Mitropoliti Anastasi predikon për Fjetjen e Hyjlindëses në Boboshticë

2826
01:39
9
Mitropoliti Anastas gjatë Mbrëmësores së Madhe Mitropoliti Anastas gjatë Mbrëmësores së Madhe

Predikimi u mbajt në Mbrëmësoren e Madhe të Fjetjes së Hyjlindëses në Manastirin e Boboshticës.

Predikimi i Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit

  • Mbrëmësorja e Madhe e Fjetjes së Hyjlindëses, Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë, 14 gusht 2026*
Në lindjen tënde virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde nuk e braktise botën, o Virgjëreshë; në jetën e qiellit shkon, Jetën si linde këtu mbi dhé, dhe i shpëton gjithnjë prej vdekjes shpirtrat tanë, o Hyjlindëse.

Ky është himni i së kremtes së sotme, të nderuar etër dhe vëllezër, të nderuar drejtues lokalë të qarkut tonë, të dashur vëllezër dhe motra. Është ky himni i së kremtes së sotme që na jep të kuptojmë të gjithë thelbin e asaj që festojmë sot. Edhe po, festojmë! Festojmë në mënyrë paradoksale, edhe pse ndodhemi përpara një trupi të fjetur, edhe pse ndodhemi përpara një varri. Por përse festojmë? Sepse, në besimin tonë, gjëja më kryesore që besojmë është se Krishti e mundi vdekjen; se vdekja nuk është fundi i çdo njeriu, por është një fakt biologjik, i cili nuk shënon fundin, por shënon lindjen në një realitet të ri.

Këtë të kremte të madhe që festojmë sot, me këtë madhështi të çuditshme që kujtojmë sot, e përshkruan më së miri personi që nderojmë dhe festojmë sot, Hyjlindësja e Tërëshenjtë, kur thotë:

“Shpirti im madhëron Zotin dhe fryma ime u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin tim, se bëri vepra të mëdha tek unë i Fuqishmi dhe i shenjtë është emri i Tij.”

I Fuqishmi bëri vepra të mëdha tek Hyjlindësja. Meqenëse jemi mbledhur këtu, në këtë manastir të bekuar të Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë, jemi mbledhur për t’u lutur dhe për ta nderuar atë. Le të përfitojmë nga rasti për të kuptuar pak më tepër se çfarë do të thotë Hyjlindësja me fjalët: “I Fuqishmi bëri vepra të mëdha tek unë”. Çfarë veprash madhështore bëri tek ajo i Fuqishmi? Cilat ishin këto vepra madhështore?

E para është se Hyjlindësja ishte një nga njerëzit e paktë, lindja dhe ekzistenca e së cilës u parathanë nga profetët. Shumë të paktë ishin njerëzit që u bënë të denjë që lindja e tyre të parathahej. Ishte, sigurisht, Zoti ynë Jisu Krisht. Gjithashtu, ishte Shën Joan Pagëzori, i cili do të bëhej Pararendësi i Krishtit. Ishte edhe Hyjlindësja, të cilën kremtojmë sot. Profetët e panë shumë shekuj përpara se të ndodhte lindja e saj. E parathanë, sikur ta kishin një ikonë përpara syve të tyre.

Që në librin e Zanafillës, atje ku Eva dhe Adami shkelën porosinë e Zotit, Zoti i dënoi, por jo në mënyrë të pashpresë. Që në atë pikë bëhet fjalë për Hyjlindësen e Tërëshenjtë. Kur Zoti i drejtohet gjarprit, i thotë:

“Do të vë armiqësi ndërmjet farës sate dhe farës së gruas.”

Cilës grua? Hyjlindëses së Tërëshenjtë, asaj që do të lindte Krishtin, i Cili do të shtypte vdekjen, do të dërrmonte pushtetin e saj, do të shkatërronte shkakun e saj, që është mëkati, dhe do të zhdukte burimin e mëkatit dhe të vdekjes, që është djalli.

E pa edhe profeti Isaia, më shumë se tetëqind e ca vjet përpara se kjo të ndodhte, dhe tha:

“Ja, Virgjëresha do të mbetet me barrë, do të lindë një fëmijë dhe emri i Tij do të jetë Emanuel.”

Cili fëmijë? Pa tjetër Perëndia. Sepse, siç e dini, çfarë do të thotë “Emanuel”? Do të thotë: “Perëndia është me ne”. Isaia parashikoi në mënyrë të përsosur se Perëndia do të lindte prej një Virgjëreshe, prej Zonjës sonë të Tërëshenjtë Mari.

Edhe Jakobi e pa atë, madje përpara Isaisë. E pa në formën e një shkalle, e cila fillonte nga toka dhe mbaronte në qiell. Me të vërtetë, Hyjlindësja u bë shkalla nëpërmjet së cilës zbriti Perëndia. Hyri në kohë Perëndia i pakohë. U zu në gjirin e saj Ai që mban në dorën e Tij gjithësinë. Nëpërmjet kësaj shkalle, nga e cila zbriti Perëndia, të gjithë ne kemi mundësinë të ngjitemi në qiell.

E pa edhe profeti Ezekiel në formën e një porte të mbyllur, e cila, siç thotë profeti, nuk do të hapet kurrë, sepse nëpër këtë portë ka kaluar Zoti. Kjo është simbol i virgjërisë së Hyjlindëses. E panë edhe shumë profetë të tjerë.

Hyjlindësja u paratipizua si shkopi i Aaronit, i tharë, i cili lulëzoi; si Arka e Shenjtë, e cila mbante simbolet e Krishtit dhe të Perëndisë, ndërsa ajo mbajti vetë Krishtin në gjirin e saj; si ena që mbante manën, me të cilën Perëndia ushqeu në shkretëtirë për dyzet vjet popullin e Tij, ndërsa Hyjlindësja mbajti në gjirin e saj Krishtin Perëndi.

Sa vepra madhështore bëri vërtet i Fuqishmi në personin e Hyjlindëses! Kujtoni përshëndetjen e engjëllit, kur shkoi t’i jepte lajmin e mirë se do të lindte një foshnjë. Si iu drejtua Hyjlindëses? I tha:

“Gëzohu, o Hirplotë, Zoti është me ty; e bekuar je ndërmjet grave.”

E quajti “Hirplotë”. A e kishte Hyjlindësja hirin të plotë? Vëllezër dhe motra, armiku i madh, i cili nuk e lejon hirin e Perëndisë të vijë tek ne, është mëkati. Sa më shumë mëkatojmë, aq më shumë largohet hiri nga ne dhe aq më shumë largohemi ne nga hiri i Perëndisë.

Mirëpo, Hyjlindësja e kishte hirin e Perëndisë të plotë, sepse nuk mëkatoi as me fjalë, as me punë, as me mendje. Kur engjëlli i tha: “Gëzohu, o Hirplotë”, u plotësua në mënyrën më të përsosur hiri që ishte brenda saj, sepse në atë çast ajo u çlirua edhe nga mëkati atëror, nga mëkati i Adamit, të cilin të gjithë ne e trashëgojmë me lindjen tonë.

Sepse Hyjlindësja – duhet ta dimë mirë këtë – lindi si çdo njeri prej nesh. Lindi prej një burri dhe prej një gruaje. Lindi me mëkatin stërgjyshëror. Kështu duhej të lindte, sepse kishte një mision: të përfaqësonte gjininë njerëzore në veprën e shpëtimit dhe të bëhej bashkëpunëtore e hirit të Perëndisë.

Po të mos ishte njeri në të gjitha cilësitë dhe në të gjithë qenien e saj, atëherë nuk do të mund t’i përfaqësonte njerëzit e rënë në veprën e shpëtimit dhe në bashkëpunimin me hirin e Perëndisë. Po, vepra madhështore bëri i Fuqishmi në personin e së Tërëshenjtës!

Shikoni një krahasim të bukur. I njëjti engjëll që i tha Hyjlindëses: “Gëzohu, o Hirplotë”, dhe se do të lindte Perëndinë në formë njerëzore, shkoi edhe te Zaharia dhe i paratha se do të lindte Joan Pagëzori. Një lindje shumë e pritur, një lindje që gjithashtu do të kontribuonte në veprën e madhe të shpëtimit, sepse ai do të ishte Pararendësi i Zotit Krisht.

Por shikoni dallimin. Zaharia e priti Kryeengjëllin në Tempull, atje ku shkonte të paraqitej përpara Perëndisë, të digjte temjanin dhe të kryente detyrën si kryeprift. Atje iu shfaq engjëlli dhe i dha lajmin e mirë. Kurse te Hyjlindësja Kryeengjëlli shkoi atje ku ndodhej ajo, në shtëpinë e saj.

Edhe një krahasim tjetër: kur Zaharia i tha engjëllit: “Ç’është kjo që më thua? Unë jam i moshuar dhe gruaja ime është gjithashtu e moshuar. Si do të lindim një fëmijë?”, engjëlli nuk i dha asnjë shpjegim. I tha:

“Meqenëse nuk u besove fjalëve të mia, do të jesh i nemitur dhe nuk do të flasësh deri në ditën kur do të lindë fëmija.”

Të njëjtin shqetësim dhe të njëjtën pyetje i shprehu edhe Hyjlindësja Kryeengjëllit:

“Si do të ndodhë kjo tek unë, sepse unë nuk njoh burrë, nuk jam e martuar, nuk kam një marrëdhënie? Si do të lind një fëmijë?”

Shikoni tani qëndrimin e engjëllit. Me shpresëtari dhe me respekt, i përulur përpara saj, i dha shpjegim. I tha:

“Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e të Lartit do të të hijesojë.”

Pastaj dëgjohet përgjigjja e Hyjlindëses:

“Ja ku jam unë. U bëftë tek unë sipas fjalës sate, sepse jam shërbëtorja e Zotit dhe e Perëndisë.”

Shikoni, vëllezër dhe motra: Zaharia ishte kryeprift i Të Lartit dhe u qortua prej engjëllit, ndërsa Hyjlindësja, një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare, u nderua prej engjëllit.

Vepra madhështore bëri i Fuqishmi në personin e Hyjlindëses, sepse tek ajo u bashkuan virgjëria me lindjen. Mbeti me barrë pa pasur marrëdhënie me një burrë. Lindi një foshnjë pa dhimbje. Virgjëresha lindi dhe ushqeu një fëmijë.

Një tropar i Kishës thotë: “Si është e mundur që një Virgjëreshë të lindë dhe të ushqejë një foshnjë?” Por Perëndia nuk mund të lindte ashtu siç lindin njerëzit në mëkat. Kjo është dogma e Kishës sonë, e cila është e pikturuar në çdo ikonë.

Prandaj ikonat janë të rëndësishme në Kishën tonë, sepse na japin një mesazh. Kur shikojmë një ikonë të Hyjlindëses së Tërëshenjtë, shohim se mbi të dy supet e saj ka nga një yll dhe një yll tjetër mbi kokë. Çfarë na thonë këta yje? Shumica prej jush e dini, por le ta themi përsëri: Virgjëreshë përpara lindjes, Virgjëreshë gjatë lindjes dhe mbeti Virgjëreshë edhe pas lindjes. Ky është misteri i besës sonë.

Vepra madhështore bëri i Fuqishmi në personin e Hyjlindëses. Të tilla janë edhe veprat që kremtojmë sot: Fjetjen e saj, largimin e saj nga kjo botë, pas një jete të mrekullueshme dhe me një kontribut kaq të madh në historinë njerëzore.

Tri ditë përpara se të ndërronte jetë, iu shfaq përsëri i njëjti engjëll dhe e njoftoi se kishte ardhur koha të largohej nga kjo botë, sepse misioni i saj tashmë kishte mbaruar. Hyjlindësja shkoi në Malin e Ullinjve për t’u lutur. U kthye në shtëpinë e saj, përgatiti vetë shtratin e saj mortor, ua ndau ato pak sende personale që kishte njerëzve që ndodheshin rreth saj dhe u përgatit të dorëzonte shpirtin.

Veprat madhështore vazhduan të ndodhnin. Re të ndritshme i mblodhën Apostujt nga vendet e largëta ku kishin shkuar për të predikuar Ungjillin. Të gjithë u ndodhën atje për t’u përshëndetur për herë të fundit me Nënën e Perëndisë dhe për të marrë bekimin e saj.

Vepra më madhështore që ndodhi ishte se vetë Perëndia, Biri i saj, Zoti Jisu Krisht, erdhi që të merrte me duart e Tij të tërëshenjta shpirtin e Nënës së Tij. Ai shfaqet në ikonë i rrethuar me rreze drite dhe me Engjëj, të cilët, të mahnitur, psalnin dhe këndonin për këtë mrekulli.

Krishti shfaqet me një foshnjë në duar. E thamë edhe mbrëmë, kur ishim në Rëmbec, por le ta përsërisim: një përmbysje shumë e bukur ndodh në këtë çast. Në ikonën e Krishtlindjes shohim Hyjlindësen me një foshnjë në duar, Krishtin Perëndi, të Cilin ajo ia ofron botës. Nëpërmjet Tij i ofron botës shpëtimin.

Ndërsa në ikonën e së kremtes së sotme shohim Krishtin, i Cili tani mban një foshnjë në duar. Ajo është shpirti i Nënës së Tij. Ai e merr dhe e çon në qiell, atje ku është destinacioni i të gjithë njerëzve; ai destinacion, për realizimin e të cilit vetë Zoti zbriti në tokë.

Këtu na vjen ndër mend profecia e profetit David, i cili thotë:

“Dhe ja, Mbretëresha qëndroi në të djathtën e Zotit, e veshur me veshje të arta.”

U ngjit Virgjëresha në të djathtën e Perëndisë. Me çfarë veshjesh të arta? Jo me flori material, jo me veshje të ndritshme si këto që mbajmë ne, por veshja e saj e florinjtë ishin virtytet e saj. Para së gjithash ishte përulësia e saj, ishte dëgjesa e saj, ishte pastërtia e saj trupore dhe shpirtërore, ishte çiltërsia e saj, ishte dashuria e saj, ishte përkujdesja me të cilën rrethoi dhe përqafoi çdo njeri që takoi gjatë gjithë jetës së saj.

Vëllezër dhe motra, Perëndia na ka dhënë një Nënë: Nënën e Tij, e cila është streha jonë, e cila është mburoja jonë, e cila është streha jonë në vështirësitë, në tundimet dhe në përpjekjet e përditshme të jetës sonë. Ajo është gjithmonë e gatshme të ndërmjetojë për ne dhe të na ndihmojë.

Por Hyjlindësja ka vetëm një porosi. Cila është ajo? Thotë:

“Bëni ç’t’ju thotë.”

Kush? Krishti Perëndi, Biri i saj. Pra, ajo kërkon nga ne vetëm një gjë: të ndjekim Zotin Krisht, të zbatojmë porositë e Tij dhe të jetojmë sipas Ungjillit të Tij. Pastaj, për të gjitha gjërat e tjera kujdeset ajo.

Ju uroj të gjithëve: Gëzuar të kremten e Fjetjes së Hyjlindëses! Gëzuar Pashkën e verës! Dhe është me të vërtetë Pashkë, sepse Hyjlindësja nuk qëndroi në varr. Siç thotë një tropar i Kishës, vdekja dhe varri nuk e zotëruan dot trupin e saj, sepse ishte Nëna e Jetës.

Perëndia nuk lejoi që ai trup, prej të cilit Ai vetë mori trupin njerëzor, të provonte prishjen. Le të rendim, pra, të gjithë tek ajo dhe t’i themi:

O Nënë e Zotit Krisht, ty të lutemi. Tek ti rendim, tek ti kërkojmë strehë. Çdo shpresë mbi ty e var, o Zonjë Hyjlindëse. O Nënë e Zotit Krisht, o Nënë e tërë botës, o Nëna jonë, ti më ruaj përherë dhe ti më mbro. Amin.

Më parë, UGO kishte botuar materiale për jetën dhe veprën e Kryepeshkopit Anastasi.

 

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu