Liturgjia Hyjnore përkujton Flijimin e Krishtit

2826
14 Gusht 15:55
3
Liturgjia Hyjnore përkujton Flijimin e Krishtit

Misteri i Eukaristisë Hyjnore dhe karakteri përkujtimor i shërbesës më të lartë të Kishës Orthodhokse

HYRJE

LITURGJIA HYJNORE NË PËRGJITHËSI

Liturgjia Hyjnore përbën shfaqjen më të lartë të adhurimit të Kishës Orthodhokse. Ajo është shërbesa e shenjtë gjatë së cilës kryhet Misteri i Eukaristisë Hyjnore. Në këtë Mister, buka dhe vera, me veprimin e Shpirtit të Shenjtë, shndërrohen në Trupin dhe Gjakun e Krishtit, me të cilat kungohen besimtarët, që të shenjtërohen dhe të marrin ndjesën e mëkateve dhe jetën e amshuar.

Shën Nikolla Kavasila shkruan për këtë në veprën e tij të mirënjohur Mbi Liturgjinë Hyjnore:

“Vepra e Misterit të shenjtë – domethënë e Eukaristisë Hyjnore – është shndërrimi i Dhuratave të Nderuara, pra i bukës dhe i verës, në Trupin dhe Gjakun hyjnor të Krishtit. Ndërsa qëllimi përfundimtar i Misterit është shenjtërimi i besimtarëve, të cilët, nëpërmjet këtyre Dhuratave, marrin ndjesën e mëkateve, trashëgimin e Mbretërisë së Qiejve dhe të mirat e tjera që burojnë prej saj.”

(EPE, Filokalia, 22, 32)

Misteri i Eukaristisë Hyjnore, siç thekson Shën Nektari, episkop i Pentapolit:

“Është më i larti ndër të gjitha Misteret; është më i mrekullueshmi ndër të gjitha mrekullitë që ka kryer fuqia e Perëndisë; është më mahnitësi ndër të gjitha sa ka konceptuar urtësia e Perëndisë; është, gjithashtu, më i çmuari ndër të gjitha dhuratat që dashuria e Perëndisë u ka falur njerëzve… Prandaj, me shumë të drejtë, mund të quhet dhe të konsiderohet mrekullia e mrekullive dhe Misteri i mistereve.”

(Shën Nektari, Studime rreth Mistereve Hyjnore)

Misteri i Eukaristisë Hyjnore është i themeluar nga vetë Perëndia. Kjo do të thotë se atë e kreu për herë të parë dhe na e dorëzoi vetë Zoti ynë Perëndinjeri, Jisu Krishti, gjatë Darkës Mistike. Ky Mister i madh kryhet, siç thamë, gjatë Liturgjisë Hyjnore.

Fjala “liturgji” rrjedh nga fjala leitos ose litos, që do të thotë “popull”, dhe nga fjala ergon, që do të thotë “vepër”. Prandaj, “liturgji” do të thotë “vepër e popullit”, “vepër e përbashkët” ose “vepër publike”.

Nga të gjitha veprat e njerëzve, më e larta, më e mrekullueshmja dhe më e shenjta është Liturgjia Hyjnore.

Shën Joani i Kronshtadit, shenjti aq i dashur rus, shkruan:

“Liturgjia Hyjnore është me të vërtetë një shërbesë e shenjtë qiellore mbi tokë, gjatë së cilës vetë Perëndia, në një mënyrë të veçantë dhe të drejtpërdrejtë, është i pranishëm dhe banon ndërmjet njerëzve.”

Dhe më tej shton:

“Nuk ka mbi tokë vepër më të shenjtë, më të lartë, më madhështore, më solemne dhe më jetëdhënëse se Liturgjia Hyjnore. Gjatë kohës së Liturgjisë, kisha bëhet një qiell mbi tokë, ndërsa ata që meshojnë përfaqësojnë vetë Krishtin, Engjëjt, Kerubimet, Serafimet dhe Apostujt.”

(Jeta në Krishtin, bot. Perivoli tis Panajias, f. 110)

KARAKTERI I LITURGJISË HYJNORE

A. PËRKUJTIMI

Le të shqyrtojmë tani karakterin e Liturgjisë Hyjnore.

Para së gjithash, Liturgjia Hyjnore është përkujtim. Ajo na sjell ndër mend ngjarjen më të rëndësishme dhe më prekëse të historisë mbarëbotërore: Flijimin e Krishtit në Kryq.

Me Flijimin e Krishtit u shua e keqja më e madhe që ekzistonte në botë: mëkati, i cili, si një mur, e ndante njeriun nga Perëndia.

Me këtë Flijim, siç vëren Shën Joan Gojarti:

“Ra tirania e djallit, vdekja u shua, mëkati u asgjësua, mallkimi u hoq dhe Parajsa u hap. Njerëzit dhe Engjëjt u bashkuan, muri që na ndante u zhduk dhe Perëndia i paqes pajtoi të lartat me të poshtmet.”

(Fjalim për Javën e Madhe)

Këtë ngjarje të madhe dhe shpëtimtare për mbarë botën, këtë shfaqje më të lartë të dashurisë hyjnore, njeriu duhet ta kujtojë vazhdimisht dhe t’i shprehë pa pushim mirënjohjen e tij Perëndisë, Bamirësit dhe Shpëtimtarit të madh.

Për fat të keq, mendja njerëzore harron lehtë. Koha, e cila gjithçka e mposht, shuan nga kujtesa jonë edhe ndjenjat më të fuqishme të mirënjohjes. Për këtë arsye, që nga kohët më të lashta, njeriu është përpjekur të gjejë mënyra për t’i mbajtur të gjalla në kujtesën e tij personat dhe ngjarjet më të rëndësishme.

Këtë shohim se bënin edhe hebrenjtë në Dhiatën e Vjetër. Kur, me ndërhyrjen e mrekullueshme të Perëndisë dhe nën udhëheqjen e Moisiut, arritën të çliroheshin nga egjiptianët, nën sundimin e të cilëve kishin jetuar si skllevër për katërqind vjet, që në çastet e para të daljes së tyre caktuan kremtimin e Pashkës.

Ajo u bë festa më solemne ndër të gjitha festat e tyre, që të kujtonin veprat e mrekullueshme që Fuqia Hyjnore kishte kryer për popullin e tyre dhe që brezat pasardhës të mësonin për bamirësitë e Perëndisë.

Çdo vit, në një natë të caktuar, e gjithë familja mblidhej në shtëpi për të kryer një paraqitje simbolike të ngjarjeve që kishin ndodhur gjatë asaj nate të fundit, përpara largimit të tyre nga Egjipti.

Shtrohej një darkë me bukë të ndorme, domethënë pa maja, me bimë të hidhura dhe me qengjin e Pashkës, një qengj të pjekur. Të pranishmit qëndronin në këmbë, me sandale në këmbë dhe me nga një shkop në dorë, ashtu siç kishin qëndruar etërit e tyre kur po përgatiteshin të largoheshin nga Egjipti.

Kryetari i familjes ngrinte gotën me verë dhe, pas një lutjeje të shkurtër falënderimi drejtuar Perëndisë, pinin të gjithë prej tij. Më pas, njëri prej pjesëtarëve më të rinj të familjes pyeste se çfarë kuptimi kishin të gjitha ato që po kryheshin.

Atëherë, drejtuesi i darkës shpjegonte se qengji që po hanin u kujtonte qengjin me gjakun e të cilit etërit e tyre kishin lyer dyert e shtëpive, që të shpëtonin nga engjëlli shfarosës, i cili do të vinte për të goditur të parëlindurit e egjiptianëve.

Bimët e hidhura simbolizonin skllavërinë e hidhur në të cilën kishin jetuar për katërqind vjet. Ndërsa buka e ndorme tregonte se ata ishin larguar “pa maja” nga Egjipti; domethënë, nuk kishin marrë me vete “majanë” e idhujtarisë.

E gjithë shërbesa fillonte dhe përfundonte me psalme, të cilat i jepnin asaj një solemnitet dhe hijeshi të veçantë të shenjtë.

Në këtë mënyrë, përgjatë shekujve, mbetej e pashuar në kujtesën e izraelitëve ndërgjegjja e bamirësive të Perëndisë ndaj popullit të tyre.

Por Pashka e Dhiatës së Vjetër, sado e mrekullueshme të ishte, nuk mund të krahasohet me Pashkën e krishterë, me Pashkën e Dhiatës së Re. Ajo ishte vetëm një shëmbëlltyrë dhe një hije e Pashkës së re.

Qengji i Pashkës së të krishterëve nuk është një kafshë pa arsye. Ai është “Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës” (Jn. 1:29). Ai është Zoti ynë Perëndinjeri, Jisu Krishti, i Cili u flijua “për jetën e botës” (Jn. 6:51; shih edhe 1 Kor. 5:7).

Krishti, si një Moisi i ri, na nxori nga skllavëria e mëkatit dhe na udhëhoqi “në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21). Na mori nga vendi i vdekjes dhe na udhëhoqi në vendin e jetës. Na mori nga toka dhe na ngriti në qiell. Me Flijimin e Tij na çliroi nga hidhësia e mëkatit dhe na dhuroi shijimin e të mirave të amshuara të Parajsës.

Zoti dha porosi që këtë ngjarje shpëtimtare për mbarë botën, Flijimin e Tij, ta kujtojmë vazhdimisht, deri në Ardhjen e Tij të Dytë, nëpërmjet një shërbese të veçantë. Kjo shërbesë është Liturgjia Hyjnore.

Gjatë asaj nate historike të Darkës Mistike, të Enjten e Madhe, kur Zoti hëngri për herë të fundit me nxënësit e Tij në Dhomën e Sipërme të Jerusalemit, Ai, si Kryeprifti i Madh, kreu Liturgjinë e parë Hyjnore. U dha nxënësve të kungoheshin me Trupin dhe Gjakun e Tij, të cilat, pak më vonë, do t’i ofronte si Flijim mbi Golgotha.

Më pas, Ai urdhëroi që këtë veprim ta përsërisnin besimtarët e të gjithë shekujve, për ta kujtuar, duke thënë:

“Këtë bëjeni në përkujtimin Tim.”

>

(Llk. 22:19)

Domethënë: “Atë që më patë të bëj sonte, bëjeni vazhdimisht edhe ju, që të më kujtoni; që të kujtoni Flijimin Tim dhe shpëtimin që ju dhurova me Gjakun Tim.”

Kisha e mori këtë porosi dhe, që atëherë, vazhdon të kryejë atë që bëri Krishti.

Prandaj, sa herë që kremtojmë Liturgjinë Hyjnore, hamë nga Buka e shenjtëruar dhe pimë nga Potiri i bekuar, rrëfejmë dhe shpallim me mirënjohje vdekjen e Krishtit në Kryq, derisa Ai të vijë përsëri në Ardhjen e Tij të Dytë, siç thekson Apostull Pavli:

“Sepse, sa herë të hani këtë bukë dhe të pini këtë kupë, rrëfeni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.”

>

(1 Kor. 11:26)

Shën Joani i Kronshtadit vëren:

“Me të vërtetë e madhe është Liturgjia! Gjatë saj nuk përkujtohet jeta e një njeriu të madh, por jeta e Perëndisë së mishëruar, i Cili pësoi dhe vdiq për ne, u ngjall, u ngjit në qiell dhe do të vijë përsëri për të gjykuar mbarë botën.”

(Po aty, f. 111)

Sa mosmirënjohës tregohen, pra, ata të krishterë që, pa ndonjë arsye të përligjur, mungojnë të dielave nga Liturgjia Hyjnore!

Nga Libri në gjuhën Greke, Liturgjia Hyjnore, Zemra e Adhurimit të Krishterë Orthodhoks, Arkim. Epifan Haxhijankut, fq.11-16

Përktheu: UGO.AL

vijon...

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu