e torturuesve, që ta ndëshkojnë pa mëshirë, derisa të lajë edhe qindarkën e fundit që detyrohet”. Gjë që, sigurisht, nuk do të mund ta bënte kurrë.

Dhe Krishti shton fjalën që dëgjuam në fillim: “Kështu edhe Ati im qiellor do t’jua bëjë juve, në qoftë se secili prej jush, nga zemra e tij, nuk i fal vëllait të tij fajet e tij” (Matth. 18:35).

Kjo është paravolia që dëgjuam, vëllezërit e mi. Në të shohim dy gjëra, dy të kundërta. Së pari, shohim përdëllimin e pakufishëm të mbretit, i cili —siç e kuptojmë të gjithë, pa qenë nevoja ta themi— është Perëndia. Ndërsa borxhliu i dhjetë mijë talantave jemi ne, njerëzit. Talantat janë mëkatet tona ndaj Perëndisë. Dhe shohim se si Perëndia njeridashës na i fal të gjitha mëkatet.

Nga ana tjetër, shohim ashpërsinë dhe zemërgurësinë e atij njeriu që nuk fali; dhe, përgjithësisht, të njerëzve që nuk i falin bashkënjerëzit, kur këta u bëjnë faj. Por, vëllezërit e mi, që të na falen mëkatet —mëkatet tona të shumta e të mëdha— është patjetër e nevojshme që më parë të falim edhe ne ata që na kanë bërë faj, ata që na kanë hidhëruar, ata që na kanë trishtuar, ata që na kanë bërë padrejtësi, ata që na rrëmbyen pasurinë që na takonte nga prindërit tanë, e kështu me radhë.

Çdo ditë, në rrëfimore… Siç kam thënë dikur, rrëfimoret janë bërë gjykata pajtimi. Nga mëngjesi deri në mbrëmje dëgjojmë çështje trashëgimie. Këto dëgjojmë në rrëfimore: vëllezër e motra kundër njëri-tjetrit dhe shumë gjëra të tjera. Nëse nuk i falim ata që na kanë bërë faj, Perëndia nuk do të na i falë mëkatet tona, sado herë të rrëfehemi.

Shën Kozmai i Etolisë thotë: “Edhe te Patriarku të shkosh të rrëfehesh, po nuk fale më parë atë që të ka bërë faj, nuk merr falje”. Profet-mbreti David thotë: “Paudhësitë e mia u ngritën mbi kryet tim; si barrë e rëndë rënduan mbi mua”. Mëkatet e mia, thotë, janë kaq të mëdha, sa më mbytën si dallgët. Janë kaq të rënda, sa më shtypin si një barrë.

Edhe Manaseu, një tjetër figurë e madhe e Dhiatës së Vjetër, thotë: “Kam mëkatuar më tepër se numri i rërës së detit”. Kam mëkatuar, o Perëndia im, më tepër se kokrrizat e rërës së detit. Këto janë mëkatet tona ndaj Perëndisë. Ndërsa fajet që na bëjnë bashkënjerëzit janë shumë më të vogla në krahasim me atë që ne i detyrohemi Perëndisë.

Dhe Perëndia bën një marrëveshje me ne e na thotë: “Dëshiron, biri im, të t’i fal mëkatet e tua të shumta e të mëdha, që janë si barrë e rëndë dhe si rëra e detit? Bëj atë që mundesh dhe që është e lehtë: fali ata që të kanë dëmtuar. Nëse nuk i fal, nuk do të të fal. Nëse i fal, do të të fal edhe Unë”.

“Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor. Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja” (Matth. 6:14-15).

Por, vëllezërit e mi, e di. Jam i sigurt se mendoni me vete: “Po a është e lehtë, atë, ajo që na kërkoni?” E di se është shumë e vështirë. Edhe ne, në rrëfimore, e ndeshim këtë shumë shpesh.

Megjithatë, vëllezërit e mi, nëse me ndihmën e Perëndisë gjejmë fuqinë të mundim egoizmin tonë, të shkojmë e të pajtohemi me bashkënjeriun dhe ta falim për dëmin që na ka bërë, dijeni se gëzimi që do të ndiejmë përbrenda do të jetë i papërshkrueshëm.

Nuk do ta harroj kurrë. Dikur erdhi të rrëfehej një gjysh dhe më tha: “Kam shumë vjet pa folur me një njeri”. I thashë: “Si do të kungohesh, vëllai im? Krishti thotë: ‘Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, edhe atje kujtohesh, se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde përpara therores, edhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, edhe atëherë, si të vish, sill dhuratën tënde’ (Matth. 5:23-24).

Lëre dhuratën jashtë; mos e ofro, nuk e pranoj. Shko më parë të pajtohesh me vëllanë tënd dhe pastaj eja ta ofrosh dhuratën”. I thashë edhe gjëra të tjera. U largua i zymtë, i trishtuar, i menduar. I thashë: “Bëj lutje që Perëndia të të japë fuqinë, sepse e di që është shumë e vështirë”.

Pas pak kohe erdhi me buzëqeshje. Dhe më tha: “Shkova. E gjeta në rrugë, e përshëndeta, e përqafova, e putha, i thamë njëri-tjetrit ‘të falura’ dhe tani erdha të ta tregoj”. I thashë: “Shko! Me të katër duart e mia ta nënshkruaj që të kungohesh!” Dhe ai njeri shkoi e u kungua me zemër të pastër e ndërgjegje të qetë.

Pas pak kohe e mori Zoti: vdiq. Por më parë arriti të pajtohej e të falej me bashkënjeriun e tij.

Vëllezërit e mi, mëkatet tona, siç thashë, janë pa fund. Janë jashtëzakonisht të shumta. Nuk mund ta shpëtojmë vetveten. Edhe sikur ditë e natë të lutemi, të kreshmojmë, të mbyllemi në shpellat e Malit të Shenjtë, të kreshmojmë, të lutemi e të bëjmë agripni, nuk mund të falim as edhe një mëkat.

Sot Krishti na tregon mënyrën që të na falen mëkatet: të falim edhe ne ata që na kanë bërë faj. Vetë Krishti na dha shembullin mbi Kryq. Ajo turmë e tërbuar ulërinte poshtë Tij si qentë, siç thotë Psalmi: “Se më qarkuan shumë qen”; “dema të majmë më rrethuan”.

Si qentë, thotë, si demat, kryqëzuesit ulërinin poshtë Kryqit dhe e blasfemonin. Por Krishti ynë, në vend që t’i mallkonte, i thoshte Atit të Tij: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Llk. 23:34).

Dhe mos më thoni se këto i tha Krishti, i Cili është Perëndi, ndërsa ne nuk mund t’i bëjmë. Të njëjtat fjalë tha edhe Protomartiri Stefan. Ndërsa gurët binin mbi të si shi e breshër dhe gjaku i rridhte si lumë nga fytyra, ai u gjunjëzua në tokë dhe ngriti duart drejt Perëndisë për t’u lutur.

Çfarë do të prisnim të thoshte? “Perëndia im, lësho rrufe dhe digji! Hape tokën dhe përpiji për atë që po bëjnë!” Por nuk tha kështu. Çfarë tha Stefani? “Zot, mos ua llogarit këtë mëkat” (Vep. 7:60). Perëndia im, mos ua llogarit këtë mëkat që bënë.

Më vonë kemi edhe një tjetër: Shën Dionisin, i cili e fshehu dhe e shpëtoi vrasësin e vëllait të vet! Pikërisht për këtë Shën Dionisi u bë shenjtor dhe trupi i tij nuk u prish. Vetëm për atë që bëri: fali vrasësin e vëllait të tij.

Dhe mos më thoni se këto janë ngjarje të vjetra. Kemi edhe shumë shembuj bashkëkohorë. Nuk po përmend shembullin e Kolokotronit. Por, meqë këto ditë kemi qipriotë këtu në Florinë dhe ndodhen pikërisht tani në kishë, po përmend fjalët e një njeriu të dënuar me vdekje, të cilin anglezët e dënuan me varje: Jakovos Patatsos, “shenjtori” i historisë qipriote të vitit 1955.

Pasi u rrëfye dhe u kungua, pak para ekzekutimit, ai i tha priftit: “T’i thuash xhelatit që do të më ekzekutojë se u rrëfeva, u kungova dhe e fal me gjithë zemrën time”.

Këta janë shembuj njerëzorë, vëllezërit e mi; nuk janë engjëllorë. Edhe ne mund ta bëjmë. Prandaj le ta dëgjojmë zërin e Krishtit tonë. Le t’i falim edhe ne mëkatet dhe fajet që na kanë bërë bashkënjerëzit tanë, në mënyrë që edhe ne të marrim faljen e Perëndisë për mëkatet tona të shumta e të mëdha. Amin.

 

 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu